Kulturë
Puntorie Ziba: Gremisja e fundme
E diele, 30.03.2014, 05:01 PM
Puntorie Ziba
Gremisja e fundme
(Vaj për ty dhe për vete, jeta ime)
Pinjolle e hyjnive linda,
si kokërr qershie.
Të gjitha mi more jeta ime,
gjithçka që më përkiste mua:
edhe jetën, edhe dashurinë,
edhe veshjet mondane,
edhe rehatinë e natës nën kupën qiellore
prush me yje...
Ti më le vetëm
mes djepit të vargjeve
dhe narracionit elegant
që shtrihej si nota simfonie
mes labirinthesh
mbi faqe fletoreje.
Unë isha mollë,
e hollë.
Nuk e di në bëje sehir
kur ndjellje shkrepëtima
dritë apo rrufeje
nga kupa qiellore.
Unë mbeta kumbull,
e rrumbull.
Ti qaje për mua natën
kur bastisje linjen e gjurmëve të mia
nën hijen e brengës, sa një mal.
Ah, erdhën pranverat e shkuan pa i parë,
erdhi vjeshta e tretë me shi,
ranë gjethet,
u poqën gështenjat
pa i shijuar...
Eh, ç’më dhimbsen lotët,
si shi pikonin
nga sytë e mi mbushur me dritë,
mbi pëlhurën e bardhë.
Mi more të gjitha,
jetën ma more...
Ti më le vetëm
pranë djepit të vargjeve
dhe narracionit elegant
që shtrihej si nota simfonie
mes labiritnthesh
patriarkale.
Bëre faj me mua
jeta ime,
mbeta mollë jeshile dhe engjëll krahëthatë
brenda një shtegu të mnershëm,
përplot nota funebre
me ritme të çartura
që mi hodhe nëpër dhomë,
si merimanga të zeza helmuese
mes ëndrrash,
akoma i dëgjoj ato nota
si shushurimë përroi
dhe do t’i dëgjoj
deri në natën e kobshme
të gremisjes së fundme,
kur asnjë fijëz e syrit tim
nuk do të bëj dritë,
asnjë fijëz nuk do të bëj më dritë
se ti,
eh, ti do të ma marrësh jetën, jeta ime...
Mars, 2014