Kulturë
Milazim Kadriu: Isa Baftiaj - Thënie dhe proverba
E shtune, 26.01.2019, 09:14 AM
LIBRI “ THËNIE DHE PROVERBA ” SJELL 670 URTI NGA JETA ...
Isa Baftiaj “ Thënie dhe proverba ”, SHB “ Rrjedha “ – Gjilan, 2019
Nga Milazim F. KADRIU
Jo atyre që e ngrehin gishtin e krimit, por atyre që e shtrijnë dorën e pajtimit.
Adem Demaçi
Me këtë thënie hapet libri “ Thënie dhe proverba ” i autorit Isa Baftiaj, që përmban 670 thënie dhe proverba të krijuara në mese të ndryshme dhe nga autorë të ndryshëm. Tashmë në Kosovë janë shpeshtuar botimet e veprave të tilla apo të ngjashme me të autorit Isa Baftiaj, por që kjo si shihet edhe nga titulli, po edhe nga konceptimi i materialit ndryshon paksa nga botimet e autorëve tjerë.
Thëniet e urta janë krijuar në të gjitha trevat shqiptare dhe më gjerë në kohë dhe rrethana të ndryshme, por që janë ruajtur brez pas brezi dhe për autor kanë pas popullin, pra njihen si thënie popullore pa autor të caktuar. Ndërsa kohëve të fundit hasim përplot thënie, aforizma apo urti që krijohen nga autorë të ndryshëm dhe që ato ruajnë autorësinë e krijuesve.
Thëniet dhe proverbat në rrethana të caktuara, në situata dhe periudha historike kanë evoluar dhe përmbajnë filozofi brenda vetes. Mund të konstatojmë se autori lexuesit i sjell një vepër me fuqi shprehëse, ngase këto thënie dhe proverba vijnë si këshilla e që lexuesve do t’u hyjnë në punë në rrugëtimin e tyre jetësor.
Libri “Thënie dhe proverba” është një fryt i vullnetit dhe pasionit të autorit për vjeljen e artit dhe të urtisë popullore e të cilat thënie janë nga autorë të ndryshëm por ka edhe disa që janë thënie popullore e që janë përcjell brez pas brezi deri në ditët e sotme. Këto thënie kanë vlerë shumë dimensionale dhe janë grumbulluar në këtë libër sipas një kriteri të caktuar nga autori.
Autori nuk është kufizuar që të mbledh këto thënie vetëm në një trevë të caktuar, por ato i ka marr nga autorë të trevave të ndryshme. Këto thënie janë renditur sipas alfabetit dhe për bazë është marr fjala më domethënëse dhe pikërisht sipas saj ajo është renditur. Vlen të ceket se gati të gjitha këto thënie dhe proverba të zgjedhura të autorit janë të përmbledhura me një fjali por që shprehin një mendim të thellë. Secila nga këto 670 thënie zgjon interesimin dhe kërshërinë e lexuesit ngase ato kanë peshë për jetën, edukimin, rrugën e drejtë, forcimin e virtyteve të larta e më të mira, luftimin e veseve të këqija etj.
Thëniet dhe proverbat të mbledhura dhe të prezantuara në këtë libër padyshim se edhe për lexuesin janë interesante dhe të vlefshme. Këto thënie janë të krijuara në kohë të caktuara dhe përcjellin aspiratat e një mendimi të stërholluar dhe mund të quhen edhe si fije të arta filozofike.
Këto janë mendime të tjerra mirë për çështje nga më të ndryshmet dhe shumë nga to do t’i rezistojnë pafundësisht kohës, ashtu si i kanë rezistuar edhe shumë sosh që janë krijime popullore. Ato paraqesin një mendim me strukturë të tkurrur fjalësh në aspektin pozitiv, me një racionalizëm fjalësh, për të lansuar mendimin para të tjerëve me një maturi e lloj të veçantë fjalësh të duhura, të cilat thonë esencën e mendimit të caktuar.
Në libër përpos thënieve të veta, atyre popullore dhe të autorëve të ndryshëm nga trojet shqiptare, autori ka zgjedh edhe thënie të disa filozofëve dhe shkrimtarëve të njohur botëror, që kanë dhënë fjalë të veçanta dhe mjaft domethënie. Andaj, mund të themi se autori, Isa Baftiaj, para lexuesve sjell një vepër të rëndësisë që lexuesin e ushqen me mesazhe dhe këshilla se si duhet të sillemi në jetën e përditshme. Këto thënie dhe proverba në librin e autorit Isa Baftiaj janë një përvojë jo vetëm e autorit që i mblodhi apo atyre që i shkruan por përvojë jetësore e popullit tonë.
Andaj me këtë libër edhe autori jep një kontribut në këtë fushë të letërsisë popullore shqiptare. Këtu shihet se autori ka një pasion për artin popullor dhe këtë e dëshmon më librin e tij që e ka përgatitur me një përkushtim të madh duke përmbledh dhe zgjedh vlera të çmuara të urtisë popullore.
Edhe ky libër bashkë me librat e tjerë të kësaj natyre, do të jenë pasuri folklorike e kulturës shqiptare. Sigurisht se autori u është mirënjohës edhe të gjithë atyre që kanë pranuar dhe ia kanë dhënë këto thënie dhe proverba të tyre që ti prezantojë në librin e tij. Dhe pas botimit të librit sigurisht se mirënjohja është e dyanshme. Thëniet e prezantuara në këtë libër janë të veçanta, ngase ato janë kombinuar sa i përket krijimit të tyre që nga kohërat më të lashta e deri në ditët e sotme. Ky libër shënon një kontribut të çmueshëm në fushën e letërsisë sonë popullore.
Besianë, 2 . 12 . 2018