E enjte, 24.10.2019, 05:36 AM (GMT+1)

Personalitete

Harallamb Kota: Ish-Kryeminsitri, Koço Nuçi Kota

E diele, 24.01.2016, 11:41 AM


Ish-Kryeminsitri, Koço  Nuçi  Kota

(Jetëshkrim)

Kostaq Kota ose Koço, siç i pëlqente ta quanin, lindi më 14 mars 1888 në Korçë, qytet shqiptar i dalluar për lëvizjet e mëdha patriotike, për lirinë e mëmëdheut, për kulturë dhe arësimimin në gjuhën shqipe, procese në të cilat ishin përfshirë historikisht edhe kontribuon intensivisht familjet Kota. Origjina e tyre është nga Kalaja e  qytetit të Beratit. Koço ishte djali i dytë i Nuçit, i cili kishte edhe dy djem të tjerë, Kristaqin dhe Ilian, si dhe një vajzë Leonorën. I jati ishte njeri shumë praktik, tregëtar dhe merrej me tregëti lëkurësh. Koço lindi. u rrit dhe u formua në një mjedis familjar të lidhur ngushtësisht me fatet e atdheut dhe të kombit, për interesin e të cilëve ishin të angazhuar pandërprerë. Ky mjedis ndikoi fuqishëm në formimin e karakterit të Koços dhe e bëri atë vazhdues të paepur të traditës familjare, idealit kombëtar dhe ndjenjave patriotike e atdhetare të saj. Koço e kreu arësimin fillor në Korçë, arësimin e mesëm në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, arësimin e lartë në Universitetin e Athinës, ku u diplomua në Shkencat Politike. Arsimi i lartë i dha mundësinë të njihet me figura të lëvizjes kombëtare  shqiptare dhe shpejt u lidh dhe nisi bashkëpunimin me ta, duke u bërë  një nga më aktivët e të dalluarit e saj. Në udhën e jetës së tij pati fatin të takonte, të punonte, madje shpesh herë të bashkëpunonte ngushtësisht me tre nga figurat  qëndrore të kombit shqiptar gjatë katër dekadave të para të shekullit XX,me Fan.S.Nolin me Ismail Qemalin, dhe Ahmet Zogun.

Koço Kota pasi përfundoi studimet e larta dhe mbrojti diplomën, në qershor të vitit 1911 u largua nga Athina dhe  u vendos në qytetin e Vlorës nga ku, pas pak kohe, emigroi në Amerikë. Në SHBA, u anëtarësua  në shoqërinë e emigrantëve shqipëtarë, “Përlindja” ose “Malli i Mëmëdheut” dhe u zgjodh Kryetar i saj. Mbështeti Fan Nolin në veprimtaritë e tij atdhetare, lidhur me çështjen kombëtare shqiptare, kishën ortodokse autoqefale, bashkimin e shoqërive të emigrantëve shqiptar në Amerikë etj. Në saj të veprimtarisë patriotike Koço Kota shpejt u bë i njohur në radhët e emigrantëve shqiptarë dhe midis drejtuesve dhe organizatorëve të tyre. Atje, ai ishte një nga pesë anëtarët e Komisionit nismëtar që shqyrtoi, diskutoi dhe vendosi për themelimin e Federatës                              “VATRA” shoqëri patriotike e emigrantëve shqiptarë në SHBA, e cila siç dihet u themelua në Boston (SHBA) më 28 prill 1912. Vatra ishte nga më të mëdhatë, më të rëndësishmet, dhe më  jetëgjata në Diasporën Shqiptare.

Më 1912 Federata Vatra e zgjodhi Koço Kota-n si një nga përfaqsuesit e tij delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës i cili më 28 nëndor 1912, shpalli pavërësinë e Shqipërisë. Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, drejtuesit e Kuvendit e ngarkuan Koço Kotan me detyrat e shkruesit (sekretarit). Me formimin e qeverisë shqiptare të kryesuar nga Ismail Qemali, e emëruan në detyrën e inspektorit të përgjithshëm në ministrinë e Arësimit të drejtuar nga Luigj Gurakuqi. Mbështeti fuqishëm Ismail Qemalin dhe programin e tij qeverisës, lidhur me reformat: administrative, arësimore dhe agrare, të cilat u sabotuan nga elementi turkoshak dhe nga pronarët e mëdhenj të tokave.

Në fillim të marsit 1914 Koço Kota bashkë me figura dhe personalitete patriotike të njohur të lëvizjes kombëtare shqiptare, themeluan në Durrës organizatën politike “Krahu Kombëtar” e cila u përpoq të organizonte dhe drejtonte lëvizjen kombëtare për mbrojtjen e stabilizimin e shtetit shqiptar.

Në datën 20 mars 1914, Koço Kota-n e emëruan në Ministrinë e Arësimit, e cila  drejtohej nga dr.Turtulli Ministër Arësimi në qeverinë e Turhan Pashës.

Meqenëse shkolla shqipe thuajse nuk funksionoi, ai u largua nga Durrësi dhe u vendos në Berat,  ku punoi në profesionin e tij të juristit -Avokat.

Më 4 shtator 1914, shkoi në Shkodër, sëbashku me patriotët shqiptar të “Krahut Kombëtar”.Me fillimin e Luftës së Parë Botërore, komanda ushtarake e ushtrisë malazeze që pushtoi Shkodrën, e arrestoi Koço Kota-n  bashkë me patriotët e tjerë dhe i internoi në Mal të Zi. Pasi doli nga burgjet malazeze u largua dhe shkoi përsëri në Amerikë.

Më 27 janar 1916,  u rikthye në Shqipëri pas largimit të Esad Pashës dhe ardhjes së austrohungarezëve.

Në fund të shkurtit 1916, Koço u caktua anëtar i Gjykatës së Apelit në Prefekturën e Beratit. Në fillim të gushtit 1916, u largua nga Berati dhe shkoi në Shkodër, ku e caktuan inspektor arësimi në Drejtorinë Arësimore, të drejtuar nga Luigj Gurakuqi. Qëndroi në këtë detyrë deri më 30 tetor 1918, kur ushtritë austrohungareze u larguan nga Shqipëria dhe në teritorin shqiptar u vendos ushtria italiane.

Luigj Gurakuqi, ministri i Arësimit në qeverinë e Turhan Përmetit më 30 dhjetor 1918, e emëroi Koço Kota-n  “Inspektor Arësimi” pranë Prefekturës Berat.

Në shkurt të vitit 1919 shkoi në Korçë për të krijuar lidhjet e Komitetit të Shpëtimit Kombëtar të Beratit me Shoqëritë Atdhetare të Korçës drejtuar nga Sotir Kotta dhe të Aleksandrisë në Egjipt drejtuar nga Llambi N.Kotta.

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, nisi në Paris Konferenca e Paqes, e cila u hap më 18 janar 1919. Në atë Konferencë, morën pjesë edhe delegacioni shqiptar. Më 30 prill 1919, Kostaq (Koço) Kota Inspektori i Arësimit, bashkë me një grup patriotësh përfaqësues të popullit të Beratit, (Hekur be Vrioni Kryepari i Katundariës, Zarif Aga Haznatari-Kryetar i klubit“Bashkim”,Fevzi Ruli-Advokat, Themistokli Kassapi -Notablë i krishter, Salih Gjuka -direktori Arsimit, Adem  Shehu -sekretari i Arësimit, Islam be Vrioni -Notabël muhamedan,Melek be Frashëri -Kapitanë, Xhevdet Meqemea–Advokat,Zejnel be Prodani–Notabël,Teki be Selenica-Notabël, Zoj Tonçi –Tregtar,Todi Naska -Nëpunës drejtësie,Bektash H.Berberi-Zanatli,Gaqe papa Zaharia-direktori i Kancelarisë së Prefekturës, Emrullah Psarizi-Sekretari i Perlimentares, Hajredin Kuçi –Notabël,Andon Capo –Tregtar, Hysni aga Kafasi -Këshilltari i Perlimtares, Nuri Osman Smundja -Sekretari i Drejtësisë), bëhet  nismëtar për hartimin e një “Memorandumi” në favor të çështjes shqiptare, drejtuar Komandës Franceze në Shkodër, Konsullit  amerikan në Shqipëri e “Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, ku ndër të tjera kërkohej: “Nëse, shteti shqiptar duhet të mbetet nën mandate të nji Guvernes së madhe, atëherë na dëshirojëm mandatin amerikan, qi kështu të mundim të sigurojëm e t’i apim nji frymë kombëtare zhvillimit e lulëzimit të vendit tonë”.

Më 6 shtator 1919, sëbashku me patriotët dhe vullnetarë berates Koço Kota ishte ndër drejtuesit më aktiv në komisionin “Mbrojtja e Korçës”, në organizimin e forcave vullnetare e mbledhjen e ndihmave materiale për mbrojtjen e krahinës dhe qytetit të Korçës  nga agresioni dhe sulmet e andartëve grek

Më 21 dhjetor 1919 shkoi në Korçë, për të mobilizuar dhe organizuar patriotët dhe vullnetarët korçare dhe përkrahësit e tyre, në luftën vendimtare kundër synime aneksioniste greke dhe për krijimin e kushteve që edhe Korça ti bashkëngjitej Shqipërisë. Ai u shpreh hapur  publikisht kundër marrëveshjes italo-greke dhe ishte i bindur e besimplot tek amerikanët.

Më 21-31 janar 1920, Koço Kota mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Lushnjës si delegat dhe përfaqësues i Korçës, midis 50 përfaqësuesve të gjithë krahinave të përfshira më 1913 në kufijtë e shtetit shqiptar. Sikurse dihet Kongresi Kombëtar i Lushnjes ishte ngjarje me rëndësi të veçantë, mori vendime për rimëkëmbjen e shtetit Shqiptar, për sigurimin e pavarësisë dhe mbrojtjen e tërësisë teritoriale të tij. Drejtuesit e Kongresit e caktuan Koço Kota-n Sekretar të Kongresit. Në fund të punimeve Kongresi i Lushnjes e  zgjodhi Koço Kota-n anëtar të  Këshillit Kombëtar, përfaqësues të krahinës së Korçës në atë organ me 37 anëtar që kryente funksionet e  parlamentit shqiptar, organ i krijuar për  here të pare në Historinë e Popullit Shqiptar dhe që shënoi fillimin e parlamentarizmit dhe të demokracisë parlamentare. Në këtë mënyrë, vendimet e Kongresit Kombëtar të Lushnjes në të cilin mori pjesë mjaft aktive edhe Koço Kota, shënuan një moment kthese në Historinë e Shqiptarëve, shënuan fillimin e një periudhe të re. Përmbajtjen e procesit të ri historik, Koço Kota jo vetëm e kuptoi qartësisht dhe plotësisht, por me ndërgjegje e bindje të patundur i kushtoi angazhimin pakushte dhe devocionin e paepur mbi 20 vjet të jetës së tij.

Dokumentet arkivore të kohës, dëshmojnë se Koço Kota gjatë vitit 1920, sipas kërkesës së ministrisë së Arësimit, hartoi tekstin e parë të matematikës në gjuhën shqipe, për tre klasat e para të shkollës fillore. Më 21 qershor 1920, Qeveria e Sulejman Delvinës e emëroi Koço Kota-n  Prefekt të Korçës. Përballja me pronarë të mëdhenj tokash dhe me pushtetarë turkoman, e detyruan Koçon ti shprehte Ahmet Zogut Ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e S. Delvinës, indinjatën e të krishterëve shqiptar ndaj ligjeve osmane në fuqi dhe praktikave diskriminuese turkomane. Paralajmëroi strukturat shtetërore, për rrezikun e madh që i vinte shtetit Shqiptar  nga vazhdimi i zbatimit të legjislacionit otoman, parimet dhe praktikat e të cilit ishin në kundërshtim me parimet e Rilindjes Kombëtare dhe me vendimet e mara në Kongresin Kombëtar të Lushnjes.

Qysh në fillimin  e fushatës së zgjedhjeve të para parlamentare pluraliste në Shqipëri në janar të vitit 1921, Koço Kota konstatoi dhe  kundërshtoi parregullsitë në hartimin e listave të kandidatëve për deputet në dëm të përfaqësuesve të popullsisë ortodokse. Për ti bërë  presion qeverisë, që të merrte masa për mënjanimin e parregullsive, i inkurajuar edhe nga mbështetësit e tij, u tërhoq nga kandidimi.  Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, Koço Kota me një grup intelektualësh korçarë, më 13 shkurt 1921 i paraqitën qeverisë Vrioni një “Memorandum”, ku kërkonin që në Shqipërinë Juglindore të ngrihej një “Administratë Autonome” me parlament dhe legjislacion të vetin, me qendër në Korçë por e varur plotësisht nga pushteti qendror i shtetit Shqiptar. Në Memorandumin drejtuar Qeverisë Shqiptare, K.Kota e personalitetet që e mbështetën, i paraqitën edhe argumentet që spjegonin dhe justifikonin parashtresën e tyre. Ata analizonin shkaqet dhe arsyet politike, sociale, fetare, kulturore, legjislative (juridike) specifike dhe të veçanta të krahinave të Juglindjes së shtetit Shqiptar, shkaqe të cilët diktonin, sipas hartuesve të memorandumit, nevojën dhe domosdoshmërinë e krijimit të saj si njësi e posaçme teritoriale-administrative autonome, por të varur plotësisht nga pushteti dhe administrata qendrore e Shtetit Shqiptar. Madje në Memorandum i sillnin në vështrim Qeverisë Shqiptare edhe organizime të tilla shtetërore të suksesshme në shtete të ndryshme të Europës.

Kur qarqet drejtuese shtetërore Greke u përpoqën  ta shfrytëzonin këtë çështje në favor të tyre Koço Kota e tërhoqi Memorandumin dhe me një telegram dërguar Lidhjes së Kombeve, deklaroi: “Të huajt nuk kanë të drejtë të flasin për çështje krejt të brëndshme të shtetit Shqiptar”.

Në korrik të vitit 1921, qeveria e Iliaz Vrionit e caktoi dr.K.Kota-n Prefekt të Beratit, detyrë të cilën e kreu deri në fund të vitit 1923. Në ushtrim të detyrës së prefektit, u njoh me situatat social ekonomike të popullsisë krahinore dhe ju përvesh punës për çeljen e fondeve dhe fillimin e punimeve botore. Gjatë viteve 1921-1923, periudhë gjatë të cilës K.Kota ishte Prefekt i Beratit u hapën 19 shkolla të reja; në Sinjë, Sadovicë, Pobrat, Drobonik, Tomorr dhe Kapinovë, duke e çuar numërin e tyre në 61 shkolla fillore

Më 14 tetor 1921,ai u përfshi në hartimin e një plani konkret veprimi lidhur me shkëputjen e familjeve ortodokse të Toskërisë nga Patriarkana dhe lidhjen e tyre me Kishën Katolike.

Nga 10-19 shtator 1922, me përkrahjen e K.Kota-s që ishte Prefekt i Beratit dhe mbështetjen e kryeministrit Xh. Ypi, ministrit të P.Brendshme A.Zogu, në Berat           (në sallën e Shkollës së Mangalemit) u mbajt Kongresi Themeltar i Kishës Ortodokse Autoqefale  Shqiptare (KOASH)..

Më 27 dhjetorit 1923, dr.K.Kota u zgjodh deputet i Korçës për Asamblenë Kushtetuese e cila u mblodh  në janar 1924. Më 30 mars 1924 K.Kota u emërua minister i Punëve .Botore dhe i Bujqësisë, në qeverinë Vërlaci.Më 27 maj të vitit 1924, në qeverinë Vrioni mbajti të njëjtin portofol.

Më 16 qershor 1924, Noli u zgjodh kryeministër i Shtetit Shqiptar, por më 24 dhjetor  1924, Zogu i mbështetur nga  forcat mercenare jugosllave erdhi në Tiranë. Qeveria demokratike e Fan Nolit u rrëzua. Më 6 janar 1925, Ahmet Zogu zgjidhet President i Shqipërisë, njëkohësisht Kryeministër  dhe Ministër i Punëve të Brëndshme.

Më 6 janar 1925, Kostaq  Kotta në qeverinë e Ahmet Zogut, caktohet me dy detyra tepër të rëndësishme: Ministër i P. Botore dhe zv.Ministër i P.Brëndëshme.

Më 21 janar 1925, Shqipëria shpallet Republikë. President u rizgjodh Ahmet Zogu. Më 2 mars 1925 u miratua kushtetuta e parë e shtetit shqiptar.

Më 17 maj 1925, Dr.Koço Kota u zgjodh deputet i popullit të Korçës, në zgjedhjet parlamentare të organizuara nga Presidenti Ahmet Zogu.

Më 18 korrik 1925, Asambleja Legjislative e Republikës së Shqipërisë e përbërë nga Senati dhe Dhoma e Deputetëve, vendosi për ndërimin e  kufive të vijës Vermosh e Shën Naum në favor të Jugosllavisë.

Më 23 shtator 1925 dr.Koço Kota u caktua me detyrën e Ministrit të Bujqësisë dhe më 28 shtator 1925 u zgjodh Kryetar i Dhomës së Deputetëve

Më 11 maj 1928 kryeministri Ahmet Zogu e emëroi K.Kota-n Ministër të P. të Brëndëshme.

Më 17 gusht 1928, Ahmet Zogu në cilësinë e Presidentit të Republikës, shpërndau Asamblenë dhe shpalli zgjedhjet e reja.

Më 1 shtator 1928 u mblodh Asambleja Kushtetuese, e cila në mbledhjen historike të saj procedoi me një zë:“Shqipëria është Mbretëri Demokratike Parlamentare Trashëguarë” dhe e shpalli Ahmet Zogun, Mbret të Shqiptarëve.

Më 5 shtator 1928, dr.Koço Kotta u zgjodh Kryeministër dhe Ministër i P.Brëndshme. Ahmet Zogu i kurorëzuar Mbret, nxiti reformat legjislative në marëdhëniet civile, tregëtare dhe agrare. Kryeministri u angazhua tërësisht, për ndarjen e fesë nga shteti, për reformën arsimore, për krijimin e shkollës kombëtare e laike dhe për herë të parë u projektuar një program pesëvjeçar zhvillimi. Gjatë mandatit të tij, u ndërtuan ministritë, bulevardi i madh, disa spitale, burgu i Burrelit dhe disa burgje të tjera. Më 4 mars 1930, Kryeministri Kota, duke mos dashur të bëjë hapa prapa, dha dorëheqjen. Në letrën drejtuar Mbretit Zog, kryeministri Kota theksonte, se shkak i dorëheqjes së tij “ishte mungesa e harmonisë midis qeverisë dhe Parlamentit, gjë që pengonte zhvillimet e veprave të rëndësishme”.

Në vitin 1930, K.Kota u zgjodh  deputet i Korçës në parlamentin shqiptar, i cili në mbledhjen e pare të tij zgjodhi dr.Koço Kota-n  Kryetar Parlamenti.

Gjatë ushtrimit të mandatit, shqyrtoi në seancë parlamentare dy ligje: më 13 prill 1930, Ligjin “Mbi Reformën Agrare”, i cili u miratua po atë ditë dhe ligjin për Reformën Legjislative dhe Kodin Civil.

Në vitin 1932 dr.Koço Kota, mandatohet përsëri deputet  i Korçës në parlamentin shqiptar, ku zgjidhet përsëri Kryetar Parlamenti. Diskutimet e deputetëve në legjislaturat parlamentare, përqëndroheshin mbi problemet e arësimit e luftës kundër dukurive dhe shfaqjeve që nuk i përkisnin kulturës dhe tradidave të popullit shqiptar. U dekretuan  tre ligje: modifikimin e ligjeve 197,206,207, për shtetëzimin e shkollave, “Mbi ndalimin e Mbulesës së Fytyrës dhe Mbulesën e Kresë të grave; Mbi ndalimin e martesës së nëpunësave me gra të huaja.

Mbreti Zog më 9 nëndor 1936, dekretoi dr.Koço Kota-n  Kryeministër  dhe Ministër i Punëve Botore dhe i Ekonomisë Kombëtare(Bujqësisë), për ta pasur në kontroll dhe për të ndjekur nga afër investimet në sektorët e industrisë e bujqësisë.

Më 31 janar 1937, parlamenti i dha votbesimin qeverisë së Koço Kotës. Në detyrën e Kryeministrit, Koço Kota u kujdes për organizimin e xhandarmërisë, duke marë masa drastike për të vendosur rendin në Shqipëri dhe për të goditur çdo ideologji e qëndrim kundër monarkisë. Edhe administrimi i bashkësive fetare, bëhej sipas ligjit të hartuar nga Koço Kota dhe dekretuar nga mbreti Zog-I, më 16 korrik 1929. Sipas këtij ligji, klerikët nuk kishin të drejtë votimi e nuk mund të kishin asnjë detyrë publike. Bashkësitë nuk duhej të mernin asnjë ndihmë e subvencion nga jashtë. Ata kishin për detyrë të mbanin qëndrim patriotik. Beteja për kishën shqiptare, e nisur nga patrioti dhe rilindasi i madh Fan S.Noli, qysh në vitin 1909, i cili themeloi kishën autoqefale shqiptare në Amerikë, u përfundua në prill të vitit 1937 nga Ahmet Zogu dhe Koço Kota.

Më 23 prill 1937, qeveria shpalli një dekretligj për fajet kundër rendit shoqëror dhe ekonomik, sipas të cilit ndalohej formimi i shoqatave që kishin për qëllim “vendosjen e diktaturës së një klase mbi një tjetër”, përmbysjen me forcë të rendit shoqëror-ekonomik në fuqi dhe përhapjen e ideve komuniste.

Në 15 maj 1937, shpërtheu në Delvinë një lëvizje antiqeveritare e organizuar nga Ethem Toto, ish ministër i P.Brendëshme në qeverinë e kryesuar nga Mehdi Frashëri, e cila u shtyp me lehtësi. Për uljen e tensioneve politike me emigracionin, Ahmet Zogu dërgoi Koço Kotën në Paris, për të biseduar me ta, të arinte kompromise dhe tu mbushte mëndjen që të ktheheshin në Shqipëri, por misioni dështoi. Pasi qeveria jugosllave i ndërpreu ndihmat financiare, emigrantët antizogist, pas shumë dilemave vendosën kthimin në Shqipëri.

Në gusht të vitit 1938, Koço Kota vajti për një kurim në Paris. Për të realizuar qëllimin e tyre, anëtarët e komitetit drejtues, shfrytëzuan ardhjen e Kryeministrit, u takuan me të e i paraqitën kërkesën e kthimit në Shqipëri. Mbreti e dëgjoi me vëmëndje kryeministrin e i tha: -Tashmë është tepër vonë për kundërshtarët e mi.

Më 1 shtator 1938, u festua me pompozitet të madh dhjetë vjetori i Monarkisë Shqiptare. Në shtator 1938, Koço Kota, në kontakt të vazhdueshëm me Mustafa Krujën, u informua për një “Lëvizje italiane” në ndihmë të patriotizmës shqiptare, për largimin e Zogut, me kushtin që në vendin e tij “shqiptarët të pranojnë një princ Italian”.

Në shtator 1938,Koço Kota,Mustafa Kruja, Qazim Koculi, Angjelin Suma, Kol Tromara, Rrexhep Mitrovica e Sejfi Vllamasi, firmosën një Marëveshje lidhur me aprovimin e “lëvizjes italiane” me kushtin e mospranimit të një princi italian për Shqipërinë. “Marëveshja e Parisit” quhej e shfuqizuar, në rastin e një pushtimi italian të Shqipërisë dhe vënien e sajë nën kurorën perandorake të Savojës.

Më 11 janar 1939, Konsullata italiane në Tiranë, e njofton Legatën italiane, për pregatitjen e një “Lëvizje për largimin e Koço Kotës nga Qeveria”.

Më 7 prill 1939, nisi agresioni ushtarak fashist italian në brigjet shqiptare.Mbreti sapo kapërceu Kapshticën e shpërndau qeverinë dhe kaloi në mërgim si Sovran i arratisur. Shqipëria mbeti pa një qeveri antifashiste në mërgim.

Më 7 prill 1939, Koço Kota i zhveshur nga funksioni i kryeministrit, u shkëput nga oborri mbretëror dhe u sistemua në Selanik.

Në periudhën pas 7 prillit 1939 deri në dhjetor 1944, ish kryeministri Koço Kota, i palëkundur në qëndrimin e tij atdhetar nuk u përfshi në asnjë Qeveri Kuislinge të formuar gjatë pushtimit Italian të Shqipërisë dhe në asnjë nga  Qeveritë Rregjencë të ngritura nga Ushtria Gjermane.

Në pranver të vitit 1944, për të ndalur marshimin sllavo-komunist në Ballkan, Mithat Frashëri ideoi një dokument lidhur me një aleancë të forcave të djathta shqiptare dhe greke, si dhe krijimin e një shteti dualist greko-shqiptar federatë apo konfederatë. Sipas Mithat Frashërit, delegacioni i të djathtës shqiptare do të përbëhej nga Dhimitër Fallo –përfaqësues i Ballit Kombëtar dhe Koço Kota –përfaqësues i Legalitetit. Projekti shqiptar pranonte si kufij jugorë të Shqipërisë ato të vitit 1939, ndërsa kërkonte mbështetjen greke për përfshirjen e Kosovës e tokave shqiptare në zonën e Dibrës në shtetin shqiptar të pasluftës. Kushti i palës greke, që pala shqiptare të pranonte dorëzimin e Vorio Epirit, ishte toleruar nga Balli, por u quajt i papranushëm nga Legaliteti. Dr.Koço Kota i kërkoi z.Dhimitër Fallo, një shtesë në materialin e ideuar nga z.Frashëri, si më poshtë: “Përfaqësia shqiptare kishte kujtuar gjithashtu se të dyja shtetet janë nën të njëjtin pushtim dhe që të ketë sukses bashkimi duhet të ndërmarin aksione të përbashkëta kundër gjermanëve”. Projekt-idea e fundit,e paraqitur nga Fallo-Kota, pra një front greko-shqiptaro-turk kundër nazistëve dhe rrezikut sllavo-komunist, ishte krejtësisht e papranushme nga  qeveritë kuislinge shqiptare dhe greke. Operacioni diplomatik e njëkohësisht politik i Mithat Frashërit, falimentoi në muajt prill-maj 1944.

Pas vendosjes së rregjimit komunist në Shqipëri

Një rruge në Kryeqytetin e Shqipërisë në Tiranë të cilës në vitet 30-të i qe vënë emri Rruga “Koço Kota”, pas pushtimit fashiste italianët asaj rruge ia hoqën emrin K.Kota dhe i vunë emrin Rruga “Galeaco Çiano”, pas vendosjes së rregjimit komunist po asaj rruge iu hoq emri Galeaco Ciano dhe iu vu emri Rruga “Qemal Stafa”.

Më 1945, Koço Kota u rrëmbye në Selanik nga një oficer i zbulimit sovjetik së bashku me oficerin shqiptar Andon Çeti, të ndihmuar nga EAM-i grek dhe u soll në Shqipëri. Në gjyqin special, Koxi Xoxe e akuzoi Koço Kota-n ndër të tjera, edhe për dy çështje.

Lidhur me mosorganizimin e rezistencës, kundër pushtimit fashist të 7 prillit 1939. Koço Kota ka thënë: Më 7 prill 1939, qeveria jonë jo vetëm nuk u frikësua, por organizoi edhe rezistencë të armatosur, ….Unë i kam sugjeruar Mbretit Zog për këtë rezistencë….Unë pjesën time si qeveri e bëra. Në rast se ka patur ndonjë neglizhencë, kjo u takon Forcave të Armatosura.

Lidhur me marrëveshjen greko-shqiptare, për krijimin e një shteti dualist greko-shqiptar

Koço Kota deklaroi: Nuk kam qenë kryetar i delegacionit shqiptar, nuk kam    përfaqësuar Partinë e Legalitetit, por kam qenë pjesëmarës në bisedime si person privat.

Pavarësisht nga mospërfshirja e tij në organizimet e kundërshtarëve të rregjimit hoxhist, dr.Koço Kota u gjykua nga gjyqi farsë i drejtuar prej shërbëtorit të serbëve Koxi Xoxe.

Ish Kryeministri u dënua me burgim nga gjyqi special komunist shqiptar dhe vdiq në vitin 1949, në burgun e Burrelit. Me vdekjen e Koço Kotës, segmentet sllavo-komuniste, realizuan eleminimin fizik dhe moral të njërit prej kundërshtarëve të tyre më të vendosur, atdhetarit të paepur e të pakopromentuar, i cili jetën e tij ja kushtoi vetëm atdheut dhe kombit shqiptar.

 

Pas vendosjes së sistemit demokratik pluralist,

Më 24 Nëndor 2014, Dr Koço Kota u dekorua nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë z. Bujar Nishani, me medaljen “Nderi Kombit” pas vdekjes, me motivacionin:  “Për veprimtarinë e çmuar atdhetare dhe përkushtimin e paepur në shërbim dhe mbështetje të çështjes kombëtare, shumica e të cilëve u martirizua nga diktatura çnjerëzore komuniste”.

----------

Historia e jetës dhe e veprimtarisë politike kombëtare e patriotit Koço Kota, dhe kontributet e tij plot devocion në interes të Atdheut  e të Kombit, nuk i harroj populli shqiptar, por i rregjistroi në analet dhe në kujtesën historike kombëtare, si pjesë e ndërgjegjes  kombëtare, duke e vendosur figurën e tij në panteonin e patriotizmit shqiptar . Populli nuk i harron bijtë dhe bijat e tij, që i kanë shërbyer me  ideal kombëtar, me shqiptarizëm dhe me përkushtim  kanë bërë e dhënë gjithçka që kanë mundur për interesat e popullit, të Atdheut e të Kombit, siç veproi edhe Dr.Koço Kota.

Harallamb Kota - Studiues i Historisë



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT