E premte, 26.04.2024, 04:49 AM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Ringjallja e Skënderbeut

E diele, 04.03.2018, 12:36 PM


Përgëzime Viti Skenderbeu

QEPJA E ATDHEUT NGA STRUKE

NË GUNË TË ZEZË

 

NGA KALOSH ÇELIKU

 

(Përshpëritje në vesh)

 

E çmendur, më thua nëpër terr

Dhe, më pëshpëritë në vesh:

Edhe pak, edhe pak - më fortë!...

 

E gris Natën, lahem në djersë

Pushtoj kryeqytete, nënshtroj shtete.

Unë, pasardhësi i Skënderbeut

Që, shkaku Yt:  luftë edhe me Veten...

 

(Ringjallja e Skënderbeut)

 

Erdha, t’ju shoh nga varret

Çka keni bërë pas kaq viteve:

A, jetoni ende në liri

Apo, ende e doni robërinë?!

 

Asgjë, s’paskeni bërë, o burra

Përveçse: librave me poezi.

Dhe, këngëve me çifteli...

 

(Nga Libri me poezi: Vjellja e zorrëve, 1996).

 

(Skënderbeu)

(Me rastin e 600 vjetorit të lindjes.

Dhe, 550 vjetorit të vdekjes).

 

Vështirë e ke sot, o burrë! Legjendar

Kur “patriotët” presin të ngritesh nga varri.

Hipësh  kalit në shpinë. Nxjerrësh shpatën

E, t’i çlirosh nga Liria. Që sot e kanë varë

Përqafe si këmbonë kishe “shqiptarët”.

Dhe, “muslimanët” me: “Allahu Akber”

Nëpër Çajtore. Vite e shekuj. Dhe, Histori.

 

Vështirë e ke sot, o burrë. Legjendar

Që, në Shkup e fute shpatën në brez.

Dhe, nëpër përvjetore i rehabiliton Melezët

Eksponentët e “vëllazërim - bashkimit“.

 

Vështirë e ke sot, o burrë. Legjendar

Luftë të bësh me Komunistët e arratisur.

Hadumët e “Vëllazërim - bashkimit“…

 

(Nga Libri me poezi: Atdheu ky burrë pa Grua, 2006).

 

 

(Qepja e Atdheut nga struke

në Gunë të Zezë)

 

Imzot, më vrisni mes dy shtambave me verë

Guxim, më japin për Liri, në prehërin e Mikes Di!

Gji kreshnikësh mes maleve. Fuqi për luftë

Përmes Çarshisë me dy “kashikara” raki rrushi.

Çantë mbi tavolinë. Përkarshi Skënderbeut

Jo, si Isë Boletini në Londër me dy kobure.

Plumbat, e të cilit ishin patriotik: dum - dum.

Armët e mia nuk vrasin, po ringjallin në jetë

Përpara këmbëve të Olimbisë: ngrejnë dolli!

 

Zogkeqin e ndjek, si dikur im Atë me pushkë

Pasmesnate, kur na këndon vajtime mbi Çati:

Bir, kënga e tij ndjellë kob, ndiqeni me armë

Matanë maleve të Çelëvjollcës, në errësirë!

 

Arma ime, është sot: Pena në brez me dy tyta

Rrapin marr nën sjetull, e dal kaçak malit!

Gëlasa politike para kamerave televizive

Dudumët na hedhin për të ardhë në pushtet!

 

Luftë në Bit-Pazar, nuk bëhet me gota çai rusi

E, as me këmbët dhe trutë nateditë në legen.

Vera, kur rrjedhë lumë në Baba-Tomorr. Drini

Lumëbardhë e i Zi, maleve arnojnë Atdheun.

Strukes,  ia qepin mëngët. Gunë për Dimër

Zogkeqi me gëlasa, ende na këndon mbi Çati.

 

Imzot, e pi gjakun e Isu Krishtit (Azreti Isait)

Lotët e Shën Mërisë Virgjër (Azreti Fatimes).

 

Punemadhe. Nesër, do ta shuaj zjarrin e Ferrit…

 

(Kaçakët e Qytetit

të Qyqeve)

 

Vite më vonë, e takoj Miken Di. Poete

Ende unë pa e hapur gojën, më thotë:

Posa kalova Urën e Gurit mbi Vardar,

Mendja më shkoi tek Ti, o Ujku Plak.

 

Qesha. Dhe, i them pas kaq viteve larg

Asgjë, sot nuk kam: As grua, e dashnore.

Nuk e them dot, se: as edhe një Mike

Përmëkeq,  dje e as sot një Parti politike.

 

Nateditë flej, zgjohem me Poezinë rebele

“Bombat” politike, që ma prishin gjumin:

Luftë për pushtet. Nuk i zbresin gomarit.

Përgjime Vardarit, para kamerave televizive:

Me cilën Poezi përcolla Natën. E Prita Agimin.

 

E pamundur, përgjigjet Mikja Di. Ec pas meje

Punemadhe, mua më ke në çetë. Poezinë.

Bombë  artistike. “Kashikarë” raki rrushi

Sonte, a dalim kaçakë matanë Vardarit:

Unë si Shotë Galica. E, ti si Azem Bejta?!

 

Fytas rrokemi me haxhuxhe te “Skënderbeu”

Nën Rrap, rrokullisim disa shtambaverë:

Vitet e ikura, Dje. Dhe, Sot në Qytetin e qyqeve.

 

Vargun azgan, e shaloj për Liri në Bit-Pazar...

 

(Prishtina sot pa baltën

e dikurshme të kuqe)

 

Edhe sot, erdha  vetë i dyti në Prishtinë:

Unë. Dhe, Kalosh Çeliku “rebel”.

Jo, si dikur me mikun tim të penës

Poetin e burgosur disident Shaqir Sadiku:

Regjistrohemi studentë, në Univesitet.

 

Kalimtarët e rastit rruge, kur i pyetëm

Për adresën e universitetit, na bindën, se:

Rruga kryesore është kjo me baltë të kuqe.

Të cilën e shkilnim, ne sot ditën me këmbë

Përpara Hotel “Bozhurit”, në Prishtinë.

Thamë me vete: na e hodhën qytetarët

Rruga kryesore, sot me baltë të kuqe!

 

Ditën e Nesërme, e pamë rrugën kryesore:

Plotë baltë të kuqe përpara “Bozhurit”.

Nuk na kishin mashtruar kalimtarët e rastit

Vërtetë, rruga kryesore. Sheshi i Prishtinës.

 

Paslufte (1999), i vizitova lokalet e dikurshme

Ndonjëri, ende kishte mbetur gjallë nga Lufta.

Ose, e kishte ndërruar emrin (firmën, pronarin):

“Bozhuri”, “Harabeska”. “Unioni”.

“Rugova”. “Gërmia”. Dhe, Hotel “Grandi”.

 

Varfëri kombëtare?! Nuk i gjeta Poetët:

Mirko Gashin te “Tre Sheshirat”.

Teki Dërvishin tek “Rilindja”, në bufe.

 

Cimerin, Qerim Arifi me dy gota të zbrazëta

Esull në xhepat e setres xhins për çdo natë.

Agim. Në dhomën e përbashkët, brenda mureve

Dhe, Gani Xhafollin me 33 dashnore në “Monacco”.

 

Prishtina, përçudi sot mu duk e varfër artistike

Vështirë e kam ta njoh në Ditën e sotshme.

Megjithatë: Ti sot, oj Zonjë je veshur Nuse

Dhe, nuk e ke atë baltën e dikurshme të kuqe…

 

 

(Vulë në ballë)

 

Skënderbeu im, herët po më del gjumi

Dexhalli merr nuse me koçi, në Shkup!

Valle heq nën Rrap, ma tremb poezinë

Miken me dy shtamba verë nën hije:

Nuse, ma përcjellë pas shtatë maleve.

 

Përmidis Shkupit i bie me trumbeta e valle

Tri ditë para Përmbytjes Madhe (Kiametit):

“Sehirxhive” ua vë nga një vulë në ballë…

 

(Nga Libri me poezi: Zonjën Vdekje do ta marr për Grua,2015).



(Vota: 19 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora