E marte, 19.03.2024, 06:41 AM (GMT)

Speciale » Alia

Lutfi Alia: Hallva per Musolinin

E diele, 16.07.2017, 02:24 PM


HALLVA PËR MUSOLININ

Nga Prof. Dr. Lutfi ALIA

Vera e vitit 1941 filloi e nxehtë. Prej dy muajsh nuk kishte rënë shi dhe thatësira e zgjatur, po i rrezikonte të mbjellat e po krijonte probleme me bagëtitë. Në javën e fundit të muajit, i nxehti përvëlues  u ndërpre nga një shi i vrullshëm, që vazhdoi tre ditë pa pushim. Për ato ditë korriku, im Atë Qazim Alia më ka treguar një ndodhi, që e vlen ta rendis mes ngjarjeve të tjera.

“Arat e teqes, shtrihen në terren të pjerrët dhe sa here binte shi,  misri kishte nevojë të riprashitej. Pasi reshtën shirat, më thirri sekretari teqes Dalip Gurra, i cili me porositi të shkoja në Val, për të organizuar gratë dhe burrat, që duhet të vinin, për prashitjen e misrit, sepse ishte rradha e Valit për argatinë. Më 23 korrik në mëngjes, mora rrugën për në Val. U nisa herët për të ngjitur shkallën e Valit, ende pa filluar i nxehti”.

Shkalla e Valit, e kacavjerr në shtatëdhjetë e dy lakadredhje të ngushta në shpatin e thepisur të malit mbi grykën e Xixullës, ngjitet ngadalë dhe pjerrtas deri në majën e malit bardhosh e pasi kapërcen kreshtën e ngushtë, me tej zbret ngadalë duke u shkrirë me luginën hiroshe. Udhëtarët, ndërsa ngjiten nëpër atë shteg të ngushtë, e ndjejnë dritën që zbret prej lartësive të majave si frymëmarrje e freskët dhe atëhere ndalen dhe e kundrojnë atë fashë vezulluese, që lëshohet butë-butë dhe pa u ndjerë prej majave të atyre bjeshkëve, derisa e prek me sytë dhe e ndjen në shpirt. Në ditët pas shirave të rrëmbyeshëm, Xixulla oshtinë si një simfoni zhurmëmadhe, duke i shoqëruar hap pas hapi udhëtarët, që rendin nëpër tragën e ngushtë. Sa më shumë ngjitesh në lartësi të shkallës, aq më shumë ngazëllehesh me ato panorama frymndalse, që të shfaqen përballë e mbetesh i gozhduar dhe i mahnitur para atyre mrekullive natyrore. E ndërsa ngjitesh nëpër atë shteg të lakuar me shtrat shkëmbor, gjen diku nji qoshe dhe ulesh qetësisht dhe i patrazuar prej askujt, për të shijuar ata pjesë parajse, qe s’e ke parë kërkund në botë. Sa më herët të ngjitesh në Shkallën e Valit, aq më shumë bukuri sheh dhe ndjen, sheh qiellin dhe vendet, ndjek natyrën dhe shpirtin, prek dritën dhe ndjenjat duke jetuar në festën pabujë të zbardhjes së ditës, kur ajo ende s’e ka nisë ritmin, e kur gjithçka rreth teje është njashtu e përgjumun, sypalame, pezull, e papërlyeme me vrullin e ditës zhurmëmadhe e kësisoj udhëtohet nëpër një heshtje të thellë, sa të duket e pabesueshme se ndodhesh aty…"

Ura e lumit Xixull

Duke nxituar poshtë Delicias, arrijta te ura e Xixullës dhe aty takova Ram Dervishin, Neshat Bozgon, mareshallin Franko dhe tre milicë, që po freskoheshin në ujët e Xixullës.

Në muajt e nxehtë të verës, shtrati i i shkrifët karstik i Xixullës është i thatë, por pas shirave të rrëmbyera, vërshon plot me ujë dhe atë ditë, gryka e Xixullës oshtinte nga tallazet e ujit, që përplasej me egërsi nëpër shkëmbinjtë.

Pasi u përshëndetëm, Ram Dervishi më tregoi se, po shkonin në Val, se i kishte ftuar për darkë Abdulla Koçi, kryeplaku i Valit.

Pas një pushimi të shkurtër dhe pasi i mbushëm paguret me ujë, filluam ngjitjen nëpër lakadredhjet e shkallës së Valit.

Ecnim ngadalë, pasi mareshalli italian Franko, ndalonte shpesh duke kundruar panoramat e bukura, që shfaqeshin përballë faqes së thepisur të shkallës dhe me entusiazëm thërriste. “Che meraviglia! -çfarë mrekullie; che bellezza! – çfarë bukurie”.

Duke ecur ngadalë e duke biseduar mes nesh, arritëm në krye të shkallës dhe pas një pushimi të shkurtër në lëndinën e vogël, vazh-duam rrugën. Kur arrijtëm mbi shtëpinë e Destan Saliut, përballë u hap lugina hiroshe e Valit dhe përsëri mareshalli Franko u ndal dhe vështronte i mahnitur bukuritë e kësaj natyre të egër.

Kur u afruam shtëpisë time, i thashë Ram Dervishit, t’iu thotë se i ftoja të vinin të hanin një kafshatë bukë dhe të pushonin, deri sa të vinte koha për darkën te Abdulla Koçi. E mirëpritën ftesën, kështu hymë në shtëpi pa i paralajmeruar të mijt për këtë vizitë.

Kur u ngjitëm në katin e dytë, nëna ime Hanifja, që i thërrsnim Shyta, i drejtoj në odën e miqëve, që atë ditë, sapo e kishin pastruar e rregulluar dhe shtruar me postiqe lëkure dashi e dhije.

Në qoshen e mikut ulëm italianin Franko, krah tij u ul kryeplaku Neshat Bozgo dhe të tjerët në rreth, ndërsa në qoshen e të zotit të shtëpisë, u ul nëna ime dhe krah saj Ram Dervishi.

Pasi iu uroj mirëseardhjen, nëna nxorri kutinë e duhanit dhe ia hodhi italianit, por ai ia kaloi kryetarit të komunës, i cili drodhi një cingare per vehte dhe një për italianin e në vazhdim, kutia e duhanit kaloi rradhazi te milicët.

Pasi i’u shërbeva miqëve me nga një sapllake dhallti, dola e thirra vëllan e madh Rizanë e i thashë të na ndihmonte të therte dy pula. Rihana na përgatiti drekën.

Vura sofrën në mes të dhomës. Fillimisht, një tas të madh me përshesh me kos, për të gjithë së bashku. Përsheshin e merrnin me rradhë, duke i mbushur lugët e drurit njeri pas tjetrit.

Pasi mbaruan përsheshin, iu dhashë faqoret e rakisë, iu vendosa bukë misri të ngrohët, nga një vezë të fërguar për sejcilin dhe mish pule me qull miell misri në një tas të madh të përbashkët.

Duke pirë raki thanash, duke ngrënë e duke biseduar, pa pritur, italiani Franko, iu drejtua nënë Hanifes:

- Ju falenderoj për mikëpritjen dhe për këtë drekë të shijëshme. Për mua dita e sotme e 23 korrikut është festë, sepse sot është ditlindja e Musolinit dhe sipas traditës tonë, festimin e ditlindjes e mbyllim me një ëmbëlsirë.

Kryetari i komunës e përktheu urimin dhe i tha nënë Hanifes kërkesën e mareshallit Franko:

- Miku italian do një ëmbëlsirë, për të festuar ditëlindjen e Duçes.

- Ta baj unë një amëlsinë tamam për Duçen, - u përgjigj menjëherë nënë Hanifja dhe u ngrit e shkoi në odën e zjarrit.

Mbeta i befasuar, nga ky vendim i papritur, por isha dhe kurjoz të shihja çfarë ëmbëlsire do të gatuante. Pas gjysëm ore, nëna hyri ne odë me një tepsi të vogël me hallvë dhe e vuri në mes të sofrës duke uruar:

- Gëzuar Duçia, i hangshim hallvën të gjithë bashkë.

Ram Dervishi, Neshat Bozgo dhe dy milicët e tjerë qeshën me të madhe. Unë mbeta keq. E ndjeva që isha skuqur.

Mareshalli Franko, gjithë gëzim filloi të haj hallvën, pa e dijtur se çfarë perfaqësonte ëmbëlsira e nënë Hanifes.

Njëri nga milicët, jo vetem nuk qeshi, por qejprishur e me një ton të egër, iu drejtua nënës time.

- Moj plakë, hallva ndahet për të vdekurit!

Ram Dervishi, kur dëgjoi reagimin e milicit, iu drejtua me ton të ashpër dhe urdhërues.

- Ti Sul, ha hallvën e mos dërdëllis e mos na e prish bukurinë e kësaj dreke. Nuk kritikohet i zoti i shtëpisë, që të pret si mik, të sadis dhe të shtron bukën.

Kështu u mbyll kjo drekë, me të qeshura, me hallvën e “urimit” e me ndonjë qefprishur. Pasdite, miqt u ngritën e shkuan për darkë në shtëpinë e Abdulla Koçit.



(Vota: 10 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora