Kulturë
Luan Kalana: Librat e shenjtë të shqiptarit
E merkure, 13.03.2019, 06:27 PM
LIBRAT E SHENJTË TE SHQIPTARIT
"Na ushqejnë shpirtin, na shërojnë plagët." populli
prolog
-Kush është rritur me gjysh e gjyshe në familje nga ne, mbesat dhe nipërit, i mban mend si të gjalla mbresat dhe kujtimet për këta kolosë historie, që ishin aq të dashur edhe të mençur, paçka se ne i shikonim me një sy përçmues, ngaqë qenë të moshuar, si të paditur, por ata mbetën një trashëgimi e pasur dhe e çmuar shpirtërore e kulturore, libra të gjallë diturish, me përvojë të papërshkruar njerëzore. Ata ruanin dhe fshihnin shumë sekrete të jetës së tyre që ne i mësuam vonë. Midis tyre ishin librat magjikë që na thoshin neve, pra "librat e shenjtë " siç i quanin ata dhe që i patën udhërrëfyes. Ne na mbanin në prehër, na ledhatonin, na tregonin përralla, histori dhe rrëfime nga "librat e shenjtë", duke na këshilluar si të sillemi në jetë. Disa thënie të tyre janë pishtar përvoje për ne.
1-KURANI Gjyshja ishte besimtare e mençur dhe trimëreshë, zonjë mbi zonjat. Deri sa u rrita, kam fjetur me gjyshen, më zinte gjumi me përrallat e saj dhe me rrëfime nga libri magjik i saj. Herë pas here ajo na i përsëriste fjalët duke përmendur fjalë, na mësonte, na rrëfente dhe vazhdonte papushim duke na këshilluar, ishte gojëmjaltë, melhem për plagë. Nejse. "Librat e shenjtë, - thoshte ghyshja, - i kanë shkruajtur shenjtorët, profetët, ato na mësojnë shumë gjëra për jetën, të mos shkelim në dërrasë të kalbur, na hapin rrugët e dritaret e dijes, na shërojne plagët.” Na sillte si shembull emrin e Nënë Terezës, shenjtorjen e njerëzimt. Po cilat ishin sekretet e saj? Ajo nuk na i tregoi kurrë; këto i mësuam e na i tregoi nëna kur gjyshja ndërroi jetë, kur shkoi në qiell, siç na thanë atëherë. Në dhomën e saj gjyshja kishte sëndyqin e saj të nusërisë, ku kishte ruajtur pajën e saj, veshjen e nuses gjatë ceremonisë së martesës. Herë pas here e hapte, por e mbyllte derën e dhomës, po ne e kishim parë fshehurazi nga vrima e çelësit. Kur u rritëm, nëna na mblodhi tek sëndyqi i gjyshes dhe na tregoi të fshehtat e tij duke shpalosur teshat e shumta që kishte brenda. Mbresa na la fustani i nusërisë, i bardhë, prej mëndafshi, i qëndisur me penjë ar. Në fund të sëndyqit ishte velloja e fustanit dhe një libër i mbështjellë. U befasuam dhe kërcyem përpjetë nga gëzimi. Ja, më në fund do të shihnim librin magjik, "librin e shenjtë." Nëna e hapi vellon me kujdes, se ishte një copë e hollë. Në kapak lexuam "Kurani.
2-" BIBLA Një shoqja ime e dhomës në kolegj mbante gjithnjë me vete në çantën e librave Biblën. Na i lexonte, me kërkesën tonë, me zë disa paragrafë të saj. Ajo na i përsëriste se duhet t’i ndjesh si poezinë që t’i kuptosh. Me kalimin e kohës filluam ta lexojmë edhe ne, por me një këndvështrim tjetër, jo si libër fetar, por si histori reale njerëzore. “Librat e shenjtë na ushqejnë e pastrojnë shpirtin, na shërojnë plagët, na mësojnë për të mirë në jetë, - theksonte shoqja. - Prandaj unë i lexoj dhe rilexoj, me këshillat e tyre na mësojnë si të mbijetojmë në vuajtje e vështirësi.” 131 Nuk e harrojmë shoqen tonë të dashur dhe Biblën e saj, si udhërrëfyese në jetën tonë. "Bibla", kështu i thërrasim shoqes sonë me krenari, se ajo na dhuroi një libër në jetë si bashkudhëtare moderne e paharruar për jetë.
3-ABETARJA Gjyshi ishte jo vetëm i shkolluar jashtë vendit, por dhe i zgjuar nga natyra. Ishte mësonjës, hapi shkollën e parë shqipe në fshat dhe punoi jurist në gjykatë deri sa doli në pension. Një nga sekretet e tij, që ai quante thesar personal, ishte një valixhe e vjetër prej kartoni, me ca çelësa si susta, që e kish sjellë nga Franca ku ishte student. Po çfarë fshihte në valixhe?! Kur u rritëm dhe ai ishte mplakur, na mblodhi mbesa e nipër dhe na i tregoi ato: flamurin shqiptar të shpalljes së Pavarësisë nga Isamil Qemali me një histori interesante: e kishin ngritur në dritare kur qenë në Paris. Midis tyre, mbështjellë me disa shami dore, një libër i vjetër. "Ky është libri ynë i shenjtë për ne shqiptarët” - na tha. E mori, e puthi dhe na i vuri në ballë, sikur na pagëzoi me të. Pastaj na tha: “Lexojeni.” E lexuam me kureshtje, të gjithë me një zë: "Abetare shqip." Në kapak kishte flamurin me shqipen dykrenare, sipër kapakut emri i Kostandin Kristoforidhit. Gjyshi duke u përlotur vazhdoi: “Është gjuha e nënës, ta mësojmë e ta flasim bukur shqipen. Dhe të mos harrojmë ngado që të jemi të shpërndarë në botë. Këtu është shkruajtur me gjak gjuha jonë. Le ta ruajmë atë si sytë e ballit!”
Zoti i bekofte !
Luan Kalana-Florida SHBA.