E premte, 26.04.2024, 04:03 AM (GMT+1)

Mendime

Dosja "Hajdari", rrëfehen prokurorët

E enjte, 05.06.2008, 05:21 PM


Kryeprokurorja, urdhër për ata që hetuan çështjen: Na tregoni problemet që hasët gjatë hetimit e gjykimit

Rihetimi i vrasjes së Azem Hajdarit, më 12 shtator 1998, në afërsi të selisë së Partisë Demokratike, ka detyruar Prokurorinë e Përgjithshme t‘u kërkojë informacione ish-hetuesve të çështjes. Ata kanë përpiluar një informacion të detajuar për zyrën e akuzës qendrore, përkatësisht për Drejtorinë e Krimit të Organizuar dhe për zyrën e marrëdhënieve juridiksionale me jashtë. Urdhri i Ina Ramës u është dërguar drejtuesve të Prokurorisë së Tiranës, pasi në këtë organ akuze punojnë disa ish-hetues që kanë marrë pjesë në grupin e prokurorëve, të cilët janë munduar të zbardhin ekzekutimin e Azem Hajdarit dhe Besim Çerës. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë për "Shqip" se hetuesit e çështjes kanë treguar mënyrën e ngritjes së akuzave ndaj të pandehurve. Ata kanë detajuar në "memon" e drejtuar organit qendror të akuzës edhe disa probleme gjatë kohës së hetimit dhe gjykimit. Gjithashtu kanë shkruar se tre prej dëshmitarëve kyç të ngjarjes së rëndë nuk kanë dhënë shpjegime. I pari që mund të hidhte dritë mbi mënyrën e ekzekutimit të deputetit të Partisë Demokratike ishte Izet Haxhia, i vetmi që nuk ishte arrestuar nga policia gjatë kohës së hetimit të çështjes. Për pasojë, ai nuk është marrë asnjëherë në pyetje, si edhe të ketë dhënë detaje për përfshirjen e tij në krim. Sipas ish-hetuesve të çështjes, personi i dytë që nuk ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë ka qenë i akuzuari si organizator dhe ekzekutor i ngjarjes, Jaho (Salihi) Mulosmani. Ai nuk ka pranuar për asnjë çast të tregojë detaje, apo implikime të personave të tjerë në këtë ekzekutim mafioz. Personi i tretë që është thirrur për të dëshmuar dhe nuk ka pranuar të prononcohet, është kryetari i Partisë Demokratike në vitin 1998, Sali Berisha. Prokuroria, pas ngjarjes, sekuestroi pamjet filmike të disa televizioneve që transmetonin deklaratën e ish-liderit të opozitës, sipas të cilit: vrasësi i Azem Hajdarit është Jaho Mulosmani. Me gjithë deklaratën publike, ish-hetuesit e çështjes deklarojnë se Kryeministri aktual nuk ka pranuar të dëshmojë në sallën e gjyqit, duke anashkaluar procesin gjyqësor. Krahas problemeve të mësipërme, ish-hetuesit pohojnë se në "memo" janë shënuar të gjitha raportet e seancave gjyqësore. Ata deklarojnë se gjykimi i kësaj çështjeje ka vazhduar për 70 seanca në Gjykatën e Tiranës për të dënuar 4 bashkautorët, njëri prej të cilëve i vdekur. Për vrasjen e Hajdarit, Gjykata e Tiranës ka dënuar me burgim të përjetshëm Jaho Mulosmanin, i cilësuar si organizatori dhe ekzekutori kryesor, së bashku me Fatmir Haklajn, i cili ishte vrarë në Tropojë. Në dosje shkruhet se është dënuar me 25 vjet burg në mungesë Izet Haxhia, me 20 vjet Ismet Haxhia, ndërsa dy të pandehurit e tjerë, Isamedin Haxhia dhe Fatmir Meta, janë dënuar me kohën e paraburgimit. Sipas prokurorisë, Azem Hajdari nuk është vrarë në cilësinë e deputetit, por për hakmarrje.


Dëshmia në Turqi

Propozimi i Izet Haxhisë për akuzën:

Bashkëpunoj, nëse rihapni dosjen

Prokuroria e Përgjithshme ka pranuar "ftesën" e Izet Haxhisë, ish-truprojës së Sali Berishës, që pranon të ekstradohet në Shqipëri, nëse rihapet dosja e vrasjes së Azem Hajadarit. Me anën e një letre, i dënuari me 25 vjet burg, tregon fakte të reja për "vrasjen e shekullit", teksa pranon publikisht se vrasja e ish-deputetit të PD-së mund të jetë kryer për arsye politike dhe jo për hakmarrje. Nga qelia në Turqi, Haxhia shkruan se është i gatshëm të ekstradohet dhe të dëshmojë për drejtësinë shqiptare, por me një kusht: dosja e vrasjes së Azem Hajdarit duhet rihetuar, pasi ka shumë enigma, nga provat në vendngjarje e deri te motivet që i shtynë autorët të kryenin ekzekutimin. Propozimi vijon më poshtë, se në momentin që Haxhia mund të ekstradohet, koha e vuajtjes së dënimit në Turqi të quhet paraburgim dhe jo vuajtje e dënimit. Duket se propozimi i bërë në parim është pranuar "de fakto" nga Prokuroria Shqiptare, e cila ka tërhequr nga Prokuroria e Tiranës të gjitha provat për ekzekutimin e Azem Hajdarit dhe provat për implikimin e Izet Haxhisë. Organi i akuzës deklaron se fillimisht duhet t‘i mbushë mendjen drejtësisë turke për ekstradimin e tij. Aktualisht, zyra juridiksionale me jashtë po përkthen dosjen dhe më pas materialet e provat do të kalojnë në rrugë diplomatike për të përfunduar në Turqi.
Izet Haxhia, ish-truproja e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, gjatë qeverisjes së parë të tij ka qenë një njeri me shumë influencë në selinë blu. Nga shqyrtimi gjyqësor i çështjes "Hajdari", Haxhia është takuar me miqtë e tij tropojanë, të kryesuar nga Fatmir Haklaj dhe kanë planifikuar vrasjen e deputetit. Grupi i tropojanëve, i përbërë nga Fatmir Haklaj, Jaho Mulosmani, Feriz Kërnaja, vëllezërit Ismet dhe Izet Haxhia dhe krutani Naim Çangu kanë planifikuar atë që më pas do të quhej "Vrasja e shekullit". Nga hetimi ka rezultuar se roli i Izet Haxhisë në këtë vrasje ka qenë jo i vogël. Asnjë nga personat e tjerë nuk ka pasur mundësi që të hyjë lirshëm në selinë blu dhe këtë mundësi ia ka dhënë Izet Haxhia. Natën e 12 shtatorit ai ka hyrë në selinë e PD-së dhe ka shkuar në zyrën e deputetit Azem Hajdari. Pasi është takuar me të i ka thënë se jashtë selisë ndodhej një makinë e zezë me targa të Vlorës. Në këtë makinë ndodheshin disa tropojanë, të cilët donin që ta takonin. Bazuar në fjalën e Haxhisë, Azem Hajdari ka dalë nga zyra e tij dhe pas tij kanë shkuar truprojat Zenel Neza dhe Besim Çera. Sipas hetimeve, Izet Haxhia ka qenë në dijeni edhe të shumë detajeve të tjera lidhur me këtë ngjarje të rëndë. Për të gjitha këto, Haxhia është dënuar nga gjykata me 25 vjet burgim.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora