E premte, 26.04.2024, 05:36 AM (GMT+1)

Mendime

Shefik Shkodra: Marrëveshjet pa unitet

E marte, 29.12.2015, 08:00 PM


MARRËVESHJET PA UNITET E «PA DËSHIRËN E POPULLIT»

NGA SHEFIK SHKODRA

Qe pra, sa herë i kemi përsëritur të gjitha maskarallëqet e kësaj klase politike në Kosovë, e cila si tërësi e kabinetit qeverisës, nuk ka qenë në gjendje asnjëherë, asnjëri prej anëtarëve të distancohet vetë nga disa veprime të tyre. Nuk ka dashur askush të dëgjoj zërin e qytetarëve. Nuk i ka marrë serioze aspak reagimet, për të cilat opinioni publik ka qenë njëzëri dhe i ka gjykua si të papranueshme, që nga fillimi i veprimit të kësaj qeverie (shumë me vonesë) duke i bërë dy partitë llogaritë e tyre subjektive. Kanë bërë prova krejtësisht për interesa individuale e grupore e në dëm të qytetarëve. Po thuaj, të gjitha janë thënë. Veç që nuk është dashur dhe nuk ka mund jetë bërë askush prej qytetarëve të rëndomtë prokuror publik.

Është folur për privatizimin, për nepotizmin, gjyqësinë, arsimin e shëndetësinë, për sigurinë, etj. krejt duke iu falënderuar gazetës “Kosova Sot”.

Gjithqysh i pari madje edhe pa meritë

Ky popull, si tha njëri në një bisedë, aq i mençur aq inteligjent, ka lënë shumë thënie nga mendja e tij, e nuk mund asnjë shkencëtar e filozof i sotshëm t’i hedh poshtë në asnjë rast. Madje, me disa veprime të sotme krijojnë analogji me plot figura ato krijime popullore, si krahasimi, metafora, simboli,etj. që shpesh dalin me tendencë humori e satire ose parodi.

Njëherë një e vërtetë, jo fort moti, mblidhen disa veta në grup për të shkuar në një takim te një mik, për të cilin angazhoheshin që të zgjidheshin njerëz jo veç zotërinj, por edhe të urtë e të dijshëm, në mënyrë që ta ndihmonin një zgjidhje problemi në mes dy palëve. Në atë grup, po tentonte të shkonte edhe njëri, i cili s’ishte aq i njohur me vlerat e tij prej njeriu të dijshëm e të urtë. Madje ashtu si e njihnin të tjerët, shpeshherë bënte më shumë dëm me gabimet e tij në mese të ndryshme. Ishte egoist e arrogant e i pa logjikë në momente të caktuara. Për këtë kishin vendosur që kësaj radhe të mos e marrin në atë vend të panjohur, që do t’ua prishte ndejën dhe “mexhlisin”. Mirëpo, ky tipi gjithnjë sillej sikur edhe ai do të shkonte dhe pa një pa dy, u thoshte të tjerëve: “hajde, a po zgjidhemi, a po shkojmë...!” Kështu sillej, duke e menduar veten se, ai gjithqysh do të duhej të shkoj me kolegët. Pra, kjo sot ma kujton këtë farë meseleje ngjashëm me disa politikanë tonë të sotshëm. Apriori, pa e bërë një rekapitullim të veprimtarisë së vet për vitet e shërbimit në institucionet publike, shoqërore e politike, merr guximin që ta rivendosë vetveten në pozita të shtetit. Askush nuk i thotë vetit se ka gabime. Kjo është parë deri më tash, gjatë gjithë aferave të mbrapshta që kanë ndodhur sa ditë që ka një vit. Asnjëherë dhe asnjëri, qoftë te bishti apo të kryet, qoftë femër apo mashkull, nuk doli ta pranojë një gabim, së paku nga një departament i Qeverisë. E këto afera janë të shumta. Vetëm për  një vit a dy: ikën njerëzit familjarisht nga vendi; u përmendën dhe u analizuan afera të mëdha korruptimi, si ajo e asaj firmës së Devollëve, asnjëra prej partive e as qeveritarët nuk thanë asnjë fjalë, po as prokuroria. U fol e u shkrua për shëndetësinë, për njerëzit që janë jashtë këtij institucioni, është vështirë ta kuptojnë se çka po ndodh atje. U fol u shkrua mjaft për ngecjet e punëve në gjyqësi dhe prokurori, po u fol dhe u shkrua gjithashtu edhe për doganat, për konkurrencën e tregut, për ndërtimtarinë dhe uzurpimet e tokave. U shkrua mjaft edhe për figura të ndryshme, qoftë nga sfera ekonomike, tregtare (për rritjen ekonomike, punësimin e paktë e me nepotizëm, tregun dhe cilësinë e produkteve, çmimet e rrymës dhe të shërbimeve tjera) për ç’gjë askush nuk e ngriti dorën të deklarohet për lëshimet individuale dhe kolektive. Askush e asnjëherë nuk u duk personalitet, i cili do të thoshte, “eh, unë nuk dua më që të mashtrojë këtë popull dhe këtë vend! Dhe për mua mjaft është me kaq!” këta trimat tanë lidhin kontrata për sigurimin e vendeve udhëheqëse, pa dëshirën dhe vullnetin e popullit, sikur nuk ka më njerëz tjerë në Kosovë.

Personalitete që duhet studiuar me ndihmën e psikologjisë

Pse mendohet për një koncept demokratik dhe ai në të njëjtën kohë nuk kuptohet – nuk zbatohet? Po e marrin se, çdo kush prej njerëzve, ata që punojnë shpesh edhe mund të gabojnë. Mund të shkasin edhe në politikë politikanët e mirëfilltë madje. Por përsëritja e gabimeve njëri pas tjetrit, rregullisht në punët e përditshme qeveritare, pa llogaridhënie askush askujt, kjo s’ka të bëjë fare me konceptin politik demokratik. Dhe këtu ndalemi dhe mendojmë: a janë këta njerëz normalë që udhëheqin punë të rënda qeveritare, a janë jashtë normales, apo ndoshta këtë punë e marrin si lojë fëmijësh, por shumë konvencionale private – individuale pronësore. Sepse, ne kemi pa nëpër vende të ndryshme botërore, atje ku nuk ka mundur ta fshehë dikush aferën e korruptuar, apo kriminale, por edhe rrëshqitjen me fjalë të veta, si racist apo diçka tjetër, atëherë është dorëzuar dhe ka dhënë dorëheqje. E në qoftë se nuk është vetë-larguar nga vendi udhëheqës, institucionet përkatëse, kuvendi, prokuroritë, madje qytetarët patjetër do ta thërrisnin në përgjegjësi duke ia kërkuar dorëheqjen dhe dëmshpërblimin. Ne jemi gjithsesi për studim psikologjik edhe si etni në tërësi. Çka na bën që të mos japim përgjegjësi para askujt. Të jemi shumë egoist e kokëfortë, sidomos në mes veti. Dhe përgjegjësia u takon tipave, ata që e kanë ngrënë mollën e sherrit kudo qofshin, të tregohen shumë humanë dhe shumë të vendosur para sovranit të vet.

LDK – PDK në pushtet dhe inercioni me emblemë zyrtare

Të gjithë militantët e dy partive sidomos atyre më të mëdha, po edhe të tjerët janë shumë agresiv, duke pasur parasysh “luftën” kundër mendimeve të tjerëve. Madje, edhe atëherë kur shihet qartë se është naiv veprimi e gjithashtu prej naivit më të madh të akëcilës parti. Do të thotë, për iks gabimet e kanë të qartë edhe ata që prijnë në punët shtetërore, ose atyre përreth. Me një përcjellje dhe mbikëqyrje të mendimeve që e thellojnë këtë gjendje të keqe edhe nëpër komuna e bashkësi lokale. Shpeshherë individi, varësisht çfarë momenti, bëhet sikur një përfaqësues autoritar i veçantë. Kjo është një e përshkuar e konceptit politik në të gjitha sferat e shtrirjes qeveritare. Nuk mund të jetë e vlershme ajo pjesë e praktikës së qeveritarëve të dy-tri partive në koalicion, bie fjala, kur diç prek interesat thellësisht të qytetarëve. Nuk do të duhej të bëhej zgjedhja dhe inaugurimi i cilitdo përfaqësues institucional, pa pasur një fletë të mirë biografie dhe të veprimtarie të tij. Nuk do të duhej të thirreshin tipat në vlerat e luftës e të veprimeve të tjera duke shfrytëzuar këto epitete me barazim të korrupsionit, nepotizmit e kriminalitetit. Është thënë sa e sa herë se, nuk është kurrfarë shteti, kur gjyqësia dhe prokuroria dirigjohen me rekomandime politike, duke mos u prekur asnjë prej bandave ekonomike-tregtare, pasi ata ta kenë “lye kerrin” mirë me qeveritarët, apo me ndonjë deputet e zyrtar tjetër. Nuk është aspak e preferuar, që koalicioni, sapo të vijë në pushtet, të ndjek të gjithë të tjerët nga partitë dhe militantizmi i anës tjetër, pavarësisht kualifikimit dhe  punës së mirë që ai person bën dhe është i nevojshëm për ta kryer atë detyrë. Nuk është praktikë e mirë, që të gjithë koalicioni të përpiqet që të krijojë piramida në vende zyrtare dhe institucione publike sikur po ndodh me Universitetin Publik në Prishtë, (këtu mirë e di Ministria e Arsimit si dhe për raste të tjera) se secila parti ka formuar organizata rinore të studentëve dhe ata t’i “kurdis” kundër të tjerëve, duke kërkuar ndërrimin e kuadrove që nuk i konvenon asaj ane. Rinia nuk është në punën e vet, duke u marrë me punë politike dhe të ndarë në baza partiake. Ndodh edhe me konkurse për zgjedhje të kuadrove të arsimit, kandidati me preferencë politike, i deleguar. Vetëm në qoftë që nuk ka intervenuar dikush prej institucioneve, mund të pranohet tjetri. Kështu ka dalë, qe nga çerdhet e deri te Universiteti Publik. Në QKUK gjithashtu (e dimë mirë se, këtu do të duhej të jetë punë e Ministrisë së Shëndetësisë) çdo ditë rrjedh diçka që nuk pëlqehet prej një pale.

Dy partitë, LDK dhe PDK, do të mbahen mend për gabimet dhe sharrimet e pafundme. Këto dy parti, por edhe të tjera, nuk kanë reformë përbrenda prej fillimit. Këto janë të dhunshme autoritare prej diktati. Një mendim sjellin në brendinë e tyre një autoritet prej monisti. Në institucione e  bartin të njëjtën frymë. Për korrupsionin gjatë mandatit të tyre, që prej fillimit, për kriminalitetin ekonomik, (privatizimin e ndërmarrjeve, tokës dhe pasurisë shoqërore) e bartin emblemën zyrtare. Ikja nga vendi e qytetarëve dhe mos përgjegjësia e askujt për çfarë shkaku, s’është trajtuar asnjëherë. Është folur se, njëri prej atyre përfaqësuesve për privatizimin (Shala), nuk është paraqitur më në publik. Ku ndodhet ai person? A ka përgjegjësi ai apo dikush tjetër pas tij, kur është bërë privatizimi dhe mosfunksionimi i mjeteve financiare për vendin dhe punëtorët. Nuk ka asgjë të re nëse nuk ka ekzistuar kurrfarë synimi e plani për revitalizmin e ndonjë ekonomie me ndihmën e atij fondi (?) të shitjes së pasurive.

Nga humbja e besimit del dështimi

Si e përjetojnë ata dhe familja e tyre kaosin (pa shtëpi, pa bukë, pa veshmbathje) e bashkëvendësve, bashkëqytetarëve, bashkëluftëtarëve? Nuk ka rëndësi, a (s)ishte me mendimin e tyre, të gjithë qytetarët e këtij vendi do të duhej të trajtoheshin njësoj. Çka mund të thuhet për pensionistët me ato të ardhura mujore dhe pa kurrfarë beneficioni e shkallëzimi? Pse mendojnë këta përfaqësues se duhet të presin që të vdesin njëherë të gjithë nga kjo gjeneratë? Unë them se, për të tilla koalicione që po sillen vërdallë veç me “llafe” publikisht me njëri-tjetrin, e të gjitha të përfitimet për vete i bëjnë bashkë, nuk do të pres, kush do të jetë i gjallë se kanë për t’i rregulluar punët në cilindo resor, më së paku për këtë kategori shoqërore. Mjaft është folur se, ua ka ënda të plaçkitin e të vjedhin?! Dikush thotë, mos flisni pa dokument! Po. Po as dokumente kurrë nuk do të shohin qytetarët. Ne po shohim vetëm ngritje pallatesh, limuzina luksoze, hapje të ndërmarrjeve dhe dyqaneve për familje dhe të afërmit e tyre, të bartur me emra të të tjerëve. Ky është koalicioni që do të mbahet mend dhe do të shënohet në analet historike për të keq.

Ta merr mendja se, një njeri, i cili e quan veten përgjegjës para opinionit publik dhe thotë, si ka qenë rasti i LDK-së, përgjegjësi i kësaj partie se, kurrë nuk do të qeverisim me PDK, dhe pas pak kohe u ngjitën si kallaji për teneqe. E kemi thënë edhe më parë, Isa Mustafa ka menduar se, pasi të bëhet me PDK do të jetë në gjendje çfarëdo të bëjë. Sepse, nuk ka kush u del më para. Ata do të bëhen zot në krejt fushat pa kufizime.

Sa kohë që shërbehen (nuk dimë kush) me parat e qytetarëve

Shteti është përgjegjës për të gjithë dikasteret. Kush është përgjegjës pra, për Trustin pensionist dhe për parat e shitjes së pasurisë ekonomike (të luajtshme e të pa luajtshme)? Sa mashtrim i madh i bëhet këtij populli! Janë shkelje të të drejtave të njeriut në mënyrë permanente. AKM – Agjencia e Kosovës e Mirëbesimit, demek për privatizim duhet mirëbesim, e atë “mirëbesim” priteni prej një grupi, jo aq të mirëbesueshëm, po pak a shumë i korruptueshëm. Tjetra, diçka e paarsyeshme: e kemi nisur pagesën për trust, për aq kohë sa ka qenë afati në punë. Pastaj, pensionistit i ndalet trusti, duke u arsyetuar se, kaq ke paguar gjatë kohës së shërbimit që ke bërë. Trusti vijon të paguhet nga pasuesit në punë. Dhe nuk është dashur t’i ndërpritet askujt si e  drejtë e pensionistit. Pastaj, nuk i ka këta vjet, këta muaj, heqim këtu, vejmë aty... Është një lloj fondi që është krijuar dhe vijon gjeneratë pas gjenerate. Pse të ndërpritet? Këta farë “ekspertë” që e kanë planifikuar këtë punë e ligj, nuk mund t’i themi ndryshe, pos një akrobacion si për shumë çështje tjera. Këto mjete i nduk dikush tjetër pandërprerë, pensionistët që do duhej ta shfrytëzonin këtë të drejtë, sokëllijnë si qentë nën stelë. Ky është marifeti i Qeverisë tonë. I atyre që lavdërohen se, na jemi që mund ta udhëheqim këtë vend.

Për unitetin e qytetarëve, jo spica nga partitë

Kemi qëlluar të pashkollë. Të vonë. Pa informacione. Të shtypur dhe të dalë nga një skëterrë mijëvjeçare. Qytetarët janë fajtori kryesor, të varur e të pa stërvitur. Nga ky shkak dikujt i ka ra “rabushi” në dhëmbëzore, apo “shiu në kallamboq” si thotë populli. Por, fajin e kanë pra, vetë  qytetarët. Unë, ti, ai, ajo. Të gjithë ne në Kosovë, por edhe në diasporë. Rregullisht që prej vitit 2000, sillen të njëjtat figura, si të shahut. Si në ato shkallët e elektrike, pa zbritur asnjëherë, prej një ane në anën tjetër. Dhe e kanë pa se, mund të bëjnë çka të dëshirojnë, s’kanë gjëja kujt t’i përgjigjen dhe pse të përgjigjen për lëshimet që i bëjnë vetë. Deri këtu kemi arritur 16 vite pas largimit të Serbisë. Asnjë ndryshim. Pse qytetarët tanë nuk u përpoqën të bëjnë parti të reja mosivisht, e, për t’i mundur këta njerëz që kanë një ide manipulative në qeverisjen e vendit. Ndoshta u mungon guximi për të sjellë diç të re në jetën ekonomike, shoqërore e politike. Këta të sotmit e kanë një platformë – sui generis. Shpifur nga vetja e për vete: kush nuk është me ne, nuk mund të jetojë në këtë vend! (Pikë). Këta kanë mësuar diçka që atyre u konvenon: Për t’i përçarë më shumë qytetarët e për t’i armiqësuar në mes veti, pa ndonjë dobi për ta, ose shumë pak. Ata i ndjellin nga një krye-çetës me ndonjë kockë dhe ai “kërkushi” bëhet manipulanti më i madh në krejt rrethin e vet. Këtyre u vjen era diktatorë nga një frymë moniste. Fare s’ka të bëjë ajo shprehje që e përdorin për çdo ditë: Demos – kratia. Gjeneratat e më hershme i kanë mësuar këto teori më para këtyre. Po ka prej atyre tipave servilë, që i thotë vetit intelektual, akademik, shkrimtar, poet “i madh”, po nuk dihet për çfarë e kanë atë frymën e tyre. Atë qëllimin dhe idealin që merren me shkarravinat e tyre. Dje (ai intelektual i gjeneratës, apo më herët) ishte për “Bratsvo i Jedinstvo”, sot pyet, a ka para për mua, një vend pune, se unë nuk merrem me punë politike. Unë do të heshti, ose unë ju shërbej ju, etj. Çfarë thotë ai krye-akademiku (nuk kam personale asgjë, as që njihem me të) nga ai Mrizi i tyre: “janë ligjet. Nuk merremi na me politikë ditore. Kushtet duhet t’i rregullojmë pak më mirë këtu për ne ...” (fjala është për ata akademikët)  Askush s’ka thënë që Akademia të merret me politikë ditore. Mendoj që nuk janë krejt ditore, por janë të gjitha ditore dhe po vijojnë të mbeten ditore e nocturno...Po e përsëriti edhe njëherë një thënie: atë që nuk e prek në lëkurë, te na s’ka intelektual që do t’i kundërvihet një veprimi të përgjithshëm negativ për qytetarët. Akademikët, mund të shkruajnë e flasin edhe pa protokoll akademie. Nuk kanë nevojë t’ia mbajnë krahun asnjë partie. Vetëm dukuritë shoqërore që e dëmtojnë këtë vend, duhet t’i përmendim dhe të sugjerojnë çfarë mund të rregullohet, nëse dikush do të dëgjonte...

Shkeljet kushtetuese – opozita për këtë nuk përfillet

Sa herë që është marrë qëndrim e vendim për një çështje pa u këshilluar dhe pa e debatuar si duhet temën, kanë dalë edhe mosmarrëveshje. Këto mosmarrëveshje në mes pozitës dhe opozitës (VV), të shumtën janë shuar për pak kohë, varësisht kur është shfaqur ndonjë aferë e re në skenën politike. Kështu, ka kaluar kohë për mosmarrëveshjen e kundërshtuar. Mirëpo, kësaj radhe, Isa Mustafa, kryeministër dhe Hashim Thaqi, z/kryministër dhe ministër i PJ, e kanë bërë një kurth për të rënë si duket vetë, hapur para opinionit publik. Dhe s’është çudi. Nuk ua ka prish “tetikun” askush për asgjë. Dhe e kanë tradhtuar vetveten. Ata i kanë sakrifikuar shumë çështje tjera të qytetarëve për leverditë e tyre. Tashmë Marrëveshja në Bruksel dëshmon një fakt se, nuk duhet të merret për asgjë opozita. Dhe ajo nuk është vetëm për ngritje gishti dhe për të marrë paga mujore, por për të dhënë përgjegjësi para elektoratit dhe të gjithë qytetarëve të vendit. Pse, dikush e mendon vetën superior, kjo nuk do të thotë që, “ata që shkojnë për tokë” nuk janë të gjithë të barabartë, më parë si njerëz. Madje, ekzistojnë dokumentet juridike me të cilat do të duhej të udhëhiqej vendi. Dhe ato me një emër – Kushtetuta e Republikës së Kosovës, domosdo – demokratike! Sado që mjetet për protestime të opozitës nuk kanë qenë aq të sofistikuara, më duket se, kësaj radhe janë detyruar ta bëjnë edhe atë që nuk do të ishte aq e preferuar. Nëse Marrëveshja e Brukselit ishte vetëm në suaza parimore dhe jo edhe akt juridik, pse pra u lejua kaq kohë të merret opozita dhe i gjithë opinioni publik me këtë çështje. Kur bëhen këto gabime, si rrahje, thyerje dyersh e sulm në seli të partisë, burgosje e largim të opozitës nga Parlamenti, atëherë duhet të pasoj, pra tash, parimisht edhe gjykimi i sjelljeve të Qeverisë dhe të Parlamentit.

Prandaj, opozita, duke përjashtuar metodat e veprimit, shumë mirë e ka dhe vendosmëria e tyre do të duhej të vijojë. Sado që kritikat hidhen mbi te nga të gjitha anët. E them këtë, për të treguar se, nuk mundet dikush, kushdo qoftë që të luaj me fatin e këtij vendi si të ishte arë e babës ....dhe të mos vlejë për dikë akti më i lartë juridik e as ligjet tjera.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora