E premte, 26.04.2024, 11:34 PM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Arti poetik i Liliana Shkodranit

E merkure, 09.04.2014, 06:35 PM


Nje kendveshtrim e artit potike te poetes se talentuar  Liliana Shkodrani (Baçi)

Nga Hyqmet HASKO

Rrugët nga vjen një poete në poezi janë të ndryshme, por kryendjesia është një dhe e gjithëkundgjendshme në çdo akt krijues, dashuria për jetën, dashuria për njerëzit dhe kohën tënde.

Nuk mund të shkruajë poezi të ndjerë dhe të komunikueshme në vlera dhe mesazhe një shpirt i thatë, asketik, një shpirt që nuk dashuron me pasion jetën, të bukurën, femrën, kujtimin, ëndrrën, iluzionin, donkishotizmin që është fillesa e çdo ëndërrimi për një botë më të mirë.

Këto po bluaja me vete teksa lexoja poezitë e poetes Liliana Shkodrani (Baçi), një poete me ndjeshmëri të hollë dhe botë të pasur ndjesish dhe reflektimi.

Duket se kemi të bëjmë me një poete të pjekur në shkollën e përvojës jetësore, të figurave të thjeshta e të gjalla, të gjendjeve të spikatura lirike, të emocioneve të befta dhe të një lirizmi të hollë e fin.

Ndjeshmëria e lartë poetike, bën që poetja të shkrijë në një impresionet e saj intime, unin e saj të brendshëm me problematikat e kohës dhe të bashkëkohësisë, si një prelud ideo-emocional plot ngarkesë stilistike dhe mesazhore.

Poetja bisedon me ndjenjat e saj (“njoh ndjenjat e mia”, thotë diku), flet me hënën dhe gjarpërin, lulen dhe shkëmbin, duke shpalosur “pelerinën e ndjenjave” para lexuesit, të cilit i kërkon të dëgjojë oshëtimën e një shpirti të dëlirë dhe fisnik.

Liliana duket se është një shpirt i lirë, që e lëshon vargun të fluturojë në qiejt e ëndërrimit, për të gjetur në kostelacionin yjor të kohës të tjerë vargje, të tjera mbresa dhe impresione, një realitet tjetër, por që në mënyrë simbolike përkon me realitetin dhe përditshmërinë e botës sonë.

Vizatimet e saj poetike janë të shkujdesura, me peneleta të hedhura aty për aty, po ku pas bojërave dhe ngjyrave të “telajos”, duken imazhet e mbetura për një kohë të gjatë në kujtesë, çfarë mund të të përtërijë vetëm një varg i fortë dhe një situatë e pazakontë poetike.

Shteruan dy gishtat e diellit në muzg

Në lajmethirrje kujtimin do shkund.

Formova ca numra në ndryshk

Gjatë telit të zërit gjerba një grykë.

Liljana shetit dhe vëzhgon me një kamer të saktë në mjedise që i njeh dhe që i dashuron me zjarrin e zemrës, nuk merr poza, nuk do që të duket, por thjeshtë e kthen shpirtin e saj të ndjeshëm në një lirë kumbuese, me tinguj dehës, që na përcjellin tone të qeta, të shtruara e herë herë dhe të vrullshme të një realiteti që e njohim dhe e shohim përditë të gjithë, por që vetëm poetët kujtohen ta bëjnë pjesë të shqetësimit dhe kredos së tyure.

“Plevitin e huaj nuk e duroj”... dhe “gjysmën e ngrohtë e ruaj për dëborën”, thotë diku me tone kaq të befta, gati zbuluese poetja, duke dëshmuar se ajo nuk shkruan thjeshtë për të shkruar, por se nuk mundet dot të hesht, kur shpirti i është mbushur me muzikë dhe tingujt e saj magjikë ka dëshirë që t’i dëgjojnë të gjithë.

Poetja nuk ka pikë sforcimi e shtirje kur merr penën për të shkruar; ajo thjeshtë ndjen ritmin e zemrës së saj, duke na dhënë me një muzikalitet aq të ëmbël e aq të dëlirë gjendje sa reale e konkrete, aq dehëse e trallisëse…

E vendosur në shtratin e tradicionalizmit poetik, në atë guvë burimore ku është folku, zërat e ngrohtë lirikë që vijnë nga etnopsikika poetike kolektive, Liljana nuk mbetet rob i kësaj tradite, por me origjinalitetin e zërit të saj, me tonet aq të ndjeshme e kumbuese, me lirizimin dhe spontanitetin e saj, e pasuron këtë traditë me imazhe dhe struktura të reja poetike.

Ajo që në të vërtetë përbën individualitetin e poetes është freskia e motiveve, marrja e “lëndës së parë” poetike  nga jeta e gjallë njerëzore, nga raportet e unit të saj me kohën dhe bashkëkohësin dhe jo nga skemat libreske, natyra meditative që shkon drejt kumtimeve filozofike.

Liljana është një lirike e ngrohtë, plot ritme jete dhe ngjyra të përndezura, ku rrinë aq mirë dhe në simbiozë të plotë elemetët klasikë me pak spërkatje të lehtë, një si tis moderniteti. Ajo vizaton shkujdesur, por me linja të qarta e të përvijuara ëmbël peizazhe të thyera të shpirtit njerëzor dhe të historisë, duke i zgjeruar rrathët e këndvështrimit poetik nga vargu në varg, nga strofa në strofë, nga poezia në poezi, me një pasuri trajtash, figurash dhe mjetesh shprehëse.

Vargu i thjeshtë por elegant i Liljanës nuk kërcet, nuk kërkon të duket, por është i vetëmjaftueshëm për atë çfarë kumton dhe si e kumton, me një natyrshmëri dhe sponanitet për t’u admiruar.

Poetja fokuson në vargun e saj përditshmërinë, botën globale, projeksionin e gjërave në dukje të vogla e të zakonshme si shtrati ku ajo vendos vektorin poetik, por që e bëjnë poezinë e kësaj poeteje të ndjerë e të freskët, me një lexim që të zgjon afeskion.  Ajo rikrijon nivelin e përfytyrimit të saj poetik me anë të thyerjes strukturore, imazhiniste dhe konceptuale të vargut. Ajo  përmbledh në aktin e saj krijues ritmet dhe meloditë lirike, gjithmonë në kontekstin e mjeteve të tij stilsitike, të figurave dhe gjuhës së veçantë.

Nuk thenmi ndonjë gjë të re kur themi se gjendja shqirtërore e krijuesve është një rebus. Dhe nuk ka asgjë të re nëse pohojmë (me njëlloj dhimbjeje) që mjedisi nuk është fort inkurajues për poetë të cilët s’dinë ta “shesin” artin e tyre përmes shtirjes dhe kërkimeve gjoja “të kohës”. Duket se kjo “padije” është pjesë e kërkimit poetic të Liljanës, ajo nuk flet me fjalë të zgjedhura, për të habitur të tjerët, por ashtu siç I del nga thellësitë e shpirtit.

Në tërësinë e tyre, poezitë e Liljanës janë fluide e të derdhura, por në të njëjtën kohë, janë edhe të përmbyllura nga pikëpamja gjuhësore dhe estetike.

Në analizë të fundit duket se kemi të bëjmë me një poete dhe kaq mjafton.

Të jeshë poete, t’i këndosh me dëlirësi gjithçkaje që të rrethon, duke qenë femër dhe e përkushtuar në gjithçka që ka të bëjë me të bukurën, kjo nuk është thjeshtë krijimtari, por një mision dhe poezia si mision është një akt shenjëtrimi, siç është kjo poezi e poetes së talentuar Liljana Shkodrani (Baçi), e cila është një poezi që na fton ta shohim jetën nën optikën e një filozofie progresiste, me optimzëm dhe shpresë tek e ardhmja.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora