E shtune, 27.04.2024, 03:46 AM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: Puntorie Ziba - ''punëtore'' e madhe

E hene, 31.03.2014, 06:11 PM


PUNTORIE ZIBA: “PUNËTORE” E MIRË,  ME SHUMË LIBRA TË BUKUR…

Nga: Prof. Murat Gecaj

1.

Ndokush, mund të pyesë: Si u njohe ose si u lidhe me poeten Puntorie Ziba? Meqenëse nuk përbën ndonjë “sekret”, po ua tregoj, shkurtimisht. Me dëshirën e mirë që ta kisha pjesëtare në librin për krijueset tona dhe një bashkatdhetare nga trojet amtare në Maqedoni, i kërkova “ndihmë” kolegut e mikut tim, Nehat Jahiu, me banim në Orizare. Sepse unë vetëm kisha lexuar diçka, në faqet e Internetit. Ndërsa ai e njihte mirë krijimtarinë e saj dhe më shfaqi mendimin, që të komunikoja për këtë gjë, me mësuesen e poeten Puntorie Muça-Ziba, nga Struga dhe me banim e punë mësuese, në qytetin Shkup.

Kështu, në vijim, i dërgova asaj një mesazh, bashkë me kërkesat përkatëse dhe ajo u përgjigj menjëherë. Më poshtë, po shkëpus disa radhë, nga ato çfarë shkruante Puntoria, në e-mail e saj:

I nderuar Z. Gecaj! Në fillim, të përgëzoj për punën që po bëni, pasi ajo do durim, sakrificë dhe kohë.  Me kënaqësi pranoj që edhe unë, femër krijuese, të futem në librin tuaj. Me guximin tim krijues, jam përpjekur që t'i gjykoj shfaqjet e barierat, shabllonet dhe të gjitha dukuritë tjera të shëmtuara, në këto treva. Me këtë rast, po ju dërgoj disa poezi, sa për të patur një imazh për krijimtarinë time. Por mund të hyni edhe në faqen time zyrtare, në fb dhe do të njiheni më gjërësisht me punën time krijuese. Aty mund të gjeni poezi të përkthyera, fragmente nga romanet dhe atë, se çka ka shkruar kritika e mirëfilltë për veprat e mia.  Unë ju përshëndes dhe ju dëshiroj suksese! Do të jemi në kontakt…”.

Më tej, shkurtimisht, Puntoria flet për jetën dhe veprimtarinë krijuese e botuese. Lindi në qytetin e Strugës, në vitin 1954. Shkollën fillore e kreu në Veleshtë, të mesmen në Strugë, kurse Akademinë Pedagogjike, dega gjuhë e letërsi shqipe, në Shkup. Ka vite që shërben mësuese letërsie, në një shkollë 9-vjeçare trigjuhëshe, po në këtë qytet.

2.

Krijimtaria e Puntorie Zibës është mjaft e pasur. Deri tani, ajo ka botuar këta libra poetikë, për të rritur: ”Rruga e mjellmës“,1987; “Sodisin yjet”,1990; “Kuku”,1977; “Rapsodi udhëtarësh”,1995 e “Suita e lënduar”,2002. Në vitin 2000 botoi librin me poezi për të rritur, në gjuhën maqedone,Suita ime”(” Mojata svita”). Në vazhdimësi, ka botuar librat poetikë për të rritur: “Vega”,2006; „Edhe qielli mbetet i kaltër“, 2011 dhe në vitin 2013 „Lulesyri“, poezi anglisht-shqip-maqedonisht.

Por, e çmuar është krijimtaria e Puntories edhe për fëmijët. Kështu, ka botuar librat me poezi, kushtuar atyre: “Yllkat bisedojnë me meteorë”,1994 e “Xixëllonjat luajnë valle natën”, 2007 dhe pjesën dramatike “Aventurat e princit Ujkan”,1999. Ndërsa për të rriturit ka shkruar pjesët dramatike : “ Motrat me shirit të kuq”, venë në skenë në Shkup dhe në Teatrin Kombëtar, Tiranë,1993 -1994; “Dorotea”, botuar në revistën "Stili", 1998; “Udha e ikjes” ,   fitoi çmimin e tretë. në konkursin “Buzuku” , Prishtinë dhe botuar më 2007; “Nuk martohem kësaj vere”,1999 ; “Zonja me celular”, monodramë dhe « Ahengu i grave të qytetëruara” e “Djajtë e netëve të fundit”, të botuara në revistën “Jehona” dhe komedia Harta sekrete”.

Në prozë, ka botuar librat me tregime, për të rriturit: “Shtatë vjet pritje”,1974 ; “Te logu i cucës”,1998  dhe “Mjedra e egër në malin e thatë”,2003. Ndërsa titujt e romaneve të Puntories janë :Vjeshtë totemesh”,2007; “Emma Jazzi”,2009; “Unë, dhuna dhe Emma Jazzi”, 2009 e „Gjurmë dhe ishuj“, 2012. Për romanin e fundit janë shprehur, me artikuj vlerësues: Fatmir Terziu, Ramadan Musliu, Violeta Allmuça dhe Ahmet Selmani.

 

Disa poezi të kësaj autoreje janë  përkthyer në anglisht, rumunisht, frengjisht, gjermanisht dhe  në gjuhën arabe. Ato janë futur nëpër antologji, të botuara në Londër, Bruksel, Bukuresht, Damask etj.

Për tërë këtë veprimtari të gjerë e cilësore, krijuesja e talentuar Puntorie Ziba është nderuar me çmime dhe mirënjohje të ndryshme. Ato i ka marrë në disa veprimtari: në takimet e poeteshave në Kosovë (Vushtrri, 1995 e 2008) e Tetovë (2008); në Kuvendin e tretë të Grave të Shquara të Kombit (Shkup, 2004) dhe në Festivalin e poezisë të vllehëve, në Maqedoni (Shkup,2001). Ka merituar Çmimin e tretë në konkursin „Buzuku“, me një dramë për të rritur (Prishtinë, 2007) dhe ka marrë Diplomë nga Klubi  i Shkrimtarëve në Botë, „Drita“.

Po kështu, është nderuar me shumë çmime të tjera, në konkurset letrare, për poezi dhe tregime, në edicionin e botimeve të „Flakës së vëllazërimit“ dhe në takimet e pedagogëve krijues (Shkup, 1996).

3.

Besoj, është e kuptueshme që nuk mund të bësh një analizë të gjithë kësaj krijimtarie, në pak faqe të një shkrimi të zakonshëm. Por dëshiroj të shfaq vetëm ndonjë mendim modest për pak poezi, të cilat m’i ka dërguar Puntoria dhe që i kam tani përpara. Menjëherë, e ndjen se temë e pëlqyer e saj, e cila lidhet me profesionin mesuese, është kushtimi për shkronjat e ndritura të gjuhës amtare shqipe. Nga poezia me titullin „Për kokë të shkronjave“, po shkëpus vargjet kuptimplotë, shkruar kundër dhunimit të tyre nga vandalët maqedonas, në maj 2013: “...Dhe durimi, a nuk t’i këputë fijëzat,/ kur trazojnë plagët e shkronjave/ të Manastirit!?/ Ah, ç'më vjen/ sikur m’i këpusin vargjet/ me gërshërë/ e m’i prejnë kokat/ e profetëve të mi!?”
Po me kaq atdhetarizëm e zjarr shkruan ajo, në vargjet kushtuar qytetit të saj dhe Flamurit Kombëtar Shqiptar. Ndërsa nga poezia plot lirizëm, “Hëna”, po marrim vargjet e bukur: “Bëhesh nuse nga mesnata,/ e vejë mbetesh sapo zbardh./ Mbete nimfë, mbete nimfë,/ ia zë vendin errësirës /e ditës kur i bën hije,/  ti mashtruese prej argjendi,/ ia gjerb sytë ndonjë vashe,/ që e tretë në merak;/ i fute në kthetra dashurie/ të rinjtë e gjorë dhe ndonjë plak”.

4.

Në mbyllje të këtyre radhëve, dëshiroj të nënvizoj që,sigurisht, tërë kjo krijimtari e autores Puntorie Ziba, sasiore e cilësore, nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së kritikës dhe, në përgjithësi, të fjalës së lexuesve. Pra, herë pas here, ata kanë shprehur mendime dhe kanë bërë vlerësime objektive për të. Njëri nga ata, ka pohuar: “Shkrimtarja Puntorie Ziba vlerësohet një nga pioneret e para, të përfshira në lëvizjen feministe të autoreve femra, me nocionet e indivdualitetit dhe të identitetit krijues letraro-artistik, që e kanë klasifikuar atë në letrat shqipe”. Ndërsa një tjetër, ka shkruar edhe këto fjalë, kur ka komentuar një libër të saj: “Puntorie Muça-Ziba, pishtare e pasosur e arsimimit dhe shtjellë e kujtesës kombëtare. Shpirti i saj krijues, i veshur me spektrin e dritëhijeve, do të ndrisë edhe më shumë e do të bëjë lëvizjet andej, ku bashkohen rrugët e lirisë dhe të bashkimit: ATDHE!” Po kështu, në komentin e libritë të ri, “Lulesyri”(përrmbledhje vjershash), janë mjaft domethënës mendimet e shprehura: “Nga vargjet e këtij libri buron cilësi, e cila e josh dhe e mahnit lexuesin artdashës, nëpërmjet tyre nënkuptohet fati tragjik i shqiptarëve, kudo që jetojnë, në tërë rruzullin…Poezitë e kësaj autoreje janë plot shpirt kombëtar”.

Tiranë, ___mars 2014



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora