E premte, 26.04.2024, 11:55 AM (GMT+1)

Shtesë » Historia

“Xhevdeti zbarkoi për t’u hakmarrë për familjarët e keqtrajtuar”

E merkure, 06.08.2008, 07:24 PM


“Do të shkoj patjetër në Shqipëri. Do të shkoj të mbaroj punë me Enverin dhe kryepolicin e Durrësit, që u kanë nxirë jetën familjarëve të mi”

AFRIM IMAJ

Kur do t’i kthehet historisë së mikut të tij që zbarkoi në vendin tonë në vjeshtën e vitit ‘82, malazezi Netil Muratoviçi, veçon brengën që shfaqte sa herë binte fjala për pjesën e familjes që kishte lënë në Shqipëri para se të arratisej. Lajmet që merrte për represionin dhe dhunën që ushtonte ndaj tyre regjimi i Tiranës, e xhindosnin tej mase Xhevdet Mustafën dhe e bënin të humbiste arsyen, kujton Muratoviçi, teksa risjell në vëmendje momentet që ka kaluar në shoqërinë e kapobandës nga Shqipëria. Ai është i bindur se nuk qëndron asnjë nga arsyet e publikuara deri tani për motivin e zbarkimit të Xhevdetit në vjeshtën e vitit ‘82. I vetmi motiv, sipas tij, që e ka shtyrë drejt aventurës së rrezikshme, ka qenë pozita kritike në të cilën i kishte kryqëzuar familjarët e tij në Durrës policia sekrete dhe pushteti i komunistëve. Pavarësisht se Netil Muratoviçi nuk i përket kombësisë shqiptare dhe realisht nuk di shqip, ai i ka ndjekur njoftimet për bandën e Xhevdet Mustafës me një kërshëri të veçantë. Lidhur me argumentin e përdorur nga politika zyrtare e Tiranës së viteve të komunizmit, ai thotë se nuk e ka besuar asnjëherë. Ndërkaq dëshmon se i ka vlerësuar me shumë rezerva  versionet që kanë hedhur për këtë ngjarje disa nga shokët e Xhevdetit, ish-legalistë të mbërritur në SHBA pas çlirimit të vendit. Muratoviç shprehet se zbulimi i fshehtë i Enverit kishte rekrutuar mjaft syresh dhe i përdorte kur i duheshin për qëllimet e veta të mbrapshta. “Unë jam i bindur, shton ai, se njerëzit e policisë sekrete dhe hafijet e tyre në SHBA, të cilët kanë marrë vesh për vendimin e Xhevdetit për të ardhur Shqipëri që t’u tregonte vendin atyre që kishin përbaltur familjarët e tij, e kanë futur në lojën e tyre deri sa e kanë sjellë te prita e pabesë, që në fund të fundit ishte një kurth...

Si jeni njohur me Xhevdet Mustafën?

Me Xhevdetin jam njohur në Amerikë. Nuk e mbaj mend me hollësi takimin e parë me të, por njoh njeriun, mikun tim Shefko Tahireviç, që më prezantoi me të. Kisha një problem, një hall dhe duke kërkuar ndihmë, Shefkua me të cilin punonim bashkë në piceri, më ofroi emrin e Xhevdetit. Madje, ai më siguroi se Xhevdeti të mbaronte punë, vetëm se duhej një pagesë e majme për ta vënë në punë...

Cili ishte halli që i besuat Xhevdetit për t’ua zgjidhur?

Një nipi im, pas një kundërvajtjeje penale kishte rënë në burg. Përpjekjet me avokatin tonë diku kishin ngecur dhe ai diskutohej për shumë vite dënim. Pikërisht për këtë na duhej ndihma e Xhevdetit. Që t’i ulnim dënimin apo ta nxirrnim nga burgu...

Çfarë pushteti posedonte Xhevdeti në atë kohë që ju besonit se mund ta nxirrte nipin tuaj nga burgu?

Ai vërtet që nuk posedonte ndonjë pushtet, por kishte fituar një lloj popullariteti në rrethin e tij shoqëror dhe flitej se me ndërhyrjet që kishte bërë shumë herë kishte nxjerrë nga burgu mjaft të dënuar...

Pra, ndërhynte te gjykatësit dhe siguronte lirinë e të dënuarve...

Në Amerikë as që bëhet fjalë për të fituar lirinë nga korruptimi i gjykatësve. Tjetërsoj ishte mekanizmi i Xhevdetit. Ai kërkonte një shumë të madhe dhe nëpërmjet avokatit të tij e ngurtësonte në bankë në emër të garancisë për lirinë e të prangosurit. I gjithë sekreti i manovrës së tij kishte të bënte me mënyrën si e pjesëtonte shumën e dollarëve që i jepnim ne familjarët. Xhevdeti e kishte ushtruar prej kohësh këtë lloj biznesi dhe në të vërtetë i kishte dhënë goxha sukses...

Më në fund ua nxori nipin nga burgu...

Shuma e depozituar u bë garancia e lirisë së kushtëzuar të tim nipi. Por jo liri e plotë. Ai prej këtij momenti nuk kishte të drejtë të udhëtonte jashtë SHBA-së, nuk kishte të drejtë të punësohej në ndërmarrje shtetërore. Ishte i privuar nga shumë të drejta të tjera. Ndërkohë duhej të paraqitej periodikisht tek organet e policisë. Garancinë në interes të drejtësisë amerikane, Xhevdeti e kishte bërë një mënyrë jetese e fitimi. Te shumat që ofronte në formën e “BOND-eve” të garancive bankare për njerëz të ndryshëm që kishin problem me drejtësinë, Xhevdeti parashikonte edhe fitimin e tij, që ishte pothuaj sa vetë ato...

Keni qëndruar disa kohë me Xhevdet Mustafën, ju kujtohen miqtë e tij?

Fillimisht kur u njoha me të, ai ishte pjesë e pandarë e një rrethi të ngushtë legalistësh që ishin gjendur në SHBA shumë herët. Kishte fjalë se Xhevdeti mbante lidhje me Leka Zogun. Pati një moment që shoqëria me legalistët mbeti jo shumë e preferuar për të. Ishte koha kur doli nga burgu. Nuk e kam fort të qartë nëse ishin legalistët që mbajtën distancë me Xhevdetin, apo ishte ai që u shkëput nga ta...
Pra, Xhevdeti pasi doli nga burgu nuk e preferonte më shoqërinë me njerëzit e Leka Zogut...
Këtë nuk mund ta them kategorike, se përsëri fliste e qëndronte me një pjesë të tyre, por jo si shoqëria e parë që kishte me ta.
Pastaj Xhevdeti ishte një njeri interesant, që nuk mund ta lexoje kollaj. E vërteta është se nga shoqëria me njerëzit e Leka Zogut zuri miq të tjerë. Ai lëvizte shumë, kontaktonte njerëz të ndryshëm e nuk kuptohej cilat ishin preferencat e tij...

Ju thoni se u shkëput nga shoqëria me legalistët dhe zuri miqësi të re...

Miqësia e re që zuri pas asaj me njerëzit e Leka Zogut, dukej një shoqëri aventuriere. Njerëz të panjohur e sidomos ish të dënuar të drejtësisë amerikane shikoheshin gjithnjë e më shpesh në krahë të tij. Në dy raste kishte rënë në burg me ta, por çuditërisht dilte shpejt. Harxhonte shumë me të njohurit e rinj. Kjo mënyrë jetese e shthurur e misterioze dukej që i kishte larguar miqtë e hershëm. Me sa dukej ata e kishin ndjerë rrezikun e shoqërisë me të dhe ishin larguar një nga një...

Ju me origjinë jeni nga Mali i Zi, ndërkohë që flisni për legalistët nga Shqipëria që integruan fillimisht Xhevdetin në jetën amerikane. Ku njiheshit me ta?

Me legalistët shqiptarë që kanë gjetur strehë në Amerikë pas çlirimit të vendit, jam njohur diku nga vitet ‘50. Shkas është bërë një krushqi e vëllait tonë me mbesën e njërit prej tyre. Jemi bërë herët miq me ta dhe të them të drejtën jemi ndjerë mirë në miqësinë e përbashkët. Ata ishin pinjollë të një familje shkodrane, që kishin ardhur në SHBA shumë herët. Ka qenë kjo krushqi, nëpërmjet së cilës jemi njohur me grupin e legalistëve që ishin këtu. Asnjëherë nuk më ka zhgënjyer miqësia me ta. Burra bajraku, si i thoni ju malësorëve të fisëm të veriut...

Ndërkohë keni ndenjur edhe me Xhevdetin...

Thashë që njohjen me Xhevdetin e kisha dhuratë nga një miku im që ruante zyrat e legalistëve. Përsa kohë ai frekuentonte shoqërinë me simpatizantët e monarkisë, rrija shpesh me të. Kur ra në burg e nisi shoqëri të re, takohesha më rrallë me të. Hezitimi që kishin miqtë e vjetër të tij për të rendur bashkë me të, më bënin që të ndruhesha. Megjithatë kishte raste që e kërkoja për të më ndihmuar për ndonjë prej të njohurve që binte në burg.

Çfarë natyre kishte Xhevdeti?

Është vështirë që tani pas kaq kohësh të risjellësh imazhin e vërtetë të tij. Shfaqej energjik e befasues në çdo rrethanë. Merrte përsipër zgjidhjen e problemeve të ndryshme. Gjatë bisedave mundohej për të imponuar një profil autoritar. Ishte mani e tij për të të lënë të kuptoje se nuk ishte njeri i zakonshëm. Mjaft herë shfaqej tërthorazi si i besuari i institucioneve sekrete amerikane.Kishte dëshirë të demonstronte pamjen fizike dhe kryesisht muskujt, për të cilët thoshte se i kishte fituar nga stërvitja me organet speciale. Hajde ta merrje vesh se çfarë fshihej pas tij...

Kur e morët vesh zbarkimin e tij në Shqipëri?

E vërteta është se Xhevdeti e shprehte shpesh dëshirën për të zbarkuar në Shqipëri. E kam dëgjuar këtë nga goja e tij qysh në takimet e para. Sa për zbarkimin në krye të bandës në vjeshtë të ’82, e kam marrë vesh vetëm nga mendja. Në fillim e kam parë shkarazi në një stacion jugosllav, pastaj te ÇN-ja. Më gjatë më ka folur ato ditë një mikesha e tij malazeze, Dragana, e cila kishte qëndruar me të para nisjes dhe e dinte pak a shumë planin e tij...

Ju thatë se Xhevdeti e kishte shfaqur disa herë dëshirën për t’u futur me çdo kusht në Shqipëri. A ju kujtohet me se e motivonte ai këtë desantim, që gjithsesi paraqiste rrezik të madh?

Kam dëgjuar këto vite lloj-lloj legjendash për arsyet e zbarkimit të Xhevdet Mustafës në Shqipëri. Çudira të shumëllojta i janë atribuar këtij inkursioni tragjik. Njerëzit nga Shqipëria, ata të policisë sekrete të komunizmit, e kanë arkivuar si një aventurë për një akt terrorist ndaj diktatorit Enver Hoxha. Disa të njohur të tij të hershëm këtu në SHBA, shprehen se rrugëtimi i Xhevdetit për në Shqipëri në vjeshtën e ‘82 kishte një suport të fshehtë të Sigurimit të Shtetit. Ka, madje, të tjerë që thonë se shërbime sekrete që e kishin njohur natyrën aventuriere të tij, e përdorën për qëllime të tyre, duke e joshur me shuma të mëdha. Unë për veten time jam i prirur që mos t’i besoj asnjë prej versioneve të tilla.

Keni folur me Xhevdetin para se të vinte në Shqipëri dhe me se e argumentonte ai këtë inkursion të vështirë?

Në periudhën kur Xhevdeti është nisur në Shqipëri, unë nuk kam qenë në SHBA. Madje, kisha disa muaj që nuk isha takuar me të. Unë dija vetëm synimin e tij për t’u futur në Shqipëri, të cilin ma kishte shfaqur disa herë në mirëbesim. Mbaj mend që disa herë ia kundërshtoja me forcë këtë aventurë. I thosha se ishte e pamundur për t’i çarë muret e djajve të kuq të Shqipërisë. Megjithatë ai këmbëngulte në të tijën. Tani njerëzit kanë mundësi të shkojnë edhe në hënë, më thoshte, gjithnjë i vendosur në aventurën e tij.

Cila ishte arsyeja që e shtynte Xhevdetin për të sakrifikuar kaq shumë?

Nuk e di pse shumë të njohur të tij hezitojnë për të dëshmuar të vërtetën, po unë di të them që ai e kishte peng familjen dhe të afërmit që kishte lënë dikur në Durrës. Lajmet që merrte vazhdimisht nga ata e brengosnin jashtë mase. Represioni dhe dhuna që shteti ushtronte ndaj tyre, e bënin të vuante shumë. Kur dëgjonte për fatin e tyre në skëterrën komuniste, xhindosej. Do të shkoj patjetër, më kishte thënë sa herë binte fjala për këtë tragjedi. Do të shkoj e do të laj hesapet me Enverin dhe atë kryepolicin e Durrësit që m’i trajtojnë nënën dhe vëllezërit si kafshë. E shfaqte këtë vendim hera-herës e gati në të gjitha takimet kur binte fjala për Shqipërinë. Mua atëherë më dukej një lajthitje e tij. Një dëshirë e ndezur në situatë emocionale dhe vetëm aq...

Pra, Xhevdeti zbarkoi për t’u hakmarrë ndaj inkuizitorëve të familjarëve të tij në Durrës...

Këtë nuk e di me saktësi, por jam i ndërgjegjshëm se Xhevdeti e kishte vendim të pjekur në kokën e vet për të ardhur një ditë në Shqipëri, me qëllim që t’u tregonte vendin atyre që kishin përbaltur familjarët e tij. Ndoshta këtë vendim që shfaqte vend e pa vend ia kanë marrë vesh ata zbuluesit e Tiranës dhe me hafijet që kishin në SHBA e kanë futur në lojën e tyre. Dhe pastaj ndodhi ajo që ndodhi...
Ku e argumentoni versionin që thoni se dëshirën e tij e kanë përdorur hafijet e sigurimit në SHBA?
Shiko këtu. Xhevdeti rrinte shumë me ata legalistët që kishin ardhur herët nga Shqipëria. Koha tregoi që zbulimi shqiptar kishte rekrutuar mjaft syresh. Ata e kanë njohur tipin dhe aventurat e Xhevdetit, kanë dëgjuar për planin që përgatiste për t’u hakmarrë në mbrojtje të familjarëve të tij. Në këtë vorbull e kanë futur në kurthin e tyre deri sa e masakruan...
vijon nesër...

Sigurimi i Shtetit: Ja misioni i bandës së Xhevdet Mustafës

Fillimisht misioni i bandës së Xhevdet Mustafës u trajtua në Sekretariatin e KQ. Pastaj në institucionet e drejtësisë. I përpunuar nga kupola e Sigurimit të Shtetit, për herë të parë u bë publik nga prokurori i Përgjithshëm në gjyqin e Kadri Hazbiut dhe Fiqirete Shehut. Rrapi Minua lexoi kështu atë që i kishin zbardhur në letër: “Banda e Xhevdet Mustafës kishte qëllime të caktuara. Mehmet Shehu i ndodhur pa rrugëdalje, kishte vrarë veten, në bazë të ultimatumit që i kishte dhënë UDB-ja. Më tej u zbuluan fijet e komplotit dhe u goditën armiqtë: Fiqirete Shehu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti etj. Drejtimin e organizatës e kishte marrë tani agjenti i vjetër Kadri Hazbiu. Plani i UDB-së për eliminimin e Enver Hoxhës, duhej çuar deri në fund. Prandaj titistët iu dhanë urdhër kategorik Kadriut, për asgjësimin fizik të tij. Pikërisht në këtë periudhë u zbuluan gjurmët e tradhtisë së tij dhe filloi qëndrimi ndaj tij. Në këto kushte kërkohet me ngutje të madhe, me një urgjencë që nuk është parë për bandat e tjera, të vijë kështu, me një urdhër kaq kategorik, banda e Xhevdet Mustafës për organizimin e puçit dhe terrorit për eliminimin fizik të Enverit. Titistët shpejtuan ta dërgojnë në ndihmë të Kadriut këtë bandë dhe diversanti Halit Bajrami do të bënte rolin e ndërlidhësit, meqenëse më parë kishte punuar në organet e sigurimit dhe njihte Kadri Hazbiun e Feçor Shehun. Ky ishte qëndrimi i bandës. Por nuk mund t’ia dilnin mbanë...”

“Banda e Xhevdet Mustafës ishte një celulë e Sigurimit të Shtetit”

“Banda e Xhevdet Mustafës ishte një celulë në duart e Sigurimit të Shtetit për të përmbushur misionin politik, që kërkonte Enveri në ditët e vështira pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut”. Më shumë se version mbi aventurën e bandës fantazmë, që zbarkoi në fillimin e viteve ‘80 në vendin tonë, një nga miqtë e afërt të kapos së saj që jeton në SHBA, e ka bindje të padiskutueshme se ajo ishte produkt i zbulimit të fshehtë shqiptar. Për të, protagonistët e kësaj nisme ishin bashkëpunëtorë të sigurimit që urdhëroheshin për të lëvizur prej tij, duke u sqaruar për teknikën dhe hartën e misionit, por asnjëherë për thelbin dhe kuptimin e tij. Vërtet një pjesë e tyre dikur kishin pasur kontakte me Kadri Hazbiun, por këtë radhë urdhrat vinin nga eprorët e tij. Kupolës së lartë të Enver Hoxhës, kjo bandë i duhej për të dramatizuar ngjarjet, për t’i dhënë rrezikshmëri komplotit dhe për të paraqitur një lidhje personale të tyre me Kadri Hazbiun. Sipas mikut të Xhevdet Mustafës, Tiranës i duhej në ato ditë të vështira një tronditje për të bashkuar radhët rreth Enverit. Duhej një situatë dramatike, madje gjakderdhje që opinioni të ndizej nga urrejtja. Jo rastësisht, ata duhej ta fillonin me vrasje sa të prekin në tokën tonë. Enver Hoxhës dhe besnikëve të tij në krye të shtetit, u duhej të sensibilizonin njerëzit e thjeshtë. Këtë herë Kadri Hazbiu duhej të ishte jashtë lojës. Me të vetmen arsye se ishte caktuar objekt i misionit. Për Sigurimin e Shtetit, Xhevdet Mustafa dhe banditët e tjerë ishin viktima të filozofisë “mish për top”. Flijimi i tyre është tregues i asaj që diktatura mund të bëjë çfarë të dojë me kaviet e veta. E gjitha kjo është e mjaftueshme për të kuptuar se vetë bandën e komandonte Enver Hoxha dhe se çdo gjë ishte pjesë e një skenari për ta bërë Shqipërinë me një grup të ri armiqësor. Madje, siç ka shkruar një gazetar britanik për ta gëzuar shokun Enver me asgjësimin e një grupi komplotistësh të rrezikshëm.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora