E premte, 04.10.2024, 06:32 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Vdekja e sheqerxhiut

E diele, 25.02.2018, 12:21 PM


KRISTAQ TURTULLI

VDEKJA E SHEQERXHIUT

tregim

-Dëgjuat, vdiq Kosta sheqerxhiu! - bërtiti pijetari Haxhi Vera.

I përlotur, buzë tharë iu turr tavolinën së parë. Nuk mori lejë, rrëmbeu krikllën e birrës dhe e rrëkëlleu me gllënka të mëdha, rënkoi:- Na la...

Vështruam të vrenjtur birrën e derdhur në gjoksin e dobët e leshtor të Haxhi Verës dhe lotët e tij të mëdhenj. Të vrenjtur ngritëm gotat, i rrëkëllyem dhe i përplasëm pas tavolinës.

- Gremisu me gjithë lecka Xhike. Mos na i thaj mengjesin!- i hungëritëm.

-S’të ka dalë e pira o Xhike?!!- i shfryu Xhanxhi Rika.

-Nuk vdes sheqerxhiu, jo,o,o,o!- u grind Sefer Voda dhe mbuloi me të dy duart krikllën e përgjysmuar të birrës: - Pse të vdesë?!

-E rrëmbeu vjeshta:- rënkoi Haxhiu, pa ja  ndarë sytë krikllës së birrës. U lëshua i dërmuar në dyshemenë e lagësht: - Na la në të thatë...

Qeshëm të hutuar.

-Si vdeska kështu ky sheqerxhi!

Sefer Voda murmuritit nëpër dhembë:

-S’ na tha.

-Të na mbushte xhepat me sheqerka dhe shaka,- ia priti  Xhanxhi Rika.

Disa pijetarë të zellshëm dolën në rrugë të përhapnin lajmin. Filluan menjëherë  theshethemet, hamendjet, përgojimet.

-Hej, sheqerxhiu, mjeshtri i karameleve ndrroi jetë. Sheqeri, mjalta, lezeti, kripa e gjellës së miqësisë dhe shoqërisë iku. Shakatë dhe karamelet e shijshme, me mente, shumëngjyrëshe s’ do jenë më. Iku kripa, sheqeri, lezeti...

Një ditë në shaka e sipër vetë Kosta sheqerxhiu tha:

‘I lashë varrimet, fillova inagurimet, pronovimet. Jeta, gazi, karamelja i do dy korka kripë me dashuri. Eh, ç’ti bësh këtij dreq lezeti..’

Lamë barin ‘Shamata’ dhe u drejtuam nga e përpjeta e mëhallës së Rrotës. Në prag të shtëpisë pamë Danën, vajzën e madhe, qante me dënesë. Besuam çka përflitet qenka e vërtetë. Të trishtuar thamë:

-Të mbajmë zi, ta varrosim me ceremoni.

Disa qytetas mblodhën buzët dhe klithën:

-Të krisur jeni a si!? Ceremonitë mortore bëhen për partiakë, politikanë, burra shteti, parallinj, jo për një copë sheqerxhi.

I pamë me inat dhe ia bëmë:

- Sheqexhi Kosta ishte lezeti...

-Budallai?!

-Ju thaftë goja, ai ishte balli i kazanit...

-Sheqerxhiu mbeti sheqerxhi, copë e kripë.

-I miri, i ndershmi sheqerxhi, i pa përsëritshmi, bas baritoni i serenatave, hokarari, pijetari, i kudogjenduri i panaireve, karamele bërësi dhe shitësi zemërgjërë. Qejfliu i grave, dorëshpuari i burrave...

-Hëm! Qefliu i grave, dotëshpuari i burrave!- ia bënë qytetasit kundështarë dhe luajtën syrin mes tyre:- Domethënë imoral, kodosh.

- Me nektarin e luleve, përgatiste esencat e karameleve. I hidhte në kazan, kur përgatitej brumi. Përgatiste forma të ndryshme; fluturake, rrumbullake, zemrake, dredhrake, bastunake. Në ritet fetare  prodhonte karamele të vogla në forme bajame. Në fejesa e martesa, përgatiste zemra të vogla e të mëdha shumëngjyrëshe, me aroma dehëse.  E meriton sheqerxhiu ceremoninë.

-Dono që karragjozi të ngrejë në këmbë qytetin?!

- Hy, llumi i shejtanit?

-  Bëjeni ceremoninë. Ne lajmërojmë policinë.

- Harruat?! Në përvjetorin e festës fetare, në qytetin M të shtetit fqinj, për nder të lindjes së shenjtorit të madh. Sheqerxhiu ua këndoi, qeshur e ngjeshur ua tha në fytyrë:

”Vëllezër, si shumë festa që keni në qytetin tuaj edhe ky shenjt i madh që përkujtojmë sot, u lind dhe u rrit në qytetin tim. I di sheqerxhiu mirë këto punë. Ka studiuar sheqerxhiu historinë dhe legjendën. Sheqerxhiu është gjaku i gjakut të shenjtit. S’ka gjë, festoheni, është gjë e mirë dhe sheqerxhiu ju respekton shumë...”

Vendasit s’folën. Mund ta zbonin, e tepron me rromuze dhe shaka ky sheqerxhi. Por aktivitet pa karamelet e shqerxhiut janë si gjella pa kripë. Vendasit u bënë mënjanë, i përgatitën vendin, ku të verë tezgat me karamele, në krah të kishës, ku rruga është më pranë vizitorëve. I përgatitën dhe dhomën e hotelit ku të kalojë natën.

Sheqerxhiu fjeti lehtë. Në mëngjes, hapi tezgat, mbi to vuri letra të pastra, i leu me vaj arome, të mos ngjiten. Dhe, hapi në tavolinë karamelet, si lulet më të mrekullueshme të pranverës, së bashku me fluturat. Shitësit e tjerë e vështronin me zili dhe mëri. Kosta i çiltër, s’ vinte re, shënd e verë shpërndante karamele.

Sheqerxhiu pati shitje të jashtëzakonshme dhe dehje të madhe. Paratë e fituara i bëri rrush e kumbulla; u dhuroi grave lule, karamele fëmijëve dhe gota të mëdha me raki burrave. Ishte lavdia, xhelozia dhe gracka. Mjalti dhe hidhësia. Të gjitha femrat me buzët e tulta i dhuruan puthje të nxehta, jo në faqe, por me afsh në buzë. Në copëra fletësh të shkruara bukur, e ftonin:

‘Sheqerxhi në mesnatë të pres’

Në mëngjes vendasit shqyen derën, gjetën sheqerxhiun në shtrat zhveshur lakuriq, me një femër të panjohur, lakuriqe. Vajza kish lëkurë si lëmesa e qepës, ngjante me shumë një lepurushe e posa dalë nga dimri. Syvegjël, si dy pika bojë të zezë. Hundë poçe dhe gojë katrore. Flokët e vajzës ishin gati pa ngjyrë, rendonin me shumë drejt të gjelbrës së shpëlarë, të lodhur. Dhjetëra sy të egërsuar, nervozë, u ngulën mbi të.

“Sheqerxhi o sheqerxhi!”

Sheqerxhiu kërkoi të ngrihej, me njërën dorë mbuloi trupin me çarçaf, ndërsa dorën tjetër e vendosi mbi dyshekun e fortë me kashte

Dëshmitarët e zhurmshëm e mbytën njëzëri.

“Qëndro aty, Kosta.”

Sheqerxhiu lëshoi trupin si thes në dyshek.

“Të pritëm me gjithë të mirat sheqerxhiu Kosta, por si hor i horave që je, rrëmbeve vajzën më të mirë e zhveshe, e përdhunone, -  i thanë:- Qëndro gollomesh, të vijë prifti të martojë. Ndryshe të pret burgu. S’ka derc  merc.”

“More miq, si do më martoni kështu,” - u përpoq të mbrohej sheqerxhiu: -“ Ku e njeh Kosta këtë femër. Kjo s’ka bukuri, ngjan si lapucere.”

“S’e njeh thotë,”- vendasit zbardhën dhembët me dashakeqësi, -“ Turp e fae të zezë. Natën e shenjtin të madh, bëre kurvëri, u zhveshe, u zhgërryeve si derr në kashte dhe, pa pikë turpi na shan vajzën më të bukur të qytetit.”

“Martoni ose burgosni rakinë, jo Kostan,” u lut sheqerxhiu:-” S’e preka me dorë, ndoshta rakia. Pyesni rakinë.”

Vajza  bardhoshe, vërtiste sytë sa andej këndej dhe ngjeshtë hundën poçe, pas gjoksit të zbuluar të Kostas. Ajo nuk ngjan si lepurushe, por dhelpërushe, ndoshta dhe gjarpërushe.

“Shko tutje moj, që s’ta di emrin. Unë e di që isha tapë, ti çfarë ishe, shishe?!”

Ajo s’i ktheu përgjigje. Filloi të qajë, fshin lotët, qyret e mbështillet si mumie me çarçaf.

“Qan dreqi, qan. Më kriposi si peshk. Lidhi sheqerxhiun me litarë pabesie dhe tani qan,”  pëshpëriti Kosta: “ Më zuri magjia e puthjeve. Po ti moj, s’ ta di emrin, nga mbive, kakaroçe ishe në shtratin prej kashte?! Ç’e do moj sheqerxhiun Kosta pa zemër, çe do?”

Ajo s’ fliste, qante.

Të mbështjelle me çarçaf, u vunë kurorë. I martuan. I urdhëruan prerë:

“Puthuni!

“Daleni,” u tha: “S’i di emrin, s’i ta puth?”

“Kaq shpejt u ngope o maskara. S’do të puthësh nusen,”- ia bënë vendasit.

I veshën me tesha të reja. Sheqerxhiu vështron vajzën me bisht të syrit. I duket miushe, herë dhelpërushe e gjarpërushe, por jo lepurushe. S’ i kujtohet ta kish parë dhe jo të bënte seks me të. Dhuroi ëmbëlsi, puthi femra: bardhoshe, bionde, ezmere, brune. Këtë mistrece nuk mbante mend ta kishte puthur. I futën në dhomë. I detyruan të flinin së bashku ligjërisht.

“Më jepni të pij,”bërtiti me të madhe sheqerxhiu:- “ I dehur isha kur m’u fut në shtrat. Eh, e lidhën Kostan!”

“Jepini raki, të farmakoset, të dehet, të thyejë qafën,” thanë vendasit: “S’ka më tërci dhe vërci.”

Kosta piu raki direkt nga gryka e damixhanit. Përplasi buzët. Ia krisi gazit, qeshi me të madhe, rrahu gjoksin me tërsëllëm.

“Tani moj virane, jallane, tullane,”  bërtiti: “Prit,  mu kujtua, Tula e ke emrin. Hë?! Më dukeshe më e bukura e botës. Hajt, le të kërleshemi në çarçafët e botës. Me unazat e botës. Me rakinë e botës. Kashta e botës. Nuk e di veglat a janë të botës. S’e kam fjalën për hallatin, pilen time, por gjysmën tjetër, vrimën provokuese, e embël e hidhur të botës. Le të shkërdhehemi. Le të djersimë, të bëhemi kripë dhe shëllirë. Të bëhet nami në qafë, në fytyrë, në gjirin e në shpellë të botës, kur e shenjtin tonë e përlau bota.”

Nëpër mjegull iu kujtua femra flokë shpëlarë, tmerrësisht e bardhë. Iu qep kur rakia i bllokoi trurin dhe, eci në humbëtirë. E tërhoqi në shkallët e ngushta të shtëpisë. Por s’ ishte i sigurt në bëri seks me të apo jo. Atëherë si u gjend i zhveshur lakuriq, pa një leckë në trup! Dhe, u gjenden vendasit në dhomën e tij!

Kur i doli rakia mendoi të arratisej. Lidhi çarçafin në hekurat  e dritares. U përpoq të mos bëjë zhurmë, mos zgjojë gjarpërushen. Ajo i mbiu, me gërshërë në dorë e zhveshur lakuriq. Sytë si dy thëngjij të vegjël, të ndezur në errësirë. S’ fliste, hapte dhe mbyllte dy anët e gërshërës, si akrep.

“ Sheqerxhiu do të ikë, s’mund të bëhet kripë,”- pëshpëriti Kosta.

Ajo filloi të presë çarçafin e lidhur. Kosta vështroi poshtë, të hidhej thyente kokën.

“Na moj, sheqerxhiu është martuar me rakinë, qejfin, jo me Tulen. Lëre Kostën të ikë.”- i tha.

Ajo i holloi çarçafin.

“ Uh, ç’më polli belaja,”- shfryu sheqerxhiu:- “E do ti, Kostën me gjithë raki?

Ajo luajti kryet në shenjë mohimi.

“Shiko, e dashka sheqerxhiun. U lidhe Kosta. Mirë, sheqerxhiu s’ mban inat.”

Tula u përdrodh si nepërkë. U ngjit dhe hyri në dhomë. I tha të vishej. E lidhi nga e para çarçafin, vështroi Tulen që nga koka deri në këmbët dhe shau rakinë.

“Së paku mban erë femër,” foli me vete.

U kacavjerën në çarçaf dhe humbën nëpër natë. Vraponte me gjithë fuqinë të ikte prej saj,  por veshin i qullte fryma e Tules.

“Le të jetë sikur e rrëmbeva,”-murmuriti:-  “Së paku të ngushëlloj shpirtin.”

Ajo s’bëzan, e ndjek si hije. Nata është e thellë. Qyteti i shtetit të huaj gromësin dhe hije të tjera përdidhen rreth tij.

Sheqerxhiu e mësoi Tulen të punojë brumin e karameleve, por mbledhjen, zënien dhe hedhjen e nektarit të luleve nuk ngutet t’ ia mësojë. E zbon. Mbyll derën nga brenda me çelës, kur përgatis esencën. Punon vetëm. Tula e inatosur i troket në derë, bërtet, shan:

‘Jam gruaja o derdimen.’

“Nektari i luleve është aroma, drita, ëndrra e jetës,” i thotë Kosta.

‘Harron shushi. Ka më të afër se gruaja.’ I shfryn ajo.

“Nuk harroj jo, por nektari dhurohet, nuk merret dhe as nuk vidhet.”

‘’ Dhuroma.’’

‘’S’ka erdhur koha.’’

Tula i vodhi lirinë. I polli tre vajza. Të gjitha diçka gjelbëruake, si tre kotele. Kosta krijoi tre trasta, fuste vajzat brenda, i hidhte në shpinë. Së bashku me to, bridhte fshat më fshat, shiste karamele. Vetëm e vogla, Leta ishte sikleti i Kostës, i ngatërrohej ndër këmbë, i gërmonte nëpër xhepa, i vidhte paratë. Sheqerxhiu i mërzitur ia shkulte duart nga xhepat dhe tundte kokën trishtueshëm.

“Mos bijo, mos. Jot ëmë të mësoi të gremisesh në xhepa, është ves i keq dreqi.”- dhe shtonte rënkueshëm:-”Jot ëmë m’i zbraz xhepat natën, kur jam i dehur. E ti moj dhelpërushe e vogël, mundohesh të më ndukesh, ditën! Ik. Lërmë të qetë. S’i ke lënë gjë sat ëme. Shko luaj, shko.”

Kosta thërriste pranë vajzën e madhe, Danën, i jepte të holla të blente për të ngrënë. I lodhur, i mërzitur drejtohej në lokal, pinte dhe qeraste të gjithë. Kosta dehej ditën. Tula e tradhtonte natën. Kosta qante dhe qeshte përgjatë pirjes. Vetëm Dana, vajza e madhe i qëndronte pranë. Vajza e shkundte nga mënga, i përgjërohej të mos humbiste rrugëve, të shkonte me të në shtëpi. Kosta e vështronte në dritë të syrit dhe përmbytej nga lotët. Përgjërohej për Danën, vajzën e madhe.

Një mbrëmje të ftohtë vjeshte, Sheqexhiu u gjend i vdekur, në njërën nga stolat  e vjetër të  lulishtes së qytetit. Dukej sikur flinte, gjoks zbërthyer. Në të i kish qëndruar një gjethe e verdhe bliri, si medaljon i artë. Faqoren bosh të rakisë, e mbante të shtrënguar në dorë. Iku i ngopur, i dehur, xhepzbrazur, shpresëhumbur, por me nënqeshje të fshehur nektarin e luleve, s’i a vodhi Tula....

Tula nuk pranoi ta futë në shtëpi edhe pse vajza e madhe lutej dhe qante me dënesë. Kosta la dy gisht letër, futur në xhepin e brendshëm të xhaketës. E gjeti Dana, por nuk ia tregoi Tules.

Sheqerxhiu shkruante:

“Në kapakun  e dytë, sekret, të kutisë së madhe të karameleve. Unë sheqerxhiu Kosta, kam vendosur disa të holla. Janë kursimet e mija. Të blihet raki. Përgjatë varrimit tim të pihet, të këndohet, të dehen, të varfrit, zemërbardhët, të gjithë miqtë. Shpirti i sheqerxhiut është avull rakie dhe frymë kënge.”

Dana, e bija e përmbushi amanetin e të atit, duroi me gjakftohtësi, zemërimin dhe dhunimin e Tules. Rrugët e qytetit u mbushen me njërëz, pinim,  këndonim, kërcenim. Vdekja e sheqerxhiut shkundi qytetin; dhuroi liri, dashuri dhe këngë.

Nuk ish vetëm karamele bërësi, shitës, por mbledhësi i nektarit të luleve, ëmbëlsira, mjalti. I varfri dhe njëherësh më i pasuri i qytetit. Pimë dhe u dehem te varri i sheqerxhiut Kosta. Mbeti dehja dhe dhembja. Shakaja dhe kënga. Besnikëria dhe tradhtia. Karramelet e shijshme të tij dhe sot e gjithë ditën nuk i gjen më.

Kur hëna doli në kupë të qiellit bërtitëm dhe kënduam:

I ëmbël si mjalti e sheqeri

Mbete o sheqerxhi.

Për miq e shoqëri,

humori, nektari.

Avull dhe dritë shpirti...

Dashakeqët ia bënë:

-Gjithë kjo zallazi për një copë sheqerxhi.

Haxhi Vera theu shishen e verës në trotuar dhe u bërtiti:

-Debila, sheqerxhiu Kosta mbeti kripa, ëmbëlsia, gjaku dhe shpirti i shqiptarit...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora