E enjte, 24.10.2019, 06:42 AM (GMT+1)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Dritë-hije vere

E merkure, 03.07.2019, 08:24 PM


Dritë-hije vere

Nga Blerim Rrecaj

Ulur në një kënd verande të një kafeneje parku dhe kur tap-rrap bije mbi tavolinë diçka. Lehtë e pa zhurmë. Nga lartësia. Janë ca gjethe të verdha bagremi, dy të kapura për një fije degëze e njëra e mbështjellë njashtu si guaskë, të cilat puhiza iu jep një të shtyrë fillestare për të mos i trazuar më. Mbase kështu është kur bien gjethet në verë. Rri dhe pak në park dhe çohu ec, andej ku ndeja a puna të pret. Kujtohu dhe për të përfolshmen kohë-kot-bjerrjen dhe mundohu të gjesh e të ndalesh tek gjërat që do e të tërheqin kah vetja. Rrugës shijoje vende-vende aromën, erëkëndshmen blinore, si duke mos dashur të largohesh prej saj, e edhe kujtohu për ndonjë natë të dikurshme kur pamë hënën mbi një trung të madh bliri, e kur mund të kemi thënë se as hëna nuk po do të largohet e s'po ngopet, që s'po ngihet duke shijuar aromë lulesh bliri, e në pikë dite me diell një lule e çelur bliri duket si vëth vashe diç më tepër se i artë, si punim tej artistik. Dehu këndshëm blireve e më tej ndalu te një re e bardhë paqësore e vullkanike pas ca ditëve të lara shirash e që shkëlqejnë gjelbërisht përtokë e kaltërsisht për qiell. Te ca hije panjash në hyrje të sheshit mjaft të betontë ndalu e shijo meloditë, njërën me violinë të një art-isti-lypësi të rrugës, një bohemi endacak nëse mund të shprehemi kështu, që zë vend nëpër hapësira vend-bote e që ia merr me tinguj e ne na vijnë në mend fjalët: ..."dhentë e mia kush i do, se s'jam i zoti për to...", ose melodinë e një grupi vendor me disa instrumente të kombinuara që ia thonë: "Kroi i fshatit tonë..." Të mirat dhe të bukurat shfaqen vende-vende e tek-tuk, ashtu siç sytë ndeshen me ndonjë tabelë paksa të çuditshme me mbishkrimin: "Park publik banesorë". Vapullima po ndjehet e po vërehet sa mund të kënaqemi nëse e kemi luksin me i ndjek e me u knaqë e fresku hijeve, ndërkohë që një gëmushë me trëndafila të një ngjyrëkremte vanileje e që anon kah e verdha rri e patrazuar në çfarëdo kohe në një udhëkryq kryesor kryeqyteti ku hedhin valle ngjyra semaforësh me tik-take sekondash, me lëvizje veturash e kalimtarësh. E diku dikush, pak më lart, para se të mbërrinim këtu, ka hapur dritaren e sikur s'di se ku është më ngrohtë mbrenda a jashtë, ulet në dritare në një kat të epërm dhe rrugës e pamjes nga kjo pjesë qyteti ia ka kthyer shpinën. Diku ventilatorët freskues kryejnë funksionin e tyre, dhe njashtu siç janë paraqitur ca prej tyre të ilustruar nëpër pako, ata duken si fara lulerradhiqesh të bashkuara në kërcellin e tyre mbajtës. E më diku në një zyrë është ka ndihet fëshfëritja puhizore e klimës, për të freskuar ambientin e brendshëm veshur me dru, ndërsa jashtë dritares me perde copa-copa, me copëza hapësirash mes tyre, shohim në telin e pjerrtë ku përbashkohet e jashtmja me të brendshmen, vije e rri për sa të hapësh e të mbyllësh sytë një harabel, që pas iu jep krahëve e ik, largohet, kushedi për t'u kthyer sërish, kushedi a mund të jetë ky i njejti apo ndonjë i afërm, a kusheri i tij. Sidoqoftë vapa vazhdon. Po aq e këndshme sa aroma e blirit a e trëndafilave po aq e mirë është dhe aroma e shtalbave që janë pjekur e vazhdojnë të piqen e rrotullohen nga duar misërpjekësish që presin myshterinjtë. Dikush seç vë në dukje se qershia e dredhëza sivjet pat mjaft, por pak prej tyre me shije që u ka hije. Vëllezërit Dervishi po e këndokan një këngë që titullohet: "Hajde ta prejmë një bostan". E paçim fat të qëllojmë në të mirë. Edhe kjo verë, edhe kjo vapë, sikurse çdo stinë, e çdo kohë, sikur janë të etura duke kërkuar kroje vlerash, duke kërkuar ushqime bio...



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT