E premte, 26.04.2024, 04:19 AM (GMT+1)

Udhëpërshkrim

Te varri i rremë i Skënderbeut

E diele, 24.08.2008, 12:10 PM


Nga Fatos BAXHAKU

Jemi në Lezhë. Ndonëse gati fundi i gushtit, bën një vapë e pashoqe. Lezha është qendër e rëndësishme administrative. Por, sot nuk kemi mbërritur këtu as për turizmin dhe as për problemet e sotme. Kemi ardhur thjesht për të kujtuar një ngjarje, që ka ndodhur këtu e më shumë se 540 vjet më parë, vdekjen e Skënderbeut, heroit kombëtar të shqiptarëve. E kemi disi të vështirë të zhytemi në histori të shekujve të shkuar. Fare afër janë zyrat e administratës dhe ca më tej pazari, ku gjallon zhurma që sfidon vapën e madhe. Ndërsa pimë me ëndje të madhe një birrë të ftohtë nën një hije, rrimë e shfletojmë disa shënime që i kemi nxjerrë nga librat e vjetër. Rrallë ndodh në histori që vdekja e një njeriu të vetëm, jo vetëm të pezmatojë një popull të tërë, por edhe të ndryshojë krejt rrjedhën e historisë së tij. Ky është rasti i Skënderbeut. Ai vdiq pikërisht këtu, ku ndodhemi sot, në Lezhë, më 17 janar të 1468-ës. Ishte 63 vjeç, në vitin e 24 të mbretërimit të tij. Teksa rrimë në rrëmujën e Lezhës moderne, na dalin parasysh princërit dhe kapedanët hijerëndë shqiptarë duke kryer ritualin e "gjamës", shkuljen e mjekrës dhe gjakosjen e trupit. I gjithë qyteti duhet të jetë ngjethur atë ditë janari. Sipas Barletit, historianit zyrtar të Kastriotit, Skënderbeu u mbërthye papritur nga një palë ethe të forta, teksa bëhej gati për një fushatë të re antiosmane. U strehua për pak ditë në Lezhë, asokohe një ndër qendrat më të paprekura nga lufta e gjatë, dhe vdiq shpejt, pasi i kishte lënë më parë porositë e fundit djalit të tij dhe princërve shqiptarë. Pas shumë të vrarëve në luftë, kjo ishte humbja më e rëndë e shqiptarëve. "Mblidhuni, mblidhuni me vrap të gjithë - kështu ka thërritur, sipas Barletit, Lekë Dukagjini - o princër e sundimtarë arbërorë. Sot u bënë copë dyert e Epirit dhe të Maqedonisë, sot u rrëzuan muret dhe fortesat tona, sot fluturoi tërë forca dhe fuqia jonë, sot u përmbysën fronet e pushtetet tona, sot u shua krejt së bashku me këtë njeri çdo shpresë e jona". Pas fjalimit të Lekës, ka nisur vaji. Dhimbja duket se ka qenë aq e madhe, saqë, sikurse shkruan Barleti "… gjatë kohës që ai po vdiste, kali, të cilit i hipte kur kishte për t‘u përleshur, u bë aq shumë i egër, i tërbuar e i pafrenueshëm, saqë s‘donte të mbante më asnjeri mbi shpinë dhe pas pak mbaroi". Një muhabet që zhvillohet në krahun tonë na risjell në të sotmen. Dikush, me siguri nga punonjësit e pushtetit lokal, po u shpjegon me zell të tjerëve një "marri" që paska bërë dikush duke i vendosur një gjobë njërit, por të cilën nuk e njeh ligji. I lemë pas "marritë" e sotme dhe bëjmë disa hapa nën diellin përvëlues, aq sa na ndajnë nga "Memoriali i Vendvarrimit të Skënderbeut". Edhe i rremë, edhe i kyçur Memoriali është një ngrehinë hijerëndë. Të kujton njëkohësisht edhe ndonjë nga repartet mekanike të kohës së socializmit, edhe kolonat e Pallatit të Kulturës në Tiranë edhe…. Mbi katër kolonat e betonta, të veshura me pllaka mermeri, mbështetet një çati prej pecikllasi krejt e kaltër. Brenda këtij rrethimi janë rrënojat e një kishe, më pas të shndërruar në xhami dhe brenda tyre varri i supozuar, a më mirë me thënë i rremë, i Skënderbeut. Në fillim na bën përshtypje një tabelë në hyrje të ndërtesës. Mbi të është shkruar me dorë fare të sigurt: Katedralja e Shën Nikollit, shek XIV (e.s.). "E.s", don të thotë "e erës sonë", pra pas Krishtit. Me siguri, ata që e kanë shkruar e ngulur këtë tabelë, nga më të çuditshmet në botë, nuk e kanë ditur se "p.e.s." nuk kishte se si të kishte katedrale, përderisa as Krishti e as Shën Kolli nuk kishin lindur akoma. Po nejse! "Errare hummanum est", do të kishte thënë Barleti, nëse befas do të na ishte rishfaqur në anë të këtij memoriali. Disa djem të rinj, punëtorë të një ekspedite arkeologjike po bëjnë pushimin e parë. Nuk kanë faj. Vapa është e padurueshme. Ne trishtohemi ca kur porta e bronztë, që fsheh varrin e rremë, është e kyçur me dry. "A e doni numrin e celularit të kujdestarit? Ai vjen menjëherë po ta thërrisni", na thotë njëri nga djemtë e ri, shumë i sjellshëm dhe shumë i gatshëm për të na ndihmuar. Ne e falënderojmë nga zemra, porse nuk na e ka ënda t‘ia prishim terezinë kujdestarit. Kështu që, të ndihur edhe nga djali, i shtyjmë kanatat e rënda aq sa të krijohet një hapësirë, ku zhysim sakaq objektivat tanë, duke bërë ndonjë foto kuturu. Për fat, ndonjëra del mirë, edhe mund të botohet. Sillemi edhe një copë herë rreth memorialit. Një flamur kuqezi, i flakur pa respekt përtokë, njësoj si një leckë pa vlerë, na le një shije të keqe. Kjo ngrehinë ka një histori fort interesante. Gjithçka nisi në 1968, kur vendi përgatitej të përkujtonte 500-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut. Si përherë në atë kohë, me aksion dhe me urdhër nga lart, nisën kërkimet për varrin e Skënderbeut. Vetëm një e dhënë ishte e sigurt, të paktën nga literatura që njihej asokohe. Barleti kishte shkruar se Kastrioti ishte varrosur në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë, e cila më pas ishte shndërruar në xhami. Atëherë, "punë e thjeshtë", duhej gjetur një xhami e vjetër e ngritur mbi themelinë e një kishe. Një e tillë u gjend vërtet. Ishte Xhamia e Pazarit - e quajtur edhe Selmie, për nder të Sulltan Selmit në shekullin XVI - e cila në atë kohë mbahej ende në këmbë. Kërkuesit e dhanë "fët e fët" përgjigjen: Këtu në lagjen e vjetër të Lezhës, në këtë xhami duhet të jenë eshtrat e Skënderbeut. Teza u bë menjëherë zyrtare, pa diskutime të gjata. Pas disa vitesh, në prillin e 1979, një tërmet i rëndë e goditi Veriun e vendit. Lezha ishte njëri ndër qytetet më të dëmtuar. Lagjja e vjetër u shemb krejtësisht dhe u zëvendësua nga pallate uniforme, ato që janë mbizotëruese sot. Një rast i mirë u kishte ardhur përkrahësve të tezës zyrtare. Xhamia u shemb dhe u mbajtën në këmbë vetëm muret e vjetra të kishës. Një kuadrat që u gjet në dyshemenë e kishës-xhami u deklarua menjëherë si varri i Skënderbeut. Në të, sigurisht që nuk u gjet asgjë, por a nuk kishte thënë Barleti që eshtrat e Skënderbeut u morën nga turqit për t‘u bërë hajmali? Një drekë në Hotelin e Gjuetisë dhe një lavdërim nga ana e Partisë i mbylli të gjitha diskutimet: varri i Skënderbeut u gjet. Mbi të më pas u ndërtua ngrehina hijerëndë. Për të mos e bërë fare "baltë" ajo u quajt "Memoriali i Vendvarrimit të Skënderbeut" dhe jo "Memoriali i Varrit të Skënderbeut", sidoqoftë pelegrinë patriotikë, turistikë, shkencorë, kuriozë lloj-lloj, vinin këtu me bindjen se kishin qenë pranë Skënderbeut më afër se kurrë. Por, ka pasur edhe nga ata që nuk kanë qenë dakord me "metodën e aksionit", por me metodën e shkencës. Kristo Frashëri në veprën e tij "Skënderbeu - Jeta dhe vepra", i ka mbledhur të gjitha burimet që bëjnë fjalë për varrin e vërtetë të Skënderbeut. Teza e tij që varri duhet kërkuar diku lart në kala duket më e pranueshmja nga të gjithë. 150 vjet më parë, Hecquard, konsull i Francës në Shkodër, vizitoi qytetin. Ai bën fjalë për rrënoja të një xhamie, që ishte ngritur mbi Katedralen e Shën Kollit. Osmanët e kishin braktisur xhaminë pasi tre myezinë kishin rënë nga kullat e saj teksa faleshin. Varri duhej kërkuar në rrënoja të një xhamie dhe jo në xhaminë që mbahej në këmbë deri në tërmetin e fundit. Vetëm pak metra më tej është shtëpia më e vjetër në Lezhën e re, Muzeu i Qytetit, ose më mirë më thënë, ai që duhej të ishte muzeu i qytetit. Para derës së godinës së vjetër, e cila të kujton disi shtëpitë e vjetra të Shkodrës së shekullit të XIX-të, na bën përshtypje një gur i skalitur. Një mbishkrim në gjermanisht na e shpjegon historinë e tij. Eshtë një gur varri që ushtarët austrohungarezë të një kompanie 16 ia kushtojnë shokëve të tyre të vrarë në betejë. "A asht germanisht a?", dëgjojmë një zë femre pas supeve tanë. Kur merr një përgjigje pohuese, gruaja i kthehet një shoqeje që ka në krah: "He maj, a t‘thash qi duhet me i lajmru gjermant? Qe tash, ku erdhën kta para nesh!". Tjetra ngre supet si e zënë në faj dhe përgjigjet me sytë përdhe: "Po ç‘a dita un‘ e shkreta!?". Edhe dera e shtëpisë-muze është e kyçur me dry. Për të fotografuar edhe këtu përdorim me sukses metodën që kemi provuar te porta e bronztë e memorialit.

Lart në kala

Rruga që të çon në kala është po ajo e vjetra, nga ku kalonin më parë breza të tërë lezhjanësh. Hyrja e saj ndodhet fare pranë pazarit të peshkut. Vapa është bërë me të vërtetë e padurueshme dhe nga poshtë bedenat e kalasë na duken si të përzhitur nga dielli. Rrimë dhe e matim me mend kohën që do të na duhet për të ngjitur shtegun e përpjetë në piskun e vapës. "Afër një orë, po të ecim me nge", thotë më optimisti prej nesh. Një kalë, që e kanë lidhur te një tabelë e sinjalistikës rrugore, na duket sikur ndan me ne të njëjtin fat. "Vë bast se këtë kalë do ta gjejmë sërish këtu kur të kthehemi", thotë, jo edhe aq me shaka, po ai optimisti i mëparshëm. Por nuk thonë kot, edhe më i pafati ka ndonjëherë fat në jetë. Kemi takuar një shoqe të vjetër, arkeologen Etleva Nallbani. Etleva gërmon lart në skaj të kalasë në një varrezë të vjetër. "Roveri" i saj na duket makina më e bukur që ka shpikur mëndja dhe dora e njeriut, kështu që rrugën për në kala e bëjmë fare të pa shqetësuar. Hera-herës mbi rrugën e mbushur me gurë e shkurre hasim shenja të kalldrëmit të vjetër. Po bëjmë të njëjtën rrugë që kanë bërë para nesh, maqedonasit e Filipit, ilirët e Gentit, romakët e Mark Antonit, bizantinët, sllavët, venedikasit… Kudo shohim gjurmë të së shkuarës që nga lart kanë nisur të shkojnë teposhtë. Etleva na shpjegon me radhë, kjo është kulla X e shekullit X, ky këtu është një fragment nga muri antik, këtu mund të ketë copa muresh… Një grua me shami po heq baltën nga këmbët në një curril uji që vjen nga mali. Historitë e vjetra zhduken sakaq, tani jemi vetëm ne dhe ajo, njësoj të lodhur nga vapa dhe nga punët e ditës. Lart përballë hyrjes së kalasë, Etleva na tregon për gërmimet e saj. Bashkë me disa kolegë francezë, ajo është duke gërmuar në një shpat të gjerë gjysmëshkëmbor. Bashkë me të ecim do kohë përmes gropave të varreve të hapur. Kjo varrezë ka shërbyer për shumë kohë. "Varret shkojnë që nga shekulli V e deri në periudhën osmane", na thotë Etleva. Një nga kafkat e zbuluara prej saj duhet të jetë tipike e një luftëtari. Ajo ruan një goxha goditje prej një objekti metalik, mbase topuz, të cilës i ka mbijetuar do kohë, derisa ia kanë prerë kokën në ndonjë betejë. Kafka u gjet e shkëputur nga trupi. Etleva na tregon gati-gati me hare zbulimet e saj dhe të bashkëpunëtorëve. "Me shumë rëndësi janë ato të shekujve 6-7, për të cilat burimet historike heshtin. Kështu mbushim një zbrazëtirë të madhe", na thotë. Në kala bezdisim vetëm një çift të dashuruarish, që ka ardhur këtu për t‘iu fshehur syve kuriozë. Kërkojmë ndjesë dhe ecim përgjatë mureve. Poshtë nesh, shtrihet panorama që shkon që nga Lezha deri në derdhjen e Drinit në Adriatik. Bedenat ende mbahen në këmbë, por disa prej tyre kanë marrë një pjerrësi të frikshme. Në qendër të kalasë së vjetër janë rrënojat e një xhamie. Planimetria e saj është ajo e një kishe. Nga xhamia ka mbetur vetëm rrënojat e mureve qendrore e dhe baza e minares. Të jetë këtu varri i vërtetë i Skënderbeut? Etleva tund kokën: Mbase, nuk mund të themi asgjë pa bërë gërmime… Hecquardi, konsulli francez, kur u ngjit këtu 150 vjet më parë, ka shënuar vetëm tre shtëpi të ushtarëve turq dhe nuk përmend asnjë xhami, me sa duket rrënojat e kishës-xhami, që kemi para syve, do të kenë ekzistuar që në kohën e tij. Ja se ku është një kishë-xhami e braktisur, njësoj si Shën Kolli i Kastriotit. Dy themele të tjera, njëra brenda kalasë dhe tjetra fare pranë saj duket se janë kisha të vjetra. Këtu duhet të jetë territori ku mund të kërkohet varri i vërtetë i heroit. Te memoriali poshtë njerëzit le të nderojnë Skënderbeun, por jo varrin e tij. Etleva zbret poshtë me gëzim. Në njërin prej varreve është zbuluar një unazë e bronztë. E lemë në gëzimin e saj dhe të kolegëve dhe shkojmë edhe disa metra më poshtë, në faqen e kodrës përballë.

Në hijen e Shehrit

Dikur i thoshin Varosh, më pas Shehër dhe ishte ndër lagjet më të mbajtura të Lezhës. Këtu banonin lezhjanët e kamur, bejlerët dhe tregtarët. "Ikin në mëngjes dhe kthehen në darkë", shkruan Hecqardi, i cili shtëpitë e kësaj lagjeje i krahason me vilat evropiane. Shtëpitë e mbetura të "Shehrit", lagjes më të afërt të kalasë, janë të mbytura nga drurët frutorë, vetëm se janë krejt të heshtura. Sikur të mos ishin disa fëmijë, që hasim në burimin poshtë fshatit, atëherë do ta quanim me siguri fshat apo lagje të braktisur. Shehri ka lindur që herët, qëkurse kalaja nuk mundi t‘i mbante më shtëpitë që shtohen vit për vit. Që ka qenë një vend i lulëzuar, na e bëjnë me dije disa rrënoja shtëpish të mëdha. Nëpër rrugicat e vjetra na shoqëron një vendas, Pali. Bashkë me të shkojmë në një shtëpi të lartë, që është në listat e Monumenteve të Kulturës. Shtëpia është e braktisur dhe ne bëjmë kujdes kur hedhim hapat. Mjafton një hap i gabuar dhe shkel në dërrasë të kalbur, kësaj herë jo në kuptimin figurativ të fjalës. Shtëpia disakatëshe duket se ka qenë ndër më të mbajturat e zonës. Zotëruesit e saj kanë zbritur me kohë poshtë në qytet dhe vetëm një Zot e di se edhe sa do të mund të mbahen në këmbë muret e gurta dhe tavanet e gdhendur prej druri. Me "Roverin" e arkeologëve marrim sërish rrugën e kthimit. Ai shoku ynë e fiton bastin. Kali, që e lamë të lidhur poshtë në Pazar, është ende aty duke pritur të zotin në pikë të diellit.

Në Lezhë 150 vjet më parë

Hyacinthe Hecqard ka qenë për do kohë në mesin e shekullit të XIX konsull i Francës në Shkodër. Më shumë udhëtar sesa diplomat mirëfilli, ai ka lënë pas një nga librat më të rëndësishëm për gjendjen e Shqipërisë së Veriut në kohën kur qëndronte në kryeqendrën e Veriut tonë. Libri i tij "Histoire e Description de la Haute Albanie ou Guegarie" (Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë), i botuar për së pari në Paris në 1858, është botuar tani së fundmi edhe në shqip. Prej tij kemi nxjerrë një pjesë të shënimeve që paraqesin Lezhën e 150 vjetëve më parë, të vrojtuar me sytë e konsullit të Francës: "… Kështjella - Në mes qytezës dhe qytetit, në njërën prej rrafshnaltave të Mërqisë, ngrihet një kodër e veçuar, me një lartësi prej rreth pesëqind e tridhjetë këmbësh, në majë të saj gjendet Akrolisi, kështjella e lashtë, pjesët e poshtme të së cilës janë ndërtuar me gurë të mëdhenj, të ngjitur me njëri-tjetrin me aq art, sa të krijohet përshtypja, se është një pjesë e vetme dhe vetëm me shumë mundim mund ta gjesh çimenton që i mban bashkë… Aty, të rrethuara nga rrënojat, gjenden tre shtëpi të ndërtuara nga turqit për të strehuar garnizonin, i cili, në kohën që unë vizitova kalanë, përbëhej nga katër ushtarë vendas dhe një artiljer. Tre topa të vegjël prej bronzi jashtë përdorimit përbëjnë të gjithë armatimin… Edhe pse ky pozicion kontrollon Drinin dhe prandaj është kaq i rëndësishëm, turqit nuk po i bëjnë asnjë riparim këtyre fortifikatave, të cilat vazhdojnë të shemben çdo vit dhe shumë shpejt prej tyre nuk do të mbetet më asgjë. Kisha të vjetra - Dikur në Lezhë gjendeshin katër kisha. Katedralja, nga e cila kanë mbetur vetëm ca rrënoja të paformëta, u ndërtua për nder të Shën Kollit dhe, siç thonë, aty u varros edhe trupi i pajetë i Skënderbeut. Sipas një gojëdhëne të kësaj zone, turqit, pasi pushtuan qytetin, e zhvarrosën trupin e heroit dhe i ndanë mes tyre eshtrat e tij, të cilat i kthyen në hajmali, duke menduar se mbetjet e një luftëtari kaq trim, sado të vogla të ishin, duhej t‘i jepnin një guxim të paepur atij që i mbante. E shndërruar fillimisht në xhami, katedralja, pak kohë më pas u braktis nga otomanët, të cilët e morën si një paralajmërim të kobshëm vdekjen e tre myezinëve, që kishin rënë njëri pas tjetrit nga njëra prej kullave të saj të larta ndërsa ishin duke u lutur. Dy kisha të tjera, njëra për nder të Shën Gjergjit dhe tjetra për nder të Shën Shtjefnit, u kthyen në xhami dhe falë kësaj, janë ende në këmbë edhe sot.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora