E marte, 30.04.2024, 07:09 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

“Si e prodhuam automatikun e Xhevdet Mustafës në ‘84”

E enjte, 07.08.2008, 07:27 PM


AFRIM IMAJ

Kur ende nuk ishte mbyllur morti i viktimave të bandës së Xhevdet Mustafës, autoritetet e Tiranës angazhuan specialistët për analizën e arsenalit luftarak që iu kap asaj gjatë asgjësimit.Reliket “e falura” nga Xhevdet Mustafa gjatë zbarkimit në vjeshtën e ‘82-shit, vlerësoheshin një rast i mirë e mundësi reale për të nisur nga prodhimi i armëve perëndimore. Më shumë se novacion i rastit, futja në linjën “Made in Albania” e prodhimit të armëve të mbërritura nga matanë Atlantikut, shfaqej si një sfidë e rëndësishme politike. Si e tillë vlerësohej mbi të gjitha nga krerët e kupolës së shtetit, të cilët prej kësaj mendonin për t’i hedhur në eksport këto prodhime. Pak a shumë ky ishte sfondi në të cilin nisi nga puna projekti për prodhimin e automatikut të kapobandës Xhevdet Mustafa, i cili vlerësohej nga specialistët e kohës si armë shumë e sofistikuar. Në përmbushjen e këtij projekti, njëherazi me angazhimin e uzinave dhe kombinateve ushtarake, morën pjesë rreth 1000 inxhinierë e specialistë nga më të mirët e sistemit të industrisë mekanike të vendit. U deshën dy vjet punë e përpjekje që arsenali shqiptar i armatimeve të koleksiononte të parin automatik perëndimor, kampionin e të cilit e solli një shqiptar, por jo me këtë destinacion. Në intervistën për gazetën “Panorama”, Skënder Xhafa, një nga inxhinierët më të njohur të industrisë ushtarake, sjellë një retrospektivë të plotë të përpjekjeve intensive për prodhimin e automatikut P-84, i njohur si “kallashi i Xhevdet Mustafës”. Ish-drejtori i Uzinës së Artilerisë dhe një nga konstruktorët e automatikut model “Mustafa”, zbulon disa nga enigmat e kësaj historie dhe shfaq rezervat e tij për mënyrën e trafikut që nisi të bëhej në atë kohë, por edhe më vonë me armët e prodhuara në vend. Në tërë rrëfimin e tij, inxhinieri Xhafa nuk e fsheh krenarinë për mjeshtërinë e lartë të kolegëve, të cilët në kushte teje të vështira kanë mundur të realizojnë produkte të rralla, me të cilat në të tjera vende do të ishin laureuar disa herë e do të siguronin një të ardhme të mrekullueshme për jetën e tyre...
Zoti Skënder! Keni qenë prej vitesh inxhinier në sistemin e  industrisë ushtarake dhe kryesisht asaj të prodhimit të armëve. Çfarë ju kujton “Projekti 84” që u implementua në kushte të fshehta në vitet e fundit të periudhës komuniste?
“Projekt 84” ishte një nga nismat e rëndësishme që inicioi udhëheqja e lartë për t’u zbatuar në sistemin e industrisë ushtarake diku në mesin e viteve ‘80. Nëpërmjet tij synohej prodhimi i një automatiku të ri të tipit perëndimor. Deri atëherë uzinat e kombinatet tona kishin prodhuar vetëm armë të tipave lindorë. Sfida këtë radhë kishte të bënte me prodhimin e një arme tjetër. Ishte periudha kur krerët politikë promovonin moton “Shqipëria, as Lindje dhe as Perëndim”. Asaj do t’i përgjigjej edhe strategjia e industrisë ushtarake. “Projekt 84” ishte një nga sfidat e saj. Ishte koha kur kishim kopjuar gati tërë arsenalin e armëve të vendeve të Traktatit të Varshavës dhe synonim të provonim produktet e vendeve të NATO-s.
“Projekt 84”, pra synonte një armë të re...
Objektivi i tij ishte prodhimi i automatiku P-84. Një armë perëndimore me precizon të lartë dhe e manovrueshme për luftime të afërta. Për të mbërritur deri te ky produkt, u deshën gati dy vjet punë. Ishin me qindra inxhinierë, specialistë, konstruktorë e mjeshtër prodhimi, që vunë emrin e tyre në patentën e këtij produkti. Madje, jo vetëm nga sistemi i industrisë ushtarake, por nga tërë korpusi i ekspertëve të industrisë mekanike...
Diçka më konkrete për mënyrën si u realizua në atë kohë ky produkt, për konstruktorët e mjeshtrit...
Nuk ma do mendja se është me interes procedura teknike që u ndoq deri te realizimi i automatikut P 84. Procesi teknologjik ishte shumë kompleks dhe u materializua në dhjetëra ndërmarrje. Vetëm numri i inxhinierëve që u morën me konstruktimin e armës dhe linjave të prodhimit të saj arrinte aty te 250 vetë. Shumë të tjerë, mjeshtër prodhimi e konstruktorë, punuan për muaj me radhë për të mbërritur deri te produkti që i kishim premtuar partisë dhe udhëheqjes politike. E rëndësishme është që ia dolëm mbanë...
A ishin të vërteta zërat që qarkullonin në atë periudhë se automatiku P-84 ishte një kopjim i armës së Xhevdet Mustafës?
Atëherë çdo gjë bëhej në kushtet e një sekreti të jashtëzakonshëm. Gjithsesi, nga gjithë ajo mori njerëzish e specialistësh që punuan për muaj me radhë, dikush e nxori sekretin. E vërteta është se P-84 është një riprodhim i automatikut që iu kap Xhevdet Mustafës gjatë asgjësimit të bandës në vjeshtën e ‘82. Udhëheqja e lartë e vlerësoi këtë një rast të mirë për t’i shtuar koleksionit të armëve “Made in Albania” edhe këtë armë të prodhimit perëndimor. Pikërisht këtu nisi edhe zanafilla e “Projektit 84”. Sfida u shfaq e vështirë qysh në fillim...
Morët pra për model automatikun e Xhevdet Mustafës dhe nisët nga puna...
Ishte një urdhër politik mbi bazën e të cilit u ndërtua tërë projekti. Pas asgjësimit të bandës së Xhevdet Mustafës në fillimin e viteve ‘80, vetë kreu i shtetit rekomandoi prodhimin e armës së tij. Mjaftoi kaq për t’u ndezur tërë motorët e sistemit të industrisë ushtarake. Specialistët më të mirë të saj, fillimisht morën kopjen që ishte në muzeun e Ministrisë së Brendshme. Prej aty filluan grupet e punës. Gjithçka drejtohej nga Instituti nr. 6, i destinuar për teknologjinë ushtarake. Mandej modeli u përthye në dhjetëra projekte...
Nga projektet te puna për prodhimin e automatikut P-84...
Automatiku i Xhevdet Mustafës ishte një prodhim artizanal. Ky ishte konkluzioni i parë që bënë specialistët pas analizave shkencore të modelit. Prodhimi në linjë teknologjike, në këtë rast, bëhej shumë i vështirë, madje duhet thënë gati i pamundur. Të paktën për kapacitetet që ne posedonim në atë kohë. Debatet e mëtejshme na çuan në nevojën e thirrjes së specialistëve të huaj. Prania e tyre ishte e domosdoshme. Me informacionet që kishim përzgjodhëm tre specialistë italianë, nga më të mirët e fushës së prodhimit të armëve në rrugë artizanale. Dhe nuk u zhgënjyem...
Pra, kopjen e parë të automatikut P-84 e bënë mjeshtrit italianë...
Për grupin e specialistëve italianë u krijua një repart special në zonën e Bradasheshit. Ishte kjo një strukturë sekrete e uzinës së Çekinit në rrethin e Gramshit. Ata për muaj me radhë bënë me dhjetëra eksperimentime, të gjitha në rrugë artizanale për të prodhuar pjesët e këtij lloj automatiku. Çfarë u kërkua prej tyre, më në fund u realizua. Madje nuk u prodhua një, por pesë automatikë tip P-84. Gjithsesi, kjo ishte vetëm një pjesë e punës. E para, se automatiku që mundën të riprodhojnë ata, kishte jo pak defekte e pasaktësi. Tjera kishte të bënte me faktin se nuk kërkohej të prodhonim thjesht një automatik që të ngjasojë me atë të Xhevdet Mustafës, por synonim krijimin e teknologjisë për ta prodhuar në seri P-84. Në fund të fundit, ky ishte edhe objektivi i “Projektit 84”...
Atëherë, si vazhduat më tej?
Në qoftë se në Bradashesh u bë eksperimentimi me pesë automatikët e parë, implementimi i linjës teknologjike u shtri në dhjetëra ndërmarrje të ushtrisë dhe të tjera të sistemit të industrisë mekanike të ekonomisë. Gjithçka në këtë sipërmarrje drejtohej nga grupi i inxhinierëve të caktuar për këtë projekt në institutin numër 6, që kryesohej nga inxhinieri i talentuar Ilir Andoni.
Grupet që operonin në ndërmarrjet e ndryshme, kishin detyrime specifike. Çdo njëra prej tyre kishte për detyrë prodhimin e pjesëve të veçanta të kësaj arme. Finalen e këtij projekti duhej ta përmbyllte Uzina e Artilerisë, e cila kishte për detyrim të bënte montimin dhe kolaudimin e armës.
Ju thoni se për prodhimin e automatikut të Xhevdet Mustafës kanë punuar dhjetëra ndërmarrje në të njëjtën kohë... 
E vërteta është se ka qenë një sipërmarrje e jashtëzakonshme, në të cilën janë angazhuar shumë nga kombinatet dhe uzinat mekanike të vendit, sipas profilit dhe kushteve teknologjike që ofronin.
Ndërkaq, ndërmarrjet e sistemit të industrisë ushtarake ishin të gjitha të integruara në këtë projekt të rëndësishëm...
A u kujtohen proceset që kryen ndërmarrjet në zbatim të këtij projekti?
Patjetër që më kujtohen, madje mbaj mend me hollësi të gjitha operacionet, të cilat prodhuan detalet e kësaj arme. Mjafton të kem përpara një automatik P-84, për të përshkruar prodhuesin e elementëve përbërës të tij. Të vijmë te konkretja. Trupi i P-84 u prodhua në uzinën e autotraktorëve në Tiranë dhe në Kombinatin e Poliçanit. Shuli u realizua në uzinën e Çekinit në Gramsh dhe në atë të instrumenteve “Petro Papi” në Korçë. Karikatori në Uzinën e Artilerisë. Fisheku 9 m/m në kombinatin e Poliçanit. Baruti në uzinën e Mjekësit. Ndërkaq, ndërmarrje të tjera të sistemit të industrisë mekanike, prodhuan detajet e tjera të konstruksionit të armës së Xhevdetit. Në këtë sipërmarrje u angazhua uzina “Partizani” e Tiranës, UEM-i i Durrësit, UMB e Korçës, Uzina Mekanike e Beratit, ajo e Patosit, uzina “Tirana” etj. Shkurt, një korpus i tërë njerëzish e ndërmarrjesh prodhuese. Dhe jo në pak ditë, por për dy vjet me radhë deri sa nisi prodhimi në seri...
Cilat ishin vështirësitë më të mëdha që u përballuan gjatë këtij projekti?
I tërë procesi për prodhimin e automatikut P-84 ishte një sfidë e vështirë. Të riprodhoje në linjë teknologjike një armë të realizuar në rrugë artizanale, duhej kapërcyer një barrierë e jashtëzakonshme. Prandaj u desh kohë për të mbërritur pas shumë peripecive te produkti i parë. Në ecurinë e projektit hera-herës dilnin defekte të papritura. Një herë dilte me defekt karikatori, herën tjetër fisheku. Dorë pas dore u zgjidhën defektet që shfaqeshin në konstruktin e shulit, në atë të tytës, te kapsolla etj. Mbaj mend p.sh., problemet me fishekun. Ndërkohë që kishim zgjidhur gati përfundimisht çështjen e konstruktit të automatikut, ishim duke dështuar me fishekun. Fillimisht operuam me fishekë austriakë. Me ta arma nuk paraqiste asnjë lloj shqetësimi. Më vonë zgjidhëm edhe prodhimin vendas të fishekut parabolë 9 mm që përdorte kjo lloj arme.
Kur u zgjidh përfundimisht prodhimi i automatikut të Xhevdet Mustafës?
Aty nga fundi i vitit 1986 prodhimi u fut në linjë teknologjike.
Për kohën ishte një arritje e madhe, por u kalua pa bujë. Madje, gjithçka u rezervua top sekret. Më shumë se një produkt ushtarak, automatiku P-84 ishte menduar për t’i dhënë impakte eksportit. Qëllimi ishte për t’u futur në trafikun e fshehtë të armatimit...
A pati ndryshime automatiku P-84 që u prodhua nga mjeshtrit shqiptarë nga ai i Xhevdet Mustafës?
Për të mbërritur deri te produkti përfundimtar, dolën mjaft skarcitete, kuptohet me një kosto goxha të lartë. Megjithatë këmbëngulja ishte e jashtëzakonshme dhe më në fund mbërritëm te suksesi, nxorëm në dritë automatikun “Made in Albania”, sipas origjinalit dhe në parametrat teknikë e fizikë. Problemi i fundit ishte eliminimi i zhurmës, të cilën mundëm ta realizojmë pas disa eksperimentimeve. Filluam pastaj nga prodhimi në seri...
Sa armë të tilla u prodhuan?
Nga sa më kujtohet, deri në fundin e viteve ‘80, u prodhuan rreth katër mijë automatikë P-84. Objektivi i qeverisë komuniste synonte të prodhoheshin mbi 20 mijë të tilla në vit. Gjithnjë me synim eksportin, i cili siç flitej nën zë në atë kohë ishte me shumë interes.
vijon nesër....

Automatiku P-84, model “Mustafa”

“Automatiku P-84” ishte përpjekje e specialistëve shqiptarë për të prodhuar një armë perëndimore për luftime të afërta dhe me precizon tepër të lartë (deri në 100 metra). Gjatësia e saj shkonte 80 cm dhe peshonte 3.8 kg bashkë me krehrin në formë harku me 32 fishekë. Nuk bënte pjesë në familjen e markës “Tomson”, por i përkiste tipit “BREN” anglez, prodhuar në SHBA. Ndryshe nga armët e tjera, ky lloj automatiku mbante karikatorin nga krahu i majtë. Përdorte fishekë parabolë 9 mm. Ishte i thjeshtë në konstruksion, pa silenciator, por shtinte pa zhurmë. Vështirësitë më të mëdha që u përballuan gjatë riprodhimit të tij në vendin tonë konsistuan në qendërzimin e tytës dhe saktësinë e qitjes.

Fishekët USA, prodhim i Kombinatit të Poliçanit

Fishekët 7.9 mm të modelit USA, të cilët i përdorte automatiku i Xhevdet Mustafës,  u futën në linjë në repartet e kombinatit të Poliçanit aty nga viti 1984 dhe në harkun e dy vjetëve, thotë Skënder Xhafa, u prodhuan rreth pesë milionë të tillë të parametrave normalë me të gjitha cilësitë balistike. I vetmi ndryshim nga fishekët origjinalë që iu kapën Xhevdet Mustafës, shton ai, ishte numri i matrikullit 511/1 që u vendos në fund të çdo gëzhoje.

Armët “Made in Albania”

Ka qenë një uzinë e fshehtë që prodhonte armë luftarake. Ruajtur në kushte sekrete, vendosur diku në periferinë e fshatit Çekin të Gramshit, për vite me radhë prodhoi arsenale të shumta të armatimeve “Made in Albania”. Të parat kanë qenë pushkët e modelit kinez tip 56 dhe ato ruse model 47, të cilat u kopjuan dhe u riprodhuan nga mjeshtrit shqiptarë. Me largimin e këtyre aleatëve, filloi një proces i gjerë për përmirësimin e armatimit të mbetur. Kështu veç kopjeve shqiptare të varianteve kineze e sovjetike, u prodhuan rishtas dhe disa variante të përmirësuara shqiptare të quajtura ASH 78, ASH 79 dhe ASH 82. Janë këto armët që specialistët i klasifikuan si Automatik Model 56 me qytë metalike ose druri. Përmirësimet e bëra në këto armë konsistuan në zhvendosjen më prapa të shënjestrës, realizimi i mbulesës së kutisë së tytës me palosje dhe përshtatjen e rregulluesit të gazit për variantin e granatahedhësit. Këto lloj armësh dallojnë nga të tjerat nga vendosja e numrave serialë, ku numri i serisë pasohet nga viti i prodhimit p.sh., 081858-89 ku shifra 89 tregon vitin e prodhimit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora