Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Kur e mohonin Ibrahim Rugovën si Juda Krishtin
E shtune, 17.08.2019, 06:59 PM
Kur e mohonin Ibrahim Rugovën si Juda Krishtin
Kujtime
Nga Gani
Mehmetaj
-Ibrahim
Rugova mori fund, mos u identifiko me të, mos e mbroj më! - më thirri një mik
imi me telefon nga Shkupi, ku e përplasi fatkeqësia e refugjatit. Duket ia
kishin thënë qëndrimin tim e të gazetës që s’kishte ndryshuar, ose shkrimet e
mia i lexonte në një gazetë lokale të Shkupit.
-Mos
u bë besëpakët, s’ke si shkëputesh nga fati i tij e t’u ngjitesh partizanëve të
rinj, - ia ktheva aty për aty. - Nuk të besojnë edhe po u bëre be nga toka në
qiell, -nisa ta merrja si në tallje.
Ai
përpiqej të më bindte se jam jashtë realitetit. Sipas tij njerëzit mendonin
ndryshe.
Se
si m’u duk kur ma thoshte, ai me të cilin kishim filluar që ditët e para të
pluralizmit politik, shkonim ndonjëherë edhe në Pallatin e Rinisë, kur
demonstronin punëtorët e popullata. Pse donte aq shpejt të hiqte dorë nga
njeriu, të cilin deri dje e himnizonte? Pse donte të mos identifikohej më me
Ibrahim Rugovën? Deri dje betohej në kokën e tij. Më shkoi mendja tek ata që
thonë se kur nis të fundoset anija, minjtë ia mbathin të parët. Pse donte t’ia
mbathte ai? Ku do të futej? Në strukturat e reja që përvijoheshin me aq
agresivitet e zemërim? Më mbërtheu zemërimi. Athua donte të bënte karrierë në
fatkeqësinë e përgjithshme?
-
Edhe sikur ta mohojmë tri herë si Juda Krishtin, prapë do të na identifikonin
me të, s’ka kush që beson ndryshe, - ia ktheva i prekur nga ato që thoshte.
Miku im këmbëngulte se Rugova më kurrë s’do të marrë veten. E dija se e ka
gabim, e dija se gaboheshin edhe analistët e tjerë nëpër ca gazeta pamflete, ku
nisën spekulimet e turpshme. Donin t’ua mbushnin mendjen të huajve, duke ua
vënë në pah kinse etnopsikologjinë e shqiptarëve, ende besonin se kemi mbetur
në çifteli e lahuta. Ata u pëshpëritnin në vesh se shqiptarët urbanë e ruralë
do ta donin një lider hero me mustaqe vesh e m’vesh dhe me britma lufte: Oooo,
prite, prite!
Harronin
vendës e të huaj se Rugovën e zgjodhën dy herë rresht president, duke ia parë
pamjen e brishtë, qëndrimin këmbëngulës e frymën e tolerancës, popullata nuk
donte lider me pamje të kreshpëruar e flokët e palarë. Kishte kaluar koha e
kaçakëve, jetonim në fund të shekulli XX. Rugova rrezatonte mirësi e jo dhunë,
mençuri e jo mendjelehtësi, ai rrezatonte maturi e jo aventurizëm. Populli i
Kosovës nuk e zgjodhi që të mbante kobure në brez, Rugova u bë lider, sepse ua
kuptonte hallin, u shqua mbi të tjerët, sepse nuk hoqi dorë nga idealet e
përcaktimet e veta, që ishin idealet e synimet e shqiptarëve të Kosovës. Ai
sikurse të gjithë shqiptarët e ndiqte ëndrrën e madhe.
Nuk
ia tumira propozimin, nuk doja të grindesha, ia ktheva me humor: - E di si, unë
me timen, ti me tënden! Nga zërat që dëgjoja përtej telefonit e mora me mend se
nuk ishte vetëm, fliste ta dëgjonin të tjerët.
Një
grup syresh për herë të dytë shkoi në Tiranë të takoheshin me presidentin
shqiptar, Rexhep Mejdani, por synimi ishte të dilnin me një kumtesë ku do të
distancoheshin nga Rugova, do ta mohonin si Juda që e mohoi Krishtin dhe do të
merrnin poste, të cilat do t’ua caktonin zyrtarët shqiptarë, ata zyrtarë që në
pushtet erdhën me shantazhe e presione pasi u shkërmoq shteti shqiptar. Një
pjesë e delegacionit të LDK-së nuk pranoi të takohej me presidentin Rexhep
Mejdani, as të jepte deklarata kundër Rugovës. E kuptuan mashtrimin.
Pas
dy ditësh nga Cyrihu shkova në Shkup. Takova familjen që ishte vendosur te të
afërmit e gruas. Fëmijët vazhdonin mësimin në shkollat shqipe të Shkupit. Nisa
kërkimin e kolegëve e miqve. Vëllezërit e motrat që i zuri lufta në Pejë, me
shumë peripeci e rreziqe pas një rrugëtimi qindra kilometrash në këmbë, arritën
në Tiranë, ku u vendosën te motra që jetonte në kryeqytetin shqiptar. Dy
vëllezërit me familje u kthyen nga Malësia e Gollakut në Lagjen e Muhaxhirëve,
në gojën e ujkut, por rrugë tjetër nuk patën. Gati vdiqën urie. I thirra disa
herë me telefon përmes një linje që kalonte nga Banja-Lluka, qytet në Bosnjë e
Hercegovinë deri në Prishtinë.
Në
Shkup erdha të mblidhja gazetarët e të formoja redaksinë. Natyrisht përpiqesha
të vija kontakte me veprimtarët e LDK-së. Doja t’u sugjeroja të organizoheshin,
nëse donin mund të kërkonin vendosje të përkohshme në Gjermani ose Zvicër, ku
qemë më të organizuar. Veprimtarët e LDK-së në Perëndim ishin të gatshëm t’i
pranonin e t’i ndihmonin.
Në
përpjekjet për të formuar ekip gazetarësh, doja të angazhoja gazetarët e
“Rilindjes”. Kërkova miqtë e vjetër bashkëmendimtarë që do të bashkëpunonim,
për të plotësuar boshllëkun e krijuar pas marrjes peng të Rugovës. Vështirë t’i
gjeje, të shpërndarë gjithandej, nga Shkupi në Strugë, një pjesë strehoheshin
në Shqipëri. Për Xhemail Mustafën askush nuk dinte asgjë konkrete. Ai nuk e
kaloi kufirin. Nuk dihej fati i shumë të tjerëve, por disa gjëra diheshin.
Vrasjet e burgosjet shpejt merreshin vesh. Një kolegu ia kishin vrarë gruan,
kurse endej me fëmijë jetimë nëpër rrugët e Shkupit. Me dhimbsej, por askush
s'mund ta ndihmonte.
Në
këtë situatë të pështjelluar, përpiqesha së paku të mblidhja një grup
gazetarësh e përkthyesish që të bëja një qendër të lajmeve. Çdo ditë na
thërrisnin në Cyrih redaksitë gjermane, franceze e zvicerane të radios e të
gazetave, na lusnin për ndonjë informacion, kërkonin të konfirmonin ndonjë lajm
që u kishte ardhur nga burime të pakonfirmuara. Megjithëse përpiqeshim t’u
dilnim ndesh kërkesave të tyre, me ekipin e vogël mezi e sajonim gazetën në
gjuhën shqipe.
Hajdar
Sadria na ndihmonte në përkthimin e informacionit më të rëndësishëm në gjuhën
gjermane që e botonim në katër faqe të “Rilindjes”, brenda si shtojcë e
veçantë. Në fakt ai na e dërgonte të gatshme, ne e bënim vetëm faqosjen.
Takova
disa miq të vjetër, dy prej tyre ish-anëtarë të Kryesisë së LDK-së. I
emocionuar ua paraqita konceptin tim të organizimit të shtabit që do të
komunikonte me degët e LDK-së në Zvicër e Gjermani. Disave që ishin gazetarë u
propozova të fillonin punën në zyrat e Shkupit. Nuk e di çfarë po ndodhte,
frikësoheshin të punonin për gazetë, nuk donin të komunikonin me degët e
LDK-së, megjithëse para disa vjetësh kishin shëtitur gjithë Zvicrën e
Gjermaninë me paratë e këtyre degëve. Pse ngurronin? Kujt i druheshin, një
druajtje e frikë mbizotëronte te një pjesë e intelektualëve refugjatë. Më
habisnin, sepse ata ishin anëtarë të Kryesisë së LDK-së, ose kishin qenë në
organe udhëheqëse, kurse unë nuk mora pjesë në asnjë mbledhje të LDK-së pas 23
dhjetorit të vitit 1989, kur u themelua. Ata i gëzonin të gjitha privilegjet,
merrnin rrogë në parti derisa filluan bombardimet, unë e fitoja bukën me
profesionin tim, ata patën privilegje, ndërsa tash kur iu këputën burimet e
financimit donin t’ia mbathnin. Shumica syresh mendonin se Rugova nuk do të
këndellej kurrë më, prapë disa syresh nisën të më bindnin se duhej t’i
shmangesha Rugovës. Më dëshpëronin, por nuk më bindnin. Nuk u përpoqa as unë
t’i ktheja rrugës së zotit.
Kot
që u flisja, ata kishin ndarë mendjen të shkonin me fitimtarin, sikurse
shpresonin se do të bëheshin grupet politike që mbështeteshin nga SHIK-u e
Qeveria shqiptare. Logjika e tyre pragmatike e imorale, s’të jepte mundësi
debati.
Bëra
përpjekje që përmes korrespodentit tonë në Shkup të vë kontakt me gazetarët e
tjerë. Çuditërisht ai u soll në mënyrë të rebeluar. Nga gazetari dikur i
përulur, i gatshëm për çdo shërbim, më përgjigjej shkurt, herë-herë me
arrogancë, një herë me tha: Ku do ta bësh vendin, o Gani Mehmetaj?
Pse?
i thashë i habitur?
Sepse
ti e di që ata nuk të duan.
–Ty
a të duan? e pyeta me interesim.
-
Unë jam me ta, - ma ktheu.
-
Epo atëherë shqiptarësia e tyre qenka e dyshimtë -ia ktheva me seriozitet.
Kisha rezerva ndaj tij, sidomos pas intervistës me ministrin maqedonas,
Fërçkovskin, antishqiptar i tërbuar që i shoi me gjak demonstratat e
shqiptarëve në Maqedoni. Por zyrat i kishte funksionale. Intervistën me
ministrin vrasës (Fërçkovskin) nuk ia botova në Perëndim, këtu nisi armiqësia
jonë. Me këtë qatip gazetarie ndenjëm në një restorant. Korrespondenti nuk
pranoi t’i lëshonte zyrat që ia kishin dhënë subjektet politike shqiptare të
Maqedonisë në emër të “Rilindjes”. Punës së tij nuk ia kisha nevojën, sepse
ishte gazetar i dobët. U ndamë secili në rrugën e vet, ai me fitimtarët që i
priste, unë me “humbësit”.
Kolegu
i vjetër, Emin Azemi na ndihmoi shumë në gjetjen e zyrave, infrastrukturës e të
bashkëpunëtorëve. Ai e botonte gazetën “Fakti”, e cila ato ditë ishte gazeta më
e lexuar shqiptare, që shpërndahej nëpër kampet e refugjatëve. Disa gazetarë të
tij na raportonin çdo ditë.
U
ktheva në Cyrih. Megjithatë e formova redaksinë në Shkup. Ndër redaksitë e
pakta e patëm korrespondentin tonë që e përcolli ardhjen e presidentit Klinton
në kampet e refugjatëve. E kishim edhe fotografinë nga takimi i presidentit
amerikan Bill e Hilari Klinton me fëmijën që mbeti pa prindër. Njëra nga
fotografitë tona e mori dheun.