E marte, 09.08.2022, 03:17 AM (GMT+1)

Kulturë

Reshat Nurboja: Shtegtimi nëpër kohë

E hene, 26.01.2015, 08:11 PM


SHTEGTIMI NËPËR KOHË

Shtegtimin tonë nëpër kohë e vazhdojmë me tre figurat emblematike të letërsisë, kulturës dhe gazetarisë të Pejës dhe të Kosovës. Sejdi Berisha, Azem Shkreli dhe Ramiz Kelmendi.

Nga Reshat Nurboja

AZEM SHKRELI, lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje,ne Shkollën e Haxhajve j ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit.

- Ka botuar këto vepra në poezi Buzlat (1960), Engjëjt e rrugëve (1963), E di një fjalë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes, Shtatë nga ata, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj.

Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.

-Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim "Zogj dhe gurë", botuar më 1997.

Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare. Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli, ka mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (Hivzi Sulejmani) ajo pak prozë e autorëve jo fort talentuar, kryesisht trajtonte tematikën e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit.

Kështu Azem Shkreli shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektiv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin "Karvani i bardhë" si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin "Sytë e Evës", që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër... Vdiq në vitin 1997.

RAMIZ KELMENDI, ka lindur më 20 dhjetor 1930, në Rugovë të Komunës së Pejës dhe është njëri ndër shkrimtarët e njohur shqiptarë, shkrimet i ka filluar me tregimin “Barka e Peshkatarit” i cili është tregimi i pare që shkroi autori dhe me të cilin u paraqit në konkursin e parë për tregime të gazetës “Rilindja”.

U botua në “Rilindje” më 28.III.1954.

          Shkrimtari, publicisti , përkthyesi, dramaturgu dhe gazetari Ramiz Kelmendi i dha letërsisë shqipe një numër të madh veprash letrare, prej të cilave ai i veçon vëllimin me tregime “Ahmet Koshutani”, pastaj romanin “Shtatë persona ndjekin autorin” si dhe librin “Letrat nga Ulqini”. I njohur për humorin e tij, por mbi të gjitha për erotizmin e shprehur në veprat letrare, Ramiz Kelmendi mbetet një prej figurave kryesore të letërsisë shqipe.

          Ramiz Kelmendi i takon plejadës së parë të shkrimtarëve të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore. Autor i më se tridhjetë veprave letrare, si: “Shtatë persona ndjekin autorin”, “Dy rrëfime”, “Heshtja e arnëve”, “Ahmet Koshutani”, “Abrakadabra”, “Shtegtimet e mia”, “Kapuç me mëngë”, “Letra prej Ulqini”, “Vija e Vrragë” etj., janë vetëm disa nga titujt e tij voluminoz në prozë. Profesor Ramiz Kelmendi pas një karriere të gjatë gjysmëshekullore në gazetari hapi të parën shkollë private të gazetarisë (më pas Fakulteti i Gazetarisë), “Faik Konica” në Prishtinë, nga dera e së cilës dolën qindra gazetarë, që sot bartin mbi supet e tyre “barrën” e këtij profesioni! Në vitet e ashtuquajtura “të arta” të skenës teatrore në Kosovë, profesor Ramiz Kelmendi ishte drejtor i Teatrit Kombëtar në Prishtinë

Profesorit, gazetarit, publicistit dhe shkrimtarit, Ramiz Kelmendi në vitin 2014 nga Lidhja e Shkritarëve të Kosovë i’u sështë nda çmimi për vepër jetësore “Esat Mekuli”.

SEJDI BERISHA(Shkrimtar dhe publicist)

Sejdi (Bajram) BERISHA u lind me 10 qershor 1947. Që në shkollën fillore, fillon të shkruajë poezi, të cilat, së pari i botohen në gazetën “Flaka e Vëllazërimit” të Shkupit e pastaj, në “Pionieri” dhe në “Rilindja për fëmijë”. Nga këtu zë fill edhe zhvillimi i talentit të tij edhe si shkrimtar edhe si gazetar.

Në vitin 1972, punësohet në Radiotelevizionin e Prishtinës, respektivisht, në Radio-Prishtina si korrespondent nga Peja, prej nga raporton dhe informon opinionin e gjerë për ngjarjet dhe aktivitetet e gjithëmbarshme nga ky rajon: Peja, Deçani, Klina dhe nga Istogu. Në këtë detyrë, ai ishte gjithnjë deri në korrik të vitit 1990, kur policia serbe me dhunë i dëbon nga vendet e tyre të punës të gjithë punëtorët shqiptarë të RTP-së(Radiotelevizionit të Prishtinës). Për punë cilësore dhe profesionale, disa herë është shpërblyer dhe ka marrë mirënjohje. Në ndërkohë, pesë vite ka qenë edhe gazetar-korrespondent i Televizionit të Prishtinës, kurse pas vitit 1980, edhe gazetar i “Rilindjes”.

Ky krijues, publicist dhe kronist, në nëntor të vitit 1982 nxori numrin e parë të gazetës “Peja” dhe ishte themelues i Radio-Pejës (1981). Në vitin 1982 ishte edhe drejtor i këtij institucioni me rëndësi të veçantë informative dhe shoqërore, por duke mos u pajtuar me koncepcionet e udhëheqjes së atëhershme të Kuvendit Komunal të Pejës, nën patronazhin e të cilit ishte edhe Radio-Peja, e që një koncepcion i tillë nuk lejonte hapësirë për punë kreative, cilësore dhe profesionale, tërhiqet nga kjo detyrë dhe sërish kalon me punë në Radio-Prishtina.

Sejdi BERISHA është njëri prej punëtorëve më të mirëfilltë të kulturës në Pejë dhe më gjerë. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i Lidhjes së Gazetarëve të Kosovës.

Deri me tash ka botuar këto vepra:

1.-Kombinati i lëkurë-këpucëve në Pejë

(monografi, 1984)

2.- Tronditje (poezi, 19991)

3.- Çmendia në rreth (prozë, 1993)

4.- Feniksi (poezi, 1993)

5.- Simfoni pritjeje (poezi, 1995)

6.- Zejtarët e Pejës (monografi, 1995)

7.- Gabim stinësh (poezi, 1996)

8.- Në cep koha (poezi, 1997)

9.- Vrasësi i gjumit (roman, 1999)

10.- Heraldika (poezi, 2000)

11.- Lumturia e dhembjes (eseistikë, 2002)

12.- Freskia e pluhurit (poezi, 2002)

13.- Piramida e ironisë (eseistikë, 2004)

14.- Plagë në pikturë (poezi, 2005)

15.- Fjala e gjakut (tri poema kushtuar

Prekazit, Gllogjanit dhe Koshares-2006)

16.- Shpërputhje kohe (ese, shkrime kritiko-

letrare,vështrime jete, 2006)

17.- Kaq shumë vetmi (poezi të zgjedhura-

2007)

18.- Dashuro një minutë (poezi dashurie-2007)

19.- Homazhe tek mendja (eseje-2008)

20.-E bukura e rrugëtimit (këndvështrime

letrare-2008)

21.-Fjalë e pathënë (poezi - 2009)

22.-Zejtarët e Pejës (monografi-Botimi i Dytë - 2010)

23.-Kërkoj dhembjen time (poezi - 2011)

24.-Mallkimi i heshtjes (Shkrime refleksive-2011)

25.-Teatri i Pejës (monografi-2012)

26.-Vargje të këputura (poezi-2012)

27.-Përtej shkrimit(Shkrime të plasura, baladë

shkrimesh, kujtime, mendime, vlerësime dhe biseda

për njeriun, dhe të tjerët për mua) - 2013

28.-Gjethet e hirta të zemërimit (poezi-2014)

 

Në valët e Radio-Prishtinës i janë emetuar radio-dramat:

29.- Valsi i kuq (1976) (Kjo dramë është

përgatitur dhe shfaqur edhe në Teatrin

Popullor të Pejës-premiera është shfaqur

me 20.03.1976).

30.- Vdekja e bardhë (1985)

31.- Misteria (1987)

32.- Obelisku pa adresë (2005)

Kjo monodramë është përgatitur dhe shfaqur nga Trupa teatrore e Teatrit të Klinës më 27 prill 2007 në kuadër të Ditës së të pagjeturve dhe të 40-vjetorit të punës së aktorit, Ismet Krasniqi.

Ndërsa, në prill të vitit 2013, është përgatitur dhe shfaqur në Teatrin “Istref Begolli” të qytetit të Pejës, kurse është shfaqur edhe në shumë qytete të tjera të Kosovës dhe më gjerë. Më 17 janar 2014, Teatri i qytetit të Pejës, dramën “Obelisku pa adresë” e ka shfaqur edhe në Teatrin Kombëtar në Prishtinë.

Sejdi BERISHA jeton dhe vepron në Pejë. Që nga viti 2002, disa herë ka qenë anëtar i Bordit të Teatrit Profesionist “Istref Begolli” të Pejës, po ashtu, ka qenë anëtar i Këshillit Artistik të Galerisë së Arteve të Qytetit në Pejë dhe për një kohë të shkurtër edhe Kryetar i Bordit të Qendrës për Mirëqenien e Gruas (QMG-së) në Pejë.

Në Manifestimin kulturor “Kultura pejane ndër vite”, që u organizua më 24 nëntor 2011-30 nëntor 2011, u nderua me Çmimin “Krijues i dalluar i vitit”.

Ndërsa, në Poetekën Mbarëkombëtare “Ndue Bytyçi” që u mbajt në Tiranë me 26 gusht 2012, u nderua me Çmimin e Dytë për poezinë më të mirë.

Në Takimet e Para Letrare Tradicionale Kombëtare “Ora e Tahir Deskut” në Klinë, më 08 shtator 2014, u nderua me Çmimin e Parë për poezinë më të mirë të lexuar në këtë manifestim letrar kombëtar.

Është fitues i Çmimit “Din Mehmeti”, në Mitingun e 50-të të Poezisë në Gjakovë, për librin me poezi, “Gjethet e zemërimit” si libri më i mirë i botuar ndërmjet dy mitingjeve(09 maj 2014).

Është i prezantuar në Antologjinë e autorëve të cilët u kanë kushtuar vargje nënave dhe femrave të botuar në Londër, pastaj në Antologjinë Ars Poetika, Botues MEDAUR.

Është i prezantuar në Antologjinë e Bibliotekës së Prizrenit, “Nga gjerdani kombëtar”, e cila është botuar me rastin e 70-vjetorit të kësaj biblioteke, e cila është më e vjetra në Kosovë, e në të cilën antologji janë prezantuar shtatëdhjetë krijues të përzgjedhur nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora.

Në 70-vjetorin e Bibliotekës së Prizrenit, poezia e tij e botuar në Antologjinë e këtij asociacioni, është shpallur poezia më e mirë e botuar në këtë antologji.

Ky krijues me krijimet e veta është i përfshirë edhe në antologjinë e Adem Zaplluzhës dhe në librin e krijuesve kombëtarë të autorit, Sadik Bejko etj.

Është fitues i Çmimit “Vendi i Parë” për poezinë më të mirë të lexuar në Takimet e VI-ta Letrare Tradicionale Kombëtare “Ora e Tahir Deskut” në Klinë (09 shtator 2014).

Është një prej hartuesve të Antologjisë të Poetëve të Malësisë së Gjakovës (2014).

Ndërsa, në Takimet ndërkombëtare “Trirema e poezisë Joniane” në Sarandë, nga Kryetari i Bashkisë së këtij qyteti me vlera të larta shpirtërore, kulturore, historike dhe turistike, u nderua me bustin e DEA-Hyjnesha në Fron e Butrintit (Sarandë, 27 shtator 2014).

Është fitues edhe i shumë çmimeve të tjera letrare dhe publicistike e kulturore në Kosovë dhe Shqipëri.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora