Editorial » Mehmetaj
Gani Mehmetaj: Ura e Sidneit, Opera, Kopshti Botanik
E hene, 01.07.2019, 09:07 PM
Ura e Sidneit, Opera, Kopshti Botanik
Nga
Prishtina në Australi
Nga
Gani Mehmetaj
Të
vizitosh Australinë e të mos e vizitosh Sidnein je i mangët në përjetime, nuk i
ke shijuar vlerat e veçanta, nuk i ke përjetuar kënaqësitë që t'i ofron ky
qytete e nuk i kanë qytete tjera jo vetëm në Australi. Shikimi nga avioni të
shpalon pamje të mrekullueshme, pasi kë udhëtuar tetë orë mbi Oqeanin Paqësor
nën rrezet e forta të diellit që t'i lëbyrin sytë.
Qyteti
nuk është i rrëmujshëm aq sa pret nga një qytet pesë milionësh, megjithëse
është plotë gjallëri, qyteti e ka sharmin bregdetar, ka diçka mesdhetare më të
butë e më mikpritëse, por edhe fryma perandorake rrezatonte me qetësinë epike.
Trafiku
është i çuditshëm jo vetëm pse shoferët rrinë në volanë në anën e kundërt nga
shoferet e kontinentit evropianë (australianët e kanë rregulluar qarkullimin e
trafikut sipas modelit të britanikëve), as pse trotuaret janë paralelisht me
anën e shoferëve, ashtu sikurse janë shkallët elektrike nëpër shtëpitë e mëdha
të mallrave. Trafiku duket në pamje të parë i ngatërruara, sepse rrugët nuk
kanë ndryshuar paralelisht me ndryshimin marramendës të qytetit në njëzetë
vjeteshin e fundit. Por rrugët nuk i ngatërron, nuk ka rrezik të humbësh edhe
kur nuk e kërkon ndihmën e GPS. Restorante, shitore, shtëpi mallrash,
vetëshërbime gjen në çdo kënd rruge, varësisht çfarë kërkon.
Nga
apartamenti për disa minuta këmbë mund të dilnim në njërin prej gjireve më të
bukur në botë, ku ndodhet porti, i rrethuar me restorante, me anije që bartnin
pa ia nda turistë e kureshtarë, që bënin hark në qytet. Porti nëpër të cilin
kaluam disa herë ka luajtur rolin kyç në
zhvillimin e qytetit. Në tarracën e një restoranti italian bri portit drekuam
me familjen e Sadik Ramë Binakajt. Shqiptarë ka shumë në Sidnei e në
vendbanimet përreth. Janë brezash e kohërave të ndryshme. Dhe kryesisht kanë krijuar
mirëqenie e standardë. Dikur takoheshin më dendur në ndeja të organizuara, në
festa kombëtare, tash sikur janë tehuajësuar pak.
Sidnei
sipas ciceronit turistik është themeluar me 1788 nga anglezët. Është qendra më
e madhe dhe më e vjetër urbane në Australi, për disa është qyteti më atraktiv
dhe më i bukur jo vetëm në kontinentin e ri, mund të konkurron në kreun e
qyteteve në botë, që duhet vizituar.
Sadik
Ramë Binakaj nga Belegu i Deçanit e mbante në mend ndryshe para njëzetë
vjetësh. Këta rrokaqiej nuk ishin, këto ndërtime të mëdha mungonin, thotë ai,
por për një periudhë të shkurtër mori hov ndërtimi, u zgjerua e ndryshua. Këtë
e thonë edhe doracakët: për katër vjet ndërtimi pësoi transformime të mëdha,
sepse duhej të mbaheshin lojërat olimpike, ndërsa qyteti duhej ofruar akomodim
e mikpritje tërë botës.
Doracakët
turistik thonë se pastaj ndërtimet e ndryshimet vazhduan. Por paralelisht
rrokaqiejve, qyteti e ka ruajtur edhe strukturën e vjetër të ndërtimit
perandorak britanik. Shumë objekte të
periudhës viktoriane janë ruajtur e rinovuar, në njërën prej tyre i kaluam disa orë. Ndërtesa e mbretëreshës Viktoria dikur ishte
depo e mallrave, ndërsa sot ishte shndërruar në restorante e shitore eskluzive,
hapësirë që ta ka ënda të rrije e ta shijoje. Vitrazhet, mozaiqet, mënyra e
ndërtimit e bënte joshëse si asnjë objekt tjetër, ndërsa nuk ka humbur nga
sharmi i së kaluarës.
Të
rrallë janë ata që nuk e kujtojnë urën e famshme "Harbor Briddte" nga
hidhen çdo 31 dhjetor fishekzjarrët për Vitin e Ri. Në Natën e Dritave,
festival i njohur i fundmaji, ura lahej nga dritat, ne e shihnim nga anija disa
qindra metra nën te, përderisa treni kalonte sipëri urës, sikur të kalonte
cepave të qiellit. Ura mbi det askund nuk prekte nga bregu në breg.
Kush
nuk ka dëgjuar për plazhet e Sidneit, ku australianët dhe turistët bëjnë plazh
dimër e verë, ndërsa ata më të "krisurit" bëjnë "surfë" mbi
valët e harbuara të Oqeanit. Plazhi
Bond, është ndër plazhet më të bukura në botë, ku vijnë të kamurit,
mirëpo është i pranueshëm e i këndshëm edhe për ata që nuk e kanë xhepin plotë.
Kryesisht të rinjtë shullëheshin në diell, apo i hidheshin valëve të detit,
gjithnjë duke pasur parasysh se nuk guxojnë të shkojnë larg, sepse peshkaqenët ishin rrezik i përhershëm,
megjithëse lëvizjet e tyre ndiqeshin nga rojat bregdetare.
Kur
isha në fund të majit me gruan e vajzën, ndërsa në Sidnei ishte vjeshtë e vonë,
njerëzit laheshin në valët e paqësorit, të tjerët prisnin valët më të mëdha që
të kalëronin mbi to. Rëra ishte e imët dhe e butë, dielli të ngrohte si në
qershor të ne, kurse era pothuajse nuk frynte. Sipëri Plazhit Bond ishte lagja
elitare e pasunareve të qytetit, por edhe pasunarëve të botës.
Restorantet
e kafenetë të ofrojnë pushim e qetësi, kamerieret kryesisht janë studente
evropiane që kanë ardhur të vizitojnë Australinë (njëra nga to që na shërbente
e kishte theksin francez), por njëkohësisht edhe të punojnë sa për të nxjerrë
shpenzimet e qëndrimit e të udhëtimit. Vinin edhe vajza e djelmoshat shqiptarë
me shtetësi gjermane e zvicerane, kalonin gjashtë muaj në Australi, shëtisnin,
kënaqeshin, punonin e ktheheshin në qytetet e tyre.
Sidney
nuk shquhet vetëm me gjirin e famshëm, as me urën po aq të famshme, Sidnei nuk
e ka vetëm Kopshtin Botanik, që të mrekullonin ditën e veçmas natën, kur
transformohet në drita shumëngjyrëshe, gjatë festivalit të Dritave, Sidnei
shquhet me ndërtesën më karakteristike Operën e qytetit, që është e veçantë për
planimetrinë, i ngjanë anijes me vela ngado që ta shikosh, nga toka, nga deti e
nga ajri. Ndërtesa e Operës ka hyrë në det, por pjesa tjetër mbështetet në
tokë, duke e krijuar një tërësi që të mahnitë natën kur i sillesh rrotull me
anijen e madhe, kryqësoren turiste dhe buzëmbrëmjes kur shkel shkallëve të
gjëra të platos së ndërtesës që është një përjetim i veçantë, sepse pos pamjes
që të shpalohet janë dritat farfuritëse
në tërë hapësirën e murit qendror që i ndryshon pamjet vizuale e ngjyrat e
dritave. Ndërkaq, era nga deti ta sjell përshtypjen sikur prapë je në anijen që
e tundin valët.
Kopshti
Botanik, ndërsa kalon natës me dritat e rregulluara me aq mjeshtri që nuk i ke
parë herë tjetër, të duket sikur kalon nëpër Kopshtin e Edenit, por pa Adamin e
Evën. Janë pasardhësit e Adamit e Evës që gumëzhijnë në dritëhijen e Kopshtit
Botanik me pamje mahnitëse. Mbrëmjen kur e vizituam ishin mijëra vizitorë.
Sidnei
shquhet edhe me festivalin e veçantë, Festivalin e Dritave që nisi atë mbrëmje
maji kur erdha nga Kanberra, vazhdoi gjatë tërë kohës sa ndjenja në qytet,
ndërsa qyteti shkëlqente me miliona drita. Është një traditë australiane që
shndërrohet në festë, vizitorët rrinë rrugëve e restoranteve deri në orët e
mëngjesit. Vijnë mijëra turistë nga qytete e kontinentet tjera.
Për
ta vizituar Sidnein nuk mjaftojnë shtatë- tetë ditë, sepse të mbetën aq shumë
gjëra pa i vizituar sa habitësh kur i sheh nga largësia apo në katalogun e
qytetit.