E premte, 29.03.2024, 01:21 PM (GMT)

Kulturë » Berisha

Sejdi Berisha: Shikim i thekshëm apo paradoksi i luftëtarit ...!

E diele, 20.01.2019, 01:37 PM


Sh p ë r p u th j e

SHIKIM I THEKSHËM APO PARADOKSI I LUFTËTARIT...!

Ndoshta, sot nuk duket se ka rëndësi dhe as nuk është interesante, por, megjithatë, kjo ngjarje bizare por e rrallë, apo e para e këtij lloji, e cila edhe tronditë, bezdisë edhe trishton, por, edhe për shumëçka sikur shndërrohet në ilaç mendjeje, shpirti, apo, nëse jo kështu, atëherë edhe çmend, sjellë nebulozë! Por, të kuptohemi, këtë ngjarje do ta shtroj me arsyen e hidhërimit, me peshën kuptimit të jetës, nganjëherë si dukuri të rrallë, por, mbase edhe paradoksale. Përrallë hesapi... Por, mos të harroj: Dhe, besoni. E putha gurin e varrit tim dhe qesha me hidhërim e ironi... Nëse keni durim, më ndiqni...!

Nga Sejdi BERISHA

1.

Që në vegjëli, kur isha kalama e i veshur me rroba plotë arna por të pastra, (por, që në fillim ta dini, ai nuk jam unë), diçka më xigëlonte nëpër trup, ndoshta edhe nëpër damarët e gjakut. Ku ta dija se pse ndodhte kështu. Edhe mua më rrokte etja për ta shijuar madhështinë dhe dashurinë e tokës dhe të natyrës. Kështu, brenda vetvetes, më ngrihej, ndërtohej e më luhatej, shih, luhatej, një kullë e dashurisë dhe e qëndresës, që ma afronte e ma thellonte merakun për livadhet, për kopshtet, bjeshkët,... për shkëmbinjtë, por edhe për shiun, shushurimën mahnitëse të tij, për bubullimën mbase dhe për breshër,... besa edhe për melodinë e çiftelisë e të sharkisë, edhe për ndonjë krismë pushke për haber të mirë. E, të gjitha këto së bashku, ma kompletonin dhe ma madhështonin pikturën e jetës fëmijërore...

Besoni. Edhe blegërima e qengjave, m’i ngjante asaj ëndrrës, kur njeriu ngritët në qiell e zbret sa herë të dojë në tokë, dhe anasjelltas. Kështu, pastaj, e tërë kjo, nisi të ma nxjerrë edhe një syth të çuditshëm, i cili edhe më shumë ma ngacmonte dhe provokonte atë dashurinë për njeriun dhe për fatin e tij, për lirinë e tij, e besa edhe atë dashurinë për tokën,... dua të them, për atdheun!

E tërë kjo, më solli telashe, sepse, në qenien time, si në kurorë peme behari, ashtu u shpërndanë shumë dëshira apo kërkesa shpirti, shumë etje, merake e ëndrra. Ato, tash vinin duke u ndarë në shumë degë e degëzime, të cilat filluan veç të ma digjnin nga pak shpirtin dhe të ma therin zemrën. Ishte keq, apo ishte telashe e madhe, të të ndodhë kjo në vegjëli mbase edhe në rini. Dhe, të gjitha këto ma linden dëshirën për ta dëgjuar dhe tmerrësisht për ta përjetuar këngën. Zëri në këndim, më së shumti më ka intriguar, dhe atë, për herë të parë kënga e gjelit, i cili mbi plehun që e kishte grumbulluar babai për ta plehëruar tokën, kishte ngrehur njërën këmbë, dhe me kokën e ngritur lartë e me kaçurrelen e mërdheztë, ia thoshte këngës,... Kuptohet, këngës së vetë!

Shih. Kështu, më lindi dëshira edhe për të kënduar (por vetëm brendapërbrenda shpirtit tim), dhe për ta shijuar këngën dhe tingujt e çiftelisë e të sharkisë, e ndonjëherë edhe të lahutës. Atëherë, mësova edhe për këngët në oda burrash, edhe për historinë, edhe për vuajtjet, edhe për trimërinë dhe qëndresën, edhe për rëndësinë e odave dhe të kullave nëpër mote... Mote të liga, tua them të drejtën...

2.

Dhe, në odat e burrave, të zitë e ullirit e shihja, derisa i bindja burrat me mustaqe, që të më lejonin të ulëm, jo në cergën e madhe dhe as në të voglën, por vetëm atje diku në fund të fundit, afër derës, e cila e lidhë odën me divanhane, ose, diku në cep të trapazanit. E dini se ç’është trapazani... Edhe pse në fund të odës, vend shumë strategjik, a?! Këtë e dëshiroja vetëm e vetëm për të pasur mundësi t’i dëgjoj këngët, veçmas ato të cilat rapsodët u këndonin kreshnikëve, trimave dhe luftërave, besa edhe arshikisë,... dashurisë, a...

Pra, këtu e tutje, filloi të më vardiset një etje e një dëshirë për “përrallat” e historisë, për të gjitha ato ngjarje e vuajtje, të cilave, edhe sot e kësaj dite ende nuk u është hedhur dritë sa duhet, besoni, tmerrësisht ma ngacmonin idhcën për gjithçka! Dhe, mbaj mend, edhe si i ri, herët fillova të ushqehem me gjërat e shenjta... E dini ju, cilat janë ato: robëria(!), liria, vuajtjet dhe lumturia, të cilave ua di për nderë, sepse, më kanë kalitur dhe edukuar,... ma kanë “kajtur” bash nënën e nënës,... Por, edhe m’i kanë hapur edhe shumë rrugë e shtigje për ndërtimin dhe pjekjen e respektit dhe të ndërgjegjes e të sinqeritetit për rregullat që t’i detyron jeta.

Njëherë. Në një dasmë të madhe, me ç’rast, në odë ishin tubuar afro njëqind burra të dheut, e të cilët e kishin bërë “kurrnjavë” odën nga tymi i duhanit, këngëtarët, të cilët ishin ulur pranë sofrës plotë mishra, djathë e turshi, ia thoin këngës për Oso Kukën... Luftë e madhe, e bashkë me te, edhe shkrumbi për liri, mal e shkëmb ma bënin zemrën. Ma ngacmonin mendjen për t’i thënë forcës së shpirtit, për t’i bashkuar e rrënuar bjeshkët,... E dini edhe ju se pse...!

Kështu, ishte. Nganjëherë, për trimërinë time, më “brofte” mendja edhe për lazdrimin ndaj bukurisë së vashave. Ky isha tash, unë luftëtari me flokë kaçurrela, tash edhe me plis të bardhë e me opinga prej sixhimi, të cilat për merak m’i kishte thurë nëna ime. Çunak i vërtetë, a?!!

Kam pas thënë edhe njëherë, atëherë, çdo gjë më dukej e vogël. Kisha dëshirë të fitoj nga pak edhe para, për ta ndihmuar familjen. Gjithnjë më bëhej se isha hero i pamundur. Për këtë, dua t’ua rrëfej një ngjarje “trimërie e force”. Një të shtune, në orët e hershme të mëngjesit, me kujdesin që mos t’i prishte gjumin birit të vetë, djalit të hasretit, me zë të ultë, babai më thirri në emër, dhe posa hapa sytë e i përgjumur, njëherë më puthi në të dy faqet, e pastaj me gëzim më tha se e kishte goditur një livadh për ta kositur. “Gjytyrie” e kishte goditur. Andaj, më luti që të shkojmë së bashku e t’i kositim ata katër kosaçë livadh. Edhe unë lakmova për t’i fituar paratë e dy ditëve për një ditë pune... U ngrita dhe ikëm për në livadh, i cili nuk ishte më larg se katër kilometra prej qytetit.

Posa arritëm, i përgatitëm kosat. Por, unë, duke besuar në forcën time, babait i thash që livadhin ta ndajmë në dy pjesë, në mënyrë që “hisen” time ta kryeja sa më shpejtë. E vërejta se babai nuk kishte dëshirë, por nuk ma prishi. Ndoshta më shumë ishte frikësuar se kosa, po nuk dite ta zotërosh, të tërin të shkallmon, të prishë...

Për të mos e zgjatur. Unë, ngutesha që deri në mesditë pjesën time ta përfundoj. Ashtu edhe ndodhi. Pas kësaj, babait i thash se pasi që kreva punën time do shkoja në shtëpi. Të them të drejtën, edhe po të më thoshte që t’i ndihmoja për ta përfunduar së kosituri pjesën e tij të livadhit, me qejf nuk do ta bëja një gjë të tillë, sepse, kisha dëshirë për të dalë pak në qytet, sepse, ishte edhe ditë tregu. Kështu, ika për në shtëpi. Por, çfarë ndodhi pastaj. Kur hyra në dhomë, ishte freski dhe lakmova të shtrihem. Një gjysmë ore të pushoj. Por, nuk pushova aq. Kishin kaluar sa orë, dhe kur më doli gjumi, besoni, nga lodhja, për një moment as nuk dija se ku jam,... ku gjendesha. Pasi mora veten, desha të ngritëm nga shtrati, por trupi im as ‘çap” nuk ia bëri. I tëri isha shtangur nga kosa...! Atëherë, sikur gjithçka ka ndërruar në mendjen time, dhe kam thënë:

-A, ky jam unë ai heroi dhe trimi...?! Asnjë përgjigje nuk ia gjeja vetvetes. Vetëm thash edhe këtë:

-...Ja, trimëria ime...!

3.

Prapë, të kthehem tek odat. Dua të them, se odat dhe këngët që këndoheshin në to, gjithnjë e më shumë më bënin të padurueshëm, bile, nganjëherë, nga frymëzimi, frikohesha se mos po bëja ndonjë “sherr”, ndonjë “marri”! O Zot, po shumë më frymëzonin ato këngë, sa që historinë kisha dëshirë ta “shtrëngoja” në fyt, ta pëlcasë, ose t’ia nxjerri edhe fjalën dhe rrëfimin edhe për ngjarjen e fundit.

Tash, në rini, historia më trimëronte, që, bile edhe tek vashat të tregohem kryelartë, edhe pse, nuk kisha guxim të flas as më të voglën fjalë, apo ndonjë fjalë të ëmbël e cila mund të përftonte kah dashuria. Prandaj, nganjëherë i thosha vetvetes: po, çfarë çuni e trimi je, kështu...?! Tash, anash kësaj, m’u kishte tekur që të organizoj “luftë” me gjela, e më vonë, kisha dëshirë këtë “luftë” ta provoja edhe me qen...

Ishte interesant. Sepse, vetvetiu mësoja për strategjinë e luftës, e cila edhe më “stoliste” me trimëri... Por, dua t’ua tregoj edhe një vaki, mu me qen. Thonë, dhe ashtu është, se qeni është kafshë besnike. Ime motër, në një vit kishte dalë në bjeshkë për të veruar me familje, por edhe për të “mbledhur” bulmet. Kishte shumë dele,... edhe lopë. Kurse, qentë i kishte për merak, besnikë e të mëdhenj sa dy arusha. Njëri, i cili ishte i bardhë, ishte roje delesh. Dhe, një natë, kishte rënë ujku ndër dele. Bardhoshi kishte luftuar ta shpëtojë delen, të cilën ujku e kishte prerë në fyt, dhe tani e tërhiqte zvarrë thellë në pyllin e dendur me pisha. Ndoshta ishte më vonë se mesnatë. Qeni Bardhosh, nuk iu kishte ç’kapur ujkut, i cili delen e tërhiqte si një gjeth peme. Kishin hyrë deri thellë në mal, dhe ishte bërë, si thonë lama e thive... Bardhoshi, deri sa nuk e kishte plasur ujkun, nuk kishte pra. Tash, në njërën anë e kishte delen e “prerë” në qafë, dhe në anën tjetër ujkun e plasur dhe të bërë gjak e të “shqyer” si ta kishin goditur jataganët e Sulltanit. Qeni priste mes dy “trofeve”. E priste bariun. Pas dymbëdhjetë orë kërkimi nëpër mal, bariu kishte hasur “treshen”. Tani, Bardhoshi vetëm shikonte duke lëvizur bishtin, kurse, sytë e salakuqur, që thua se i qitnin flakë, tregonin diçka! Se, çfarë,... nuk e di. Ndoshta e di bariu,... ndoshta e dini edhe ju...!

Këtu përfundon edhe ajo trimëria ime djaloshare dhe ankthi... Se për çfarë ishte kështu, nuk e dija. E po, unë isha i ri, ore,... e kështu, shpeshherë ia futja kot! Kot, kot. Por, shih se përse nuk e harroja dhe as nuk e harroj këtë. Ndoshta, për shkak të trimërisë dhe besnikërisë së qenit-Bardhoshit, apo për shkak të dhembjes e krenarisë që e kishte bariu për delen e dëmtuar dhe për qenin e tij besnik?! Eh, po çfarë hallakame për ta deshifruar këtë grimë tregimi të “heroizmit” tim...!

4.

U ndala dhe shikova kalendarin, orën dhe ditën. Të gjitha i shikova, vetëm sa për ta nisur ditarin me këtë ditë. Nuk më kujtohet, a ishte e hënë apo e martë. Por, e di se nëna më përcolli deri tek dera e oborrit, dhe më kishte thënë:

-Biri im, pashë gjirin që ta kam dhënë, kurrë mos u nis kokulur dhe as mos u kthe me shikim të rrëzuar!...

E putha në të dy faqet, sepse, vetëm në njërën m’u duk pak, ngase, kush e di,... ndoshta kurrë më nuk do të takohem me te. Nuk e di se si, vetëm dora ime e dora e saj ishin bërë ujë të shtrënguara njëra me tjetrën, si të ishin zhytur në lëngë djathi, me të cilin ajo na begatonte sofrën në kohën e mëngjesit. Dhe, nuk dua t’u them vetëm që tani, por përgjithmonë,... deri në fund më ngeli gjelbësimi i nënës në dorën time... Ndoshta ishte gjelbësim i dy palë lotëve... Dhe,... jo, jo! Nuk u pamë kurrë më...

Gjaku, sikur ma kishte sjellë atë fuqinë e krahëve të shqiponjës, dhe fluturoja nëpër mal, në beteja, prita e sulme. Nuk kishte asnjë forcë që e njihja. Kjo ishte rinia e trimëria ime prej luftëtari. Shkurt, do t’ju rrëfej, sepse, në të kundërtën, kjo është histori e gjatë; kam kaluar fusha e male, bjeshkë e lumenj, dhe me mijëra herë atyre ua kam dhënë lamtumirën. Mirëpo, sa herë që kthehesha atypari, dashuria më dalldiste për tokën e atdheun. Thjeshtë, çartesha nga dashuria e malli. Por, e pranoj, druaja se edhe nga frika nuk do ta realizoja ëndrrën deri në fund.

Por, edhe kjo, atëherë ishte krejt normale. Dhe se, kudo që më përgjakej xhaketa e lëkura e trupit në beteja e prita, më kujtohej amaneti i nënës: ... mos u kthe me shikim të rrëzuar! Kjo ma ushqente shpirtin, m’i rriste krahët,... vetja më dukej si drangua, edhe pse me shtat isha i shkurt, xhuxh... Dhe, një ditë... Mbajeni në mend. Një ditë, diçka nga larg shkrepi dhe të dy shpatullat m’i shqeu, m’i përplasi, kurse gjaku i shkapërderdhur në tokë më vlonte si qumështi në gji të nënës. Edhe në këtë moment më është kujtuar amaneti i nënës, toka e përvuajtur dhe, edhe njëherë kam brofur në këmbë,... i kam bashkuar shpatullat si krahë shqiponje,... Edhe gjakun e mblodha nga toka, kurse, asaj shkreptime, asaj ushtime, ia shqeva xhamadanin, ia plasa zemrën, që tani në te nuk kishte as fije gjaku! Pastaj, u ula,... sërish e kujtova amanetin e nënës: ngrita kokën lartë, shikimin edhe më lartë, dhe sikur u bashkova me një dritë të çuditshme...

Ika përgjithmonë! Nuk më kishte takuar kush, më. Por,...edhe në këtë gjendje isha shumë i kalltë për liri,... prandaj, u shndërrova në shqiponjë të padukshme dhe shëtitja cep më cep të atdheut. I shikoja edhe njerëzit, edhe popullin, edhe luftëtarët e mi,... edhe dëshmorët e martirët! Mirëpo,... disi, sikur dhembja gjithnjë e më shumë bëhej mik imi bashkë edhe me hidhërimin dhe pezmatimin. Sepse, njeriu kur zhgënjehet, është diçka e tmerrshme, dhe se këto tri elemente, aq fuqishëm puqen mes vete, si vëllezër bëhen. Kështu kam thënë përherë,... dhe kështu është!

Mendojnë që nuk e di. Hero më kishin shpall,...më kishin varrosur me peshën e atdheut dhe të dhembjes. Edhe lapidarin ma kishin ngritur,... edhe varrin me mermer stolisur. Të gjithë flitnin,... flasin edhe tash për trimërinë time. Në fillim, edhe përvjetori i rënies kishte bërë jehonë respekti e dhembjeje. Por, ata nuk e dinë se edhe atëherë isha në mesin e tyre, dhe tek secili tash e matja dhembjen dhe respektin. Po, po. Por, për këtë tash mos t’u lodhi... Dhe, para se ta vazhdoni leximin tutje, nëse nuk jeni mërzitur apo lodhur, relaksohuni pak me kujtimet, apo me ndonjë përrallë, nëse nuk u janë shpenzuar edhe të parat edhe të dytat, ngase, edhe ato nëse nuk shkruhen, harrohen dhe shlyhen nga mendja, zhduken pa shenjë pa dokë!...

Tash, unë po iki diku tjetër. Tash e shihni...!

5.

Fshehurazi jam përbiruar nën dyert e oborrit, dhe tash hyra brenda në shtëpinë time. Vetëm hëna dhe rrezet e saj e përlanin çdo pjesë të oborrit, duke filluar nga bari e hithrat, që kishin zënë shtat mbi dy metra lartësi dhe ishin tharë. Mullarët me sanë, që për fat nuk ishin djegur, kishin marrë ngjyrë të murrme e të pamjes së mykut. Shtëpia nuk ishte më. Vetëm disa pjesë të murit, themelet dhe era e shkrumbit kishin ngelur. Si zagar u solla rreth e rrotull oborrit, i cili me ardhjen time mblodhi forcën e frymës dhe të jetës. Në fshat, aty-këtu ishin disa fletë morti me emrat e atyre të cilëve, të gjithëve ua njihja dhe ua dija edhe frymëmarrjen edhe ngjyrën e flokut dhe të zërit. Prapë u ktheva në oborrin e shtëpisë duke “shtirë” rruaza në pe. E kalova një natë aty. Në mëngjes u zgjova me tmerrin e ëndrrave e me zhgënjimin tim. Nuk doja të përmendja asnjë emër të anëtarëve të familjes,... as të nënës, as të gruas, as të fëmijëve. E ngushëllova vetveten:

-Këtu, diku janë gjurmët e tyre. Kaq mjafton!

Pas mëngjesit, iku edhe dita,... edhe orët e para të natës. Dhe, çfarë bëra? U nisa për në varreza, të shoh se çfarë ka dhe çfarë ka ndodhur atje. Mëzi u përbirova nga therrat, manat e bari i gjatë, bar magari i thonë. Shumë pak dallohej se aty kishte varre. Tash, e kërkoja edhe varrin tim, dhe e gjeta. Mirë ishte,... nuk ishte keq. Ishte i mbështjellë me mermer të zi, e në te ishin thelluar e gravuar shkronjat e emrit tim, edhe numrat e vitit të lindjes dhe të vdekjes, më falni, të vrasjes. E shikova gjatë e gjatë, dhe çfarë nuk më sillej në mendje për familjen time, për popullin tim, për atdheun... bari-kërrupnajë i kishte hipur sipër këtij varri, kurse eshtrat e mi brenda tij...!

E pastrova. E bëra si bilur,... vezullonte. Shkëlqente si ëndrra ime dikur... Dhe, besoni. E putha gurin e varrit tim dhe qesha me hidhërim e ironi... Atëherë, ia ktheva shpinën dhe ika në dreq të mallkuar. Rrugës për në qytet, hasa në një pllakë përkujtimore. Ishte buzë rruge. Edhe aty, mëzi depërtova, dhe ia hoqa shtresën e pluhurit pllakës ku ishin shënuar emrat e tre shokëve të mi... Për anash, në një shtizë, valonte flamuri kuq e zi e me shqiponjë në mes,... i tëri i djegur nga dielli e i shqyer nga rrezet e forta,... Po, po! Nga rrezet e forta të diellit...!

Tash, trimëria ime,... heroizmi im, thjeshtë dridheshin... Edhe aty barishtet dhe hithrat e kishin rrethakuar këtë “shenjë” dhe sikur i bënin roje... U përvodha edhe nga aty, dhe pasi shëtita gjithkah nëpër dheun tim, vendosa të kthehem në atë vendin ku kisha rënë dëshmor, martir a hero, nuk e di, dhe as nuk është me rëndësi. Posa arrita aty, nuk kisha harruar për bombën e fundit, të cilën e hodha në drejtim të armikut, por që më kishte tradhtuar, sepse nuk ishte aktivizuar. Tani e kërkoja. Nëse ka mbetur diku, e t’i “hakmerrem”. Ta bëj copë e grimë. Por, dua ta pranoj edhe këtë. Se, kur arrita në këtë vend, i tërë trupi m’u rrëqeth. Hoqa bukur shumë derisa e gjeta. Nuk e kishte gjetur gjë. Por, edhe atë e kishte kapluar “harresa”, e kishin kapluar barishtet, plehu e bërlloku!

E mora dhe bëra histori nga ajo; herë duke e ledhatuar, herë duke e qitur herë në njërën e herë në tjetrën dorë,... Dhe, çfarë të bëja me te, që më kishte tradhtuar.. E hodha diku larg-larg. Në drejtim të armikut... Nuk di as vetë se kah, dhe posa kishte prekur tokën, plasja e saj kishte dridhur fusha e male, bjeshkë e shkëmbinj, kishte dridhur njerëzit, i kishte trembur edhe shpezët... Kështu që, ende flitet për krismën e kësaj bombe për të cilën thuren legjenda trishtuese e të kota...

E, unë... Me shpatullat dhe trupin tim, sërish ktheva tek varri. I mora eshtrat dhe gjithçka kishte në varr. Tash, nuk e di as vetë se ku jam, unë biri i nënës, i tokës,... Po, po,... unë, vetë unë! Kurse, të gjithë mendojnë se eshtrat e mi pushojnë aty,... në varrin tim... Dhe, ndonjëherë, kalimtarët e rastit kthejnë kokën andej... Ndoshta, aty kanë të varrosur ndonjë familjar apo të afërm, apo, ndoshta, vetëm me shikimin e tyre thurin legjenda mbase përralla për varrin, trimërinë dhe për heroizmin e luftëtarit... Ku ta di!

- Por, Ti nëna ime, kudo që je, unë kokën e mbaj lartë dhe shikimin e kam drejtë e thekshëm kudo që jam, e nuk di se ku gjendem!

E po,... ç’është ky paradoks njeriu,... Ose jo,... ky paradoks i luftëtarit?! E tërë kjo, ndoshta nuk është e vërtetë...! Jo, de! E, si thoni, Ju?!..



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora