E premte, 26.04.2024, 11:04 PM (GMT+1)

Kulturë

Besim Perjuci: Klithjet e moshave të mia

E shtune, 24.05.2014, 04:53 PM


Shkruan: Besim Perjuci

/Cikli: Përkushtime. Nga përmbledhja poetike

”Klithjet e moshave të mia”/

FJALË NË VARGJE ZOGUT QË ZBRITI BJESHKËN-AZEMSHKRELÇE

/Në pëvjetorin 17 të vdekjes së shkrimtarit, poetit,eseistit, dramaturgut dhe intelektualit me kolorit origjinaliteti të kristalizuar - Azem Shkreli, me mbetje të gjithmonshme në arkivin e biografive të krijuesve të mëdhenj/

 

Pa zbritur mirë rrafshit me vete

Mbaje aromën e rrëshirrës së pishakut plak

Doje t’na tregoje për pishën dhe aromëpishën e gjakut

Që e mbolli malsorçe babagjyshi në lindjen tënde.

Me puhinë e freskët të bjeshkës

solle qumështin e rreshkët të tbaneve

për ta ruajtur ëndrrën mbështjell në kujtim t’agimeve të bleruara.

Këngët për shkrepat me thepa për bjeshkëshpatijet

Si rreze e zemrës të digjeshin ballit

Dhe i recitoje migjeniane si të pakënduara.

Pastaj edhe këngët për pranverat e vonshme

I mbërtheje në vete për të shpërthyer aty

Ku nise dashurinë e parë shkollore.

Këndove së bashku me bjeshkën e gjyshit

Shkrove vargje e poezi

Për shallqefinin e stërgjyshit

Bëre dashuri tbaneve me syrin pishë

Fyelli yt edhe sot  këngën s’e pushon ta dish.

E ujëakulli lëvizë bjeshkës

Freskut agimor fillon këngën e jetës

Me vete bart qëndresën e lashtësisë

Fryma jote malsorçe përkund ëndrrën

Shpresën.

Ti nuk e ndryshove kurrë vetveten

Rrënjën e padukshme të drurit

Që mbolli gjyshi e solle me veten

Rrënjën t’ua tregosh pasaardhësve më vonë

/Sa/ e pastër peshon - kjo rrënja jonë.

Edhe ujkun e kishe mësuar

Ta dojë sojin e njeriut – me dashuri amësim

Prej nga e more kaq shtruar                                                                                                                                  Prej nga e  mësove i nderuari im?!

Lumin e Bardhë ndër duar e peshoje

Jeta të rrjedhë brenda hodutit brigjeve tona                                                                                                Ti përherë këte e doje

Kohën e shqipeve e mbaje gjallë si fjal’n e burrit

E zemra jote e madhe                                                                                                                                   rrahu shkrepave,grykave, gurit

Prometheun kurrë s’e kam parë-                                                                                                                    dritën magji

Nga Ti e kam marrë

“Gjaku im, që nuk shterët”.

Ti peizazh i urtësisë që rrahë për të prekur bukurinë e jetës

Ti ishe dhe mbete ushqim i kësaj fushe të etur

Ti ndërtove kulla të reja me fjalën Azemshkrelçe

Mbi plagët e Dheut shkëmbmalsorçe.

Po përsëris,                                                                                                                                           nga Ti e kam marrë:                                                                                                                            ”Gjaku im,që nuk shterët”

 

 

Shkruan Besim Perjuci

/Cikli: Përkushtime. Nga përmbledhja poetike

”Klithjet e moshave të mia”/

VETËM LINDJET TUAJA I KEMI SHËNIM

“Rrëfimi nis këtu…15 vjet më parë, në Tokën e Kuqe,

në kohën e mashtrimit të madh, pa këputje nga kujtesa

djemve tanë Ali, Qamil dhe Astrit Spahisë”

Autori

Prilli me pranverën e djegur

Çdo vit e shkuar vitit

Dërmohet në shkrumin e kujtesës

Vertikalja nuk mund të qëndrojë

Mbi copëza ëndrrash të largëta

Fjala dhe gjuha memece

Shkëputën dhe ndrydhen

Në mbrendësi

Gjakun dhe Pranverën e Prillit ‘999

Që ta ruajnë deri në pafundësi.

Dënesjet dhe lëndimet

Në heshtje bëjnë

Dhimbje kronike.

Përmbrenda kohës së shëmtuar

Të zë mallkimi i fatit në pritje

Dhe gurëzohet në gjëmë.

Çdo ditë zemrës

I kohëzohet Prilli ndër ethe

Ashtu si bredhë ndër ne pikëllimi.

2.

Sekush trokiti, bëri rrëmujë

E thirri:-Nuk dihet!!!

Jeta apo vdekja

Sekush briti aq thekshëm

E tha:- Pranvera mortore ia behu

Me korbat e races së harxhuar

Mos harro,

Kurrë mos harro, biro

Djepin e lindjeve të ndrydhura

Dhe gjakun fisnik të tokëzuar.

3.

Sa herë zgjohet

Malli im i pafjetur

Sikur sërish nis stina mortore

Me motin e gjakut

Kohëve të vrazhdta

Për ta dërtuar Prillin tuaj

‘999 në brez të këputur.

4.

Në damarët e moçëm

Të Tokës së Kuqe

Rrugëton jeta e prangosur

Të gjitha dashuritë jetime

Varrosën pa asnjë fjalë

Në pragun e sh’pisë së kafshuar

Mbesin numrat pa emra.

 

5.

Në shtëpi e ku tjetër

Terraces betonarme

Akull të rreshtuar pakuptimisht

I nxorën me shpinë kah përendimi

Në arenën e prehjes

Në aneks të vdekjes

Ngjyrat blu të kohëzezës qyqare

Prapa shpinës

Caktojnë për ta rrugën e ferrit

Në pritje të plumbit

Koha vdes e ligështohet

Koha shtëron në pakuptimësi

Atëherë çdo plagë flet

Për më shumë vdekje.

6.

Vitet tona

Këtu po ndaheshin lodhshëm

Shëmbëshin dëshirat

Me lotin në sosje

Me lumin e jetës në etje

Që kjo Tokë e Kuqe

Të mbetet e thatë

Me djepin e lindjeve të këputura

Me puthjet e fundit mbi ballin lartë

Me lulët e sosura

Fati ynë i vrarë.

7.

Ora e Madhe në dhomën e vjetër

Ku bënim gjumë fëmijërie

Ndalon përballë shpendkeqës

Për ta kafshuar e kuqja kohën

E lëndimi rritet pa mëshirë

Frymëmarrjen shtrëngon

Mbi gjakun rinor të ngjizur.

Atëherë

Dritat tinëzisht

Bëjnë ërrësirën

Dhe në heshtjen e kafshuar të motit

Shikimi u mbetet peng

Mureve të oborrit kah Hyrja e Madhe

Pasardhësit do t’ju thërrasin zëshëm.

8.

Çdo të nesërme e ndalojmë

Për të endur shpresën zemrës

Që të mos mbeten të huaj

Që të mos harrohen lindjet e brezave kurrë.

Sepse origjinën nuk e kemi falas

As hua karpateve të largëta s’e morëm

Ajo është gjeografikuar lashtësive

Përtej shekujve të lënduar idhnak.

9.

Prilli përsëri e dogj Pranverën e sivjeme

Brazduar në përqafim të bardhësive

Për ta ruajtur me krenari kujtimin

Sa herë që merr udhën këndejpari

Numri ‘999 ecë

Mbi dhembjet tona.

10.

Aman, o Zot,

Përse e shndërrove dashurinë njerëzore

Në lot, dënesje e rënkim?!

Ata që erdhën

Nuk deshën t’i përfillin urdhërat e gjithnjerëzorës

Rebelë, paramilitarë paranoikë

Ushtri me surrat lugetërish

U përplasën aligatorçe

Mbi lindjet tona

Dhe vranë pandalshëm

Me virusin e vdekjes që sollën bishat pa origjinë

E bota bënte sërish sehir.

11.

Me fjalën e Zotit

Endet malli i pafjetur i shpirtit

Dhe bën epitafin:-

Kujtesa as mbyllet, as sosët

Këtu gdhendet guximi dhe e vërteta

Që kohë e sërishme e brezave

Të shënojë mbetjen historike.

12.

Tash diku larg në qetësi

E pathëna përkthelë kujtimet e ndrydhura

Në Fushat e Pikëllimit

Aty, ku pati filluar rrëfimi dinak

Trazuar nga koha e mashtrimit

Qindravjeçarë

Aty, ku heshtja

Edhe në qetësi rritet

Për të shëmb kohën mall

Pikëllimi mbetet pas nesh

Deri vonë – Gjakovë…

13.

Vdekjenuri juaj shndërruar në akull

Kristalizohet pafajshëm

Në buzëqeshjet jetime

Të pasardhësve në lindje.

Shehid kalvareve të jetës

Aty në Pranverën e Prillit të përgjakur

Strehimin e parë dhe të fundit e gjetën

Hidhërimi bredhë kudo mes nesh.

 

14.

Rrugët mbesin të nemitura

Hartohen mbrenda vetes

Dhe Fushave të Jakovës dergjen

Në qetësi

U flet dhembja e plazmuar në prishje

Mbi peshën e një kohe ndryshe.

15.

O, loti ynë në sosje

Na kthe dritën e ditën

Që të mos e kafshojmë më jetën

Në ecje kah lindja dhe kudo

Ta shërojmë kujtesën.

Portreti i tyre

Përjetë i gjallë të mbetet.

16.

Shpresat e vesuara agimeve të vonuara

Malli i shpirtit në ardhje

Brazduar shtigjeve të jetës

Për çdo ditë do të shndërrohen

Me fuqinë e lindjeve të reja

Që ta bëjmë të përditshëm

Portretin e tyre si lindje dielli

Që rrëfimi të mos mbyllet kurrë

Sepse dera e shtëpisë do të rri

Përjetë hapur

Do të jemi gjithmonë më shumë.

 

 

 

 

 

 

 

 

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora