E hene, 19.08.2019, 05:31 PM (GMT+1)

Komente

Eshref Ymeri: Sa për kujtesë opozitës pas djegies së mandateve

E merkure, 03.04.2019, 08:00 PM


Sa për kujtesë opozitës

pas djegies së mandateve

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri

Pas djegies së mandateve të opozitës, menjëherë u ndie një tjetër ndryshim në radhët e opinionit publik. Dhe me të vërtetë: pas marrëveshjes së fshehtë të Bashës me Ramën duke u gdhirë 18 maji i vitit 2017, opozita pësoi një firo të madhe, çka u reflektua tepër dukshëm në zgjedhjet e 25 qershorit të atij viti, në të cilat demokratët humbën më shumë se dyqind mijë vota. Marrëveshjet e fshehta, në thelbin e vet, kanë diçka të pandershme, për të mos thënë kriminale, prandaj edhe përmbajtja e tyre nuk bëhet kurrë publike.

Marrëveshja e fshehtë e Bashës me Ramën ishte një prerje e hapur në besë nga ana e të parit e kauzës së Çadrës tremujore në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Bindja ime e patundur ishte se Basha shkoi në atë takim të fshehtë si përfaqësues i palës së dobët, si i varur nga dikush tjetër. Prandaj ajo marrëveshje më kujton një aforizëm fort domethënës të Zhan Zhak Rusoit (Jean-Jacques Rousseau - 1712-1778), i cili thotë:

“Kushdo që varet nga të tjerët dhe nuk  ka mjetet që i nevojiten, nuk mund të jetë i lirë. Aleancat, marrëveshjet, besimi i njerëzve - të gjitha këto, të marra së bashku - mund ta lidhin të dobëtin pas të fortit, por jo të fortin pas të dobëtit”.

Dhe kështu ndodhi me të vërtetë: nga ai takim i fshehtë, Rama doli shumë më i fuqishëm, kurse Basha mbeti thjesht si një figurant në krye të demokratëve, të cilët i pllakosi një zhgënjim i rëndë.

Figura emblematike e demokratëve, ish-Kryeministri Berisha, idenë për djegien e mandateve e pati hedhur shumë kohë më parë, për të vetmen arsye se pas zgjedhjeve të 25 qershorit, Rama, me vjedhjen e votave, siç u faktua më vonë, opozitën e katandisi në parlament thjesht në një shtojcë të panevojshme. Prandaj qëndrimi i saj në atë sallë ishte krejtësisht formal. Zhvillimi i ngjarjeve do të kishte marrë një tjetër kahje, sikur opozita t’i kishte djegur mandatet fill pas zgjedhjes së jashtëligjshme të Kryprokurores së përgjithshme më 18 dhjetor të vitit 2017. Por opozita nuk e çoi në vend idenë e Berishës. Opozita duhej t’i kishte djegur mandatet edhe në dhjetor të vitit 2018, kur shumica parlamentare socialiste e hodhi poshtë kërkesën e saj për skanimin e politikanëve përmes vetingut. Në këto kushte, anëtarësia e demokratëve dhe përkrahësit e tyre në mbarë vendin po përjetonin një gjendje stepjeje dhe dyshimi për vendosmërinë e formacionit të tyre politik përballë arrogancës së shumicës socialiste në parlament. Por djegia e mandateve pas protestës së 16 shkurtit duket sikur krijoi një tërmet në mbarë vendin dhe përkrahësit e demokratëve morën më shumë zemër. Kjo u vu re më së miri në të gjitha protestat e tjera që opozita ka zhvilluar pas 16 shkurtit.

Në të gjitha protestat e zhvilluara deri tani, si edhe në intervistat e Bashës, të Kryemadhit dhe të drejtuesve të tjerë të opozitës, është hedhur dritë më së miri mbi mëkatet e qeverisjes socialiste që prej vitit 2013 e deri tani. Që qeverisja socialiste ka qenë dhe vazhdon të mbetet mëkatare në drejtimin e ekonomisë së vendit, kjo s’ka nevojë “as për mend e as për kuvend” për t’u argumentuar. Mjafton të përmendet braktisja e vendit prej 500 mijë qytetarëve, siç e theksoi analisti Italian Alberto Negri në programin televiziv TG2, ku ishte i ftuar kryeministri Rama. Ai i deklaroi Kryeministrit Rama:

“Nëse njerëzit emigrojnë, do të thotë se aty gjërat nuk janë mirë”. (Citohet sipas: “Gazetari italian “gozhdon” Ramën: Ju jeni establishment, ish-ministri në trafik droge”. Faqja e internetit “Syri.net”. 28 shkurt 2019).

Udhëheqësit e opozitës  kanë deklaruar dhe vazhdojnë t’i deklarojnë publikut të gjerë për rritjen e vazhdueshme të taksave, për rritjen e çmimeve, çka ka sjellë si pasojë varfërimin e vazhdueshëm të shumicës së njerëve dhe falimentimin e shumë bizneseve të vogla dhe të ekonomive bujqësore. Por udhëheqësit e opozitës nuk i kanë folur dhe vazhdojnë të mos i flasin asnjëherë opinionit publik me shifra reale se çfarë do të bëjnë ata nëse shumica e zgjedhësve do t’iu besojnë nesër qeverisjen e vendit.

Në respekt të lexuesve të nderuar, le të zbresim në një truall konkret, duke iu drejtuar udhëheqësve të opozitës me disa pyetje:

Nëse nesër vjen në pushtet, opozita çdo të bëjë me çmimin e energjisë elektrike? Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2013, Rama deklaroi se TVSH-në e energjisë elektrike do ta ulte nga 20% në 06%. Por kur erdhi në pushtet ai mashtroi, pa iu dridhur qerpiku. TVSH-në jo vetëm që nuk e uli, por edhe çmimin e energjisë elektrike, nga 7,5 lekë për kilovat, e ngriti në 9,5 lekë, duke hequr edhe tavanin prej 300 kilovatësh me një çmim më të reduktuar.

Nëse nesër vjen në pushtet, opozita çdo të bëjë me çmimin e ujit? Çmimin e ujit në Tiranë Erion Veliaj e shtrenjtoi me 40%.

Nëse nesër vjen në pushtet, opozita çdo të bëjë me çmimin e karburantit, i cili është më i shtrenjti në rajon dhe në Evropë?

Nëse nesër vjen në pushtet, opozita çdo të bëjë me çmimin e biletave të avionëve, i cili nuk ka të krahasuar me vendet e rajonit? Një miku im që ka djalin me punë dhe me banim në Angli, më rrëfente kur isha në Tiranë se iu desh të shkonte në Podgoricë për të blerë biletën e avionit për në Londër, e cila kushton 50 euro, kurse bileta nga Tirana në Londër kushton 300 euro. Prandaj, për të udhëtuar drejt Evropës Perëndimore, shumë qytetarë detyrohen t’i drejtohen Shkupit, Prishtinës, Podgoricës dhe Athinës.

Nëse nesër vjen në pushtet, opozita çdo të bëjë me trajtimin e ekonomisë së fermerëve tanë, të cilet, prodhimet e tyre të bollshme, si zarzavate dhe fruta, detyrohen t’i hedhin në lumë ose edhe t’i lënë të kalben në tokë, se tregtarët parapëlqejnë prodhimet e huaja? A do të lejojë opozita nesër në pushtet që të vazhdojë kjo gjendje e vajtueshme e fermerëve shqiptarë?

Nëse nesër vjen në pushtet, opozita çdo të bëjë me krimin ekonomik dhe me oligarkët e pasuruar me mënyra të jashtëligjshme?

Nëse nesër vjen në pushtet, opozita çdo të bëjë me skanimin e politikanëve përmes vetingut? Kryetari Basha ka deklaruar se kur opozita të vijë në pushtet, e para e të parave, politikanët do t’i nënshtrohen vetingut. Në një artikull me titull “Reforma në drejtësi: do të mbarset mali dhe do të pjellë një mi”, të botuar në internet më 28 janar 2016, pata theksuar se reforma në drejtësi duhet të fillojë nga skanimi i politikanëve, sepse hallkat e tjera të pushtetit janë pjellë e politikës. Pra, në sitën e vetingut duhej të kalonin të parët politikanë. Rrjedha e ngjarjeve pas botimit të atij artikulli, ka vërtetua deri tani në praktikë se reforma në drejtësi ishte dhe vazhdon të jetë thjesht një komedi fort e bukur e teatrit të estradës socialiste.

Nëse nesër vjen në pushtet, opozita çdo të bëjë me ligjin për reformën zgjedhore? Deputetët e parlamentit të ardhshëm a do të vazhdojnë të jenë deputetë të partive, sipas listave të turpshme që ekzistojnë deri tani, apo do të jenë deputetë të zgjedhur drejtpërdrejt nga vetë populli, sipas zonave zgjedhjore?

Dëshiroj me gjithë zemër që udhëheqësit e opozitës, përmes mjeteve të informimit masiv, t’i japin përgjigje opinionit publik për pyetjet e lartpërmendura.

Santa Barbara, Kaliforni

02 prill 2019




(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT