E premte, 01.11.2024, 12:01 AM (GMT)

Kulturë

Fran Gjoka: Zhvillimi i kulturës shenjë e ekzistencës

E diele, 21.05.2017, 07:44 AM


Zhvillimi i kulturës shpirtërore është shenjë e ekzistencës së një kombi

(Rreth librit të tij më të ri “Etnokultura Shqiptare”). Më Akademikun Prof.Dr. Mark Tirta

Nga Fran Gjoka

-Kohët e fundit doli nga shtypi dhe u vu në qarkullim një vepër e munguar në fushën e studimeve atnografike, “Etnokultura shqiptare”. Ç’përbën për ju kjo vepër madhore?

. Libri im "Etnokultura shqiptare" që doli nga shtypi e u vu në qarkullim në muajt e fundit, është një vazhdimësi e botimeve shkencore të bëra nga unë më parë, në kohë të ndryshme. Është një prurje e re në fushë të etnologjisë shqiptare. Këtu zbërthehen në thellësi e në gjerësi dukuri të trashëgimisë popullore që nuk janë trajtuar në botime të mëparshme, ose të thëna anash e anash e jo në thellësinë e duhur. Këtu jepen në krerë të ndryshëm, ose dhe si tema të veçanta të krerëve, po në një trajtesë zbërthyese që qartësojnë njëra-tjetrën. Janë dukuri etnokulturore krejt të veçanta, po që kanë dhe anë të përbashkëta dhe shpjegojnë më në thellësi njëra-tjetrën në funksionet e tyre të ndryshme.

Etnokultura shqiptare, ashtu siç ndodh dhe në popujt e tjerë, është një gjithësi e pafund, po që mbijeton në dukuri krejt të veçnta, por secila prej tyre, në një mënyrë a në një tjetër, lidhet me gjithëpërfshirje e secila prej tyre shpjegon, qartëson dhe shfaqje të ndryshme të jetës njerëzore, shprehur në etnokulturë. Shumica e temave janë referime të mbajtura në Kongrese Shkencore a në Konferenca Shkencore në vise të ndryshme të Europës; ka prej tyre që janë mbajtur dhe në Shqipëri. Doemos, këto janë përpunuar e sistemuar ashtu si e kërkon ndërtimi i brendshëm i një vepre shkencore. Për sqarim, para botimit, pasi e kemi sistemuar, kemi bërë dhe një parathënie, një parashtrim të gjatë, po dhe një mbyllje për fundin e librit. Doemos që në strukturimin e kësaj vepre shkencore janë pasur në vëmendje modele të librave që janë bërë nga dijetarë të shquar të botës së jashtme. Mendojmë se ky botim është një arritje e rëndësishme në çuarjen përpara të studimeve në etnokulturën shqiptare, si dukuri të zbërthyera në një këndvështrim të ri, si trajtime në thellësi, si ndryshimësi ndër shekuj, si lidhje të zbërthimeve të veçanta, në bashkësi të brendshme mes tyre.

-I ndarë në disa kapituj,libri përbën një material të plotë dhe me mjaft inters për lexuesin.Me shumë kujdes ke trajtuar çështjen e miteve dhe besimeve në kohë të hershme .Cili ka qenë raporti i tyre me vendet e tjera të Ballkanit?

. Kam trajtuar në këtë rast shumë dukuri e nga më të ndryshmet, të etnokulturës kombëtare, por ka dhe shumë të tjera që nuk mund të përfshiheshin në këtë libër. Është e vërtetë se miteve e besimeve me prejardhje nga lashtësia, nga antikiteti me përmbajtje, me funksione pagane, u kam dhënë një vend të gjerë, parë në vështrim të ndryshimësisë së kuptimeve, të funksioneve të tyre ndër shekuj, të lidhura shumë me artin popullor, me dukuri të ndryshme të së drejtës dokesore shqiptare, me vegla e mjete të funksioneve ekonomike, si mjete pune. Në kohë të lashta, prehistorike, njerëzit, jo vetëm në Ilirë, Arbër e Shqiptarë të Mesjetës, veprimet që bënin në shërbim të jetesës, mendimet që shprehnin në të folur, në biseda, edhe pse ato ishin në përgjithësi të vërteta, i lidhnin në brendi me besime, me mite, si mund ta themi ndryshe: me të mbinatyrshmen që shprehej me mite e besime, pra me copëza të kodeve hyjnore, po në një farë mënyre, sado që në vështrim të mjegulluar, dhe si detyrime të dhëna në ligjin dokesor. Në kohë më të vona, si dukje e shoqërive më të zhvilluara, në shumë raste është zbehur ose është zhdukur fare përmbajtja e lashtë. Në shekuj më të vonshëm, në ndryshimësi të vazhdueshme, ato kanë marrë përmbajtje të objekteve artistike, për të zbukuruar veshjet, trupin ose objektet apo mjediset ku njerëzit jetonin e punonin. Në disa raste ato elemente larëzimi të veshjeve ose të objekteve të tjera, përdoren thjesht si të trashëguara nga stërgjyshërit e tyre, si identitet fisnor, krahinor e më tej.

Deri në Mesjetën e Mesme janë vënë në trup të njeriut vëthë të veshëve, unaza, fibula, rrathë të mëdhenj e objekte të tjera në qafë, në gjoks, në llëna të duarve me kuptimin e hajmalive, amuletave, gjëra metalike për t'u ruajtur nga syri i keq, nga shtrigat, nga rrufeja e gjithëfarë rreziqesh që mund t'i ndodhnin njeriut. Me kohë, duke u vënë gjithnjë në trup, ato kanë marrë sadopak dhe funksione zbukurimi. Në raste të rralla këto objekte metalike janë përdorur në funksione hajmalie në fshatra malore edhe në shek. XX. Unë vetë kam vërejtur, në raste shumë të rralla, në Malësitë shqiptare në Veri e në Jug, djem të vegjël ose dhe djem të rritur, me një vëth në veshin e djathtë dhe duke pyetur më është thënë: këtij djali i kanë lindur shumë vëllezër e motra e i kanë vdekur në foshnjëri a dhe pak të rritur. Që të mos vdesë dhe ky që ka jetuar, i kanë vënë atë vëth që ta ruajë nga vdekja. Diku këtë e mbanin në vesh deri në moshën 15 vjeç, diku deri në 20 ose dhe më tepër vjet. Këto hajmali mbrojtëse janë të vërtetuara deri në vitet '80 të shek. XX.

Popuj të Ballkanit, të Mesdheut, të Europës e më tej, në të njëjtat kushte zhvillimi në Prehistori, në Antikitet, në Mesjetën e Herëshme, në të njëjtat kushte shoqërore e natyrore, kanë pasur në përdorim dhe besime, mite, rite të ndryshme, qenie mitike (hyjni pagane), të përafërme njëri me tjetrin, doemos dhe me dallime. Çdo bashkësi etnike ka pasur hyjni të malit, të pyjeve, të mrizeve, të ujërave, të vatras familjare. Ky është një arsyetim përafrimi në mes popujve në mite, besime, qenie mitike.

Popujt që në Prehistori, në Antikitet, në Mesjetën e Herëshme, janë përzierë në mes tyre, me migrime, me bashkëjetesë e pra dhe kanë dhënë e marrë, veçanërisht me popujt më afër. Kështu ka ngjarë dhe me Ilirët, me Arbërit e Mesjetës, për të mos shkuar dhe më tej. Kështu ka ndodhur dhe në dukuri të etnokulturës në përgjithësi, pra dhe me mite, besime, rite, me figura mitike. Shumë herë studjues të mirënjohur hyjninë ilire Bindus (mashkull) e njejtësojnë me hyjninë trake: Bendis (femër). Dihet se Ilirë kanë shkuar me banim në Traki, po dhe Trakë jo pak, kanë ardhur me banim në Iliri. Pra dhe hyjnitë janë njejtësuar, edhe pse në gjini të ndryshme. Apollonia e Fierit dihet se e ka emrin nga Apolloni i Grekëve, por në kohën e Ilirëve, si hyjni me emër të madh nuk përmendet Apolloni, po Artemida. Studjuesit e Antikitetit kanë theksuar se këtu kemi të bëjmë me një hyjni ilire, po me emër grek. Se është ilire e vërtetojnë dhe veshjet e saj: janë ilire dhe jo si të Artemidës greke; këtë e vërtetojnë dhe funksionet që kryen, që dallojnë nga ato të Artemidës së Grekëve. Zana arbërore - shqiptare, si hyjni, emrin e ka nga Diana  e Romakëve siç na e vërtetojnë gjuhëtarët, në mes tyre dhe i madhi Eqrem Çabej. Këtë prejardhje emri e ka dhe Zina e Trakëve e e Dakëve. Por në brendësi të saj këto janë hyjni vendëse: të natyrës, maleve, pyjeve, mrizeve, ujërave. Është krejt e kuptueshme se popujt në Lashtësi, në Antikitet kanë dhënë e kanë marrë në mite, rite, besime, në qenie hyjnore, por në këto kanë ruajtur dhe veçoritë e tyre etnike siç ka ndodhur dhe ndër Ilirë e popuj të afërm të tyre.

-Cilat janë disa momentet më të rëndësishme të gjurmimit dhe hulimtimit të këtyre dukurive në trevat tona,sidomos atyre të veriut që ju i kujtoni me nostalgji e mall?

Kam filluar kërkimet e terrenit në folklor, në përgjithësi në etnokulturë: doke, tradita, sidoemos në toponime, në fjalë të rralla, në shprehje popullore që kur kam qenë nxënës në shtatvjeçare e pastaj në atë të mesme. Më së shumti këtë eksplorim në etnokulturë, po dhe në arkeologji, e kam bërë kur isha student e kur kam punuar në arsim në Mirditë. Shtysë të fuqishëm për t'u marrë me kërkime kanë qenë mësuesit e mij e pastaj profesorët e shkollës së lartë. Ndër këta duhen përmendur që në fillore Davida Lleshi, më vonë në të Mesmen e në të lartën: Petro Marko, Lumnie Shehetila, Jup Kastrati, për të mos përmendur dhe disa të tjerë. Pa mësimet e tyre, pa shtysat e tyre të forta për të mbledhur në fshatra vlera të mëdha të etnokulturës, unë në jetën time nuk do të isha tjetër veçse një mësues fshati ndër male. Si etnolog për rreth 40 vjet (1968-2008), kam bërë kërkime shkencore në tërë viset shqiptare: në Veri e në Jug, në mbledhje të të dhënave në shërbim të shkrimeve të mia shkencore-kulturore. Ekspedita kam bërë dhe në tërë Kosovën e në viset shqiptare të Maqedonisë. I kam bërë këto kërkime me shumë dëshirë, me kënaqësi, edhe pse në një pjesë të tyre shumë të lodhëshme. E kam shumë të vështirë të tregoj rastet më të rëndësishme që i kam përjetuar në këto eksplorime me shumë mallëngjim e që ruhen në thellësi të shpirtit tim. Dua të theksoj se në çdo fshat ku unë kam shkuar vetëm a bashkë me kolegët e mij: në Labëri, Skrapar, Çermenikë, Dibër, Mat, Kukës e krahina të tjera, po dhe në fshatra të Kosovës a ndër Shqiptarë të Maqedonisë, na kanë pritur në shtëpi me shumë dashamirësi, me kuvend, me ngrenie, me fjetje në shtëpitë e tyre. Pleqtë e plakat janë vënë në shërbimin tonë, me ditë e me netë, me shumë përkushtim, duke na shpjeguar ato që ne  kërkonim të merrnim në tema të caktuara të etnokulturës. Po japim disa ndodhi interesante të shënuara në kujtime të rastit a në eksplorime terreni:

Në verë, kur isha fëmijë jo i rritur, shkoja me qingja për t'i kullotur në fushat e Lmaqes që ishin si taraca nga më të ulëtat tek më të lartat. Aty vinte dhe një i moshuar nga Lagjia e Oroshit me pak dhi e me pak dhen. Ai kuvendonte me mua për gjëra të ndryshme e mes tyre më tregon se filan djalë nga filan fshat i Oroshit ka bërë me barrë një vajzë nga një fshat tjetër i caktuar; më thotë dhe disa shembuj të tjerë të kësaj natyre. Në çdo rast mblidhej pleqësia e gjygjit dhe ajo e fshatrave dhe kështu në këto raste, bëhej një kubé me dru. Mbi kube lidheshin dajli e vajza. U jepej zjarm druve e ata digjeshin në një kodër pranë Abacisë së Oroshit. Në një rast një vajzë shumë e bukur por e mangët nga mendët nga dikush ishte bërë me barrë, por se nga kush nuk e dinte. Që të digjeshin nga ky akt antimoral duheshin të dy e dihej se fajtor kryesor për këtë akt ishte djali. Hapën fjalën se këtë vajzë e kanë hedhur në Shpellën e Akullit në Pllajën e Bjeshkës së Oroshit ku dhe kish vdekur e kështu tregohej në popull për rreth 50 vjet. Në të vërtetë atë e kishin abortuar dhe e kishin martuar me një vejan jashtë Mirditës. Këto akte të shëmtuara dënoheshin si moral njerëzor, po dhe nga besimi se Oroshi me 10 fshatra të vegjël, Spaçi e Kushneni që përbëheshin të tërë rreth 50 fshatra (të vegjël) konsideroheshin vëllezër e motra se janë të ardhur në shek. XV-XVI nga Pashtriku i Gjakovës. Aty kishte gjini të ardhura dhe nga vende të tjera, po "të mbështetur" e quheshin dhe këta vëllezër. Pra, po bënë "atë punë", me ligje popullore të vendit duheshin djegur mbi turrë të druve. Plaku tregues thoshte se këto dënime të ashpra kanë ndodhur në kohën e Bib Dodë Kapidanit e që ka vdekur më 1868, pra kanë ndodhur në mesin ose në fillim të shek. XIX.

Ishim në eksplorime shkencore në Mat (më duket se më 1971), bashkë me etnologen e shquar Andromaqi Gjergji. Në fillim për disa ditë bëmë kërkime në fshatrat më në ultësirë të Matit. Në vazhdim shkuam e punuam në fshatin Macukull në një rrafshnaltë në Malin në fjalë. Këtu na pritën shumë mirë në shtëpi e na ndihmuan së tepërmi në kërkimet tona. Prej andej shkuam poshtë në Derjan e intelektualë të vendit, na çuan në një shtëpi ku do të mblidhnim më së mirë të dhëna nga tradita, po dhe do ta kalonim mirë në atë shtëpi mikpritëse dhe të kamur. Shkuam në atë shtëpi e na pritën me shumë përzemërsi. Aty erdhi dhe një burrë i moshuar si mik e do të shiste një kalë në Pazar të Derjanit që të nesërmen ishte ditë e tregut në këtë vend. Andromaqi punoi me gratë e moshuara në temën e veshjeve, të stolive të ndryshme në veshje e në shtroje e ndërkohë unë punova me dy të moshuarit në projektin tim nga dreka e, me një ndërprerje për të ngrënë darkë, e vazhduam punën për mitologji e besime, për doke të ndryshme deri në ora një mbasmesnate. Pastaj, fjetëm disa orë; u zgjuam e na dhanë të hamë mëngjes. Pas kësaj i falënderuam për gjithçka bënë për ne, u dhamë lamtumirën e u larguam. Shkuam në pazar të Derjanit (si ditë pazari që ishte) për të parë, për të fotografuar veshje, stoli, objekte të shtëpive fshatare, për të marrë dhe shënime nga tregimet e shitësve. Papritur na vinë dy pleqtë me të cilën kaluam mbrëmjen; ishin si të xhindosur, "u kishin ikur mendtë" e na thonë: "Na falni se ato që u kemi thënë në shtëpi nuk janë të vërteta! Mos na vini në rrezik!" Na u lutën t'i grisnim ato që kishim shkruar se ndryshe do të bjerë rrufeja. U largova për pak kohë duke fotografuar veshje e objekte të tjera e duke pyetur mësova se këta dy të moshuar ato që na kishin thënë ne, i kishin treguar në një grup njerëzish e këtu disa djem vagabondë u kishin thënë se ato që ata kanë thënë i kanë marrë në shënim e menjëherë do t'ju fusin në burg. Ata e kishin besuar e ishin bërë si të çmendur. Ishte dhe koha kur bëhesh shumë luftë kundër zakoneve prapanike e kjo i kishte tronditur për së tepërmi. Rastësisht, po aty ndesha disa intelektualë shumë të shkolluar e tepër inteligjentë. Ua shpjegova se ç'kish ndodhur e u kërkova që të ndërhynin për t'i sqaruar e për të zbutur gjakrat e tyre. Këta menjëherë shkuan te dy pleqtë e u përshëndetën përzemërsisht me ta. Duke i ftuar shkuan ata për të pirë kafe, aty biseduan gjerë e gjatë me ta e sqaruan çdo gjë në atë vështrim që dy pleqtë t'i besonin të vërtetat. Kështu u qetësua çdo gjë. Në një rrugë tjetër përplasjesh ishte në rrezik që të ndodhte dhe ndonjë tragjedi.

Në ekspeditë në Brataj të Vlorës i kërkoj një këshilltari të asaj kohe që të më ndihmojë të mbledh disa pleq të fshatit në hije të disa pemëve e të bisedoj me ta për doke e zakone, për rite, mite e besime të ardhura nga lashtësia. Ai u tregua i gatshëm e shkoi të mbledhë pleqtë e fshatit, natyrisht dhe plaka. Këshilltari u kthye menjëherë e më tha se Sekretari i Partisë së fshatit ka urdhëruar njërin që t'i njoftojë e të mblidhen tërë pleq e plaka të fshatit në Vatrën e Kulturës e aty do të vijë dhe ai vetë. Unë u trondita së tepërmi se në ato kohë bëhej një luftë e ashpër kundër dokeve, traditave, riteve prapanike e unë do të bija në kundërvënie me Sekretarin e Partisë: ai do të më kundërshtonte për mbledhjen e këtyre dokeve e besimeve që duhen luftuar e jo të shënoheshin në defterë. Ndodhi krejt e kundërta nga ç'mendoja unë. Erdhën në Vatrën e Kulturës pleq e plaka dhe Sekretari i Partisë: më përshëndeti përzemërsisht e iu drejtua të pranishmëve: Ky profesori ka ardhur nga Tirana e do nga ju disa historira të vjetra të vendit; t'ia tregoni sa më qartë ato që do t'u kërkojë. T'i tregoni çdo gjë. Tha se nuk kishte kohë të rrinte e doli menjëherë, u largua. Pleqtë më treguan shumë gjëra interesante për doke, tradita, mite e besime. Më treguan dhe për një flijim të një fëmije të marrë në themele të Urës së Vjetër të Drashovicës, ngjarje e ndodhur rreth një shekull më parë. Prej këtu shkoj me shoqërues te plaku 104 vjeç Ismet Kamaj që e kishte shtëpinë shumë larg qendrës së Bratajt. Edhe pse kaq i moshuar (104 vjeç më 1971) ishte shumë i freskët në kujtesë. Më tregoi shumë tradita, rite, mite e besime të vjetra. Më thotë se në Urën e Vjetër të Drashovicë ishte murosur një djalë i marrë që shëtiste shtëpi më shtëpi. E kishin murosur kryendërtuesit e ndërtuesit me qëllim që ura, sipas tyre, do të qëndrojë ndër shekuj. E kish parë dhe e kish përjetuar me dhimbje këtë ngjarje kur shkonte si nxënës në medrese. Populli e dënoi me shumë urrejtje këtë akt tragjik të ndërtuesve. Kjo kish ndodhur në vitet 1877-1878.

-Po ndalemi për një moment tek balada e murimit ,të cilën ju e trajtoni me shumë kopetencë në studim.Cilat kanë qënë veçoritë e këtij riti në trojet tona, krahasuar me vendet fqinje?

Dukuria e murimit në ndërtim të njerëzve në kala, në fortifikata, në ura, në ndërtime kulti dhe në popullin tonë më së shumti është ruajtur në balada, në legjenda, në përralla popullore. Flijime grash apo fëmijësh, në ndërtime kanë ekzistuar në popuj të ndryshëm të botës. Bëhej për t'u forcuar ndërtimi e si i tillë të qëndrojë ndër shekuj pa u shpërbërë. Vetëm në ndonjë rast të rrallë është ruajtur flijimi i njerëzve në ndërtime deri para 150 vjetëve. Që nga Mesjeta flijimet e njerëzve janë tjetërsuar: në vend të njeriut është murosur një gjalmë me gjatësinë e një njeriu të caktuar. Në raste të tjera është murosur një dash ose dhe vetëm një kokë dashi. Në popujt e Ballkanit ritet e flijimit ose dhe baladat a legjendat për flijime njerëzish, ose kafshësh apo dhe "flijim" simbolik, kanë qenë shumë të përafërta. Kjo ka ndodhur nga që popujt e afërm, siç janë këta të Ballkanit, kanë praktikuar jo pak dukuri etnokulturore të përbashkëta ose të përafërta. Kjo ka ndodhur edhe pse pjesë popullsie janë shpërngulur nga vendi i tyre e vendosur, po dhe shpërbërë, në gjirin e popullit ku u ngulën. Në shumë raste mjeshtrat e ndërtimit shumë të mirënjohur bënin ndërtime, qoftë dhe fortifikime jo vetëm në vendin e tyre, por dhe në popuj të tjerë më të afërm. Kështu, praktikonin të njëjtat dukuri rituale, të besimit. Pra kalonte riti i flijimit nga një popull në një tjetër.

Jeni një nga studiuesit më të zellshëm i vlerave etnokulturore dhe shpirtërore të popullit tonë.Madje në këtë material keni bërë një analogji mes riteve të dasmave shqiptare me ato franceze,gjermane, e deri dhe indiane.Ç’rite të përbashkëta keni konsultuar?

Shumë rite e besime të natyrës pagane, pavarësisht nga njëri-tjetri, i kanë praktikuar popuj të ndryshëm të botës, siç është, ta zemë në kohë të lashta e më vonë, kurbani në ndërtime. Ka ekzistuar kulti i diellit, kulti i zjarrit, kulti i dorës, për të mos përmendur dhe shumë të tjera. Këto kanë qenë mjete vendimtare në jetën e tyre. Nuk përjashtohen dhe marrjet e dhëniet në mite e besime te njëri-tjetri. Sipas kushteve gjeografike e të atyre shoqërore, ndryshojnë dhe kultet: diku më pak e diku më shumë. Në vendet tropikale ka qenë shumë i theksuar Kulti i Hanës. Ajo ishte shumë orientuese në rrugëtime e në punë që bëheshin natën, nga që nxehtësia e diellit gjatë ditës ishte marramendëse.

Në këtë vepër përshkruhen shkencërisht norma , rregulla ,tradita, bestytni,  zakone etj,si keni mundur t’i grumbulloni nga polulli dhe krahina të ndryshme këto materiale me shumë vlera?

Për t'u mbledhur gjithë materiali dëshmues, për t'u interpretuar, për të zbërthyer ndryshimësitë e tij, kohë mbas kohe, e në shekuj të tërë e mijëvjeçarë, nuk ka qenë një punë e lehtë, po shumë e vështirë. Unë i kam filluar kërkimet së pari si kuriozitet që kur isha nxënës në fillore, por në kërkime të të panjohurave e për t'i shënuar ato në defterë kanë qenë shtysë e fortë mësuesit e profesorët e mij të lavdishëm si Davida Lleshaj (Gjomarku) në fillore, Petro Marku, Lumnie Shehetila, Jup Kastrati në shkollë të mesme e në atë të lartën. Nga 1961 e këtej, dhe duke qenë arsimtar në Mirditë, kam bërë shumë kërkime në gjuhësi, në arkeologji, në etnokulturë në krahinën e vendlindjes sime, në Malësi të Lezhës, në Pukë e në një pjesë të Matit. Këto qenë një mësim praktik për mua në kërkime shkencore. Nga 1968 deri 2008 si etnolog kam bërë ekspedita në tërë viset shqiptare, përfshirë Kosovën e Shqiptarët e Maqedonisë. Këto më kanë shërbyer shumë për shkrimet e mia shkencore, për referime në Konferenca e Kongrese shkencore. Si materiale faktike më kanë shërbyer edhe shkrimet e botimet ndër libra e revista nga intelektualë të Rilindjes, të Pavarësisë e të pas Luftës II Botërore. Si materiale faktike për etnokulturën kanë shkruar shumë dijetarë të huaj që kanë shëtitur viset shqiptare e kanë botuar libra të veçantë e shkrime në gazeta. Edhe klerikët shqiptarë që kanë shërbyer nëpër malësina kanë mbledhur e kanë botuar shumë materiale për doke e tradita shqiptare. Të gjitha këto më kanë shërbyer shumë në shkrimet e librat e mij.

Për t'i zbërthyer si duhet dukuritë e etnokulturës ndër Shqiptarë kam lexuar e skeduar shumë manuale shkencore të shkencëtarëve të mëdhenj të botës. Shumë dukuri etnokulturore në popull janë tjetërsuar nga koha në kohë, gjatë shekujve. Manualet shkencore zbërthyese në anë gjeografike, etnike, kronologjike, kanë qenë një mësim i madh për mua. Populli thotë: "Duhet të dish e pastaj të bësh".

Keni qënë pjesëmarres në disa ekspozita kulturore dhe etnografike nëpër vendin tonë dhe vende të tjera në Ballkan dhe më gjërë.Ndonjë kujtim ose mbresë të veçantë nga takimet me popullin ose bashkësinë ku keni mbledhur materialin?

Në ekspedita të kërkimit shkencor kemi qenë me shumë në tërë trojet e Shqipërisë brenda kufijve si shtet i veçantë; në jo pak raste kemi qenë në ekspedita shkencore në Kosovë e te Shqiptarët e Maqedonisë. Nuk kemi qenë në eksplorime kërkimore asnjëherë: te Shqiptarët e Malit të Zi, te Çamët e në përgjithësi te Shqiptarët e Greqisë, as në Preshevë-Bujanovc-Medegjë e në vise të tjera shqiptare në Serbi. Por, duhet sqaruar se ne, unë me kolegë të mij, kemi qenë në shtete të Europës për kualifikim, në veprimtari kulturore, në konferenca a në kongrese shkencore e në ato raste, në mbledhje ose në shëtitje për të njohur dukuri kulturore të atyre shteteve, jemi takuar me shqiptarë të atjeshëm. Ata na flisnin me shumë dashuri për Shqipërinë, atdheun e tyre mëmë. Me shumë kënaqësi e dashamirësi rrinin e bisedonin me ne për orë të tëra. Në raste të veçanta na ftonin dhe në shtëpi të tyre. Jam çuditur se si, në disa raste, jo të shumta, kam parë në kornizë varur në mur, foton e Enver Hoxhës, në shtëpi apo dhe në dyqane. Kishte raste që kur shëtisnim me këta Shqiptarë në natyrë, nxirrnin foton e Enverit nga çanta e librave ose nga xhepi i xhaketës dhe e puthnin, duke u shprehur: "Baca Enver, sa shumë të duam!". Unë qëndroja në heshtje dhe e dija shumë mirë se këtë e bënin jo për çështje ideologjike, por si shprehje e dashurisë për "Dheun Mëmë". Për ata ishte personaliteti më i njohur e pra e konsideronin simbol të kombit.

Zhvillimi i kulturës shpirtërorer është shenjë e ekzistencës së një kombi.Ç’mendim keni për vëmendjen dhe predispozicionin e autoriteteve shtetërore ndaj kulturës popullore,shpirtërore dhe folklorike në ditët e sotme?

Është bërë një farë pune në organizimin e institucioneve shkencore në fushën e trashëgimisë etnokulturore në gjysmën e dytë të shek. XX. Është dhënë si lëndë e veçantë etnologjia në fakultete të ndryshme të shkencave shoqërore, në Institutin e Arteve e me radhë. Por, duhet thënë se kjo lëndë (etnologjia) është dhënë në një masë tepër të kufizuar. Në dhënie mësimi e në shkrime ishte e detyrueshme që dukuritë e ndryshme të etnokulturës të politizoheshin së tepërmi sa të dilnin në shumë raste jashtë të vërtetave shkencore. Të kthyerit e termit Etnologji ndër Shqiptarë në Antropologji është një mendjerrjedhje e vërtetë. Antropologjia përfshin në problematikat e saj historinë, gjeografinë, sociologjinë, psikologjinë sociale. Nuk është fjala këtu që këto disiplina shkencore të bashkëpunojnë e të ndihmojnë njëra-tjetrën në sqarimin e të vërtetave. Po, në kushtet shqiptare, këto disiplina nuk hyjnë në strukturën e një trupi të vetëm. Ne për secilën fushë kemi departamente të veçanta. Në tërë Europën, në tërë Ballkanin kemi në universitete departamente të etnologjisë, vetëm në Shqipëri jo. Kjo është një marramendje dëmprurëse. Prej kohësh në tërë universitetet e Jugosllavisë kishte degë të veçanta të etnologjisë. Këtë degë prej shumë vitesh e krijoi dhe Universiteti i Prishtinës. Ky ishte një veprim shumë dobiprurës. Kur Instituti i përmendur në Tiranë mori emrin ".... i Antropologjisë", i kërkuan dhe etnologes së shquar Prof. Drita Statovci t'ia ndryshojë emrin nga D.E. në Departamentin e Antropologjisë e kjo në fillim e kundërshtoi këtë me të drejtë. Po nga shtysat e forta për të kopjuar Tiranën, u detyrua të bëjë një lëshim. E ktheu nga "Dep. i Etnologjisë""Dep. të Etnologjisë e të Antropologjisë". Pra një gjetje e mëdyshtë.

Në temën interesante që keni trajtuar në këtë libër , është edhe çështja e emigrimit të popullsisë ku janë përcaktuar mirë vendet ku janë ngulur shqiptarët, por shpesh mungojnë të dhënat e shpërnguljes ,numri i saktë,koha,vendi.Pse ndodh kjo?

Trajtimi i migrimeve varet shumë nga të dhënat, nga burimet e ndryshme. Është i drejtë mendimi se duhej shkruar më shumë për fshatin e krahinën nga janë larguar të mërguarit. Të dhënat duhen parë dhe në vështrim kritik: sa të vërteta janë? Për vendin ku janë ngulur kemi pasur pak të dhëna dhe disa dhe të dyshimta. Pra kemi dhënë ato më të saktat e të tjerat nuk janë pasqyruar, në pamundësi të gjetjes së të vërtetave.

Shihet qartazi si në fushën e kulturës ,traditës dhe folklorit organizohen pak aktivitete.Mungojnë sesionet shkencore komëtare ,festivalet folklorike ,etj.Mungon publikimi dhe promovimi i librave me vlera të veçanta siç është ky botim me vlera.Ç’mendim keni për mungesën e këtyre veprimtarive?

Është e vërtetë se pak aktivitete, përfshirë këtu dhe konferencat shkencore, bëhen në fushën e etnokulturës. Duhen bërë dhe diskutime të projekteve të studimeve të etnokulturës, po dhe për veprimtaritë artistike e kulturore. Populli thotë: "Më thuaj me kë rri e të të them kush je".

Keni qënë dhe jeni gjithnjë në aktivitet,madje shpesh na befasoni me vepra të reja dhe shumë interesante siç ishte ky botim.Çfarë do të presim nga Akademik Mark Tirta në vazhdim ?

Mendoj të shkruaj, si më parë e të botoj rreth 12 deri 15 punime shkencore e kulturore çdo vit. Ma do zemra të botoj librin "Fjalori i mitologjisë shqiptare", që në një formë, aq sa dija atëherë, e kam bërë që më 1975 e u hoq nga shtypi për arsye "të përmbajtjes: ideologji borgjeze e obskurantiste". Doemos, për ta botuar, sipas dijeve që kam sot, i duhen bërë jo pak rregullime e shtesa. Kam shkruar shumë punime shkencore e kulturore, po doemos, do të bëj dhe një libër të veçantë për krahinën time të lindjes e mendoj se do të quhet "Mirdita në histori e në etnokulturë". Për veten time do të bëj një autobiografi ku do të paraqitet jeta ime, po dhe shumë etnokulturë shqiptare që e kam përjetuar e më ka ushqyer zemrën në tërë rrugët e jetës. Ëndërroj të bëj një libër për Ligjin dokesor shqiptar nga që kam në studion time shumë materiale të mbledhura nga tërë viset shqiptare, duke shtuar këtu dhe të dhënat e studjuesve të mëdhenj shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi e më tej. Jam mbështetur dhe në studimet e eksploruesve të huaj në viset shqiptare: në libra përshkrues po dhe libra teorikë për të drejtën dokesore në popuj të ndryshëm, që të bëhen këto shkrime, libra që kam vënë në synim. Për këtë duhet jetë e gjatë e shëndet. Këto të fundit i venë në pikëpyetje projektet e mija. Pra nuk dihet nëse këta libra, shkrime, do t'i bëj apo jo. Këtë të fundit e di vetëm Zoti në Qiell. Po nuk pata shëndet, forcë për të punuar, i lutem Zotit të më çojë sa më parë në Sharrë të Tiranës, ku prehen nën tokë shumë njerëz fisnikë e të ditur, po dhe shumë të tjerë keqbërës, pa din e pa imanë. Atje mbisundon demokracia e vërtetë. O Zot, të lutem shumë të mos bisedosh me dy më të mëdhenjtë e Akad. së Shkencave se më çojnë menjëherë në Sharrë.

Faleminderit për intervisten dhe ju urojmë jetë të gjatë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora