E marte, 19.03.2024, 08:07 AM (GMT)

Faleminderit

Mërgim Korça: Duke e kujtuar Baba Rexheb-in me një shikim mbrapavështrues!

E enjte, 28.07.2016, 07:46 PM


Duke e kujtuar Baba Rexheb-in me një shikim mbrapavështrues!      

Shkruar nga Mërgim Korça

Kishim pak ditë që kishim ardhur këtu, në shtetin e Michiganit tek im vëlla Genci, kur ai merr një telefonatë nga Z. Eqerem Peshkëpia i cili e kishte uruar se më në fund ishim bashkuar mbas 38 vitesh ndarje né, dy vëllezërit me familjet tona të ndërsjella, njeri me tjetrin !  Nga ana tjetër i kishte pas thën’edhe se këtë fakt e kishte mësuar edhe Baba Rexhebi i cili kishte çfaqur dëshirën e Tij të njihej me né … të porsa-ardhurit në Sh.B.A. !

Kësisoji mbas ndonjë dite, na mori im vëlla Genci, time shoqe, vajzën si edhe mua, duke lënë takim edhe me Z.Peshkëpija, e shkuam në Teqénë Bektashjane.  Atje Baba Rexhebi na priti shumë ngrohtë dhe ndër fjalët e para Ai na tha pak a shumë “… Se nga e kishte marrë vesh ime motër Zenepja se kishte ardhur familjarisht këtu në Michigan njera nga çupat e Selfate të Gjirokastrës me të cilët ishim shumë të lidhur miqësisht. Shtëpinë tonë me ta e ndante një avullí dhe ne, për të shkuar tek njeritjetri kishim hapur një “derickë” në avullí dhe nuk dilnim qark e qark përgjatë oborreve të ndërsjellë … Ja, kjo arësyeja përse së bashku me Zejnepin donim sa më parë të njiheshim me këtë çupë Selfate dhe me familjen e saj ... ! ”

Nga ana tjetër duhet të themi edhe se zoti Eqerem Peshkëpia, ishte kushëri i parë i të shoqit të njerës nga ato vajza që Baba Rexhebi i quante çupat Selfate !

Kësisoji desha ta njihja lexuesin së pari, se si u njohëm me tre shqiptarët e parë të komunitetit shqiptar të Michiganit, e në vazhdim pastaj se si fillimisht njohjen me vetë Baba Rexhebin e në vazhdim miqësija e afërt që u lidh me të, gjë të cilën e konsideroj një fat të madh të familjes sime !

Biseda atë ditë, në Teqénë Bektashjane të themeluar nga Baba Rexhebi në vitin e largët tashmë 1954, (dhe saktësisht më 15 maj të atij viti), që në fillim, e kjo doemos në saje të Baba Rexheb-it i cili dijti dora dorës t’i heqë nga udha e bisedës një e nga një të gjitha pengesat natyrash nga më të ndryshëmet, u zhvillua e qetë, me interes të ndërsjellë sa u takon të rejave që né, me aq sa ishim në gjëndje, i a sillnim Atij nga Shqipëria ish komuniste përgjatë periudhës thuajse gjysëm shekullore, (saktësisht 47 vjeçare), qëkur Ai ishte larguar nga Atdheu i Tij !

Duke u ndalur tashti doemos kryesisht dhe posaçërisht vetëm rreth personalitetit të Baba Rexheb-it të cilin im vëlla në një farë mase, për aq sa e njihte ai Baba Rexheb-in, na e kishte përshkruar, do të mundohemi që lexuesit t’ia shtrojmë rrugën e gjithashtu edhe ai ta gjykojë këtë të fundit duke u munduar ne t’i rikujtojmë bisedat me Të në mënyrë sa më të saktë.

Ndërmjet bisedave të ndryshëme që u zhvilluan atë ditë të parë që sapo u njohëm me njeritjetrin, zoti Eqerem i kujtoi Baba Rexheb-it një pohim të bërë  dhjetra vite më parë nga ish Kryemyftiu i Shkodrës në kampin e refugjatëve në Itali ku Sali Efendi Myftija, një ditë prej ditësh i kishte thënë pak a shumë Dervish Rexheb-it :  “ Qé Besa e Zotit se kam tash sa muej e jam kah të ndjeki ty, more Dervish Rexhebi. Ti i falë pêsë vaktet si nji mysliman i mirë. Çohesh nâdje edhe u përkthen lajmet e radios të rijve t’arratisun Shqypnijet e të strehuem këtu në kamp tue u folë atyne me nji atdhedashtuní të madhe. Ti jo se man vetëm Matêmin por e agjinon të plot’edhe muejin e Ramazanit. Gjithashtu Ti alkoholin e ke bâ hásha. Pasha Zotin, m’e pasë pas dijtë se njikshtu janë të tânë Bektashít, isha kênë bâ me kohë Bektashi edhe vetë ... !Ky pohim i bërë, (siç e kisha dëgjuar nga shumë burime të ndryshëme në Shqipëri), nga njëri prej klerikëve muslimanë nga më të shquarit në vëndin tonë, shtoji edhe doemos këndvështrimin e t’im vëllai Gencit ndaj Baba Rexheb-it, padyshim që më dhanë shtysën që bisedën e filluar me Të ta ndiqja me vëmëndje jo të zakontë ... E theksoj pikërisht këtë ndjesí që më lindi tek u ballafaqova me atë personalitet sepse në ato çaste më erdhi në sipërfaqe vrullshëm edhe një kujtim tjetër, thuajse i harruar nën tísin e harresës, q’e kisha lexuar, (në mos gaboj në gazetën Demokracía që botohej në Gjirokastër, koleksjonin e së cilës e kishte një miku ynë i familjes), ku advokati gjirokastrit me emër, në mos gaboj zoti Vangjel Koça, ishte shprehur pak a shumë se  si “ ... Teqéja e Zallit po përgatit me kujdes e diturí dhe kulturë të gjerë një dervish të rí, shpresë për Mëmëdhetárët dhe Mëmëdhénë.  Ai është Dervish Rexhepi ... .

Mbas këtij vlerësimi si edhe pohimit që pati sjellë nga kujtesa e tij zoti Eqerem Peshkëpija se si qé shprehur Kryemyftiu i dikurshëm i Shkodrës rreth Dervish Rexheb-it, nuk kam se si mos ta radhis ndër mbresat e para të mijat rreth këtij personaliteti të kultit Bektashjan edhe përkushtimin që Baba Rexhebi i bënte librit shkruar prej Tij me titullin    Misticizma Islame dhe Bektashizma “ botuar në vitin 1970, (të cilin libër me përkushtim shkruar me dorën e Tij tashmë të kapluar nga dridhjet e moshës, [tremor], ma ka pasë dhuruar vetë auktori), Baba Rexhebi e formulon përkushtimin e librit të Tij duke iu drejtuar klerikëve të vëndit tonë si vijon :

Klerikëve të të gjitha févet në Shqipëri, që u-bënë flí për lirínë dhe pavarësínë e saja, si edhe klerikëvet që u-torturuan dhe humbën jetën nën terrorin komunist, sepse nuk pranuan të mohojnë idealet e tyre fetare dhe kombëtare, auktori u-a kushton këtë vepër me nderim të thellë “.

Doemos vetë ky përkushtim, i bërë publik nga ana e Baba Rexheb-it, sapo e pata lexuar nuk kishte se si mos të ma kujtonte në çast pohimin e bërë nga atdhetari i përkushtuar dhe mendimtari i madh i patriotizmës shqiptare Patër Anton Harapi i cili,  me fjalët që pasojnë, i qé drejtuar Këshillit Kombëtar q’e kishte emëruar anëtar të katërshes drejtuese që u quajt Regjenca Kombëtare, (mbas kapitullimit të Italisë) :

… Më zgjodhët Antar të Këshillit Regjencës.  Ju falënderova për nderimin qi më bâtë por si klerik nuk e pranova !  Ia kërkuet lêjen Papës për kët êmnim në post politik. Ai e miratoi. Megjith’atê po Ju njoftoj se : Sa herë të vijnë për miratim në Këshillin e Regjencës nga Gjykata e Naltë vêndime dënimi me vdekje, në dokumentin përfundimtar kanë me figurue vetëm tre nênshkrime sepse ka me mungue firma e ême se un, si klerik qi jam, nuk pranoj me nênshkrue dënim me vdekje !

Kësisoji, një ditë që kishim vajtur për ta vizituar Baba Rexheb-in si edhe Teto Zejnepin, jo vetëm që Baba Rexhebi e mbante mirë mënd pohimin e Patër Anton Harapit por, duke e shtrirë si edhe thelluar me Të bisedën rreth kësaj teme, Babai më befasoi kur më tha se si me kalimin e kohës, rishikimi i veprimeve të së shkuarës dëndur bëjnë që njeriu t’i gjykojë si veprimet e tij, por ç’ka edhe më rëndësí, gjykimet rreth tyre nga këndvështrime përvoje e cila jo rrallë çon në përfundime diametralisht të kundërt njeri me tjetrin !  Nga që lidhur me sa Ai pohoi, i thashë Babait se isha tejet i interesuar të mësoja si nga përvoja e Tij e vyer e doemos edhe nga qëndrimet e mëvonëshme mbështetur në atë përvojë. Ai, mbasi u mendua pak dhe duke e fërkuar mjekrrën, u shpreh dhe pak a shumë ma paraqiti situatën se do të sillte dy shëmbuj përgjatë jetës së Tij lidhur me rrethana e pse jo edhe kushte shumë të ngjashme. Në vitin tashmë goxhá të largët 1920 kur ushtría italiane e mbante të pushtuar Vlorën që nga Lufta e I-rë Botërore dhe nuk e lëshonte nga duart, shqiptarët ishin mobilizuar, krijuan Komitetin e Mbrojtjes Kombëtare me në krye Osman Haxhiun duke caktuar komandant të forcave shqiptare Qazim Koculin dhe më 5 të Qershorit të po atij viti i sulmuan forcat italiane. Ato ditë Murshidi i Dervish Rexheb-it t’asaj kohe, (e njëkohësisht edhe dajua i tij), Baba Selimi si edhe Dervish Rexhebi vetë, i kishin dërguar një telegram me të dyja firmat e tyre të ndërsjella, komandantit ushtarak të forcave shqiptare Qazim Koculit ku i thoshin:“Shpirtërisht jemi me ju. Po na deshët edhe fizikisht, brënda një të ngrysure dielli edhe një lindjeje të tij, na kini në Kotë që t’ua mbajmë lart moralin atdhedashës forcave vullnetare që po luftojnë t’i hedhin në det trupat pushtuese italiane!”

Mbas paraqitjes këtij fakti, Baba Rexhebi vazhdoi duke thënë se do të sillte një shëmbull tjetër të ngjashëm me luftën e Vlorës të 1920-ës, atë që u quajt Lufta Nacional Çlirimtare. Vetë faktin e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, doemos edhe Ai e kishte pritur me mllef të madh i shtyrë nga edukata atdhetáre me të cilën kishte qen’i brumosur. Pikërisht kjo kishte qenë  edhe arësyeja që një pjes’e madhe e popullatës ishte hedhur nga ana e L.N.Çl. Mirëpo duke e theksuar se ndonëse nuk donte të zgjerohej shumë por nga ana tjetër donte të ishte me mua edhe krejt’i kuptueshëm dhe i tejdukshëm në mendimet si edhe bindjet e Tija, e duke nënvizuar edhe faktin se tashti e kishim edhe mundësínë e mbrapavështrimit për t’i gjykuar ngjarjet si edhe rrethanat, vetë transformimin e L.N.Çl. nga luftë kundra okupatorit në luftë civile nga ana e drejtuesve të saj, Baba Rexhebi e konsideronte një çfaqje madhore të egoizmit njeriut ku shtysa nuk ishte gjë tjetër veçse ètja për pushtet nga ana e këtyre drejtuesve ! (Mbështetjen e këtij këndvështrimi lexuesi i interesuar e gjen edhe tek shkrimi im i titulluar “Patër Fausti mëndje parashikuese hyjnore”).

Bilé, gjatë atyre konsideratave e dëgjova nga vetë goja e Baba Rexheb-it edhe një fakt që anëtari i Teqésë dhe mik i vjetër i Baba Rexheb-it, Haki Gaba, (tanimë edhe ai tashmë i ndjerë), ma kishte treguar pak kohë më parë. Kishte qenë mesi i viteve 1943 kur ishte paraqitur në Teqen’e Zallit Dervish Ahmeti nga Tërbaçi i Vlorës, me pushkë hedhur krahëve, nga që ishte bashkuar e dalë malit me nacional-çlirimtarët dhe, i dërguar prej tyre, kishte ardhur t’i bënte thirrje edhe Dervish Rexheb-it të dilte malit për lirí !  Ky i fundit e kishte shikuar në sy dhe i kishte thënë : “ Si më thua ti mua more Dervish Ahmeti të vij me ty kur ti e paske  hedhur armën krahut ? Arma nuk është për né ! “ (Kaq pa iu shmangur temës kryesore por, lexuesi ta mësojë se Dervish Ahmeti në vazhdim u intenua kampeve të punës nga regjimi për të cilin ai rrëmbeu armët në kundërshtim me rregullat e tarikatit të tij).

Baba Rexhebi atëbotë mori shkas të më skjaronte një moment të cilit Ai i jepte rëndësí të posaçme : Në telegramin e Qershorit të vitit 1920, Baba Selimi së bashku me Dervish Rexheb-in i kishin treguar Qazim Koculit gatishmërín’e tyre për t’i mbështetur moralisht forcat atdhetáre vlonjate, të gatshëm të shkonin në Kotë, por kurrsesí të shkonin për të luftuar atje, në një kohë që Dervish Ahmeti erdhi ta ftonte Dervish Rexheb-in të rrokte armën, gjë që Atij n’asnjë mënyrë nuk ia lejonte pozita e Tij prej kleriku bektashjan !  Pikërisht këtu ndalem dhe e ndjej nevojën e madhe të komunikoj sa më shquar dhe qartë me lexuesin eventual të këtyre radhëve e t’ia sqaroj dy fazat nëpër të cilat përvoja e Tij ishte treguar udhërrëfyese për aso kohe Dervish Rexheb-in. Fillimisht rrethanat kishin qenë të njajta por në vazhdim, ndërsa në Luftën e Vlorës që nga udhëheqja e saj e deri tek luftëtari i fundit parimi udhëheqës ishte ATDHETARÍA, me L.N.Çl. ndryshonte puna.  Fillimisht, shpjegonte Baba Rexhebi, u ngrit dhe u propagandua lufta kundër pushtuesit e cila e nxiti shpirtin atdhedashës të popullit tonë të bashkohej e ta luftonte okupatorin. Mirëpo në vazhdim filloi të çfaqej e në vazhdim edhe u zhvillua tek udhëheqësit e Partisë Komuniste si edhe të L.N.Çl. vënja në dukje e vetvetes, pra egoizma !  E Baba Rexhebi në vazhdim, i mbështetur në parimet e Bektashizmës, shpjegonte se si ky ves i keq, i cili ngrihet si një mal i lartë përpara syve të njerëzimit, nuk e lejon atë ta shikojë Zotin e Madh e të udhëhiqet prej Mësimeve të Tij !  Sipas mësimeve të Baba Rexheb-it “ ... Ndjekësi i rrugës shpirtërore duhet të zhvishet fare nga caqet gjuhësorë E IMJA, E JOTJA, ETJ. dhe të jet’i pastruar nga çdo gjë me përjashtimin e bindjes ndaj Zotit të Madh sepse vetëm kësisoji i arrihet së vërtetës.

Parimisht Bektashizma vé në dukje se si egoizma është vënja në dukje e vetvetes !  Kurse Baba Rexhebi shtonte edhe theksonte se si ky ves i keq, (egoizma), ngrihet si një mal i lartë përpara syve të njerëzimit duke mos u lejuar të shikojnë Zotin e Madh e të udhëhiqen nga mësimet e Tij e përgjatë kësaj brazde, Ai shtonte edhe një pohim vërtet madhor të cilin e bënte të kapshëm nga gjithsecili, e cilitdo liveli të ishte ngritja e tij kulturore tek theksonte se “... Ajo q’e ndan Zotin nga njeriu nuk është as qielli e as botët. Ajo q’e ndan me të vërtetë është UNË-ja si edhe TI-ja ! ”

Duke i radhitur si edhe duke ia paraqitur lexuesit njerin mbas tjetrit të gjithë këta këndvështrime të Baba Rexheb-it të mbështetur themelisht në mësimet e Mistikës Bektashkane, dëshroj që lexuesi i këtyre radhëve ta kuptojë shquar se si orët e tëra të kaluara me të, përgjatë takimeve tona të ndërsjella, tamam që ridhnin si pa e kuptuar !

Po vazhdoj me një pohim tjetër madhor të Baba Rexheb-it i cili pohim, sa më dëndur të lexohet e po aq më kuptimplotë bëhet : “ Të mbahesh gjithënjë me shpresë për të mirat që ke bërë dhe për dhuratat që ke dhënë, është tregëtí.” E Baba Rexhebi shtonte edhe theksonte në vazhdim se ... “ Me Zotin veç tregëtí nuk bëhet ! 

Rrij e mendohem dhe më duket sikur jam përbrinjë Baba Rexheb-it edhe Ai, ashtu qetë-qetë më flet lidhur me mësimet e Hynqar Haxhi Bektashit  rreth këndvështrimit me të cilin duhet shikuar Mistika Bektashjane, nga njera anë, si edhe rregullat e Fesë Islame, nga ana tjetër ku, mësimi i nxjerrë nga Baba Rexhebi si ndjekës i rrugës së Mistikës Bektashjane është t’ua përcjellë besimtarëve mësimin themelor se si për të dyja palët në themel qëndrojnë rregullat e Fesë Islame e pastaj mistiku, mbasi t’i ndjek’e t’i zbatojë të gjitha detyrimet Islame, t’u shtojë këtyre të veçantat e kërkesave që ka Bektashizma !

Baba Rexhebi përgjatë hullísë së filozofísë së Tij Mistike Bektashjane, ngulte këmbë edhe theksonte një moment tejet delikat nga pikëpamja ngushtë fetare, por ama skajshëm bindës i shikuar nga këndvështrimi filozofik, gjë që figurën e Tij na bën ta shikojmë tamam si të një  Mendimtari të Madh, në themelin e mësimeve të të cilit zinte vënd pohimi i Tij madhor se si : “… Të gjithë monotheistët që besojnë një Zot të Vetëm edhe Atij dhe i luten, nuk ka asnjë kuptim të jenë të ndarë në besime të ndryshëme fetare! Ata duhet të jenë të integruar në një besim fetar të vetëm ! “  Dhe këtu pastaj i ndjeri Baba Rexheb-i sillte si shëmbull Henrikun e VIII-të të Anglisë i cili donte t'ishte jo vetëm mbret i Anglisë por edhe udhëheqës i gjithë të Krishterëve ku egoizmi i tij e shtyu t'i ndante të Krishterët Anglezë nga Vatikani dhe sot e kësaj dite, falë atij egoizmi, britanikët janë të besimit Anglikan !

Ësht’e kuptueshme se nuk kam se si t’u shmangem e të mos t’ia përcjell lexuesit të këtyre radhëve dy pozicionime, njeri thjeshtë filozofik, me të cilin Baba Rexhebi mbështeste themelet e besimit të Tij, në vijim të rrugës përgjatë së cilës e udhëhiqte Haxhi Bektash Veliu Bektashizmin, duke pohuar se për të qenë njeri i madh në kuptimin mistik të fjalës theksonte se:   “I madh është ai që sjelljet e dukëshme i ka si të gjithë të tjerët dhe të padukëshmet i ka si të njerëzve të shquar të Zotit! ... E jashtmja e tyre është plot moral dhe të padukëshmen e kanë shëmbëlltyrë të moralitetit “.

Kurse mësimi tjetër i madh që trashëgojmë nga Baba Rexhebi është trajta filozofike që Karl Marxi i jepte bindjes si edhe veprimit politik që duhej të merrej kur idét’e këtij të fundit të zbatoheshin në gjithë botën se: “Komunizmi çfuqizon të vërtetat e përjetëshme, çfuqizon besimet fetare si edhe moralin, në vënd që t’i transformojë” e që Baba Rexhebi i quante sipas këndvështrimit të tij, në qoftë se arrinin dhe triumfonin në gjithë rruzullin tokësor, si:

“… Triumfi i egoizmit kulmor, e keqja m’e madhe që mund ta gjejë njerëzimin!”

Nuk kam se si t’i mbyll këto përsiátje krejtë fluturimthi rreth mbresave që kanë lënë në ndërgjegjen time pozicionimet e Baba Rexheb-it rreth cilitdo problem që bashkarisht e trajtonim … veçsé duke e përsëritur pohimin e bërë në fillimin e këtij shkrimi që lexuesi eventual i këtyre radhëve të bindet në mënyrë të plotë se si unë fillimisht, vetë njohjen me Baba Rexheb-in e në vazhdim miqësin’e afërt që u lidh me të, i konsideroj vërtet një fat të madh të familjes sime!

E për ta mbyllur të gjithë shkrimin me kujtime si edhe mbresa lënë nga Baba Rexhebi, do t’ia bëj të ditur lexuesit ç’më ka pohuar personalisht Arbëreshi Atë Antonio Bellusci kur erdhi ta vizitonte vetë Baba Rexheb-in këtu në Teqén’e Detroitit :

"... Në bisedat me Baba Rexheb-in e shihnje se kishe të bënje me një plak erudite, nga goja e të cilit dilnin vetëm fjalë t' ëmbla të një shënjtori që ftonte për dashuri dhe vllazërim në mes njerëzve, fjalë mëshire dhe bujarie ..."!

Sado që të mundohem, nuk e besoj se do të mund ta sintetizonja më mirë Baba Rexheb-in, nga c'e ka bërë Hirësija Tij, Arbëreshi At Bellusci duke e portretizuar kështu :" ... në bisedat me të shihnje se kishe të bënje me një plak erudit nga goja e të cilit dilnin vetëm fjalë t' ëmbla të një shenjtori që ftonte për dashuri dhe vllazrim në mes njerëzve, fjalë mëshire dhe bujarie ..." !



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora