Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Anadolli - Golgota e shqiptarëve
E marte, 16.07.2019, 09:44 PM
Si
e pashë Turqinë në vitet e tetëdhjeta
Anadolli
- Golgota e shqiptarëve
Nga
Gani Mehmetaj
Nga
Stambolli u nisa me një autobus turk që i ra Anadollit nga njëri skaj në skajin
tjetër. Ishte rrugë e gjatë, gati e pafund, me ngritje e zbritje, sa kapërcenim
një varg malor e zbrisnin në fushëtira, kur na dilnin para malet tjera. Dhe nuk
e di pse e kisha menduar Turqinë e Anadollin vetëm fushëtirë e stepa të
pafundme, apo pse e kisha identifikuar tërë Turqinë me Anadollin. Në rrugëtimin
që zgjati dy net e dy ditë, bënim pushime, shihja fytyra nga më interesantet që
futeshin e dilnin me nguti nga autobusi. Udhëtimi dukej interesant, shihja
visore të cilat kurrë nuk i kisha parë, nuk do t'i shihja kurrë sikur të shkoja
me aeroplanë.
Anadolli
si emërtim gjeografik, psherëtimë, mallkim e kryqëzim në vuajtje, ishte futur
thellë në lëkurën tonë, ishte ngulitur në rrashtën e kokës. Mijëra familje
shqiptare kaluan nëpër këto stepa, në rrugë të parrugë. Kur i ndëshkonte
Perandoria osmane, i tërhiqnin zvarrë nga Arbëria, kalonin Edrenenë, shkelnin
cepave të kontinentit të mbetur evropian dhe dilnin në Azi. Ata që e
përballonin rrugën, ndërsa nuk e përballonin gjysma, i zhvendosnin në toka
djerr, i linin të shuheshin ngadalë, ose të mbijetonin me vuajtje e mundime.
Qindra familje tjera vazhduan rrugëtimin cepave të Turqisë, në Eskisheher,
Sivas, në kufi me Kurdistanin.
Me
dhjetëra, që të mos them me qindra kilometra nuk shihje këmbë njeriu a
vendbanim. Hëna pas mesnatës e ndriçonte hapësirën sikur të qe buzëmbrëmja,
shihej ose hamendësoje se shihje ujkun e stepave, të dukej që e dëgjoje edhe ulërimën e tij të zvargur e të frikshme. Ujku
i Anadollit ishte një bishë e rrallë e hajthme si ndonjë dru i stërkequr që të
dilte ndanë rrugës. Nuk dukej kund ujë a rrjedh lumi.
Në
këtë ambient hënor pa kratere, por të shpërlarë, imagjinoja mijëra burra të
syrgjynosur që vdisnin nga vuajtjet e mundimet, sepse nuk donin të bëheshin
turq, nuk pranonin të ndërronin fenë e të parëve.
Mu
kujtuan Martirët e Karadakut-shqiptarët e Dardanisë që lanë eshtrat stepave të
kësaj hapësire gjeografike, u ngritën në këmbë tërë qytetërimi perëndimor, por
Turqia ishte e palëkundshme, i kishte gjykuar të vuanin deri në vdekje.
Shpateve të Stubllës nipat e këtyre martirëve e kanë hapur një rrugë malore:
Rruga e Kalvarit, me të cilën e kujtojnë mundimin që e përjetuan të parët e
tyre në Anadoll.
S'mbeti
shqiptar pa e mallkuar shekuj me radhë Anadollin. Sa rrëfimet janë treguar për
djerrinat e Anadollit, sa baladat e trishta kapërdiheshin me lot. Mbase nga
këto mallkime të shqiptarëve e ndëshkoi edhe Zoti, e zhveshi nga gjelbërimi e
pyllnaja, e ndali shiun, e thau tokën dhe e bëri teneqe.
Dhe
derisa unë imagjinoja pamjet e shqiptarëve që vdisnin stepave të shkreta në
mundime, të uritur e të rrahur me kamxhikë nga ushtarët turq, stepat në dritën
e hënës se si me dukeshin, të largëta,
të ftohta, fantazmagorike, gati surreale, ashtu si nuk e kisha imagjinuar.
Rruga
tjetër nëpër Anadoll shpinte në Siri, ku u zhvendosen shqiptarët në Alep, Damask, në Irak e në shtetet e tjera arabe,
mbase deri në Arabinë Saudite. Atë rrugë
po merrja edhe unë me autobusin turk që do të më çonte deri në Damask.
Hëna
e ndritshme me ndoqi deri në mëngjes, ndërsa shikoja nga dritarja e autobusit.