E enjte, 24.10.2019, 05:38 AM (GMT+1)

Komente

Florim Zeqa: “Dita e paqes”, tjetërsim i luftës çlirimtare!

E merkure, 12.06.2019, 08:13 PM


Në 20 vjetorin e çlirimit

“Dita e paqes”, tjetërsim i luftës çlirimtare!

Nga Florim Zeqa

Më 12 Qershor 2019 bëhen dy dekada nga hyrja e forcave paqëruajtëse në Kosovë, ditë e cila shënon shpalljen  zyrtare të çlirimit të Kosovës. Pra 20 vite liri dhe mbi11 pavarësi për shqiptarët e Kosovës në rrethana normale do të ishin tepër shumë, madje do të mjaftonin shumë më pak vite për ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të shtetit!

Megjithatë, është kjo liria na solli edhe shtetin, edhe pse ndryshe nga ai që projektuan atdhetarët dhe atë ëndërruan martirët dhe dëshmorët e kombit.

Ne kemi shtet me flamur lara-lara dhe himn pa tekst, “mrekulli” që askush nuk e kishte pritur!

Si do që të jetë, liria e Kosovës nuk mund të identifikohet me një emër të përveqëm, grupacion apo parti politike. Secili nga shqiptarët e Kosovës dhe jo vetëm kaq, rezistuan dhe luftuan në mënyrën e vet, për të hequr nga qafa vargonjët serbosllav dhe robërinë  shekullore.

Njerëzit kanë deshirë ta kujtojnë të kaluarën e tyre. Mirëpo me kalimin e viteve, kjo e kaluar ndryshon trajtën, ku shumë gjëra zmadhohen, apo u përshtaten rrethanave kohore. Njerëzit e gjallë të kohës së kaluar duhet ta thonë të vërtetën pa kamuflime dhe pa shtrëmbërime për t’ua lehtësuar rrugëtimin gjeneratave të reja.

Secili komb në botë që ka zhvilluar një luftë çlirimtare e ka edhe një ditë çlirimi.

Për secilin popull që ka përjetuar një pushtim të gjatë, dita e çlirimit është dita më e dashur, kremtja më e madhe dhe data më e paharruar në kujtesën popullore.

Për shqiptarët e Kosovës, 12 Qershori  i vitit 1999 është dita më e madhe, më e lumtur dhe e paharruar. Marshimi i ushtrisë se NATO-s rrugëve të Prishtinës dhe mbarë Kosovës, shënoi gëzimin më të papërshkruar më fjalë të qytetarëve, të cilin e përshkroj në mënyrën më besnike blici i aparatit dhe syri i kamerave televizive.

Zakonisht në vendet e lira e të pavarura, për nderë të ditës së çlirimit  organizohen parakalime (parada) ushtarake për të përformuar forcën mbrojtëse të shtetit dhe nderuar prezencën e krerëve shtetëror e politik.

Për nder të ditës së çlirmit bëhen nominime (gradime), avancime në poste të shërbyesve civil dhe ushtarak, e shumë veprimtari tjera më karakter shtetëror.

Ndërsa tek ne nuk ndodhi asnjëra nga këto, për arsyen e thjeshtë së Kosova në kushtetutën e saj nuk ka ditë të çlirimit! Madje as në vargun e gjatë të  festave nuk gjendet dita e çlirimit të vendit, pasi ajo është zavendësuar më “Ditën e paqes”!

Pas “pavarësimit”, në Kosovë po festohet 15 prilli si “Dita e Kushtetutës” e mbështetur në "Pakon e Ahtisarit", e cila është në kundërshtim më vullnetin e popullatës shumicë shqiptare në vend,…e cila Ditën e Çlirimit e zavendësoj më “Ditë të paqes”, ndërsa popullin shqiptar, shumicë shtetformues të vendit e barazoj më pakicat minoritare në vend!

Pranimi i termit “Ditë e paqes” në vend të Ditës së Çlirimit, përveqse paraqet gabimin më fatal të politikës kosovare, tjetërson keq luftën çlirimtare.

Sipas kësaj logjike i bie, se në Kosovë nuk ka pas luftë çlirimtare, por vetëm një konflikt të vogël ndëretnik…

Më mohimin e ditës së çlirimit, po tentohet të mohohet lufta çlirimtare. Si pasojë kemi Gjykatën Speciale (për hatër të Serbisë dhe Rusisë) për kriminalizimin e UÇK-së,…me ndjekjën dhe burgosjen e çlirimtarëve  në emër të “drejtësisë” ndërkombëtare!

Po ndodhë pikërisht kështu, sepse mungon mbrojtja institucionale e vlerave të luftës çlirimtare! Ketë vakum institucional është duke e shfrytëzuar siq është më së keqi për neve Serbia më një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare.

Si pasojë e tjetërsimit të ditës së çlirimit, 20 vjetori i çlirimit, Kosovën e gjenë  përseri në tavolinën e bisedimeve me pushtuesit serb, për të rinegociuar statusin dhe ridizajnuar kufijt e shtetit tonë.

Sa ishte gjallë presidenti historik Ibrahim Rugova vlerat e luftës çlirimtare u mbrojtën më dinjitet të lartë shtetëror. Presidenti Rugova pa hezitim u thoshte gjithnjë ndërkombëtarëve: ” Ne kemi mbrojtur pragun e shtëpisë”.

Madje në Tribunalin e Hagës, në cilësinë e dëshmitarit kundër satrapit të Ballkanit, Rugova si burrështetas i vërtetë kishte dalë në mbrojtje të UÇK-së duke pohuar, po citoj; “UÇK-ja nuk është terroriste,…ajo është formuar nga njerëzit e thjeshtë, nga patriotët që luftuan  për lirinë e vendit të tyre”, për të vazhduar akuzat ndaj Millosheviqit;…”ky është personi që ka kryer krime e gjenocid ndaj popullatës së pambrojtur shqiptare në Kosovë”.

Mirëpo tani, kur ai na mungon nuk ka kush të del në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare nga akuzat e reja të Serbisë, pasi mungon autoriteti i një lidershipi të përgjegjëshëm siq ishte ai rugovian.

Në çdo përvjetor të çlirimit të shtetit të Kosovës, qytetarët duhet të kthejnë kujtesën e tyre në vitet e krenarisë kombëtare, të rezistencës së gjatë paqësore dhe periudhës së lavdishme të luftës çlirimtare, për të kujtuar dhe nderuar gjakun e dëshmorëve të lirisë.

Mungesa e zhvillimit ekonomik si element i mirëqënjes qytetare, mungesa e ushtrisë si element i mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, kapja e tmerrshme e sistemit të drejtësisë nga mafio-oligarkët ekonomik e bëjnë shtetin të varur dhe ndikuar skajshmërisht nga faktorët ndërkombëtar.

Është pikërisht kështu, për faktin se, edhe pas 20 viteve KFOR-i është mbrojtësi faktik i lirisë, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të vendit tonë.

Paradoksalisht, 12 Qershori nuk është ditë feste në Kosovën e lirë, përderisa për kosovarët ditë feste (ditë pushimi) është bërë Dita e Evropës-, “9 Maji”, kur vet Evropa e ka ditë pune, e Evropës, që na mbajti të izoluar pa të drejtë levizje të lirë për 20 vjet rresht!

Kosovë urime 12 Qershori, Dita e çlirimit!

Zoti e bekoftë gjakun e derdhur për lirinë e Kosovës!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT