Kulturë
Qazim Shehu: Liria ime e vogël
E diele, 30.03.2014, 06:11 PM
LIRIA IME
E VOGËL
POEZI NGA QAZIM SHEHU
E kërkoj lirine time të vogël,
Tek gjymtyrët që ende mbahen.
Mund të ecja edhe pak me kohën,
Aty ku fate të trishta ndahen.
Liria e vogël më thotë
Se një varg në letër mund ta hidhja,
Sado që mendimi vjen më i plotë,
Aty ku pllajat shkruan stuhia.
Në dëshpërimi poeti bie prapë,
Se s`mund ta bëja pak më të madhe,
T`i jepja më tepër det,
Më tepër para,
Dashuri më tepër , guxim , hapësirë,
Lirisë sime e të vogël,
Ku rrobat e mëdha s`i rrinë mirë…
FERRI
Dante e Virgjili ende drejt Ferrit po shkojnë,
Purgator e parajsë i mbajnë për koperturë,
Kaq kohë me to, ferrin nuk e pranojnë,
Ata që tri ferre nuk do i qasnin kurrë.
E veçanërisht s`pranojnë të drejtët,
Që rrëmbyen parajsën duke u hequr të mirë,
Dhe Dante e Virgjili gjithnjë rreken,
Ti bindin…po sa vështirë…
VALA E DASHURISË
Me memecëri vargu të strukur valë e dashurisë më godet.
Në ka mister që duhet thurur ky është më i ëmbli mister.
Në ka mister që duhet zhbërë dhe sërish ndërtuar,
Patjetër mbetet ajo, valë e dashurisë së premtuar.
TË FSHEHTAT
Të fshehtat që mblodhe tinëz,
Si ky gërshet që rri pas shpinës,
Si këta sy që detet braktisën,
Erdhën poshtë qepallës së bukur,
Të fshehtat që ti mblodhe dhe erdhën
Tek ti për t`u strukur.
Mirë do ishte t`i tregoje,
Ti nxirrje të gjitha para dëshpërimit tim,
Për këtë botë që përvetësove,
Çfarë të bukur ka me teprim.
Mirë do ish të m`i tregoje,
Se u lodha me to shumë,
Si të vrisja mendjen pse
Nga malet rrjedh dhe jo nga deti një lumë..
Ndërsa e vras mendjen për to,
Ndonjë të fshehtë e tregon,
Se s`mund të jetosh pa dashuri,
Afër teje jam, mendja të bredh tjetërkund ty…
NJË MËNYRË
Një mënyrë larg botës për të jetuar,
Mbetet poezia.
Edhe pse fijet e saj të dritës,
Shkëlqimin humbasin në largësi.
Kulla e fildishit mbyll gjithë portat,
Poeti si zog brenda guackës rri.
Nga tërmetet e botës guacka kur çahet,
Poeti del,me fjalën që në buzë i rri,
I shëndosh zemrën dhe i zgjat krahët…
Botës që s`do poezi…