E marte, 22.06.2021, 12:17 PM (GMT+1)

Kulturë

Bedri Tahiri: Tregimtari popullor Mehmet Tahiri

E marte, 20.01.2015, 09:00 PM


Portret tregimtari popullor

Mehmet  (Tahir) TAHIRI

Nga Bedri Tahiri

Mehmet Tahiri u lind më 1. 08. 1935 në Galicë të Drenicës. Rrjedh nga një familje e njohur për burrëri, bujari, mençuri e atdhedashuri. I ati, Tahiri, qe i biri i Shaban Tahirit, kryeplakut galicas, i cili shquhej për urtësi, burrëri, trimёri e bujari dhe, në Epopenë e Arbërisë së Vogël, më 15 korrik 1924, u pushkatua nga forcat serbe, tek përpiqej t’i nxirrte jashtë rrethimit familjet galicase.

Tahiri ishte histori në vete. Ai, në vend të shatit e parmendës,  parapëlqente pushkën, atin  dhe vizitat nëpër miq e dashamirë. Dy herë vajti ushtar, njëherë për vete e herën e dytë (bedel) për të vëllain, Smajlin. Shkoi vullnetar (gjynli) më 1917, duke vajtur deri në Galici, dhe është ndër të rrallët që arriti të kthehej gjallë prej atyre betejave ruso- turke.

Për shkak të atyre zezonave, Tahiri u martua në moshë të shtyer me Fatimen nga  Klina e Poshtme. Në fillim fati e shqelmoi keq, shtatё  fëmijë i vdiqën radhazi. Megjithatë, edhe pse me vonesё, krijoi familje, iu rritën pesë fëmijë: Fazilja, Mehmeti, Jonuzi, Sheremeti dhe Zahidja.

Pra, pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh martesë u lindi Mehmeti, për të cilin thonë se ishin gëzuar edhe trarët e shtëpisë. Djaloshi imëtak ishte natyrë e zgjuar. Mësimet e para i mori në Prekaz të Epërm dhe ishte nxënësi më i mirë në gjithë shkollën, ku mësonin nxënës nga shumë fshatra të Drenicës. Kishte fat që për mësues ta kishte Shaban Jasharin, babain e komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari.

Përkundër kësaj, kur erdhi koha të vazhdonte edhe në klasat e larta në Balinc e paskëtaj të emërohej mësues, kushtet e rënda ekonomike e detyruan ta ndërpres shkollimin dhe t’u rreket punëve të shtëpisë, për ta mbajtur gjallë familjen.

Megjithatë, ai mbeti njeri i ditur dhe u bë mjeshtër i hollë, që, çka i shihte syri ia punonte dora. Njohuritë matematikore dhe intuita e tij  mahniste edhe ata që kishin zënë dije të larta. Llogaritja e përpiktë e materialit ndërtimor dhe konstruktimi i çative si të mbira të shtëpive, i dhanë emër në gjithë Drenicën. U dallua edhe si matës i mirë e i drejtë i ngastrave të pronave të atyre që ndaheshin.

Mirëpo, ajo që e shquante më së shumti ishte leximi artistik i librave me folklor shqiptar, shkrimi i bukur dhe mbamendja prej eruditi. Këngët kreshnike dhe përrallat që i kishte mësuar nga i ati, Tahiri, i interpetonte për lakmi, me një rrjedhë të logjikshme e shumë mbresëlënëse.

Mori pjesë dhe kontribuoi mjaft edhe në Projektin hulumtues shkencor “Eposi i kreshnikëve 2012- 2014”, udhëhequr nga epikologu i palodhur dr. Zymer Neziri. Këngët e rrëfyera prej tij i mblodhi e i sistemoi drejtoresha e Muzeut të Vushtrrisë, znj. Shukrane Begu, të cilat u botuan në vëllimin DRENICA.

Dhe, më 15 janar 2015, kur, në Institutin Albanologjik, në Prishtinë, u bë përurimi i 15 vëllimeve paralibra, Mehmet Tahirit iu nda kjo Mirënjohje.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora