Kulturë
Murat Gecaj: Kur e pushoi zërin bilbili
E marte, 20.01.2015, 08:34 PM
Me rastin e
33-vjetorit të rënies:
KUR E PUSHOI ZËRIN BILBILI…
(Në kujtim të Isuf e Bardhosh Gërvallës)
Nga Prof. Murat Gecaj
1.
Këtu e katër vjet më parë, shkrova e publikova një shkrim, në kujtim të martirëve të Kosovës, vëllezërve Isuf e Bardhosh Gërvalla. Dhe ja, përsëri tani, me rastin e 33-vjetorit të rënies së tyre, u nxita nga e bija e Isufit, Donika, që ta ripublikoj këtë shkrim, paksa të shkurtuar. Ajo bëri shënimin e mëposhtëm në Internet, me këto fjalë prekëse e domethënëse:
“Nesër, më 17 janar 2015, familja jonë do të jetë në vendlindje, në Dubovik, te varrezat, në të cilat prehen nën bli Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla. Kanë kaluar 33 vite, që nga atentati i vitit 1982, i kryer nga UDB-ja jugosllave.
Së bashku me miq të familjes, shokë të Babit dhe të Bacës Bardhosh, banorë të Dubovikut dhe qytetarë të moshave të ndryshme nga Dukagjini dhe e gjithë Kosova, do të takohemi nesër, në orën 12.00, te varret.
Falënderim i veçantë u takon nxënësve të shkollës "Jusuf Gërvalla", të cilët prej vitesh po e vazhdojnë një traditë dinjitoze. Mirënjohja jonë e thellë u përket të gjithë atyre, që në këto ditë aspak të lehta për ne, na qëndrojnë afër çdo vit, edhe pse tashmë kanë kaluar tri dekada, duke na e bërë më të lehtë përballimin e tyre.
2.
Shpesh herë kam dashur te shkruaj diçka, në kujtim të martirit të Kosovës, Isuf Gërvalla. Kisha dhe një arsye për ta bërë këtë gjë, të cilën do ta shpjegoj më poshtë. Dhe ja, sot po lexoja në Internet dhe mësova se më 17 janar 2011 mbushen 29 vjet që nga dita e ndarjes së tij tragjike nga jeta, bashkë me villain, Bardhoshin. Është shkruar e folur shpesh dhe nuk më mbetet ndonjë gjë e re për të thënë, lidhur me atë masakër, që u inskenua me kujdes dhe paramendim nga agjentura e UDB-së Jugosllave.
Duke parë
disa fotografi të Isufit në Internet, njërën nga të cilat po e ripublikoj, më ra në sy jo vetëm pamja e
njohur e tij, me një kitarë në dorë, por dhe përbri tyre titulli i një kënge
domethënëse e kupotimplote: “Kënga e bilbilit”…
Pra, përsëri tani dëgjohen tingujt e kitarës së Isuf Gërvallës në trojet tona amtare dhe ato nuk do të pushojnë kurrë në tokën e larë me gjak e djersë të Kosovës, e cila u gëzohet fitoreve të arritura dhe kujton e nderon të gjithë ata, që për të nuk kursyen dijat as gjakun e tyre.
3.
Në ato vite, punoja në shtyp dhe ndieva shqetësim të veçantë, kur mora vesh se Isuf Gërvallën, i cili ishte me origjinë nga krahina ime dhe lindur e rritur në Kosovë, e kishin vrarë mizorisht në Gjermani, bashkë me vëllain, Bardhoshin. Për ta nderuar jetën e tij, vendosa të shkoja e të takoja bashkëshorten, Suzanën, e cila asokohe ishte vendosur me banesë, diku në afërsi të Shallvareve, pra në qendër të Tiranës. Nuk më kujtohen hollësira, por mbaj mend se aty gjeta dhe bijën e tyre, Donikën, e cila ishte nxënëse dhe ndiqte Liceun Artistik “Jordan Misja” të Tiranës, për veglën e flautit.
Më vonë, po duke qenë gjithnjë në shtyp, më ra rasti që të merrja për botim një fotografi të Donika Gërvallës, e cila po i binte flautit, me shoqërimin e një ish-kolegut të saj në atë Lice, Grid Rroi, nga Shkodra. (Më pas kam mësuar se tani ai jeton në Amerikë). Nuk më kujtohet mirë, por ajo fotografi mund të jetë publikuar, në atë kohë, në gazetën “Mësuesi”, ku punoja redaktor. Ndërsa më pas, atë e futa në sirtarin e tavolinës dhe e kam ruajtur, si një gjë të rrallë e të çmuar.
Tani, unë dëshiroj të shpreh nderimin dhe respektin tim të thellë për Isuf Gërvallën, bashkëshorten Suzanë e të bijën, Donikën dhe për vëllain e tij, Bardhoshin dhe gjithë familjarët e të afërmit e tyre.
I paharruar qoftë kujtimi i Isuf e Bardhosh Gërvallës dhe i gjithë martirëve tjerë të Kosovës sonë! (Tiranë, 15 janar 2011)