E premte, 26.04.2024, 10:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Ryzhdi Baloku: Kur barra e kohës rëndon

E hene, 31.03.2014, 07:50 PM


Epilogu i romanit të pabotuar

KUR BARRA E KOHËS RËNDON

Nga: Ryzhdi Baloku

Edhe pse me kushtetutë, Jugosllavia Socialiste, si shtet shumëkombësh kishte rregullim federal, serbët arrijnë të ndërtojnë një politikë hegjemoniste të qeverisjes përmes shtrirjes së pushtetit me njerëz të tyre luajalë në pozita kyçe, posaçërisht në sistemin e drejtësisë, sigurimit shtetëror, policisë dhe mbrojtjes, jo vetëm në krye të piramidës së federatës, por edhe në atë të republikave e deri te ai lokal.

Me rënien e Aleksandar Rankoviçit dhe klikës tij, u krijua një klimë politike paksa më relaksuese për shqiptarët në këtë shtet. Në këto rrethana, një pjesë e inteligjencës shqiptare dhe disa segmente politike në Kosovë filluan të flasin hapur për padrejtësitë në arsim, kulturë, punësim dhe fusha tjera të jetës.

Për t’u distancuar nga pasojat e deformimeve që kishte shkaktuar politika shoviniste e Rankoviçit, Kryetari i Jugosllavisë, Mareshali Tito, amnistoi një numër të burgosurish politikë, duke ua zvogëluar dënimet me nga ndonjë vit, në mesin e tyre edhe shqiptarëve, të cilët në këtë shtet përbënin shumicën e kësaj kategorie.

Po ashtu, një vit më vonë, për ta zbutur krizën politike që ishte krijuar pas “Plenumit të Brioneve”, nisi procedurat për ndryshimin e kushtetutës së vitit 1963, me qëllim që ta decentralizojë pushtetin në disa fusha.

Në Kosovë, zëri i kërkesave kundër diskriminimit të shqiptarëve filloi të shtohej veçanërisht gjatë debatit publik për amendamentet e kushtetutës së re.

Komisioni i zgjedhur nga përbërja e strukturave më të larta politiko-shoqërore të Kosovës, hartoi “projekt propozimet” për pozitën kushtetuese që duhej ta kishte Kosova në këtë shtet dhe të njëjtën e dha në shqyrtim.

Në debatet e zhvilluara, të cilat fillimisht u organizuan nëpër aktivet e Lidhjes Komuniste, diskutuesit kërkuan që me kushtetutën e re, Kosovës t’i njihej e drejta e elementit konstituiv në Federatën Jugosllave, si njësi e barabartë me republikat tjera, ndërsa shqiptarëve t’u garantohej e drejta për vetëvendosje sikurse e kishin kombet tjera në këtë shtet.

Gjatë një takimi në Beograd me strukturën udhëheqëse të Kosovës, kryetari i Jugosllavisë, Josip Broz Tito, iu thotë: “Republika nuk është shkop magjik që t’ju zgjidhë problemet ... ”. Pas kësaj përgjigjeje delegacioni kosovar u zmbraps nga kërkesat, të cilat ia kishin parashtruar atij, lidhur me përmirësimin e pozitës nacionale të shqiptarëve dhe statusit të Kosovës në federatën jugosllave.

Ndonëse, tashmë kishin kaluar dy vite qysh se Rankoviçi kishte rënë nga pushteti, udhëheqësit kosovarë vazhdonin me nebulozën e kllapisë.

Duke parë se kjo nomenklaturë politike kishte hequr dorë nga kërkesat e shqiptarëve që kishin dalë nga debati për ndryshimet kushtetuese dhe se çështja për barazi kombëtare po stagnonte, në skenën politike të Kosovës doli rinia studentore dhe nxënësit e shkollave të mesme, që pakënaqësitë dhe kërkesat për avancim t’i artikulonin botërisht.

Demonstratat u organizuan me sloganet: “Duam kushtetutë”, “Duam vetëvendosje”, “Duam barazi”, “Duam Universitet”, “Lirojini të burgosurit politikë shqiptarë” dhe disa parulla të tjera të ngjashme me këto.

Për demonstratat në Prishtinë, Sokoli u njoftua më saktësisht nga mbesa që i studionte në këtë qytet. Ajo i kishte thënë: “Kam parë një djalë të vrarë e disa studentë të plagosur me plumba pushkësh dhe shumë njerëz të arrestuar nga milicia ”.

Vala e demonstratave i kaploi disa qytete të Kosovës, por ato që shpërthyen në Pejë, Sokoli i pa me sy. Milicia e pajisur me shkopinj gome i vërsulej masës së njerëzve dhe herë pas herë shkrepte me armët përpjetë. Pas intervenimit të egër nga forcat e shumta të rendit, nëpër rrugët e qytetit u bë rrëmujë. Demonstruesit filluan të shpërndahen në kahe të ndryshme. Ata që i kapte milicia, i rrihte pa asnjë pikë mëshire, derisa alivanoseshin, pastaj ashtu të shkallmuar e të përgjakur i fuste nëpër automjete policore.

Përkundër shtypjes brutale të demonstratave dhe arrestimeve të shumta, ky demonstrim kërkesash bëri një kthesë të madhe në zhvillimet politike të vendit që ndodhën më vonë.

Nuk shkoi gjatë, nëpër festa e gazmende familjare nisi të valojë flamuri shqiptar. U themelua Universiteti i Prishtinës, e u vu gur-themeli për ndërtimin e pallatit të shtypit në këtë qytet.

Me ndryshimet kushtetuese që ndodhën pas disa vitesh, Kosova e fitoi të drejtën e elementit konstitutiv në federatën jugosllave. Gjatë festave shtetërore ngrihej flamuri kombëtar me shqiponjën dykrerëshe edhe nëpër ndërtesat e institucioneve të Kosovës, por megjithëkëtë shqiptarët nuk e fituan të drejtën e kombit shtet-formues.

Pas vuajtjes së dënimeve, një numër i të burgosurve politikë shqiptarë u liruan nga burgjet, në mesin e të cilëve ishin Trimi, Gjini dhe shokë të tjerë nga të dy organizatat ilegale. Familjet e tyre u gëzuan, popullata shqiptare i priti siç priten heronjtë.

Gjashtë vite më vonë, diktatori Tito vdes në moshën tetëdhjeteshtatë vjeçare.

Me këtë rast, duke pasur njohuri për rrezikun që mund t’i kanosej federatës jugosllave nga linja pro-sovjetike serbo-malazeze në njërën anë, dhe atyre separatiste e irredentiste kroate e shqiptare në anën tjetër që vepronin ilegalisht brenda vendit, Jugosllavinë e kapi paniku.

Për ta ruajtur stabilitetin e vendit, forcat e armatosura rinin në gjendje gatishmërie. Pushtetin e mori kryesia kolektive prej tetë vetash e përfaqësuar prej të gjitha njësive federale, udhëheqja e të cilës do të kryesohej sipas rotacionit me mandat njëvjeçar.

Nuk shkoi gjatë, ultra-nacionalizmi serb nisi të ngrehte krye.

Kur pretendimet hegjemoniste të Beogradit dolën në pah, në Prishtinë shpërthyen demonstratat e studentëve, por kësaj here ishin edhe më masive krahasuar me ato të trembëdhjetë viteve më parë.

Pas shtypjes së përgjakshme të tyre, udhëheqja e Serbisë mori kurs radikal ndaj Kosovës. Këto ngjarje i vlerësoi si “kundërrevolucion dhe irredentizëm, i cili po përpiqej ta rrezikonte unitetin dhe stabilitetin e Jugosllavisë”.

Tensionimi ndërmjet qeveritarëve serbë dhe atyre shqiptarë, shtohej për çdo ditë. Mujsharët e Beogradit filluan t’iu kërcënohen udhëheqësve të Kosovës edhe me likuidim fizik.

Me këso lloj presionesh, serbët arritën më në fund t’ua imponojnë diferencimin ideo-politik qeveritarëve shqiptarë.

Në Kosovë u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Forcat e policisë speciale nga e tërë Jugosllavia, me autoblinda dhe mjete tjera luftarake që s’iu shihej fundi, invaduan në këtë territor.

Nëpër rrugët e Kosovës dukej sikur të ishte gjendje lufte. Popullata u bë shënjestër e goditjeve të pareshtura. Rinia shqiptare vritej gati përditë në rrethana të pashpjegueshme.

Të rinjtë shqiptarë nga Kosova që kishin shkuar si regrut për ta kryer shërbimin në ushtrinë jugosllave, ktheheshin në arkivole. Kufomat i sillnin nën masa të rrepta sigurie, ndërsa varrimi i tyre bëhej me prezencën e policisë dhe oficerëve serbë të armatës, në ditën që i kthenin trupat e ushtarëve të pajetë nga Serbia në Kosovë. Pjesëmarrja e qytetarëve në këto funerale ishte masive, saqë kortezhet i ngjanin demonstratave të qeta.

Pas krijimit të kësaj situate, ku vihej në pikëpyetje ekzistenca për jetë a vdekje, të rinjtë shqiptarë filluan ta merrnin “botën në sy”, posa e përfundonin shkollimin e mesëm.

Derisa Kosova nisi të zbrazej nga të rinjtë shqiptarë, forcat e reaksionit serb filluan haptas të angazhohen për ndryshimin e kushtetutës jugosllave të vitit 1974. me të cilën Kosova ishte element konstitutiv i kësaj federate.

Përkundër përpjekjeve dhe rezistencës paqësore të shqiptarëve që ta ruajnë atë që ishte krijuar më herët, Serbia arriti me forcë ta zhveshë Kosovën nga të gjitha atributet e shtetësisë.

Fillimisht këtij veprimi iu kundërvunë minatorët e Trepçës, të cilët në shenjë revolte organizuan grevë urie në horizontet e nëndheshme. Në përkrahje të tyre doli e tërë punëtoria shqiptare. Grevat u përhapen në tërë Kosovën.

Për t’i shuar protestat shqiptare, shërbimi sekret serb ndërmori aksionin për kidnapimin e njerëzve të caktuar, të cilët u zhduken brenda një dite, si t’i kishte lëshuar toka. Kosovën e kaploi ankthi për fatin e tyre. Më vonë u mor vesh për ta, i kishin  izoluar nëpër burgjet e Serbisë.

Derisa mitingjet serbe për rrëzimin e qeveritarëve “të padëgjueshëm” nuk kishin të ndalur, në Kosovë pushteti serb i mbylli mjetet e informimit në shqip. Shqiptarët i dëboi nga puna, nxënësit i përndoqën nga shkollat, e studentët nga fakultetet.

Kisha dhe akademia serbe e shkencës u vunë në shërbim të politikës që udhëhiqej nga Sllobodan Millosheviçi. Retorika e fjalimeve në këto mitingje shoviniste bëhej gjithnjë e më luftënxitëse, ndërsa organizimi i tyre u ngjante falangave fashiste e naziste nga koha e Musolinit dhe Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në çastin kur ultra-nacional-shovinizmi i tyre arriti zenitin, Serbia ra në delirium. Euforia e çmendjes kolektive e kaploi pothuajse tërë popullatën serbe anembanë Jugosllavisë.

Pas gjithë këtyre viteve të shkuara, Sokol Malësori tani kishte hyrë në moshë të shtyrë, por edhe i biri Trimi se kishte më atë pamjen e dikurshme djaloshare.

Një ditë, derisa Sokoli po rinte ulur në karrige pranë shtëpisë në kopsht, filloi një bisede të pazakontë me të birin. Pas një kujtese të shkurtër, kthehet kah ai e i thotë:

- Trim, biri im, po e shoh se goxha jam plakur. Çdo njëri në këtë botë, vdekjen e ka hak. Nëse s’kam jetë që ta shoh Kosovën e çliruar, kur të vijë ajo ditë, lajmin ma komuniko te varri, mos harro amanet e ke!

S’do të kalojë as një vit i plotë nga zhvillimi i kësaj bisede, Sokoli ndërron jetë gjashtë muaj përpara vdekjes së të shoqes.

Nuk shkoi kohë e gjatë, hegjemonizmi serb në krye me Sllobodan Millosheviçin e solli luftën mes popujve brenda Jugosllavisë. Federata jugosllave nisi të shpërbehej.

Rrethanat që u krijuan nga hegjemonizmi serb, i detyroi shumicën e republikave të këtij shteti që të mbrohen me të gjitha mjetet e mundshme, madje edhe me armë lufte. Megjithëkëtë, Kosova e zgjodhi rrugën e rezistencës paqësore, e cila zgjati gati për një dekadë. Mirëpo, kur terrori serb mbi shqiptarët u bë i padurueshëm dhe rrugët paqësore u mbyllën në tërësi, atëherë djemtë e Kosovës i rrokën armët në momentin që u dha kushtrimi për ta mbrojtur qenien shqiptare.

Në anën tjetër, me bekimin e Patrikanës serbe, shtabi ushtarako-policor kishte hartuar planin e luftës për pastrimin etnik të Kosovës sipas “Doktrinës së shenjtë” të koduar me emërtimin “Operacioni Patkoi”, pothuajse njëjtë siç vepruan dikur me shqiptarët në sanxhakun e Nishit.

Sipas udhëzimeve të këtij dokumenti, popullata duarthatë shqiptare nëpër fshatra e qytete u rrethuan prej tri anësh në formë potkoni, nga ushtria, policia dhe paramilitarët serbë. Shqiptarët u sulmuan nga toka e qielli sipas taktikës luftarake të “tokës së djegur”, duke e lënë çelur vetëm një kahe drejtimi, në të cilën po ashtu jeta e vdekja vihej në lojë se cila prej tyre do të ngadhënjejë.

Shqiptarët po e përjetonin holokaustin si hebrenjtë në kohën e nazizmit. Turmat e njerëzve me pleq, gra e fëmijë kërkonin rrugëdalje për t’i shpëtuar jetët. Një pjesë e tyre mori rrugët e maleve për të dalë nga ky rrethim.

Në Marsin e ftohët me borë, të vitit 1999, brenda pak ditësh u dëbuan nga Kosova mbi një milion banorë. Bota u trazua nga skenat e llahtarshme që u vinin përmes ekraneve televizive.

Agresori serb përpiqej t’i mbante nën kontroll të gjitha shtigjet kaluese. Ata që nuk ndesheshin në patrullat e tyre apo nuk shkelnin mbi minat e këmbësorisë, ishin me fat.

Pamjet televizive të masakrave masive në Kosovë, të cilat nga vëzhguesit ndërkombëtarë u cilësuan si krime kundër njerëzimit, sensibilizuan opinionin paqedashës anembanë rruzullit tokësor.

Kur bota e qytetëruar në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e pa se çfarë po ndodh me popullatën e Kosovës, ndërmori iniciativë për ndërhyrje ajrore ushtarake, që ta parandalojë katastrofën humanitare.

Pas shtatëdhjetetetë ditë bombardimesh të Aleancës Veri-Atlantike mbi forcat serbe dhe gjakut të dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare, Kosova u çlirua.

Në motin e ngrohët të qershorit të po atij viti, popullata shqiptare e Kosovës u kthye nëpër shtëpitë e veta, të cilat agresori serb i kishte bërë shkrumb e hi.

Gjelbërimi i kishte mbuluar fushat dhe kopshtet. Shtëpitë e djegura e gjysmë të rrënuara që ngroheshin nga rrezet diellit, i pritnin në qetësi të zotët e tyre që t’i kthejnë ato në gjendjen siç ishin dikur.

Qyteti kundrohej në heshtje. Banorët flisnin nën zë: Të gjitha do t’i rindërtojmë, ndoshta edhe më mirë, por si t’i kthejmë njerëzit e zhdukur që na i vrau i ligu. Disa pëshpëritnin mes vete: Çfarë t’i bësh, kështu e ka lufta, liria është e shtrenjtë, s’paguhet me para. Të tjerët komentonin pa e ngritur zërin: I gjithë ky përjetim është një histori që s’duhet harruar.

Me t’u kthyer në Pejë, Trimi ia mësyu lagjes në rrugën më trup që çonte te shtëpia e tij, në të cilën kishte lindur e ishte rritur.

Nga muret e rrënuara dhe gërmadhat e shumta, rrugët dukeshin ndryshe, ndërsa lagja kishte marrë një pamje rrëqethëse.

Pasi e pa shtëpinë në të cilën s’kishte ku të hynte nga shkrumbi e rrënojat, u kthye mbrapa pa nguti në drejtim të varrezave të qytetit, që ta vizitojë varrin e babait për ta kryer amanetin të cilin ia kishte lënë ai sa ishte gjallë.



(Vota: 31 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora