E premte, 26.04.2024, 12:49 PM (GMT+1)

Mendime

Frrok Vukaj: Puna dhe korrektësia - domosdoshmëri...

E hene, 30.06.2014, 08:05 PM


ARSIM -  MATURA SHTETËRORE

PUNA  DHE KORREKTËSIA-  DOMOSDOSHMËRI  PËR  SUKSESE

Nga Frrok Vukaj - Akademia Pedagogjike e Tiranës

U trash aq shumë presioni e liberalizmi, sa nuk mbante më... Mësues të aftë, të përkushtuar e të devotshëm që kërkonin llogari e luftonin për korrektësi e cilësi të lartë, shiheshin me sy jo të mirë... Filluan të gjallojnë e të mbaheshin në konsideratë ata dallaveraxhinj që gjenin mënyra e marifete për të organizuar kopje me format më të stërholluara, apo administrator, punonjës të rendit e vlerësues liberal... Kurajozët i bëjnë ndryshimet ...këtë e bëri me ndershmëri, Ministrja  Nikolli...Shumë bukur: pa bujë e pa tamtame,  fjalëpakë e pa lëvdata, e qetë e këmbëngulëse... Dituria nuk fitohet pa punë serioze, pa libra e fletore, pa një studim ngulmues. ..Duhen evidentuar me ndershmëri edhe përgjegjësitë, por pa mllefe e hakmarrje...Megjithëkëtë, pozitivja mbizotëron... Punë dhe vetëm punë, ky është çelësi...Të konkurrojmë me arritjet e vlerat...

...Shumëkush e ka ditur këtë lëngatë, po askush nuk e mori guximin për t’iu afruar të vërtetës.  Si shumë u frynë tullumbacet e kalueshmëria fallso, u torr  prej vitesh e u zgjat tërkuzë deri në këtë qershor të 2014. Po pse kështu ,pse kjo gënjeshtër e madhe,  kjo fshehje e gjendjes, pse ky qëndrim prej struci, kjo lugë boshe pa gjellë?!

Thonë se veshgjatit po i a hante ujku gjysmën e trupit e ai përsëri thoshte “bëje zot ëndërr”. Si nuk doli një trim, një pushtetar i lartë, një ministër a deputet të rrahë kambanat e alarmit për këtë gjëmë që po i bëhej arsimit e, kur them arsimit, kam thënë gjithë  Shqipërisë e kombit. Përgjigja është e qartë si drita e diellit. Interesi dhe kolltuku janë të ëmbël; nuk donin të rrezikonin pozitat, imazhin fals, bonuset e merituara dhe të pa merituara. Këtë e bëri me  ndershmëri, Ministrja  Nikolli. I lumtë dora dhe mendja.... Shumë bukur: pa bujë e pa tamtame, fjalëpakë e pa lëvdata, e qetë dhe këmbëngulëse. I lumtë edhe për diçka tjetër: për vendosjen e pragut të kalimit qysh para provimit, një risi tjetër e këtij viti që meriton  përgëzime. Ndryshimet pozitive që janë bërë e do të bëhen i mirëpret e i përkrah gjithë shoqëria.

Unë kam punuar 40 vite mësues e drejtues në arsim e nuk kam asnjë interes personal për të folur fjalë të mira të pamerituara  a shtrembëruar realitetin. Më dhemb zemra kur mohohen vlerat, vuaj kur del sheshit mashtrimi, i cili kthehet në normë e fatkeqësisht, jo rrallë, edhe në “vlerë”.  Unë dua të afirmoj arritjet e jo të mohoj sukseset e arsimit , i cili u godit rëndë vitet e fundit, për rrjedhojë edhe Matura shtetërore. U gëzuam shumë kur filloi aplikimi i saj. Pse do të thoni ju? Edhe ne mësuesit e drejtuesit, me gjithë përpjekjet për korrektësi, u ndodhëm para presioneve të mëdha nga një pjesë e konsiderueshme  dhe e paformuar e nxënësve, e kolegëve, e komunitetit, e rrethit shoqëror e familjar. Gjykoni se ç’mund të ndodhë në një rreth të largët, në një zonë të thellë, por edhe në qytetet kryesore, kur përballesh me një psikologji e mentalitet prapanik që nuk njeh asnjë logjikë. “Ti e ke në dorë, pse nuk më ndihmon, pse po më prish të ardhmen e fëmijës e të familjes, ty nuk të kushton gjë e mua më vlen shumë”, kanë qenë dhe janë disa nga shprehjet që i dëgjon rëndom. U trash aq shumë presioni e liberalizmi, sa nuk mbante më. Në vitet e para, Matura pati seriozitet e ndikoi pozitivisht në frenimin e këtyre dukurive negative, por përsëri rrënjët e së keqes nuk u shkulën. Në disa raste ( ndoshta më shumë se raste) ka ndërhyrë edhe politika, duke kërkuar gjëra të pakonceptueshme për një shoqëri civile. “Votoni për ne, do të kaloni 100 %, votoni për të ardhmen se do të shkoni në shkollë të lartë, do t’ju ndihmojmë në provime......” e të  tjera gjëra absurde.

Mësues të aftë, të përkushtuar, e të devotshëm që kërkonin llogari e luftonin për korrektësi e cilësi të lartë, shiheshin me sy jo të mirë. Filluan të gjallojnë e të mbaheshin në konsideratë ata dallaveraxhinj që gjenin mënyra e marifete për të organizuar kopje me format më të stërholluara, apo administrator, punonjës të rendit e vlerësues liberal. Mungesa e kërkesës së llogarisë nga klasa në klasë e cikli në cikël, arriti deri aty, sa një pjesë e maturantëve të mos kishin nivelin e një nxënësit të klasës së 8-të apo akoma edhe më keq: të mos dinin shkrim e këndim e katër veprimet me numra të plotë e dhjetorë. Mbulo  e mbulo e koraca u trash aq shumë, sa askush nuk e mori guximin për ta thyer, se ndoshta e shihte të pamundur. Kaluan me “rezultate të larta” sa për të thënë me shifra, por jo me njohuri. Rroftë kopja, rroftë miku, rroftë liberali, rrofshin alternativat me qarkim, rrofshin kërkesat e pakta e lumi kalohej pa u lagur me tullumbace të fryra për t’u mbytur më vonë në pusin e padijes. Një gur lëvizi e “kalaja” u shemb, ra ky ortek që nxori në dritë shumë gjëra. E kemi ditur, por nuk e bëmë dot apo nuk guxuam. Kurajozët i bëjnë ndryshimet. Ne dimë edhe gjëra të tjera, uroj të kemi vënë mend e të mos flemë gjumë. Ne  e dimë se notat e diplomat e pamerituara sjellin edhe vende pune të pamerituara, sjellin edhe mësues të paaftë e të pandërgjegjshëm që prodhojnë padije e kjo shumëzohet në progresion gjeometrik.  Kjo padituri, pa mohuar sukseset, të përkushtuarit dhe të talentuarit, u derdh edhe në auditorët e universiteteve e aty vazhdon loja. “Tirret e tirret dituria”, vazhdon loja kukafshehtas, e cila po hedh shtat çdo ditë e më shumë. Besoj se po më kuptoni, pasi e keni vuajtur ju dhe fëmijët tuaj. Mos harroni kur shkoni tek spitali, kur shkoni në gjykatë, te ALUIZNI e Hipotekë a diku tjetër. Ata hakun e ne dajakun. “I leni të punojnë e ju silluni me kulturë e mbyllni gojën”. Migjeni thotë:  deri kur ma kështu.... Shumë po flitet për dobësitë e Maturës Shtetërore e me të drejtë ajo duhet të përsoset edhe më shumë. Vallë këtu është themeli i së keqes?! Jo, e them me plot gojën. E keqja qëndron në mos zbatimin e ligjeve dhe rregulloreve, tek kërkesa e paktët e llogarisë dhe e përgjegjësisë. Pse nuk ka llogaridhënie për punën e pakët, për nivelin e ulët profesional, për ritmet e ulta, për thyerje të disiplinës? Kemi rënë në ortakëri të sëmurë e kjo duhet zhbërë. Sigurisht se mësuesi nuk mund ta ndryshojë i vetëm gjendjen pa pjesëmarrjen edhe të aktorëve të tjerë, por një gjë e ka në dorë: rritjen e nivelit shkencor, përkushtimin e vlerësimet e sakta. Këtu zë fill kthesa dhe suksesi. Ballafaqimi me kërkesat e kohës, vlerësimi, bashkëvlerësimi e vetëvlerësimi objektiv, rrit shumë sedrën dhe rendimentin në punë. Siç e thamë edhe më lart, kjo duhet bërë zinxhir, duke filluar nga cikli i ulët e deri në Universitet. T’i shpallim luftë ballore padijes e vlerësimeve të pamerituara. Të mbajnë përgjegjësi e të reflektojnë  të gjithë aktorët: mësuesi, nxënësi, prindi, kolegu, drejtori e zv.drejtori..../ e gjithë piramida pa përjashtim. Ky pësim i merituar, mendoj se duhet të na shërbejë për të nxjerrë mësime duke filluar sa më shpejt. Krijimi i një fronti të përgjithshëm kundër fiktivitetit e vlerësimeve liberale duhet të jetë hapi i parë. Hapi i dytë e më i rëndësishëm: puna me nxënësit e studentët, një punë me vepra konkrete e jo me fjalë. Me punë sistematike e të gjithanshme t’u ngulitet thellë në mendje se dituria nuk fitohet pa punë serioze, pa libra e fletore, pa një studim ngulmues.  Më shumë përkushtim e më pak shëtitje, më shumë studim i organizuar e më pak diskoteka.  Shembulli pozitiv ekziston. Janë me qindra e qindra mësues që kanë arritur rezultate të larta. Janë me qindra e mijëra nxënës e studentë, të ulur në klasa e auditorë, që kanë konkurruar e konkurrojnë me elitat më të zgjedhura brenda e jashtë vendit. Të kënaqurit me pak është vetëvrasje, ritmet e ngadalta janë minë me sahat. Një dorë e pa hile e kurajoze na zgjoi nga kjo ëndërr e keqe. Kjo është një ogur fatlum, por më fatlume është ecja me ritme të larta, promotor të së cilës janë flamurtarët që duhen vlerësuar e afirmuar.

Përveç kësaj, pa tjetër se duhen evidentuar me ndershmëri edhe përgjegjësitë, por pa mllefe e hakmarrje.  Punë dhe vetëm punë, ky është çelësi. Qetësia është vdekje. A keni provuar të udhëtoni kur ka rënë shumë borë? Kur lodheni, pushimi e gjumi ju duken parajsë, por, si pa e kuptuar ,nuk ngrihesh më.

Së fundmi, një mendim për ankesat e sivjetshme të maturantëve. Pa përjashtuar edhe ndonjë gabim njerëzor, të jeni të sigurtë se vlerësimet janë bërë me tolerancë të përmbajtur, me dorë    zemër, me përgjegjësinë si mësues, por edhe ndjesinë e prindit. Për këtë flas me bindje e kam të dhëna të sakta nga vlerësues direkt të provimit, një ndër të cilët jam edhe unë. Fajin nuk e ka pasqyra...

Bëhet politikë e mbahen fjalime, thuren e shthuren teori e platforma, bëhen  ndërtime e derdhen fondet lumë, “rriten kërkesat” e fryhen organikat, trumbetohen arritjet bashkëkohore e sa e sa gjëra të tjera. Ajo nusja dikur pat thënë: “Me ç’po dëgjoj lumja unë, me ç’po shoh e mjera unë”. Uroj të mos jetë kështu, por e kundërta. Megjithëkëtë, pozitivja mbizotëron. Nëpërmes bisedave me koleg e prindër, por edhe nëpërmes punës, më ka rënë rasti të shoh e vizitoj shumë shkolla ku bie në sy rregulli e disiplina, mjedisi i kulturuar e përkushtimi për punë. Sido që të jenë rezultatet, unë mendoj se kahja dhe vizioni është pozitiv e pritshmëritë janë të mëdha. Veçoj Krumën e Kukësin (qytet); gjimnazin e qytetit B.Currri; Lezhën, Zejmenin e Shënkollin; “Sami Frashërin”, “Partizanin”, “Çajupin”, “Petro Ninin”, “Besnik Sykjen”, Tiranë; Vorën e Fushë Krujën; Rrëshenin e Rubikun; “Ali Demin” e “Halim Xhelon”, Vlorë; “Naim Frashëri” e “Gjergj Kastrioti” Durrës; “28 Nentorin” e “Shejnaze Jukën”, Shkodër, por edhe shumë gjimnaze të tjera private me emër. Janë me dhjetëra e më shumë e nuk mund të numërohen të gjitha, as arritjet mbresëlënëse. Le të marrim shembull prej tyre, të konkurrojmë me kurajo e dinjitet, me arritjet e vlerat duke luftuar antivlerat. Puna dhe korrektësia janë  binom i domosdoshëm  e garanci e sigurtë për suksese e ndryshime pozitive.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora