E merkure, 30.09.2020, 10:42 PM (GMT+1)

Kulturë

Milazim Kadriu: Shaban Pllana - Rrugët e thyera

E hene, 21.01.2019, 06:45 PM


POEZI QË I KËNDOJNË ATDHEUT, HERONJVE, LIRISË, JETËS, MËRGIMIT, DASHURISË…

Shaban Pllana “Rrugët e thyera” , SHB “Lena” - Prishtinë, 2019

Nga Milazim F. KADRIU

kur të vdes

një asht timin

ma varni mbi rrasën e varrit

le të luajnë me të

zogjtë e shqipes

Janë këto vargje nga një poezi e librit “ Rrugët e thyera ” të autorit Shaban Pllana. Poezitë e këtij vëllimi që janë të konceptuara në pesë cikle : ( Rrugëve të thyera  gjurmë atdhedashurie, Nëpër rrugët e jetës,  lanë gjurmë në letër, Rrugëve të thyera të kurbetit, rigon pika loti, Rrugëve të thyera të jetës,  ecje të mundimshme, Rrugës së burimit, buqeta buzëqeshjesh), edhe një herë  dëshmojnë se bota poetike e Shaban Pllanës  është e pasur dhe e begatshme si në perceptimin poetik të realitetit, ashtu edhe të motiveve që trajton në poezinë  e tij në përgjithësi. Shaban Pllana gjithnjë e më shumë po e dëshmon talentin e tij krijues ku ai poezitë

i gdhend me një mjeshtri të hollë dhe se dallohet edhe në përzgjedhjen e motiveve në poezitë e tij.

Bota poetike  e Shaban Pllanës është një botë gjithsesi interesante  për shumëçka  tërheqëse dhe origjinale. Ndonëse opusin e tij poetik e përbëjnë  disa rrathë tematik, por poezitë e këtij vëllimi janë frymëzim i autorit nga ndjenja  e dashurisë  ndaj vendit, atdheut, luftës, lirisë, jetës, dashurisë etj.

Pllana e shpalos bukur dhe thellë botën e tij  poetike , sa fluide , po aq të prekshme dhe konkrete. Vargjet e tij  bartin ide e mesazhe sa të këndshme , po aq edhe të bukura e të hijshme për një poezi !

Kësaj radhe autori i këtij vëllimi poetik ka zgjedh që të prezantoj poezi atdhetare, poezi përkushtuese, të mërgimit, poezi nga jeta dhe poezi të dashurisë dhe ato i ka renditur në këto pesë cikle.

Në ciklin e parë  Rrugëve të thyera  gjurmë atdhedashurie autori sjell poezi ku i këndon lirisë, Flamurit kombëtar, vitit 1999, dëshmorëve të atdheut, invalidëve të luftës së UÇK-së, veteranëve që erdhën nga diaspora në radhët e luftëtarëve të lirisë, …

Ja si shprehet në poezinë kushtuar lirisë së vendit:

ujitet në gjak

lindet lulëkuqe

rreshket në diell

bëhet dritë e shpirtit

rritet në uri e etje

lumenj mjalti sjell me vete

trimat e sjellin

në kraharorët e tyre të përgjakur

Sikur të gjithë shqiptarët që iu gëzuan formimit të Ushtrisë së Kosovës edhe autori i këtij libri shprehë  gëzimin e tij për këtë dhe në poezinë e tij shprehet :

na erdhe ti

bashkë me fjollat e borës

për bardhësinë e ATDHEUT

për ta mbrojtur këtë vend

si bora bimën

nëpër stinë të acarta

Në ciklin e dytë : Nëpër rrugët e jetës,  lanë gjurmë në letër, autori sjell poezi përkushtuese për disa nga krijuesit tanë letrar si Naim Frashërit, Nolit, Anton Çettës, Vehbi Kikajt, Ali Podrimjes, Rrustem Berishës, Rrahman Dedës, Nazmi Rrahmanit, Azem Shkrelit, Flora Brovinës, …

Ndër tjera në vargjet kushtuar Naimit autori shkruan :

në flakën ndriçuese të qiririt

flakëron fytyra madhështore e Naimit

në ballin e tij të gjerë

shoh  " Bagëti e bujqësinë"

ose  në vargjet kushtuar poetit për fëmijë  Vehbi Kikaj :

nga shpirti yt rrodhën  " Gurrat "

që në to fëmijët t`i shuajnë etjet.....

me zemër plot hare i rregulloje “Sarajet e bardha”

që fëmijët të gëzuar të jetojnë në to

Ndonëse autori nuk ka jetuar në mërgim por e ndjen peshën e mërgimit dhe nuk dëshiron që këtë rrugë ta merr askush por të qëndrojnë në vendin e tyre. Për këtë një cikël me poezi Rrugëve të thyera të kurbetit, rigon pika loti  ia kushton kësaj plage të madhe që akoma po na dhemb ngase në pamundësi që të sigurojnë punë, shumë të rinj ikin nga vendi ynë dhe kërkojnë jetë më të mirë në vendet perëndimore. Autori ju dëshiron kthim sa më të shpejtë sepse këtu ata do të jenë më të vlerësuar.

vini gishtërinjtë në thembra

nisuni rrugës

do të përfundoni

në Arbërinë ILIRE

ose

në të 18 shkronja mbarë

e 18 shkronja mbrapsht

nëna e pat porositur

secilës nisje gjeja kthimin

Në ciklin e katërt Rrugëve të thyera të jetës,  ecje të mundimshme, autori na sjell poezi nga jeta ku këtu hasim të kaluarën por edhe të tashmen me një varg porosish që autori i jep përmes mesazheve që sjell në poezitë e tij të këtij cikli. Autori  punoi në arsim mbi katër dekada dhe në mesin e shumë poezive që ia ka kushtuar shkollës, nxënësve, mësuesve në këtë libër sjell poezinë “Ditari”që ua kushton mësuesve dhe nxënësve të tij:

unë flakë e qiririt të Naimit

shkrija ngadalë veten

u dhuroja atyre dritën

që kisha dhuratë nga të tjerët

Ndërsa në poezinë “Porosi nipit” autori nipin e këshillon që kudo që të shkon atdheun kurrë mos ta harron.

kah do që të shkosh

të punosh që atdheun

me nderë të lartësohesh

Autori në shumë poezi lidhë jetën, dashurinë dhe lirinë, ku edhe kjo përmbledhje me poezi si edhe në  librat tjerë edhe kësaj radhe shquhet për origjinalitetin e vargut por që gjithnjë vjen me një nivel më të ngritur poetik, me plotë mendime e  mesazhe nga  një autor tashmë të dëshmuar në letërsinë shqipe.

Në ciklin e pestë Rrugës së burimit, buqeta buzëqeshjesh na sjell një varg poezish, ndonëse të krijuara në rininë e tij por që tash na i sjell në libër dhe të cilat asnjëherë nuk e humbin vlerën letrare dhe jetojnë gjithmonë ashtu siç jeton edhe dashuria. Ja si shprehet në disa vargje të njërës nga poezitë e këtij cikli :

në ata dy liqenet

që i ke nën atë shteg mali

sa here jam zhytur

do dëshiroja të mbytëm në ta

e shpirti ta gjejë parajsën

që gjendet diku në fund të tyre

Poezitë e Shaban Pllanës kanë një  dimension të gjerë, të një krijuesi që nuk sheh vetëm një drejtim, por ka një shikim të zgjeruar poetik. Ato kanë ritëm, emocion, ndjesi, dashuri, respekt, natyrë, dritë, kanë vargëzim të bukur, ...

Andaj mund të  përfundojmë se autori Pllana në vargjet e këtij vëllimi  na sjell portretizimin e tij   në përmasa reale të ndjenjave, emocioneve dhe vëlimeve të brendshme, dhe kështu ai ia prezanton opinionit artistik e lexues pasionin e vet krijues!

Besianë, Janar 2019                                          



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora