E diele, 28.04.2024, 05:37 PM (GMT+1)

Kulturë

Kristaq Turtulli: Përparim Hysi - këngëtari i dashurisë

E premte, 28.03.2014, 08:55 PM


Disa mendime rreth krijimtarisë së këngëtarit të dashurisë Përparim Hysi

Nga Kristaq Turtulli

Nuk ka përse ta mohojmë, dhe më duket më se e normale që krijuesit, artistët, heshtazi duan të dëgjojnë me modesti. Ngandonjëherë më tepër se modestia, presin të shohin ndonjë fjalë, apo shkrim, që të thuhet dhe të shkruhet për ta, për krijimtarinë dhe artin e tyre. Shpesh, në vetminë e njohur, e të pashmangshme të krijuesit, ndjehet trishtimi me heshtjen që pason. Dhe trishtim i tillë është më se i natyrshëm ngaqë kohët  kanë ndryshuar e mendësitë dhe lexuesit janë larguar.

Në këto kushte të ndryshimeve të mëdha, në ekonominë e tregut, krijuesit artistë janë më  të zhveshurit prej përfitimit moral. Ata vazhdimisht krijojnë dhe dhurojnë art e krijime si farëmbjellësit, iluministët e hershëm pa menduar për përfitimin e papërfituar. E pra është më se normale që krijuesi i mirëfilltë, i përkushtuar pas pasionit, pas asaj që dashuron me mish e me shpirt, që jep gjithçka, që e ka lidhur jetën me artin dhe letërsinë nuk shkruan për veten, por ai shkuan për të tjerët, të dëgjojë një fjalë të ngrohtë, një inkurajim, një vlerësim.

Këto mendova kur fillova të shkruaja diçka për krijimtarinë e bollshme dhe të shumëllojshme të poetit dhe rrëfimtarit të ëmbël, këngëtarit të dashurisë, Përparim Hysi. Njëherësh duke ditur diçka dhe nga jeta, ndershmëria, ndjeshmëria dhe përkushtimi i tij. E pra, ndër këta, që kërkon të thotë diçka, që do,  të ndihmojë të tjerët është padyshim Përparim Hysi. Mësues për nëpër fshatrat ndryshme të Myzeqesë, vite me radhë. I dashuruar me profesionin të bukur e të shenjtë të mësuesit. Këtë dashuri, përkushtim dhe ndjenjë e sheh në shumë nga krijimet e tij, si në poezi ashtu dhe në prozë. Ai është vëzhgues dhe qëmtues i hollë.

Emigrimi i Përparimit në Amerikë, pranë djalit të tij. Përpjekja për përshtatje, vështirësitë e njohura të emigracionit. Malli për të shkuarën dhe vendimi i madh, kthimi përfundimtar në vendlindje, nuk ka se si të mos kenë lënë gjurmë në memorien  e shkrimtarit. Sidoqoftë, eksperienca e gjatë në mësuesi, ikja, mërgimi mijëra kilometra larg, vështirësitë dhe vendimtarja për kthim në vendlindje, kanë ndikuar pozitivisht në krijimtarinë e shumëllojshme të Përparimit, si në poezi po ashtu dhe në prozën e dalluar rrëfimtare.

Përparim Hysi është mik i mirë, i dashur me të gjithë dhe është ndoshta ndër të rrallët që kurrë ka përtuar së shkruari, së hedhuri mbresa, përshtypje për krijimet e miqve, të njohurit dhe shokëve të tij.  Me seriozitet devotshmëri, përgjegjësi krijuesi.

Shumë vite më parë ndesha disa krijime të poetit dhe rrëfimtarit të talentuar fierak aso kohe me banim në Shtetet e bashkuara të Amerikës, Përparim Hysi. Më tërhoqi vëmendjen mënyra spontane e të shkruarit, thjeshtësia dhe natyrshmëria. Me sa më kujtohet ai ishte ndër të parët që u aktivizua në klubin tonë ‘Bota e re’. Dallohej për një sinqeritet dhe përgjegjësi të respektueshme, duke hedhur herë pas here cikle me poezi dhe tregime rrëfimtare të ngrohta. Më kënaqte spontaniteti dhe lirshmëria e të shkuarit, si në poezi gjithashtu dhe në prozë.

Në krijimtarinë e tij të shumtë gjeje shumë vend që i këndohej dashurisë, si gjëja më e bukure jetës siç di të këndojë vetë Përparim Hysi. Në krijimet e tij kishte gjetje dhe mall të pashuar për vendlindjen, që gjendej mijëra kilometra larg. Në fillim u habita për prurjen  e madhe të Përparimit dhe për lirshmërinë e të rrëfyerit. Librat e tij poetikë pasonin njëri tjetrin, në të gjithë librat e tij me poezi. Si: “Rektimat e dashurisë”, “Prushi i dashurisë”, “Më piku dashuria”, “Luftë me dashurinë”, “Mbeta dashurive”, “Njerëz që dua”. Përparimi si në prozë po ashtu dhe në poezi shquhet si një rrëfimtar plotësisht i arrirë dhe ku shfaqet dashuria, ndjenja e çiltër e poetit e cila zë një vend të rëndësishëm në krijimtarinë e tij. Dashuria e poetit tonë është gjithëpërfshirëse. Sa bukur sa poetik, sa thjesht, sa prekëse e krahason poeti të dashurën me trëndafilin:

Ti je si një trëndafil i bukur,në maj

Harlisur shëndeti;shpërthyes,tërë gaz

Unë të shoh dhe nuk e kam kollaj

Që trëndafilin e bukur të mos e”vras”

Poeti është i brishtë, i ndjeshëm, transparent, sepse vetë ai është më delikat se trëndafili, pra së dashurës, së cilës i këndon me aq bukuri dhe ëmbëlsi. Kur sheh dhe lexon krijimtarinë e mikut tone Përparim  Hysi, nuk ka si te mos kesh respekt dhe ta përshëndesësh krijimet e tij. Ai herë pas here na jep, na dhuron me shume bujari krijime te bukura si rralle të tjerë, ku në themel pothuajse të gjithave krijimeve është Dashuria. Dashuria për njeriun që do, që e ka ëndërruar, që ka ikur dhe nuk është më. Dashuria për kohën  që shkoi. Dashuria për njeriun, dashuria për mikun. Dashuria për njerëzit e afërm. Dashuria për natyrën dhe jetën.

Përparimi Hysi është ndoshta nder të rrallët tek ne, në Bota e re, ndoshta dhe me gjere, që nuk reshtën së shkruari, qe ka një krijimtari te pashtershme, rrëfimtar i ëmbël, me plot bereqet, me humor të hollë dhe musht jete.

Përparimi shpesh herë na shfaqet në poezi si erotik i këndshëm, që di të zhbirojë në ndjenjat më të holla të femrës dhe trupit të saj. Ai me poezitë e tij të guximshme më kujton një mikun tim të hershëm, të dalluar, shumë herët me poezinë e tij erotike, Klito Fundo. Poezia erotike është shumë e vjetër, kujtojmë këtu Safon, Omer Khajanin e të tjerë. Poezia erotike  të intrigon me imazhet e prekshme, të fshehtat e këndshme të asaj që do, të bën të ndjehesh diçka më i lehtë dhe më sensual. Në fund të fundit të gjitha janë pjesë e jetës dhe kanë vlerë, mbahet mend kur qëmtohet me art  dhe bukuri.

Por puna është si shpreh, është si e thua dhe sa bukur, e sa rrjedhshëm e thua atë, në mënyrë që të ruajë sensin e masës. Poeti Përparim Hysi me thjeshtësi dhe lirshmëri na e paraqet bukur si fjala vjen në poezinë: Futa dorën:

Futa dorën nën fustan?!

Çfarë kërkoj,moj,aman?!

Nën fustan e nën këmishë

“Lepurushen” dua,ta dish.

Ajo fle,po unë e zgjoj

Se nxjerr “pushkën” e qëlloj...

Poeti Përparim është i ngrohtë lirik, të bën për vete, me shkathtësinë dhe lirshmërinë e shprehjes së mendimeve dhe ndjenjave.

Kam një ves që fatalisht më mban të ri

Ves do të jetë se ç`tjetër?

Si djalosh unë prap bie në dashuri

Megjithëse jam i vjetër.

Ka më të sinqertë dhe të thënë bukur në këtë  poezi? Ndjenja e bukur e dashurisë i gëlon në gji, i thotë me kurajë dhe fanitjes së pleqërisë së keqe, e cila të mpak trupi dhe të mpin zemrën. Por gjithsesi është shpirti i zjarrtë i poetit që e mban flakën e pa shuar të jetës rinore. Siç e theksuam më sipër pothuajse në të gjitha krijimet e tij poetike dashuria zë një vend të rëndësishëm. Dhe kjo është më se natyrshme, pothuajse të gjithë krijuesit i kanë kënduar me patos dashurisë, syve të shkruar, trupit të derdhur të femrës dhe ndalimit të pashmangshmen të mplakjes

Di e sheh ky syri i plakur.

Në shezlongën që po fle

Në lëviz tensioni i gjakut,

Ka një shkak e ka një pse.

Sa bukur shprehet te kjo poezi e mësipërme. Autori nuk ndjehet i trishtuar për vitet që shkojnë, sepse ato janë të pashmangshme për çdo krijesë në botë. Por zemra e tij vlon si djalë i ri. Sepse është zjarrmi i vetë krijuesit që e mban veten të ri.

Poeti atje kur ishte në kurbet, në Amerikën e ëndërruar prej shumë kujt, në Floridën plot diell nuk u ndje mirë, i qetë. Nuk ishte vetja e tij e plotë. E ndjente mungesën e ajrit të pastër, paçka se aje në vendlindje mund të ishte i lagësht dhe pakës më i ftohtë  dhe akoma nuk ishin shuar marrëzitë dhe pasionet politike. Zëri i brendshëm ia prishi gjumin, e nxiste gjithnjë e më tepër. Mali i mëmëdheut  dhe zëri i të parëve e ftohin të shkonte, aty ku balta është më e ëmbël se mjalti dhe poeti ynë Përparim Hysi bukur dhe me ndjenjë të sinqertë e kuptimplotë e thotë:

Sa e rëndë, sa e hidhur të jetosh në dhe të huaj.

Përparim Hysin ka një krijimtarinë e bollshme, si në poezi gjithashtu dhe në prozën e bukur rrëfimtare. Krijimtaria e tij gurgullon, proza e tij të tërheq dhe të mban peshë përgjatë gjithë ngjarjes. Përparimi në krijimtarinë e tij është i thjeshtë dhe i natyrshëm. Të rrëfen një ngjarje me një natyrshmëri befasuese dhe ti si lexues e ndjek dhe e përjeton atë. E veçantë e tij është se pothuajse në të gjitha krijimet gjen një gjetje në dukje të thjeshtë, por interesante dhe të bukur, të pa thënë më parë, e cila të kënaq me rrëfimin që rrjedh si ujët e burimit. Në përgjithësi, në çdo krijim të tij, Përparimi është ai vetë, i vërtetë përpara vetes dhe të tjerëve. Si e ka realizuar ai këtë rrjedhshmëri, vërtetësi dhe natyrshmëri. Imagjinoni për një çast fushën e së pasur e të madhe të Myzeqesë, që dikur i thoshin hambari i Shqipërisë. Me fshatrat si kërpudha të shpërndara përreth, ku jetojnë dhe punojnë myzeqaret, të cilët gjithnjë kanë qenë dhe janë të punëtorë, të respektuar dhe mikpritës. Atje gjithnjë gëlon jeta dhe mund të gjesh dhe të mbledhësh, fakte, përshtypje dhe mbresa të shumëllojshme. Të cilat biri i thjeshtë i Myzeqesë, i sinqerti Përparim Hysi i mbart me vete si të shenjta ngado që shkon. Përpunohen në laboratorin e tij krijues dhe pastaj hidhen nxitimthi në letër për të lënë një fjalë apo një shkronjë të gdhendur pas vetes.

Pothuajse të gjithë krijuesit përgjatë shekujve nuk kanë qenë asnjëherë të pasur. Ata kanë pasur gjithnjë: një penë, një letër dhe një dolloma të vjetër, për tu mbrojtur nga të ftohtit. Të tjerët kanë ikur pa lënë gjurmë. Krijuesi ashtu thjeshtësisht, pa e ditur, një fjalë e tij ka rrjedhur në rrëketë e kohërave dhe ka mbetur si gur i vogël, me vlerë një shkëmbinjtë e përcëlluar të kohës.

Përparimi është narratori  i hollë dhe i veçantë. Ai di të rrëfejë bukur, të gjithë ato që i mbarti me vete në vite. Shumë e shumë njerëz kanë pasur dhe kanë mbresa dhe përshtypje përgjatë rrjedhës së viteve. Sepse jeta lë gjurmë në memorien e gjithsecilit nga ne. ‘ Struktura e të folurit dhe të shkruarit nuk është thjeshtësisht njëlloj me imazhin e pasqyruar në pasqyrë, në atë të menduarit.’ Ka thënë filozofi Lev Semenoviç Vitosky. Pra shumë pak janë nga ata që kanë në duar çelësin e artë: transmetimin  dhe rrëfimin emocional dhe artistik.

Përparimi qysh në fillim të rrëfimeve të tregimtare të futën menjëherë në qerthullin e ngjarjes me një narracion të ngrohtë të rrjedhshme. Duke zgjedhur me kujdes si amvisë e mirë myzeqare, gjetjen dhe kostumin e realizuar të tregimit, të rrëfimit. Ashtu thjeshtësisht na jep natyrën, motin  dhe çfarë stine është, e cila është shumë e domosdoshme në prozën në përgjithësi. Ambientin. Njëherësh duke gërshetuar të gjitha komponentët që i duhen tregimit rrëfimtar narrator. Përshkrimi i personit në fjalë dhe e të tjerëve që do të jenë dhje do ti japin jetë ngjarjes në fjalë.

Pa përmendur krijimet e shumta, unë do të ndalem do të  marr për shembull tregimin e njerë dhe rrëfimtar: ‘Verorja e Vesho agait.’ Qysh në titull ky tregim të intrigon. Përse duhet të jetë kjo Verore e Vesho agait? Përparimi të fut ngadalë në hullinë e ngjarjes, me shkakun e sëmundjes, infeksionit të tij dhe se ishte pranverë. Pra menjëherë na dha dy informacione të rëndësishme, infeksionin e tij dhe kohën, të cilat janë shkaku dhe e zhvillojnë rrjedhën  e ngjarjes më tej. Infeksionin e detyroi doktorin ta niste djalin konviktor në shtëpi. Më pas me ngjyra të ndezura, me mall të papërshkruar përshkruar kthimin  në vendlindje. Kujtimet e së shkuarës janë shumë të ndezura në memorien e autorit shpesh i hedh me shkathtësi në të tashmen me trishtimin e shkatërrimeve që kanë ndodhur në vendlindje. Pra krijuesi me këto lëvizje të shkathëta i jep prozës së tij më shumë frymëmarrje. Kjo prozë rrëfimtare e veçantë e autorit të mban peshë dhe ai me mençuri të merr për dore dhe të çon aty ku do vetë. Ndiqeni sa bukur e përshkruan portretin e Vesho Agait:

‘Do thoni ju kush ishte ky"Vesho"Agai. Me pak fjalë, po ju tregoj. Ky qe një burrë kaba (unë i thosha karabina), me ca veshë të gjatë (gjëkundi as kam parë të tillë), mu si parafango makine. Pse i kishte kaq të gjatë veshët, pa i kish mbetur "Vesho". E sa për atë "aga", kështu thirren gjithë burrat. Ky lloj "agallëku" është si punë përkëdhelie...’

Më pas rrëfimi i Përparimit rrjedh ngrohtë, gurgullon si ujët e burimit. Përsëri është ndjenja e dikurshme djaloshare, dashuria e që na paraqitet aq thjeshtësish dhe me ndjenjë të bukur, siç di ti këndojë dhe ta i japë të gjallë dhe të freskët Përparim Hysi. Verorja e puthën në faqe dhe ai pas disa hezitimesh në rrëfim në formën e monologut e tërhoqi të dashurën pranë e puthi fort buzë. Ngrohtësia, çiltërsia, thjeshtësia e të shkuarit dhe komunikimi i lexuesit është realizuar me mjeshtëri. Përnjëherësh kjo mënyrë e të shkuari të kujton prozën rrëfimtare e plot kolor, art dhe jetë të Mitrush Kutelit. Ngrohtësinë dhe lirshmërinë e Sotir Andonit, pse jo dhe disa krijime të Çehovit. Si fjala vjen disa elemente të shkuara ngrohtësisht si te tregimit i njohur: ‘Shakaja.’

Pothuajse të gjitha krijimet rrëfimtare te Përparimit i drejtohet kujtimeve, mbresave të pashlyeshme dhe i paraqet këto përpara lexuesit me ngjyra të freskëta, origjinale të bukura që të mbeten në mendje. Konkretisht, me pak penelat, të kursyera janë vizatuar në tregim Verorja, vajza që donte autori dhe i ati i saj Vesho agai. Këta dy personazhe të mbeten në mendje dhe janë të lënduar me kohën  që shkoi. Kjo mënyrë e të paraqituri të personazheve hyn në mjeshtërinë e të shkruarit të autorit. Letërsia e mirëfilltë ngrihet e lëvrohet mbi gjetjen, forcën dhe shprehjen e karaktereve.

Përparim Hysi është ndër krijuesit më prodhimtarë dhe me zë karakteristik. Ai shkruan gjithnjë në poezi dhe në prozë, paçka se mosha po vrapon dhe bën të sajën. Thesi i tij i krijimtarisë është i mbushur plot me kujtime dhe mbesa të cilat janë hedhur në letër dhe të tjerat mezi presin të shkruhen prej tij...

Mendoj se Përparim Hysi është  një zë i këndshëm në prozën shqiptare. Suksese të mëtejshme miku im mirë Përparim Hysi.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora