Kulturë
Viron Kona: Vargje për Ditën e Verës
E merkure, 13.03.2019, 08:05 PM
Me një grup fëmijësh të shkollës 9-vjeçare “Vëllazërimi”, Tiranë
Viron Kona
Vargje për Ditën e Verës
E kremtojmë Ditën e Verës,1)
me dhurata dhe rroba të reja,
thurim verore dy ngjyrëshe,2)
shijojmë ushqime t`zgjedhura...
Fëmijët çapkën ndjellin zogjtë,
mbushin ajrin me fishkëllima,
luajnë me qengja, mbledhin lule,
manushaqe dhe zymbyla...3)
Një vajzë lë në pemë veroren,4)
lutet: zogu të vijë ta marrë,
eh, psherëtin bukuroshja,
sikur ta marr dallëndyshja e parë!
Zakoni i lashtë e kërkon:
që zonja t`stolis shtëpinë,
kreun e derës dhe dritaret,
me lastarë t`gjelbër e jasemin. 5)
Pastaj nis përgatit drekën,
gatuan gjellët m`të mira,
gjel deti e ballokume, 6)
ftonj, shegë e ëmbëlsira.
Gëzim i madh për çdo familje:
fëmijët vizitorët e parë,
me dhurata i darovitin,
vogëlushët këmbëmbarë! 7)
-Ç`po bëhet n`shesh t`qytetit?
-Karnavalet do të fillojnë,
lodra, maska, eh, çdo vejë,
do gëzohemi, do vallëzojmë!
Ja tek shfaqen dhe turistët,
që mik-priten me nderim,
ndjekin festën me kureshtje,
-Sa e lashtë është? -duan ta dinë.
Mes t`rinjve të moshuarit,
rrëfejnë shtruar histori,
u luten zotave pagane,
për bollëk, paqe, mirësi.
Një zonjë bën humor me shoqet,
diç tregon dhe qesh me lot:
Gra! dëgjuat për gjumashët?
I mbyllën brenda, s`dalin dot! 8)
Tek një vajzë qëndistare,
sytë i hedh një djalë azgan,
diç kërkon, e ka një hall,
vete-vjen e sytë s`ia ndanë.
Kjo Ditë Vere e bekuar,
u jep t`rinjve m`shumë trimëri,
duan të luajnë kukafshehtas,
janë ndezur për dashuri.
Ajri i freskët, dielli ndrit,
14 Marsi - magji e rrallë,9)
vajzat s`ndahen nga pasqyrat,
ëndërrojnë fustan` të bardhë...
1).Dita e Verës, festë pagane, e lashtë. Festohej nga ilirët përpara lindjes së krishterimit. Quhet ndryshe festë e luleve, e gjallërimit të natyrës, festë e shpirtit, paqes, harmonisë, gëzimit, dashurisë...14 marsi shënon fundin dimrit të acartë dhe ardhjen e pranverës.
2).Verore, simbol i ardhjes së pranverës. Një zbukurim që formohet me pe të bardhë dhe të kuq. Dy ngjyrat simbolizojnë dy të kundërta, ngrohtë-ftohtë, pranverë(e bardhë) dhe dimër(e kuqe). Verorja u vihet në dorë apo në qafë fëmijëve që t`u sillte fat gjatë vitit...
3).Lule të para të pranverës, apo paralajmërueset e pranverës janë edhe: manushaqja, zymbyli, lulebora,vjollca,aguliçja,luleshqerra,mimoza...
4).Vajzat apo fëmijët lënë veroren në një ferrë, trëndafil a degë peme, shprehin një dëshirë dhe shpresojnë, që të vijnë zogjtë, ta marrin dhe me fijet e saj të ndërtojnë fole. Nëse ndodh kjo, ëndrra apo dëshira e shprehur do të realizohet.
5).Dita e Verës, shoqërohet edhe me vendosjen e luleve të sapoçelura në dritare, apo me lastarë të gjelbër tek dera e shtëpisë në mëngjesin e kësaj date, në mënyrë që gjithkush kur zgjohet të ndjejë ardhjen e pranverës.
6).Gjel deti e ballokume: Ndër ushqimet më të preferuara për festimin e “Ditës së Verës”,veçanërisht në Elbasan
7).Në këtë ditë fëmijët të veshur me rroba të reja shkojnë derë më derë duke kënduar ”Ditën e Verës’, ndërsa u jepen dhurata. Ardhja e fëmijëve është mbarësi.
8).Zakoni është që, ata që ngrihen me vonesë “Ditën e Verës”,”ndëshkohen” duke i mbyllur brenda shtëpisë me çelës.
9). 14 Marsi, thjesht hap festivalin njëjavor të pjellorisë dhe rilindjes së natyrës, duke çuar drejt 21 marsit, që është Dita kalendarike diellore e Verës. 14 Marsi është Dita e Verës për Elbasanin, Tiranën. Krahina të tjera shqiptare caktojnë secila Ditën e tyre të Verës brenda javës14-21 mars. Quhet Dita e Verës, sepse në kalendarin Ilir/shqiptar, si dhe në disa popuj të tjerë, ka vetëm dy stinë: Verë dhe Dimër. Stinët nisin me ekuinokset (baras-netët) në mars dhe në shtator...