Kulturë
Hysen Kobellari: Vrasësi qan mbi varrin tim të rremë
E shtune, 15.06.2019, 08:39 AM
VRASËSI QAN MBI VARRIN TIM TË RREMË
Nga Hysen
Kobellari
Vrasësi qan mbi varrin tim të rremë
Qesh
Me ofshamat e tij të sinqerta;
Unë bëhem Ai,
Ai bëhet Unë …
I ngrati,
Nuk më qan vërtet mua;
Qan hallet dhe dertet e veta.
Afshi i keqardhjes për veten time
Më gufmon nga thellësi e zemrës
Trupin ma dreth si lemzë,
Psherëtima intime …
Dhe
Qaj Ai,
Qaj Unë
Siç qan kur ndesh në gozhdë, sharra …
Thjesht për qejf qajmë,
Thjesht për t’u lehtësuar nga barra
E ditës që s’ka nisur
Dhe ndër mend e mbajmë.
Gulshi gati më zë frymën, më del prej hundësh
Si me më dalë shpirti soje …
S’nxjerr dot një fjalë të vetme prej goje.
Kokat tona në falje e lutje përkulen,
U ngjajnë dy rrathëve të zjarrtë
Me avuj dhe tym…
Një engjëll mes nesh qenka ulur
Na mbledh lotët në një gjym;
I artë ky gjym qafëgjatë.
Ç’të të them ç’kam hequr
Nga ky vajtim
Mbi të rremin varrin tim !
Ai që qan me mua, që është vrasës,
Po që për mua s’është hasëm
Mban në shpirt si gozhdë pandehmën:
“Po vrave, do të të vrasin !” …
Ani, s’prish punë
Dhe
Qaj Ai,
Qaj Unë.
Një melodi babaxhane
Që s’mbaron me Of !
Mos mendoni se këtu diçka nuk shkon
E çfarë nuk ka shkuar mbroth
Në këtë botë virane ?!...
Dita ime
Ja behu agimi i purpurt, thatim,
Trim e kapedan, si pleshtat;
U pengua mbi oxhakun tim
Dhe m’i shkriu eshtrat.
Në një guaskë vetmie rroj,
Ndanë kroit që më gërryen;
Nëse zemra ime përpëlitet
Si pendë fajkoi
S’ka vetmi që më thyen !
Në sytë e fëmijës si gurameçë
Të përgjakur;
Dita ime buzët me të kuq
Nis e lyen …
Të më dashurosh në këtë kohë …
Të më dashurosh në këtë kohë zgjebesh
Është njëlloj sikur të më lësh pas sy;
Të më vrasësh mua dhe veten,
Të na lësh pa shpirt në trup, të dy …
Ty të dashuron një tjetër,
Mua një tjetër më don;
Unë, që të gjithë i dua dhe patjetër,
Mos e diskuto,
Dua, ashtu si vetë Zoti do …
Prandaj, më fshij nga kujtesa,
Më moho !
Unë mbase vdes nga egoja e vjetër …
Po e di që fuqi s’ke, për të harruar,
Vrasëse e pafajësuar;
Vetëm Zoti mund të dashurojë më shumë
Se ç’dashuron një grua…
Ç’po ndodh me ty;
Ç’bëhet me mua ?!
Dashuria jote është si ajri,
Ku qarkullojnë shpirtrat e pafaj;
Qan zemra jote;
Zemra ime, qaj !
Pagjumësi
Maçoku u shtriq gjatë e gjerë
mbi divan;
mbi tryezë prehem e gjumi s’më vjen.
Shiu mbi qelqe gufon shatrivan
Dhe nata leh si qen …
Me kokë përmbi re, të mos flesh,
Të shohësh ëndrra llahtari.
Sa ndoht ! …
Të dalësh e tek dera të gjesh
Një tog me të përgëra gomari.