Kulturë
Xhevahir Cirongu: Vargu i poetit Adem Zaplluzha
E premte, 28.03.2014, 08:05 PM
Vargu i poetit Adem Zaplluzha
shpërthen edhe te haiku
Kritikë nga Xhevahir Cirongu
Nuk është një rastësi, që poeti Prishtinas Adem Zaplluzha, ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë na paraqitet me një tufëbuqetë poezish të haikut. Ai ka derdhur gjithë gugllimën burimore të shpirtit të tij në këtë vëllim të ri me poezi(Haiku). Pas shumë veprave të botuara me poezi, këtë radhë ky poet cilësor dhe i ndryshëm nga poetët e tjerë; na paraqitet me një stil disi ndryshe në vargëzim të vargut poetik. E themi këtë, sepse ai sjell para lexuesit të poezisë një gjini tjetër e cila kjo lloj poezie është pak e njohur te lexuesi ynë. Kjo llojë poezie është shkruar më shumë nga poetët Japonezë, dhe më pas u perhap edhe në vendet e kontinentet e tjera, pra edhe në Shqipëri. Poetët shqiptarë kanë shkruarë dhe shkruajnë bukur haikun me fjalën e bukur shqipe. Poezia haiku është varg i çastit, ku poeti e lidh vargun me natyrën që e rrethon, e kështu shpërthen së bashku me ndjenjën e brendshme të tij. Kam lexuar varg të haikut nga disa autorë të vendit tonë, dhe më kanë befasuar me stilin e mënyrën e të shkruarit. Ata kanë këputur petale vargu nga haiku shpirtëror i tyre, që kur i lexon librat me këtë lloj vargu sa të shkurtër e të ngjeshur me gjetje filozofike; s’ke se si të mos emocionohesh. Aty, te ai varg plot ylbere, shpërthen mendimi e fluturon drejt hapsirës qiellore. Dhe jo vetëm kaq, por është në kërkim të së bukurës fjalë deri në kozmos. Në këto dy dekada të shekullit XXI, poetët shqiptarë po e thonë fuqishëm fjalën e tyre edhe duke shkruar vargun e poezisë në haik.Ata janë shumë, ne po sjellim vetëm disa emra prej tyre si, Milanov Kallupi, Muharrem Gazioni, Nebi Dragoti etj. Kësaj armate poetësh të cilët kultivojnë haikun e që shtrihen në gjithë hapsirën shqipfolse, i shtohet edhe një emër tjetër që këtë radhë na paraqitet me varg haik, dhe ai është poeti nga Kosova Adem Zaplluzha.Vargu që shkruan në haik, Ademi pulson fuqishëm me vendlindjen e tij Prizrenin. Rrënjët e vargut poetik janë ngulur nga veriu deri në skajin më jugor të Shqipërisë, atje te deti Jon. Flladi i luleve pranverore, era e maleve të bjeshkëve shqiptare, valët e bardha të Lum Bardhit të Prizrenit, ’’puthen’’ me kaltërsinë e ‘’Baba Timorrit’’, dhe ‘’shtërngojnë duart’’ me detin Adriatik e ‘‘vallëzojnë’’ së bashku me detin Jonian. Dhe për këtë poeti shkruan kështu:
‘’Në gjumin e Lum Bardhit,
Ndjeva afshin
E puthjes së Jonit!’’
Duhet të theksojmë se poeti nuk lë pa përmendur edhe qytetin e vendlindje së tij. Ashtu, si gjithë poetët e tjerë të cilët kanë shkruar për vendlindjen e tyre të dashur, edhe poeti Adem Zaplluzha nuk e anashkalon atë, por hedh vargje të ëmbla edhe në haik për qytetin e lindjes, sepse ‘’oksigjeni’’ i frymëzimit poetik është aty te vendlindja. Midis të tjerave ne shkëputëm këto vargje diamantësh që poeti ka ditur të përshkruaj aq bukur në tre vargshin e shkruar te haiku i këtij vëllimi të parë në varg haik. Natyrës së bukur që ka qyteti i Prizrenit, nuk i shpëton dot edhe syrit e ndjenjës së potëve, historianëve apo vizitorëve të ndryshëm kur shkojnë aty në këtë qytet me vlera të shumta historike e atdhetare. Më komkretisht, poeti shprehet me këto vargje:
‘’Qyteti im
Me zambakë të bardhë,
Pranvera në adoleshencë’’.
Poeti bëhet grusht ndaj gjithë dëshirave të jetës. Në këtë rrugëtim të pandalshëm ai trupëzohet si një metal, që kurrë s’jepet ndaj vështirësive, por ecën me vrullin e erës së shpirtit deri te shpirti i gruas, te kjo qënie njerëzore që ripërtërit shoqërinë e shkrin akujt e së keqes duke mbjellë lumturinë. Burimi shpirtëror i poetit na rrëfehet qartazi nëpërmjet vargut edhe të haikut. Prandaj, ai ka zgjedhur të vendosi gurë të bardhë nga shpirti i tij në këtë vëllim edhe titullin ‘’Një grusht dashuri’’ me haik. Vargu që ka në vetvete trio, e që në vargun e tretë na jep forcën dhe kuptimin filozofik, të bën që ta lexosh disa herë poezinë e shkruar nga ky poet; që tashmë ka një pjekuri klasike në ndërtimin e vargut në gjithë gamën e botimeve me poezi. Ai vjen i fresktë edhe me këtë buqetë të haikut në këtë vëllim të parë. Diku, mes poezive të tjera, ai shkruan:
‘’Një lule buzëvarur,
I hapi petalet
Përpiu mjegullat’’.
‘’Një grusht dashuri
Në shpirtin e gruas,
I shkrin kallkanët!’’
E
megjithatë, vetë poeti bëhet zog e
fluturon. Ai çan mjegullat e kohëve të shkuara e të tashmes, dhe si një meteor ecën i vetëm hapsirës
qiellore, me një kusht për të kapur e
shkruar vargun poetik. Poezia është jeta e vetë poetit Adem Zaplluzha, që në fund të fundit u thotë edhe të tjerëve, e në veçanti lexuesit të poezisë, se poezia të mban gjallë edhe kur je larguar
nga kjo botë fizikisht.Metaforat e gjetura, krahasimet, figurat e tjera letrare që janë ‘’mbjellë’’ në
haikun e shkruar të poetit Adem Zaplluzha, s’ke se si të mos ndihesh i plotfuqishëm e të
ecësh i qetë në rrugën e qumshtit në
hapsirën qiellore.Më konkretisht shkruan:
‘’Një zog në fluturim,
I pyet mjegullat
Për rrugën e qumshtit’’.
...Dhe poeti e mbyll vëllimin poetik haiku ‘’Një grusht dashuri’’ me këto vargje dritëjete :
‘’Nëse arrin
Të bisedosh me gjethet,
Shndërrohesh në lule!’’.
Me këto vargje tregohet qartë, se jeta jonë është një gjethe që gjelbëron në stinët tona, por më e rëndësishme është kur arrin të bisedosh me këto gjethe, të cilat janë vitet tona, sepse një ditë ato do thahen, por bashkëbisedimi i shndërron vitet në lule që s’vdesin kurrë, pra kjo lule e ka emrin mirësi!
Autorit i urojmë suksese të tjera në krijmtarinë letrare.