Editorial
Prend Buzhala: Molla e grindjes
E hene, 24.06.2019, 09:34 PM
MOLLA E GRINDJES
ose:
ese për grindjen, II
(Nga
ligjërimet për të vërtetën)
Nga
Prend BUZHALA
Nëpër
shkrime e në të folurit e përditshëm e dëgjojmë shpesh shprehjen ose frazemën:
"mollë sherri", "molla e grindjes". Erinitë në miret
antike, përmenden si perëndesha të hakmarrjes. Sidomos perëndesha e hakmarrjes,
Erida, mishërim i së keqes . Ndër mileniume, popujt e përvetësuan këtë
shprehje, mbasi motivet e tilla paraqiten pothuajse në të gjitha kulturat e
popujve nëpër botë. Gjithsesi, që arketipi i grindjes shënjon marrëzitë e tilla
të konflikteve të njerëzimit në shtigjet e tij historike. Arketipi i Luftës së
Trojës që e shkaktoi një Helenë, apo një mollë e grindjes, arketipi i
konfliktit mes vëllezërve apo i vëllavrasjes, i grindjeve ideologjike si te
Lufta e Trojës etj, është jo vetëm motiv i shpeshtë letrar, por edhe motiv që
ka përsëritjet e veta sipas rrethanave, konteksteve dhe kushteve historike e
shoqërore.
1.
(Miti dhe prapaskenat)
Është
dasma e Peleut mbret, në Thesali, martesa e tij me Tetidën e bukur. Muzikë,
vallëzim, atmosferë dasme hyjnore, dëgjohet lyra e artë Apolonit, ka aromë pijesh,
aromë vere e aromë të pijeve të perëndive, ambrozit, aroma ë ushqimeve të
mishit të pjekur.
Zeusi
qëndron aty, kujton grindjen me Posejdonin, sepse që të dy vëllezërit
dashuronin Tetidën. Posejdoni tërhiqet para më të fortit, por Tetida ka
refuzuar dashurinë e Zeusit. Shpella, ku mbahet dasma, e ka shpërndarë
errësirën nga drita e hyjnive. Erida, që shërben aty, merr mollën e artë, aq të
mrekullueshme, që e kishte fshehur në një vrimë bë shpellë e në të kishte
shkruar: dhuratë për më të bukurën. Zeusi vëren Eridën, sikur po qëndron jashtë
gazmendit, e paftuar. Erida është er fyer për këto mos-ftesë. Ajo merr nga
tryeza hyjnore një kristal, mbi të cilën e vendos mollën. Dikur dasmorët
pushojnë së vallëzuari, jepen pas pijes e ushqimeve. Erida shfaqet para tyre
dhe të gjithë mbesin gojëhapur. Perëndeshat psherëtijnë: ah, çfarë bukurie
paska kjo mollë mbi kristal, por çka qenka ajo?! Atena e urtë, bijë e Zeusit, e
do për vete atë dhuratë. Hera e lexon: Më të bukurës! Dhe kërkon që t'i jepet
asaj. Afërdita hidhërohet: e përse t'i takojë Herës? Kujt t'i takojë: Atenës,
Herës apo Afërditës? Erida tërhiqet pranë murit të shpellës e gëzuar, se po ia
arrinte qëllimit! Perëndeshat grinden! Zeusi urdhëron Hermesin t'ia sjellë aty
Safon që krijon vargje përjetësie. Zeusi e pyet Safon: Perëndeshat po grinden,
cila është më e bukur, na e thuaj ti, cila është? Safoja heziton, se nuk mund
të përgjigjet, por jep këshillën: ajo që është e bukur, është edhe e mirë.
Përsëri grindja: cila është më e mira dhe cila është më e bukura! Zeusi edhe
njëherë e ndërpret grindjen dhe pyet dasmorët: cila është më e bukura?
Dasmorët, që ishin perëndi, heshtin. Zeusi vendos t'i pyesë njerëzit. E
urdhëron Hermesin t'i dërgojë tri perëndeshat në bjeshkët e Trojës dhe e
urdhëron, Parisin (Paridin, që ende nuk ishte princ i trojanëve) që të gjykojë
se cila është më e bukura. Erida fërkon duart e gëzuar. Del edhe ajo nga
shpella e atmosfera e dasmës.
Burime
të tjera mitike thonë se motivet e kësaj ngjarjeje ishin politike, një
bashkëpunim i fshehtë i Zeusit me Eridën: për ta nxitur një luftë për ta zbutur
racën njerëzore, tepër kryengritëse e tepër të egër. Zeusi ndërhyn në luftëra e
në fatet e njerëzve, njësoj si zeusët e historisë që krijuan luftëra e
konflikte. Zeusi dëshironte që t'ia bënte një festë dasme të bukurës Helenë.
Parisi deshi të ikte (ishte ende një bari), por Hermesi e ndalon dhunshëm, e
urdhëron që të vlerësojë e të ndërhyjë në këtë grindje. Perëndeshat i premtojnë
Parisit pasuri, tokë, lugina e bjeshkë... Hera i premton se do të jetë
sundimtar i Azisë, Atena i premton shkathtësitë luftarake, i premton fitore të
mëdha në luftë, dhe pre lufte të paçmueshme, kurse Afërdita ia premton Helenën,
më të bukurën nga bota e vdekatarëve e këtë Parisi nuk mundi të mos e pranonte.
Parisi merr mollën, ia dhuron Afërditës, me mendimin e gëzimin në zemër se do
të jetë më i lumturi në botë me Helenën e bukur.
Thuhet
se ky ishte akti i parë i një zgjedhjeje të lirë në histori. Zgjeshje që çoi në
luftë.
Ngjarjet
tjera dihen edhe nga "Iliada": se si zhvillohet Lufta e Trojës. Molla
e prerë përgjysmë noton nëpër kohë. Kjo mollë e sherreve vërtitet në dorën e
perëndive e prapaskenave historike që bashkëpunojnë me erinitë e përçarjeve,
sherreve dhe grindjeve.
2.
(Molla e Eridës na arrin
kudo që të jemi)
Në
traditën shqiptare e ruajmë këtë mollë në shtizë, në maje të flamurit. Te
peozitë e Ali Podrimjes vijnë poezitë nëpër vite e dekada, Molla e Nënës, Molla
e Kuqe (simbol i sherrit të kufijve etnikë), Molla në degë:
Armiku
yt më i madh
është
varfëria miku im
Lehtë
ia bëjmë urrejtjes
Shoh
Dora
jote s’është e vogël
për
ta këputur mollën në degë
Në
vitin 1986 Musa Ramadani botoi vëllimin “Eugjenika e tri deteve”, një titull
kuptimplotë, që sugjeronte grindjet e përgjakshme shumëshekullore, të keqen që p
vërtitej si shpatë Damokelu nga regjimi millosheviçian...Ky poeti i
risemnatizon mitet, i rimitologjizon (siç do të thoshte . E. M. MELETINSKI te
stuimi i tij monografik “Poetika e mitit). Ty ky vëllim gjendet edhe poezia
“Molla e Eridës”
Dikush
e hedh një gur në shesh
Dikush
e nxjerr një shpatë në fushë
E
dikush e zbraz një plumb në mal
Po
për të shkaktuar grindje ndër njerëz
Mjafton
edhe vetëm një mollë e Eridës.
(...)
Edhe
sot e kësaj dite njerëzia
Ia
kanë drojën mollës së Eridës
I
ikin guerit, shpatës, plumbit
Molla
e Eridës i arrin gjithkund
Përnjëmend,
e ku nuk arrin kjo sfidë molle e grindjes?!
Le
t’i përfytyrojmë për një çast, se si u nxitën e u nisën luftërat, si u nisën
revolucionet: gjithnjë duke u nisur nga një pretekst (nga një mollë sherri)...
Më 1981 një pjatë e thyer në mensën e studentëve, nxiti demonstrata, dhuna
serbe e tulatur, që kishte zënë pusi më shumë se një dekadë, po priste
pretekstin, preteksti u rrit dhe shkatërroi një federatë, shkaktoi luftëra të
përgjakshme...
Dhe
molla e grindjes na përcjell edhe pas luftës: assesi të zbutet tigri grindavec
serb me amvisje të sëmura mbi Kosovën.
Molla
e grindjes depërton mes nesh.
Arrin
në familje, në shkollë, në krye të shtetit, mes shteteve, mes blloqeve
ushtarake etj.
Arrin
te zemra e njeriut: njeriu zhvillon konfliktin e tij të brendshëm me vetveten.
Kurrë
më shumë mjete të komunikimit për t’u marrë vesh, nuk kemi pasur gjatë
historisë, siç kemi tani, dhe asnjëherë më shumë mosmarrëveshje!
Njerëzit
keqkuptohen, në vend që të mirëkuptohen.
Njerëzit
nuk e pranojnë njëri-tjetrin, e mohojnë miku mikun, bashkëpunëtori
bashkëpunëtorin, kolegu kolegen, i riu të renë apo e reja që dashuron braktis
të dashurin e saj. Kaq shumë mjete komunikimi e ka shumë njerëzit e harrojnë
njëri-tjetrin! Profesori nuk merret vesh me studentët, të vjetrit nuk mund t'i
kuptojnë të rinjtë dhe rinia nuk çan kokën për t'i kuptuar gjeneratën e vjetër.
Në mes bashkëshortit e gruas lindin moskuptime e keqkuptime, shpesh pa fund e
pa skaj. Prindi s'e do fëmijën e tij, kurse fëmija ik nga prindi i tij.
Marrëdhëniet në mes njerëzve minohen, shkatërrohen...
U
pa: mjetet e komunikimit nuk sigurojnë e as nuk garantojnë se njerëzit mund të
mirëkuptohen apo mund të merren vesh.
3.
(Kultura e Mirëkuptimit)
E
pra, mirëkuptimi mungon e kjo shndërrohet në problem shqetësues dhe në çështje
të të gjithë njerëzve, ashtu sikundër njerëzit kanë nevojë edhe të ndërlidhen
dhe komunikojnë me njëri-tjetrin.
"Shumica
e probleme në jetë vijnë nga keqkuptimi", thotë një personazh i veprës së
L.M. Montgomery.
Dhe,
mbasi konstatohet gjendja e tillë, atëherë çka duhet bërë? Ku gjendet zgjidhja
dhe ku mund ta vendosim zgjedhjen tonë? Prandaj, na u dashka dhe Edukimi për
Mirëkuptim, arsimimi për marrëveshje. Ky edukim ngërthen dhe një Kulturë të
Etikës Njerëzore... - si të arrihet, me anë të komunikimit e mirëkuptimit,
përvetësimi i shpirtit bujar, i zemërgjerësisë, i fisnikërisë shpirtërore,
domethënë, si t'i qëndrojmë pranë asaj thënies proverbiale për Bujarinë e
Shqiptarit...
(Prend Buzhala, 17 maj
2019)