E hene, 28.11.2022, 02:32 AM (GMT)

Kulturë

Blerim Rrecaj: Muzg i purpurimtë

E hene, 18.03.2019, 08:31 PM


Muzg i purpurimtë

Nga Blerim Rrecaj

Ia nisim një dite. Mesdita na zë duke pritur në stacion. E në anën tjetër të rrugës kalon edhe njëri duke ngasur motorin shpejt dhe ajo që bie në sy është ky fidan i gjatë, trupdrejtë, rrënjëzbuluar e pip në këmbë që bartet me vete. Vazhdon dita me degëzime zhurmash e lëvizjesh të shumta nën rrezet e këtij dielli fortndriçues. Si farë azilkërkuesish hedhim sytë e më pas u japim këmbëve hapësirave, oazave gjelbëroshe. Aty e këtu ku frymëmarrjet ndryshe frymojnë. Të parat në sy na ranë ca flutura krahëverdha që fluturonin e fluturonin me lehtësi të padurueshme. E pak më hijerënda po duken fluturat krahëportokallta me të kaftën qëndisur si çokolatë, që ta lënë përshtypjen që aq sa fluturojnë, po aq bien për tokë, për degë, a për ku mund kapen a qëndrojnë. Përditshmëritë pasurohen me përplot imtësi që herë-herë po na tërheqin që të merremi pak më shumë me to. Si gunga të kafta dheu qëndrojnë dy anëve të një rruge kalldrëmshtruar gjethe pishash, e ndonjë fryt kokërrkafeje e tyre. Sa jemi këtu, e sa ndërrojmë vend. Dhe ripërsërisim shprehjen: E shtunë e shtatë qind vjet. Para a pas, pyesim pastaj, si duke ia tërhequr vërejtjen vetes a të tjerëve se veç kjo ka rëndësi, se jemi ne e tashmja e në të tashmen. Ndërkohë që mendojmë se ç'shprehje mund të këtë për të dielën që agoi e po vazhdon me halle, valle, gjëra të vjetra e të reja, me diell por edhe me një tufë teshtimash të pandërprera. Diku te një kënd i këndshëm vështron gjëra të këndshme dhe lulëzimin e stinës, sot me shenja të tjera, si gosti e befasi të parapërgatitura mirë e me zell. Nga dikush pret shprehje ngazëllimi pas mrekullive të rishfaqura nëpër natyrë. Që ftojnë për t'iu afruar, prek me kujdes, për të mos i lënduar a dëmtuar, për t'i ruajtur e mbrojtur e duke marrë me vete një valë përjetimesh e frymëzimesh që çdo herë lënë vend për t'iu afruar përsosshmërive siç u afrohemi krojeve ose urave, për të larë sytë, shuar etjen e për të dalë në një tjetër breg. Për t'u kthyer në stacion nga ku do marrësh rrugën e kthimit. Dhe ndërkohë muzgu bie. Vazhdojnë pritjet. Një hënë e bardhë, si një top sporti që fryhet me pompë dore a fisht lapskimiku vështron nga lart e vështrohet nga poshtë. E një fluturake e pazëshme spreji sulet mbi të e mbi çatinë e tejdukshme të stacionit. Muzgu vazhdon rrugëtimin tash me ritëm e rrota autobusi të verdhë. Vija e horizontale e horizontit është dëshmi se të dorëzohet se ka ndërmend dhe se tashmë ka lënë shenjat e veta fort të qarta e të kthjellta, një vijë të hollë të kaltëreme diamant të larë, dhe vijën ngjitur për saj, një xherdan poashtu diamanti të rrallë bojëshege...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora