Kulturë
Ilir Çumani: Mbi të gjitha, Dritëroi ishte njeri
E diele, 05.05.2019, 10:59 AM
Driteroi me Sadijen, me familjen e Ilirit - 25.02.2000
MBI TË GJITHA, DRITËROI ISHTE NJERI...
Pjesë
nga libri me mbresa dhe kujtime për shkrimtarin dhe poetin e madh Dritëro
Agolli që së shpejti do të dalë në qarkullim për lexuesin e gjërë
NGA
ILIR ÇUMANI*
Ti
Ilir, do recitosh vjershën “Përralla e Kecërve”, të Dritëro Agollit...! Hë, si
thua...!? Befas, shtanga i hutuar. Atë çast, mu duk se e gjithë bota ishte e
imja. Asohere, isha një fëmijë në klasën e katërt fillore. Ishte viti 1977.
Mësuesja kujdestare e grupit në Shtëpinë e Fëmijës në Sarandë ku u rrita, quhej
Kristina Kumi. Ishte një grua e fisme, e cila, përtej detyrës si edukatore, me pasionin,
zellin e përkushtimin e saj, kishte zëvendësuar edhe imazhin e figurës të nënës
për ne fëmijët pa kujdesin prindëror. Ajo ishte një metodiste e mirë, psikologe
e përkryer që mjeshtërisht depërtonte me shumë butësi në botën e secilit prej
nesh, duke zbuluar fantazinë, ëndrrat, dëshirat dhe pasionet, të cilat na i
nxiste dhe na i ushqente dita ditës. E dinte fare mirë se një nga autorët të
cilin e pëlqeja dhe e adhuroja me dëlirësinë e një fëmije naiv, ishte pikërisht
ai, Dritëro Agolli. Ishim mbledhur të gjithë fëmijët e grupit dhe po
përgatiteshim për provat e anketës muzikore të fjalës artistike që organizohej
çdo fundviti në instititucionin tonë, e, secili kishte pjesën e vet që do të
interpretonte në këtë veprimtari me karakter festivo-edukativ. Atë natë, nuk më
zuri gjumi. Ndieja një ngazëllim pafajësie dhe emocion deri angështim, ngase
një nga vjershat e bukura të autorit më të dashur për ne fëmijët në atë
program, mësuesja ma kishte besuar mua. Të nesërmen, lashë orën e parë të
mësimit, e me padurim u nisa drejt bulevardit, atje buzë detit, ku ndodhej edhe
libraria e qytetit. Me kursimet e mia që na i jepnin çdo muaj për t’i pasur si
lekë xhepi, iu luta librarit të më jepte librin e ri të Dritëroit. Ai qe një
libër me kapak ngjyrë vishnje, një përmbledhje e plotë me vjersha dhe poema, e
titulluar: “Fjala gdhënd gurin”. Vëllimi poetik sapo kishte dalë në treg. Hyra
në librari i gëzuar dhe me nxitim të shkujdesur, pa e përshëndetur
librashitësin, i cili, kur i kërkova librin, ngrysi vetullat, ngriti supet si
për të më thënë se ai libër ishte
shitur. I zhgënjyer, bëra hapa pas nga dera e jashtme për të dalë, por sërish,
ai zë i butë e miqësor i librashitësit më bëri ta ndalja hapin. - Prit - më
tha, - e kam një kopje që e kam ruajtur për vete. Atë do të ta japë ty! Nuk iu
besova veshëve. Aty për aty, e gjithë mërzitja u kthye në një rrezatim të
ngrohtë si dielli i mëngjesit. Librashitësi hyri në kthinat e pasme të
eksponatave dhe pas pak u kthye me kopjen e librit. I zgjata kartmonedhën 5
lekëshe, e, pasi e falenderova, mora
librin në dorë dhe dola vringthi nga dyqani. Vrapova me një frymë për të kapur
orët e mbetura të mësimit. Mësuesja kujdestare në shkollë më tërhoqi vërejtje
për mungesën e orës së parë, por, kur i shpjegova arsyen, ajo më hodhi dorën në
qafë duke më përkëdhelur flokët. – Mos e përsërit më, herës tjetër duhet të
marësh leje. Shko tani, ulu në bankë, - më tha. Ato ditë, nuk e ndava librin
nga dora. Pjesën që më caktoi mësuesja e mësova përmendsh, dhe me të u paraqita
mjaft mirë në mbrëmjen e fundivitit që u zhvillua në shtëpinë tonë të madhe.
Për disa ditë rresht, në orët pas studimit, i lexoja me ëndje të gjitha
vjershat dhe poemat, nga fillimi deri në fund, derisa e përfundova së lexuari
të gjithë librin. Mrekullohesha i tëri nga tematika e gjerë dhe e larmishme e
librit. Një botë e tërë magjepëse e pushtonte të gjithë qënien time, nga gjuha
e pastër, e bukur dhe e pasur e shqipes, llojshmëria e emrave, vendeve,
ngjarjeve, njerëzve, kafshëve e shpezëve, pemëve e luleve, maleve e fushave, të
cilat gjenin vend në tematikën e gjerë të autorit përmes fabulave, hiperbolave
dhe metaforave, simbolikave, harmonisë së vargut plot muzikalitet, mendimit të
rrjedhshëm e plot emocion, i qartë dhe mjaft i kuptueshëm që e përshkonte
ligjërimin e sintaksës në çdo strofë e varg të poezisë së Tij. Sa herë i lexoja
dhe i rilexoja ato vargje në vjersha e poema, aq më shumë më shtohej kërshëria
dhe dëshira për të lexuar të tjerë libra nga Dritëroi, aq më i afërt bëhej për
mua ky autor. Me kalimin e viteve, emri i Tij u bë shumë i dashur për mua. Pena
e Tij më ngjasonte me zgjojntë e
bletëve, me shtojzovallet e përrallave, me zërin e bukur të bilbilit që më
ngjallte shpresën dhe optimizmin plot gaz e jetë, ngase ishte personifikimi që
kishte në brendësi fuqinë magjike e të pangjashme me të gjitha simbolikat që
përqaseshin në fantazinë time prej fëmije. Emrin e Dritëroit, në mënyrë
figurative, përmes përfytyrimit që nxiste imagjinatën dhe perceptimin tim, mund
ta lidhja vetëm me hapësirën dhe ndriçimin e pafund të dritës, jo në kuptimin
metafizik, por me një realitet konkret e të prekshëm që e jetoja. Ai emër,
gjithmonë më dukej se mbante në vetvete të gjithë mistikën dhe universin e
botës që na rrethonte, duke na përcjellë mesazhin e së bukurës, fuqinë dhe ekzistencën
e madhështisë njerëzore. Përmes fjalës së Tij që ishte si nektari i luleve, si
uji i burimit, si ajri që thithim, si oksigjeni për të gjitha gjallesat e tokës
dhe nëntokës, bimëve dhe pemëve të mbushura plot me fruta. Të gjitha këto, më
dukeshin se ishin edhe çelësi sekret i begatisë së tij letrare. Ai emër, më
dukej gjithmonë sikur shpërndante vetëm dritë për njerëzimin dhe vinte që nga
koha e lashtësisë si një lajtmotiv për vazhdimësinë e jetës. Ndaj, shpeshherë
kam menduar se sa i mençur ka qenë ai njeri që e pagëzoi partriarkun, poetin
dhe shkrimtarin tonë të madh me emrin Dritëro. Me kalimin e kohës, duke lënë
pas fëmijërinë dhe po kaloja në vitet e rinisë time të hershme, e konsiderova
veten me fat se kisha mundur të lexoja dhe të njihesha me pjesën më të madhe të
krijimtarisë së Tij, si në poezi, ashtu edhe në gjininë e prozës, tregimeve,
novelave, romaneve, dramave dhe skenareve, që më pas, disa prej tyre u bënë
edhe filma të mrekullueshëm, që edhe sot mbeten mjaft aktuale për vlerat dhe mesazhet
universale që përcjellin për shoqërinë, për jetën e përditshme. Gjykoj se, ato
janë thesarë të paçmuar që do të mbeten si pasuri e madhe e ushqimit shpirtëror
të popullit tonë, e kombit tonë, një trashëgimi shumë e vyer për artin dhe
kulturën tonë kombëtare. Por, këtë pjesë, le t’ia lëmë kohës, e cila është
gjykatësja më e mirë. Nuk më ka rastisur asnjëherë në jetën time të njoh së
afërmi një figurë kaq komplekse dhe interesante si ajo Dritëroit, tek i cili
shpërfaqeshin dimensionet reale të një personaliteti shumëplanësh, ku
shkriheshin në mënyrë kaq organike e të harmonizuar madhështia e një mendimtari
poliedrik, e filozofit enciklopedik, e intelektualit erudit, e poetit kombëtar,
shkrimtarit, akademikut dhe politikanit të klasit të parë. Karakteri i tij
burrëror bëhej njësh me atë të Njeriut të brishtë e njëkohësisht të thyeshëm
përballë fatkeqësive, dhimbjeve dhe vuajtjeve të njerëzve të thjeshtë, e bënin
të ishte modest e pa bujë, fisnik, tolerant, zemërgjerë e bujar. Tek Ai ishin
bashkuar në një të vetme cilësitë më të mira që Zoti mund ti japë një krijese
njerëzore. Ishte magjik në thjeshtësi,
spontan dhe i admirueshëm në zotërimin e artit të komunikimit me të
gjitha shtresat dhe kategoritë e shoqërisë. Këto cilësi kanë qenë vlera të
shtuara që e bënë Dritëro Agollin një nga figurat më të dashura popullore për
të gjithë shqiptarët, për të gjithë bashkëkohësit që jetuan epokën Agolliane.
Kam përshtypjen se, edhe për shumë kohë, brezat që do të vijnë më pas, do e
njohin edhe më mirë jetën dhe veprën e Tij shumë të pasur e të begatë letrare,
enciklopedike, akademike, politike e shoqërore, në thelb të së cilës
sintetizohet atëdhedashuria e patriotizmi, mishërohet në substancë humanizmi,
dashuria për Njeriun, për Atdheun, idealizmi dhe aspirata kombëtare për një
vend të begatë, për një botë më të mirë, për një shoqëri më të drejtë, për një
Shqipëri të zhvilluar e të përparuar, për të cilat Ai dha ndihmesën e vet. Por
unë do të dëshiroja të ndalesha në disa momente që hedhin dritë mbi
personalitetin e Dritëro Agollit si Njeri dhe si qënie humane. Kam qenë me fat
dhe i privilegjuar njëkohësisht që, për një kohë të gjatë prej mëse 35 vjetësh,
të kem patur kontakte të herë pas hershme me Dritëronë. E kam njohur kur isha
17 vjeç, e, si çdo i ri, edhe unë kisha
dëshirën e papërshkruar ta takoja së afërmi atë Njeri. Figura e Tij më
shembëllente me imazhin e një Ati
Shpirtëror. Portreti i Tij klasik, me ngjyrën e lëkurës së bronxtë në fytyrë,
flokët e thinjura hera herës të shpupuritura nga era, të hedhura përpjetë, me
një cigare që e mbante gjithmonë në mes të gishtave, ia shtonin edhe më shumë
pamjen prej mentori të heshtur me ndikim të padiskutueshëm në të gjithë
mjedisin shoqëror dhe atë publik, për shkak edhe të statusit që kishte. Mirëpo,
e gjithë kjo aureolë e krijuar si ndjesi pozitive, shpërbëhej dhe tretej pak e
nga pak, si ajo dëbora në diell, që në çastin kur bie në kontakt e nisje
bisedën me Të. Sepse Ai vetë, e refuzonte atë lloj statusquoje që ndonjëherë,
pa dëshirën e Tij e distanconte nga realiteti, largohej prej saj duke i rrëzuar
të gjitha barrierat që i pengonin komunikimin, duke krijuar një tjetër situatë
me të cilën ndihej më mirë si me kolegët e Tij krijues, politikanë e diplomatë
të rangjeve më të larta shtetërore, shkencëtarë dhe akademikë, ashtu edhe me
njerëzit e thjeshtë, me punëtorin,
fshatarin, bujkun, blegtorin,
kooperativistin, peshkatarin, mjelësen, minatorin, naftëtarin,
ndërtuesin, kovaçin, mekanikun, berberin, kamarierin, pastrueset e natës, etj.
I tillë ishte Ai. Kështu e njohin të gjithë. E takova për herë të parë në vitin
1985, tek Bar Kafe e pesëmbëdhjetë katëshit në Hotel Tirana. Sa herë që dilte
nga shtëpia për në punë, aty ndalonte të pinte edhe kafenë e mëngjesit. Ishte
ulur në një tavolinë me shkrimtarin Vito Koçi, asokohe redaktor në gazetën
“Drita”. Prej dëshirës së madhe, e mora guximin dhe iu afrova pa droje duke u
prezantuar se cili isha, për ti thënë se Ai ishte Njeriu, poeti dhe shkrimtari
im i zemrës, dhe se pas shumë përpjekjesh, e gjeta mundësinë të vija dhe ta
takoja enkas. Kjo dëshirë e imja e
kahershme dhe statusi që mbaja si një ish fëmijë i rritur jetim, e preku, u
emocionua shumë dhe me ftoi në tavolinën e Tij ku zhvilluam së bashku edhe një
bisedë mjaft miqësore e të ngrohtë. Gjatë bisedës, ndjeva se në qënien e Tij
ndodhej një shpirt i butë dhe i ngrohtë atëror. Dukej tepër i brishtë dhe i
ndjeshëm, jashtë formatit të një zyrtari të rëndësishëm autoritar e me peshë në
administratën e kohës. Në xhep, mbaja një fletë fletoreje, ku kisha shkruar
edhe një skicë letrare. Mora guximin dhe ia dhashë. Ai e lexoi me vëmendje, dhe
pasi e mbaroi së lexuari, luajti pak kokën, buzëqeshi në shenjë miratimi dhe
pastaj i la porosi Vitos të kujdesej për ta botuar. Skica u botua të dielën në
gazetën “Drita”. Që nga ajo kohë, njohja
me shkrimtarin e madh u kthye në një miqësi të vërtetë që zgjati për mbi 30
vjet. Më pas, lidhëm miqësi familjare edhe me bashkëshorten e Tij, Sadijen e
mrekullueshme, me dy fëmijët Elonën dhe
Artanin. Në vitin 1984, në Shtëpinë e Fëmijës “8 Nëntori”, që sot mban emrin
“Zyber Hallulli”, zhvillohej një ceremoni martesore krejt e veçantë. Dasmën e
organizonte administrata e këtij institucioni me rastin e martesës të njërës
prej vajzave të rritura aty. Raimonda Gazheli quhej. Monda u rrit në atë familje
të madhe, me shumë motra e vëllezër të tjerë. Prindër të saj u bënë edukatorët dhe kujdestarët që e rritën
dhe u kujdesën për të si prindër të vërtetë, deri sa ajo doli në jetë. U
shkollua, u diplomua si mësuese duke u rikthyer sërish në dyert e kësaj
shtëpie. Tashmë, jo vetëm si motër e madhe, por edhe si edukatore për të
vegjëlit e tjerë që rriteshin aty. Gjatë kohës që Monda punonte si edukatore, u
njoh me një djalë, me të cilin u dashurua dhe vendosi të lidhte kurorën
martesore. Nga administrata e institucionit u vendos që dasma e Mondës të bëhej
në familjen e madhe “8 Nëntori”, atje ku ajo kaloi fëmijërinë, atje ku edhe u
rrit. Në dasmë morrën pjesë shumë dasmorë, fqinjë që i kishin shtëpitë aty
rrotull, fëmijët dhe i gjithë personeli i Shtëpisë së Fëmijës, njerëz të
pushtetit, etj. Ishte e pranishme edhe Tefta Cami, ish Ministre e Arsimit dhe e
Kulturës, Jashar Mezenxhiu, ish Kryetar i Komitetit Ekzekutiv i Tiranës, e mes
tyre edhe dy miq krejt të veçantë. Ata ishin Dritëro Agolli me bashkëshorten e
Tij, Sadijen. Asokohe, Dritëroi ishte edhe Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve
dhe Artistëve të Shqipërisë. Në fakt, prania e Tij në atë dasmë së bashku me
bashkëshorten, nuk kishte të bënte aspak me postin që mbante, ngase Ai e
ndjente si një detyrim moral që i buronte jo vetëm nga sentimenti njerëzor, por
edhe nga ndjenja e lartë prindërore për të marrë pjesë në një ngjarje të tillë
të gëzueshme dhe krejt të veçantë, sepse martohej një vajzë e re, që në
fëmijërinë e saj i kishin munguar prindërit dhe familja. Prania e Dritëroit dhe
e Sadijes në atë dasmë, dukej sikur plotësonte këtë boshllëk. Vetë Raimonda
ndihej krenare që në ditën më të rëndësishme të jetës së saj, kishte pranë
çiftin Agolli. Ata qëndruan gjatë gjithë kohës pranë Mondës, ngritën dolli për
çiftin, Dritëroi këndonte dhe bënte humor e shaka me dhëndërin, i përkëdhelte
të gjithë fëmijët e vegjël që e rrethonin dhe nuk i ndaheshin prej gëzimit të
madh. Me këtë gjest, si Njeri me ndikim të madh në publik, Ai përcillte një
mesazh human mjaft domethënës për mjedisin shoqëror në përgjithësi dhe për të
gjitha hallkat e pushtetit të kohës në veçanti, që ato të tregoheshin në
lartësinë e duhur ndaj kësaj shtrese, duke rritur vëmendjen dhe kujdesin për
t’u krijuar raste dhe mundësi të favorshme për integrimin e tyre. Ky gjest,
tregonte forcën e madhe të solidaritetit që duhet të kishte shoqëria, për ti
mbështetur të gjithë ata që rriteshin pa prindër, të cilët, për shkak të
rrethanave e kombinacioneve të ndryshme tragjike të jetës, i kishin humbur prindërit dhe familjet e tyre. Një ndër
dhuratat më të bukura që kishin sjellë dasmorët për çiftin, ishte ajo e
Dritëroit. E gjithë seria e veprës letrare të shkrimtarit ishte me një kushtim
të veçantë me autograf prej Tij. Pas viteve ’90 – të, marrëdhëniet me Dritëroin
u bënë edhe më të shpeshta. Lidhja jonë u forcua edhe më shumë. Shkonim shpesh
për vizitë në shtëpinë e Tij. Atje na priste Sadija e mrekullueshme, me
bujarinë dhe tiparet e një mikpritëseje të vërtetë shqiptare. Në maj të vitit
2003, vajta në shtëpinë e Dritëroit e gjatë bisedës, i thashë se nëse e kishte
të mundur të na nderonte me pjesëmarrjen e Tij në një veprimtari të gjerë ku do
të merrnin pjesë edhe 2.500 fëmijë jetimë të ardhur nga e gjithë Shqipëria në
Pallatin e Kongreseve. Atje do të bënim publike edhe një nismë mjaft të
rëndësishme që kishte ndërrmarë asokohe Instituti Kombëtar i Integrimit të
Jetimëve Shqiptarë që unë e drejtoj prej vitesh me mbështetjen e Akademisë së
Shkencave që, data 20 Maj, të shpallej nga Kuvendi i Shqipërisë si “Dita
Kombëtare e Jetimëve”. Në dorë mbaja edhe kopjet e Projekt – Propozimit, ku aty
ishin edhe 30 firmat e personaliteteve të shquara të vendit që e mbështetnin
këtë nismë. Mes tyre, Ylli Popa, Bedri Dedja, Violeta Manushi, Kadri Roshi,
Xhanfise Keko, Moikom Zeqo, Xhevahir Spahiu, Margarita Xhepa, Avni Mula, etj.
Sapo Dritëroi u njoh me këtë nismë, u prek dhe u emocionua pa masë. Më kërkoi
kopjet e Projekt – Propozimit që i kisha marrë me vete dhe nënshkroi edhe Ai
duke hedhur firmën e Tij së bashku me Sadijen, për ta mbështetur këtë nismë kaq
të bukur dhe humane, e cila u finalizua me një ligj të posaçëm në Kuvendin e
Shqipërisë të mbështetur nga të gjithë deputetët. Por, më e veçanta ka qenë
pjesëmarrja e Dritëroit dhe e Sadijes në një tjetër veprimtari që organizohej
me fëmijët jetim në sallën e madhe të Hotel Tirana International, me rastin e
20 majit, “Dita Kombëtare e Jetimëve”, në vitin 2007. Në këtë aktivitet, ku
merrnin pjesë qindra fëmijë jetim në Drekën Festive të shtruar enkas për ta,
pati një moment mjaft emocionues. Pesë foshnja të porsalindura dhe të
braktisura në maternitetin “Mbretëresha Geraldinë” u bënë pjesë e ceremonisë së
kësaj veprimtarie. Ato, mbërritën në këtë veprimtari të shoqëruara nga
personeli mami e spitalit, dhe erdhën për t’u pagëzuar me emra nga disa
personalitete, pjesëmarrës aty. Njëri prej këtyre foshnjave i seksit mashkull,
do të pagëzohej nga Dritëroi. Ai erdhi bashkë me Sadijen, dhe duke e marrë në
krah foshnjën e braktisur tha: “Unë këtij djali të bekuar që do të jetë edhe
pjesëtar i familjes tonë, do ti vë një emër, dhe ai do të quhet Martin”. Pas
kësaj, Dritëroi i vendosi edhe një zarf me 100 dollarë, duke ndjekur ritualin e
traditës që kanë shqiptarët në të tilla raste. Gjesti ishte simbolik, por mjaft
domethënës për mesazhin që mbartëte në vetvete. Vetëm një Njeri si Dritëro
Agolli mund ta përcillte këtë mesazh me kaq shumë emocion dhe vërtetësi. Këto
janë disa nga shumë momente dhe mbresa të bukura që kam përjetuar pranë një
Njeriu të madh, i cili më ka frymëzuar gjatë gjithë jetës time, më ka ushqyer
me frymën e aspiratave dhe idealeve njerëzore. Ndodh në jetë që, individë të
veçantë, sa më shumë kalon koha që ata janë larguar nga jeta, aq më shumë na
duket se i kemi gjithmonë në mes nesh, diku rrotull. Janë kudo dhe ngado
frymohet dhe jetohet, në gjithçka të bukur e të begatë që ata kanë lënë pas si
një trashëgimi që do të përcillet ndër breza... Dritëroi, është emri i përveçëm
që, askush si Ai ka lënë kaq shumë gjurmë në jetën e gjithësecilit. Ai është
kudo nëpër Shqipëri. Është në jetët tona,
në zërat dhe gugatjet e foshnjave të sapolindura, tek çdo plak e tek çdo
fëmijë, tek çdo i ri dhe e re, tek qytetari e fshatari, tek bujku e blegtori.
Emri tij është në qiellin e kaltër, në diellin që prek majat e maleve çdo
mëngjes, në kodra e male, në fusha të gjelbëruara e të mbjella me grurë, në
lugina e shpate, në lumenj e liqene, në pyjet me dëborë e pemët e larta, në
lahutat e malësorëve të bjeshkëve dhe vallet e dasmave myzeqare, në diga
hidrocentralesh, në buçimat e sirenave të anijeve dhe trenave, në auditore
shkollash e universitete, në biblioteka e rafte librash. Kudo. Tashmë, Ai i
përket kujtesës tonë kolektive, i përket pavdekësisë, vetëdijes tonë kombëtare!
Post Scriptum
Requiem
për Sadijen, gruan fisnike me dhimbjen më të bukur në botë...!
Do
mbetet një nga pengjet e mëdha të jetës time që nuk munda të isha i pranishëm
në përcjelljen e saj, në udhën drejt Amëshimit! Një arsye përtej pamundësive të
mija më pengoi për të mos qenë i pranishëm ditën e Lamtumirës për Gruan
Fisnike, e cila me mirësinë, dashurinë dhe dhimbjen e bukur të saj, e
fisnikëroi edhe më shumë Dritëroin tonë, miqtë dhe të gjithë njerëzinë,
anembanë Shqipërisë. Në faqen e brendëshme të kopertinës në romanit e Dritëroit
“Trëndafil në gotë” të cilin na e dhuroi kohët e fundit, Sadija shkruan:
“Nevilës dhe Ilirit, ia bëj këtë kushtim në romanin e Dritëroit. Ky çift i
bukur më kujton ditët e lumtura pranë Dritëroit. Edhe tani që Ai nuk është
fizikisht, unë flas me Atë nëpër shtëpi, kur ulem në kolltukun e Tij, kur ha
bukë, kur shkoj në dhomën e gjumit, kur shtrihem të fle ato pak orë që bëj.
Megjithatë, Ai do të jetoj në trupin tim, derisa të marrë frymë, pasi më ka
lënë shumë detyra për t’ia mbaruar, gjithashtu ka lënë vepra, që nuk harrohen.
Me dashuri, Sadije Agolli - Tiranë, 11 Shtator, 2017”. Ky kushtim, është një
prej disa nga kujtimet që ne si familje kemi nga miqësia jonë mbi 30 vjeçare me
të pavdekshmit Dritëro dhe Sadije Agolli. Dy javë, para se ajo të niste
rrugëtimin e saj pa kthim, biseduam gjatë në telefon. Folëm për Dritëronë që
ajo e deshi aq shumë dhe e vuajti prej 2 vjetësh deri në asht ikjen e Tij.
Biseduam për shumë gjëra të bukura, për kujtimet e shumta që kishte dhe i
ruante përgjatë 52 viteve të jetës bashkëshortore me Njeriun që jetoi, pulsoi e
frymoi çdo çast e sekondë pranë Tij. Më foli për planet dhe detyrat që i kishte
vënë vetes si të vetmen mënyrë për të mposhtur dhimbjen, duke mbledhur e
sistemuar fletë për fletë, çdo copë letër e shënim, çdo dorëshkrim të
Dritëroit. Ndjeva në fjalët që më thoshte se, jetonte si askush tjetër çdo çast
e në çdo qelizë të trupit të saj të brishtë me dhimbjen e mungesës së Tij. Ndaj
dhe m’u krijua përshtypja se fisnikja Sadije e kërkonte me dëshirë e ngulm
ikjen e saj nga kjo botë, ngase nuk qëndronte dot më në këtë pritje të gjatë që
e mundonte... Iku shpejt për të mos e lënë vetëm Njeriun që e deshi më shumë se
veten, Bashkëshortin shembullor, Babain ideal e të dhembshur, Prindin model,
Gjyshin e ëmbël të nipërve e mbesave, Intelektualin sipëror, Edukatorin e
pashembullt të vegjëlisë, Vëllain, Poetin, Mikun e të gjithëve ne. Ikën si dy
shtërgje të fundit njëri pas tjetrit në udhëtimin e largët, larg zhurmës prej
të gjallëve, ngase ata të dy kurrë nuk ishin mësuar të qëndronin pa njëri tjetrin...
Ikën duke na lënë pas një dashuri të pamatë, por edhe një dhimbje të madhe në
eter për ne të gjallët e përkohëshëm, që nuk po mundemi të mësohemi me mungesën
e tyre fizike. Na lanë pas një mal me kujtime, një det me dashuri, një oqean me
mirësi, një vepër të pavdekshme që do të mbijetojë ndër breza. Faleminderit
Elona dhe Artan që më çelët portat e kujtesës për të thënë fjalët e zemrës e të
dhimbjes për dy Njerëz të mrekullueshëm që aq shumë i kam dashur, aq shumë i
dua dhe do t’i kujtoj gjithë jetën, për çka ata ishin, janë e do të mbeten, për
gjithçka na dhuruan plotë mirësi, fisnikëri e bujari...
Shpirti u ndrittë në
Paqe!
*Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit
të Jetimëve Shqiptarë
Ilir Çumani me Driteronë dhe Sadijen, 20 Maj, 2007
Iliri me bashkëshorten e tij Nevila, në Shtepinë e Driteroit - Shkurt, 1997
Iliri me te birin, Ilvin, dhe me çiftin Driteron e Sadijen, 25.02.2000
Iliri ne Shtepine e Driteroit, Shkurt, 1997
Çifti Dritëro e Sadije Agolli në dasmen e vajzes jetime, Raimonda, ne Shtepine e femijes 8 nentori, sot, Shtepia e Femijes Zyber Hallulli
Ish Ministre e Arsimit Tefta Cami, Jashar Menzenxhiu, dhe Dritero Agolli, Ne dasmen e vajzes jetime, Raimonda, ne Shtepine e femijes 8 nentori
Faksimile e kushtimit qe Driteroi ka lene ne librin e tij per bashkëshortët Ilir dhe Nevila
Faksimile e kushtimit qe Sadije Agolli ka bere ne librin e Droteroit, për IIlirin dhe Nevilen