| E merkure, 03.07.2019, 08:24 PM |
Dritë-hije
vere
Nga Blerim Rrecaj
Ulur
në një kënd verande të një kafeneje parku dhe kur tap-rrap bije mbi tavolinë
diçka. Lehtë e pa zhurmë. Nga lartësia. Janë ca gjethe të verdha bagremi, dy të
kapura për një fije degëze e njëra e mbështjellë njashtu si guaskë, të cilat
puhiza iu jep një të shtyrë fillestare për të mos i trazuar më. Mbase kështu
është kur bien gjethet në verë. Rri dhe pak në park dhe çohu ec, andej ku ndeja
a puna të pret. Kujtohu dhe për të përfolshmen kohë-kot-bjerrjen dhe mundohu të
gjesh e të ndalesh tek gjërat që do e të tërheqin kah vetja. Rrugës shijoje
vende-vende aromën, erëkëndshmen blinore, si duke mos dashur të largohesh prej
saj, e edhe kujtohu për ndonjë natë të dikurshme kur pamë hënën mbi një trung
të madh bliri, e kur mund të kemi thënë se as hëna nuk po do të largohet e s'po
ngopet, që s'po ngihet duke shijuar aromë lulesh bliri, e në pikë dite me diell
një lule e çelur bliri duket si vëth vashe diç më tepër se i artë, si punim tej
artistik. Dehu këndshëm blireve e më tej ndalu te një re e bardhë paqësore e
vullkanike pas ca ditëve të lara shirash e që shkëlqejnë gjelbërisht përtokë e
kaltërsisht për qiell. Te ca hije panjash në hyrje të sheshit mjaft të betontë
ndalu e shijo meloditë, njërën me violinë të një art-isti-lypësi të rrugës, një
bohemi endacak nëse mund të shprehemi kështu, që zë vend nëpër hapësira
vend-bote e që ia merr me tinguj e ne na vijnë në mend fjalët: ..."dhentë
e mia kush i do, se s'jam i zoti për to...", ose melodinë e një grupi
vendor me disa instrumente të kombinuara që ia thonë: "Kroi i fshatit
tonë..." Të mirat dhe të bukurat shfaqen vende-vende e tek-tuk, ashtu siç
sytë ndeshen me ndonjë tabelë paksa të çuditshme me mbishkrimin: "Park
publik banesorë". Vapullima po ndjehet e po vërehet sa mund të kënaqemi
nëse e kemi luksin me i ndjek e me u knaqë e fresku hijeve, ndërkohë që një
gëmushë me trëndafila të një ngjyrëkremte vanileje e që anon kah e verdha rri e
patrazuar në çfarëdo kohe në një udhëkryq kryesor kryeqyteti ku hedhin valle
ngjyra semaforësh me tik-take sekondash, me lëvizje veturash e kalimtarësh. E
diku dikush, pak më lart, para se të mbërrinim këtu, ka hapur dritaren e sikur
s'di se ku është më ngrohtë mbrenda a jashtë, ulet në dritare në një kat të
epërm dhe rrugës e pamjes nga kjo pjesë qyteti ia ka kthyer shpinën. Diku
ventilatorët freskues kryejnë funksionin e tyre, dhe njashtu siç janë paraqitur
ca prej tyre të ilustruar nëpër pako, ata duken si fara lulerradhiqesh të
bashkuara në kërcellin e tyre mbajtës. E më diku në një zyrë është ka ndihet
fëshfëritja puhizore e klimës, për të freskuar ambientin e brendshëm veshur me
dru, ndërsa jashtë dritares me perde copa-copa, me copëza hapësirash mes tyre,
shohim në telin e pjerrtë ku përbashkohet e jashtmja me të brendshmen, vije e
rri për sa të hapësh e të mbyllësh sytë një harabel, që pas iu jep krahëve e
ik, largohet, kushedi për t'u kthyer sërish, kushedi a mund të jetë ky i njejti
apo ndonjë i afërm, a kusheri i tij. Sidoqoftë vapa vazhdon. Po aq e këndshme sa
aroma e blirit a e trëndafilave po aq e mirë është dhe aroma e shtalbave që
janë pjekur e vazhdojnë të piqen e rrotullohen nga duar misërpjekësish që
presin myshterinjtë. Dikush seç vë në dukje se qershia e dredhëza sivjet pat
mjaft, por pak prej tyre me shije që u ka hije. Vëllezërit Dervishi po e
këndokan një këngë që titullohet: "Hajde ta prejmë një bostan". E
paçim fat të qëllojmë në të mirë. Edhe kjo verë, edhe kjo vapë, sikurse çdo
stinë, e çdo kohë, sikur janë të etura duke kërkuar kroje vlerash, duke kërkuar
ushqime bio...