Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Kthimi i Rusisë vetëm andralla do t'u sjell shqiptarëve
E shtune, 06.07.2019, 11:36 AM
Kthimi
i Rusisë vetëm andralla do t'u sjell shqiptarëve
Nga
Gani Mehmetaj
"Sa
më mirë me rusin aq më shumë lekë", shkruante një lexues në FB, ndërsa
tjetri ia tumirte: "të mbështetemi tek rusi, atje ku mbështetet Amerika e
Anglia". Ishin këto dy komente në shkrimin tim: "Rusia po kthehet në
Shqipëri!"
Sa
fatkeq e të painformuar janë ky soj shqiptarësh. Sa pak dinë nga bota.
Pesëdhjetë vjet i izoloi diktatura, tridhjetë vjet e izoluan vetën. Ora u ka
ngecur gati një shekull prapa.
Sikur
ta dinin e ta ndjenin realitetin ata do ta mësonin se rusët nuk i sjellin lekë
askujt, sepse s'kanë për vete. Janë fatkeq e të varfër rusët, oligarkia që nuk
ua di fundin parave është diçka tjetër. Nuk sollën lekë rusët në bregdetin
kroat e malazez, nuk sollën lekë në asnjë vend bregdetar në Evropë. Sikur të
sillnin lekë rusët, Kroacia nuk do t'ua ndalonte hyrjen. Ua vështirësuan hyrjen
rusëve edhe sllavët e Malit të Zi. Janë turistë më të padëshiruar në tërë
bregdetin Adriatik. Vetëm shqiptarët e mjerë kanë mendim tjetër për ta.
Nostalgjia
marroqe (e sëmurë) i ndjekë shqiptarët si mallkim ndaj rusit, ndaj serbit e
ndaj turkut. Dy vjet më parë kur u takuan Edi Rama me Vuçiqin në Nish, nisën
shkrimet euforike në rrjetet sociale shqiptare se si Serbia do të bëjë namin
duke investuar në turizmin shqiptarë, se si serbët do ta pushtojnë bregdetin
etj. Këta marroqë nuk e dinin se Serbia është në krizë të thellë ekonomike, e
ka ekonominë e rrënuar, serbët presin investime nga qielli e nga Perëndimi.
Turistët serbë kanë qenë të njohur për hajdutëri në Kroaci, Greqi e Mal të Zi.
Me
të njëjtën mendjelehtësi marroqi shqiptarët e pritën dikur anëtarësimin e
Shqipërisë në Organizatën e Shteteve Islamike. Kolegët e mi gazetarë,
shkrimtarë, kineastë, të majtë e të djathtë, besonin në mënyrë naive se arabët
do ta shtronin me flori Shqipërinë. Kot që u thosha se kjo do t'u sjell
fatkeqësi, sepse arabët fatkeqësi i kanë sjelle njëri-tjetrit, asnjëherë nuk kanë
ndihmuar. Dhe shqiptarët ia panë sherrin anëtarësimit në Organizatën e Shteteve
Islamike. Do t'ia shohin sherrin edhe kthimit të Rusisë në bregdetin shqiptar
me ose pa anije lufte.