E premte, 26.04.2024, 09:51 AM (GMT+1)

Mendime

Xheladin Zeneli: Shqiptarët dhe inferioriteti i shtetit amë

E enjte, 30.06.2016, 08:49 PM


SHQIPTARËT NË MAL TË ZI DHE INFERIORITETI I SHTETIT TË TYRE AMË

Nga Xheladin Zeneli

Me 23 qershor 2016, Parlamenti i Republikës së Shqipërisë, votoi unanimisht për ratifikimin e Marrëveshjes  për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, me 110 vota për,1 votë apstenim dhe asnjë votë kundër.

Një votim i tillë është pritur duke pasur parasysh përkrahjen e fuqishme që Tirana zyrtare i ka dhënë dhe i jep fushatës së anëtarisimit të  Malit të Zi në NATO . Dhe këtë e bën në emër të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me Malin e Zi dhe në emër të interesit gjeostrategjik të rajonit.

Problemi nuk qëndron se Shqipëria i jep përkrahje antarësimit të Malit të Zi në strukturat euro-atlantike, por që kjo bëhet pa u brengosur aspak

për pozitën e asaj pjese të popullit të vet që jetojnë nën kufijtë administrativ të Malit të Zi.Përveç disa zërave të vetmuar të parlamentit shqiptar, procesi i votimit u bë pa ngritur aspak çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, të drejta këto që iu mohohen atyre për një kohë të gjatë dhe që janë tani shumë të njohura për opinionin e gjërë .

Me rastin e sesionit parlamentar të ratifikimit, ishte i ftuar që të marrë pjesë dhe t'ju drejtohet deputetëve kryetari i parlamentit të Malit të Zi, z.Darko Pejoviq.

Është i pakuptimtë rasti ku organi më i lartë legjislativ i Shqipërisë e sheh të arsyeshme të ftojë në seancën e vet kryeparlamentarin e Malit të Zi, por njëkohësisht  nuk e sheh të arsyeshme që të ftohet edhe një përfaqësues i shqiptarëve në Mal të Zi dhe t'i jepet mundësia edhe atij që t'i drejtohet ligjëvenësve të Kuvendit të Shqipërisë me pikëpamjet apo vërejtjet e tija eventuale,lidhur me aderimin e Malit të Zi në NATO !?.

Askush nuk është kundër marrëdhënieve të mira fqinjësore në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, por këto marrëdhënie duhen të bazohen në politikë parimore të Shtetit Amë, ku prioriteti duhet të jetë interesi kombëtar i mbrojtjes së të drejtave të asaj pjese të popullit e cila jeton jashtë kufijvë administrativ, pra të shqiptarëve në Mal të Zi. Këtë e parashikon edhe Kushtetuta e Shqipërisë ( neni 8 i saj) i cili thotë: " Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj".

Atëherë, përse Tirana zyrtare heziton të shfrytëzojë të drejtën e vet kushtetuese në raport me shqiptarët në Mal të Zi , më konkretisht, përse nuk kushtëzohet ratifikimi e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, nga ana e parlamentit shqiptar,me përmirësimin e pozitës ( statusit) dhe me avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi ?

Këtë të drejtë e ushtrojnë edhe vende dhe popuj të tjerë. Këtë e ushtron edhe Mali i Zi i cili nuk heziton aspak që të përdorë kushtëzimin si mjet për arritjen e qëllimeve të veta politike të pakicës malazeze që jetojnë në shtetin e saj fqinj.Konkretisht bëhet fjalë për ate se si vite me radhë qeveria dhe pushteti i Malit të Zi kanë kushtëzuar marrëdhëniet diplomatike, në nivel ambasadash, me Kosovën, me njohjen e pakicës malazeze si kategori kushtetuese në këtë shtet. Mali i Zi njohu pavarësinë e Kosovës në Tetor të vitit 2008 , kurse marredhëniet diplomatike u vendosën  në Janar të vitit 2010.  Mirpo, në fund të vitit 2010, kryetari i atëhershëm i Malit të Zi, z.Filip Vujanoviq ka refuzuar të nënshkruaj aktin e shkëmbimit  të ambasadorëve në mes Malit të Zi dhe Kosovës derisa t'i njihet statusi i pakicës , bashkësisë malazeze në Kosovë.Që nga atëherë me qëllim është zvarritur shkëmbimi i ambasadave  (nga ana e Malit të Zi ) , si akt protokular që do të  duhej të pasonte pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike në mes këtyre dy shteteve.Pra  shkaku i refuzimit të hapjes se  Ambasadës ,deri më tani,në Kosovë ka qenë kushtëzimi i Podgoricës zyrtare me njohjen e statusit të pakicës malazeze, çka do të thotë që  malazezët të pranohen si komunitet me Kushtetutën e Kosovës dhe të jenë të përfaqësuar në organet legjislative të pushtetit, kushtëzim ky që qeveria e Kosovës e ka pranuar !?.

Atëherë pyetja që n'a imponohet është se përse Shqipëria nuk kushtëzon Malin e Zi lidhur me të drejtat legjitime të shqiptarëve në këtë shtet ? A mos vallë Tirana zyrtare " frigohet" prishjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore me Malin e Zi ?

Marrëdhëniet e mira të ndërsjellta të shteteve fqinje , bazohen në gatishmërinë e dialogut dhe diskutimin e çështjeve të hapura. Çështja shqiptarëve në Mal të Zi është një çështje e hapur dhe nëse shteti malazez i shmanget kësai teme, atëherë me këtë thyhen parimet e fqinjësisë së mirë. Prioriteti i fqinjësisë së mirë për Shqipërinë, do të duhej të ishte përkujdesja për realizimin e të drejtave kombëtare të asaj pjese të popullit të vet që administrohen nga shtetet fqinje, përkatësisht për shqiptarët në Mal të Zi dhe sigurimi i implementimit të standardeve ndëkombëtare për të drejtat e tyre. Pra, fqinji mund të jetë i mirë vetëm atëherë kur i trajton qytetarët e vet, të një përkatësie tjetër nacionale ,në këtë rast shqiptarët, në mënyrë të barabartë. Faktet janë të shumta që dëshmojnë mohimin e të drejtave të tyre në sferat e ndryshme të jetës shoqërore në Mal të Zi si, në punësim, ekonomi, përfaqësimin në organet e administratës shtetrore, vetëqeverisjen lokale, arsimimi në gjuhën shqipe dhe programet shkollore, të drejtën pronësore, të drejtën e përdorimit të plotë të simboleve të tyre kombëtare etj. Dhe që këto mos të mjaftojnë, më në fund, shqiptarët përjetojnë ofendim në baza nacionale  nga ana e Akademisë së Shkencave  dhe Arteve të Malit të Zi, përmes fjalorit të tij famëkeq.

Ratifikimi i protokollit të marrëveshjes së anëtarësimit të Malit të Zi në NATO me 23 qershor 2016 në parlamentin e Shqipërisë ishte një rast dhe mundësi e veçantë për Shtetin- Amë që të tregojë mbështetje për një pjesë të ndarë të popullit të vet. Me keqardhje , kjo nuk ndodhi, por përkundrazi,Shteti Amë edhe kësai rradhe ndjeku qendrimin e infioritetit ndaj shqiptarëve në Mal të Zi .



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora