E shtune, 07.12.2019, 01:48 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Olympus has fallen!

E shtune, 02.08.2014, 03:59 PM


Olympus has fallen!

Nga Elvi Sidheri

Një film nga të shumtët e kohëve të fundit, që flet si zakonisht për një sulm imagjinar ndaj Shtëpisë së Bardhë në Uashington DC, quhet kështu si titulli paksa guximtar i këtij shkrimi...

Bëhet fjalë në film për ndoca të marrë koreanë që mësyjnë simbolin e pushtetit tokësor gjysëm të perëndishëm të botës dhe realitetit të globalizuar në të cilin të gjithë jetojmë, për një arsye të tillë, rezidenca e presidentit të SHBA, është krahasuar mençurisht me Olimpin e antikitetit helen.

Olimpi ynë ndërkohë, i rënë edhe ai pa shumë nder, apo aq më pak ndonjë grimcë lavdie, është Banka e Shqipërisë dhe kasafortat e depozitat e saj rrëzë malit të Dajtit...

Aty ku një person dhe një grup gazmor bashkëpuntorësh të tij të zellshëm (me “zell” të spikatur për të vjedhur, se për të punuar, si shumë kolegë të tyre të punësuar në shtet, ia bëjnë rregullisht, kënaqësisht “topin” detyrës së tyre, për të cilën paguhen nga taksapaguesit shqiptarë)...sistematikisht rezulton të kenë “zgrapur” lekë sa dhe si e kur ua ka dashur qejfi.

Versioni i njohur zyrtar që mëton të sqarojë mënyrën sesi këto shuma lekësh janë vjedhur e më pas nxjerrë jashtë ambienteve të depozitimit të BSH, të bën menjëherë që të të vijnë domosdo në mendje, skena ku protagonistë janë hajdutët e vegjël “pabuksa” të supermarketeve të mëdhenj, ata që një bukë e fusin poshtë bluzës, një pako makarona në xhepin e xhupit, nën rripin e brezit ngucin një rrotë sallami dhe në brendësi të rrobave të trupit çfarë të munden tjetër...

Kurse në kasë paguajnë vetëm për ndonjë kanoçe me lëng të freskët, sa për sy e faqe e për të mos lënë dyshime!

Me këto imazhe para syve, tani po përpiqesha që t’a përfytyroja edhe Arsen Lypenin tonë të depozitës në Linzë, që i ngrati është detyruar vit pas viti, ditë pas dite, që të mbushi çdo skutë të veshjeve të tij, me miliona lekë, duke u rënduar i gjori përditë me nga 20 kile lekë së paku.

Torturë e vërtetë do ketë qenë për të!

Si nuk u gjet dikush që t’ia mundësonte vjedhjen e tërë lekëve brenda një dite?!

Të kishte psonisur ky burri i botës një kamion (shtatë miliardë lekë, peshojnë mjaft doemos)...dhe t’a kishte mbushur majë më majë, “tumbllas” me gjithë lekët që siç tanimë e dimë, pati pasur durimin stoik që t’i vidhte përgjatë kaq viteve.

Po sikur paralel më Arsen Lypen-Robin Hudin e sipërcituar, nëpër sektorë të tjerë shtetërorë, “kolegë” të tij, të kishin bërë rrengje të ngjashme, si do të venin punët ndërkohë?

“Mysybet” (sipas Jovan Bregut)...dhe “Çorap” (sipas Xha Sulos)!

Në Ministrinë e Mbrojtjes, ndokush mund t’a kishte gjetur të udhës, që të ndukte armatime pafund, kundërajrorë, mitralozë dhe tanke (ndjesë paçin, kur i kishim akoma), avionë të vjetër “Mig” rusë e kinezë, e ç’të mundej, duke bërë me to, çfarë t’ia thoshte truri...

Në ministri të tjera, as që guxoj të imagjinoj çfarë më tepër ndërkohë!

Duke cituar gjithashtu sipas së njëjtës logjikë të mësipërme edhe një frazë të famshme nga versioni i dubluar në italisht, i filmit të të madhit regjizor komik, Mel Brooks, pra nga “Robin Hood: Men in tights”...kujtoj që ky heroi me gjak fisnik që fshihej bashkë me miqtë e tij hajdutë në pyllin e Shervud, pranë Notingamit, tregohej të thoshte kështu: “Sono Robin Hood, rubo ai ricchi, per dare ai poveri!”

Thënë shkurt në shqip: “Jam Robin Hudi dhe u vjedh të pasurve, për t’u dhënë të varfërve!”

Njëfarë dikushi ndërkohë, një punonjës shumëvjeçar i Bankës së Shqipërisë, thuhet të ketë arritur të vjedhë pa i hyrë ferrë në këmbë deri para disa ditësh, jo pak, por shumën çoroditëse të plot 7 milionë dollarëve.

Thagmë?

Një alamet thagme kjo, nga ato që të lënë pak të thuash, pa fjalë e pa mend njëkohësisht!

Si i mori, nga i vajti mendja këtij tipit, si ia polli truri këtë ide për të ndërmarrë një vjedhje të tillë të jashtëzakonshme, ku i çoi gjithë ato lekë, si i shpenzoi?

Këto janë gjithësesi të tëra pikëpyetje legjitime që i kanë lindur kujtdo, pasi kjo ngjarje është bërë e njohur për publikun e gjerë nga mediat dhe organet përkatëse.

Dëmi tashmë është bërë e si zakonisht në Shqipëri, “pas pilafit”...domethënë kur kemi arritur bashkërisht, si popull dhe institucione shtetërore, në fazën e “të marrit me lëng, se mishi u mbarua”, atëherë ia nisin diskutimet e gjata pa fund e pa krye, në kërkim të dëshpëruar të një arsyeje e arsyetimi të qenësishëm, lidhur me ngjarje çakordues-turpëruese të këtij lloji.

Nuk do mend që në situata të përafërta, ose paralele me vjedhjen masive të depozitës së BSH, sikur Fort Knox-i në SHBA të ishte bërë objekt i një “firoje” të ngjashme shumëmilionëshe, me atë rast, tërë sistemi amerikan i thesarit, do të ishte tronditur rëndë me themel.

Kudo tjetër në botë, përveç vendit tonë gjithashtu!

Por Shqipëria është gjithmonë një “casus” më vete, ka qenë e kështu do të jetë, ndaj krahasimet nuk kanë vend.

Mënjanë marrjes apo jo të përgjegjësive për një skandal të këtyre përmasave uluritëse, nga ndokush në këtë institucion madhor financiar të shtetit shqiptar, sido që të jetë, në sy të bie menjëherë fakti se shpjegimet që ofrohen lidhur me mënyrën sesi hamendësohet të jenë shpenzuar këto male me lekë të vjedhur, janë vërtetë tepër fantazuese në kufijtë e skajshëm të idiotësisë.

Del që ky Arsene Lypeni shqiptar i depozitës së Linzës të BSH, ky vjedhës i qetë xhentëllmen me xhepat, mbathjet e çorapet mbushur dingas, plot me lekë të vjedhura, ky njeri sypatrembur të cilit për vite me rradhë, s’ia ka bërë syri tërrt, teksa i ka marrë lekët me thasë e me lopata brenda një institucioni të sigurisë së lartë, ky tipi pra, t’i ketë lënë gjithë këto shuma marramendëse lekësh, në bixhoz e baste ndeshjesh.

Lojëra me letra, poker?!

Në një eventualitet të tillë të habitshëm, zotëria e tij apo ndryshe ai që patjetër me të drejtë, mund të pagëzohej si “mister 7 milionëshi”, do të duhej t’i kishte pasuruar me rradhë tërë kazinotë e Shqipërisë, ato të Maqedonisë, Greqisë, e deri kazinotë italiane të San Remos e Campione d’Italia-s si dhe padyshim atë më të njohurën, në Montecarlo.

Me 7 milionë dollarë në dispozicion, Arsen Lypeni ynë i depozitës së Linzës, mund të kishte paguar për t’a vënë emrin e tij me shkronja të mëdhaja...edhe në ndonjë nga panelet publicitare që shihen rëndom, në sfond anës pistës qytetase të Formula 1 në Monaco!

Gjithashtu, fjalë për këtë “dorëshpuarin” shqiptar, mund të qenë përhapur gjer në Mekën e bixhozit planetar, në Las Vegas, në Atlantic City e pse jo, edhe nëpër kazinotë e shumta “tax free” të indianëve të Amerikës.

Ndërkaq, po të ishte se këto miliarda lekë, do të ishin përdorur vërtetë për të luajtur me baste futbolli, atëherë shumë prej mistereve të pazgjidhura që kanë të bëjnë direkt apo indirekt me rezultatet dhe gjykimet futbollistike të viteve të fundit, do të gjenin përgjigje më në fund.

Përse Nishimura, ai arbitër humbameno, shkoi dhe akordoi atë penallti tejet të paqenë ndaj Kroacisë, pasi sulmuesi gallof brazilian Fred, ra në tokë sikur t’i kishin qëlluar me antitank?!

Sepse Arsene Lypeni i depozitës së Linzës të BSH, siç po duken bathët, mund t’i ketë paguar lekë nëndorë japonezit, për t’ia “lehtësuar” njëçikë fitoren Brazilit vendas!

Përse Barcelona dhe Reali i Madridit, megjithë qindra miliona euro që shpenzojnë çdo verë për blerje lojtarësh të rinj, nuk arritën t’a fitonin dot vjet titullin e kampionit në Spanjë?

Epo, ndoshta ngaqë 7 milionët e “ndukura” nga kasaforta e Linzës, mund të jenë përdorur për të favorizuar Atletikon e Madridit, ekipin që ua mori në kthesë dy gjigandëve të futbollit spanjoll dhe atij botëror...

Të mos ishte se skandali “Calciopoli” në Itali, ka ndodhur para 8 vjetësh (kohë kur nga hetimet, nuk figuron se kishte nisur të vidhej depozita e Linzës), atëherë sidoqoftë do të ishin shfaqur dyshime të mirëbazuara, se edhe Luciano Moggi dhe drejtuesit e tjerë korruptues ( e ashtëquajtura “Triada”) të Juventusit të asaj periudhe, do të kishin qenë partnerë të Arsen Lypenit tonë “7 milionësh”.

Unë vetë si milanist i regjur, tashmë që këto lajme morën dhenë, kam nisur të ushqej dyshime të fuqishme, se edhe “Goli i Muntarit” (2 metra brenda portës së Bufon)...në ndeshjen vendimtare Milan-Juventus 1-1, të Serisë A 2011-2012, që për habi, nuk u pa e as u “vërejt” nga arbitri i asaj ndeshjeje, duke ia mohuar fitoren e atij takimi dhe titullin kampion Milanit, mund të ketë ardhur nga ndonjë trukim me origjinë lekët e vjedhura nga kasaforta e Linzës!

Po të jenë sadopak të vërteta faktet se 7 milionët apo qoftë edhe një pjesë e kësaj shume, do të jenë shpenzuar në botën e errët të basteve sportivë, është e udhës që organet hetuese të FIFA-s dhe UEFA-s, të bëjnë një xhiro deri në Tiranë, për t’u njohur me të dhënat specifike të rastit.

Mafien e futbollit, trukimet e shpeshta të ndeshjeve, nuk ka asnjë arsye që institucionet ndërkombëtare të futbollit, t’i gjëmojnë në Lindjen e Largët e Singapor, as tek ciganët me origjinë nga ish Jugosllavia, siç ndodh në Itali, por të mblidhen të gjithë së toku në Shqipëri e të shkojnë të pyesin njëherë sa për kureshtje, këtë Arsen Lypenin tonë të depozitës së Linzës, se pale ua shpjegon dot ai mjaft prej mistereve të nëntokës së pandershme të futbollit...aty ku supozueshmërisht, mund të jenë derdhur pakthim, miliarda lekë të Bankës së Shqipërisë.

Ky person, sido që t’a analizojmë këtë vjedhje spektakolare, me 7 milionë dollarë në dispozicion, mund të kishte ndërtuar pallate, fshatra turistike, të guidonte një Ferrari, të emigronte në ishujt e Karaibeve, ku të bënte banjë në ujëra të kristalta, i shulluar përditë në shezlong buzë detit, me një koktej në dorë e shumë vajza të bukura krah tij.

Jetë ëndërrash.

Por jo, nuk kishte ikur fare!

Ky tipi, si një Robin Hud i vërtetë, “U vidhte të pasurve (shtetit)...për t’u dhënë të varfërve (pra vetes), sepse si një rrogëtar...fundja i pasur ai nuk mund të ketë qenë!”

Në llogari të fundit, kush e ka pësuar në këtë mes, është besueshmëria e BSH si institucion, siguria që ofrojnë “depozitat” dhe “kasafortat” e saj, kontrolli jo edhe aq efikas (eufemizëm i pastër ky) që ushtrohet ndaj punonjësve aty, emri dhe imazhi i shtetit në përgjithësi.



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT