E diele, 28.04.2024, 02:57 PM (GMT+1)

Mendime

Alfred Frashëri: Frashërin e Frasherinjve e kanë lënë në mëshire te fatit

E marte, 03.06.2008, 06:00 PM


Intrevista/Alfred Frashëri: Frashëri është unikal jo vetëm për Shqipërinë sepse nga Frashëri kanë dalë shumë njerëz të mëdhenj, të cilët i kanë shërbyer në shekuj me mish e me shpirt Shqipërisë

Frashërin e Frasherinjve e kanë lënë në mëshire te fatit

Minierat i kanë dhënë vendit 450 ml $ në vit

Nga Albert Zholi

Para një jave në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u promovua libri i Prof. Dr. Alfred Frashëri dhe vëllait të tij Prof. Dr. Neki Frashëri, “Frashëri në historinë e Shqipërisë”. Në promovimin e këtij libri morën pjesë shumë personalitete shqiptare të artit, kulturës dhe shkencës, ku midis tyre spikati dhe pjesmarrja e ambasadorit Egjyptian në Tiranë, Dr. Reffat Ansary, i cili deklaroi mes pjesmarrësvee se e ka origjinën nga Frashëri i Shqipërisë. Mbas promovimit unë munda të zhvilloj një bisedë me njërin nga autorët e libirt. Prof. Dr. Alfred Frashëri. 

CV

Kam lindur në 1935 në Korçë. Kam kryer Politeknikumin në 1953, kam punuar teknik në naftë deri në vitin 1956. Pastaj kam ardhur për studime në Institutin Politeknik në 1961, ku mbarova degën e gjeologjisë. Pastaj kam punuar në naftë, si kërkues. Jam pedagog në Fakultetin e Gjeologjisë prej 1961. Jam Profesor, Doktor  i Shkencave autor i disa librave skencorë.

Libra

“Kërkimet elektrometike”, “ Metodat gjeofizike së aplikuar”, “Përdorimi i metodave gjeofizike për mineralet e dobishme”, “Monografia e fundit” e botuar në 2008, në gjuhën angleze, “Kërkimi i mineraleve të bakrit dhe të kromit në Shqipëri” . “Frashëri në historinë e Shqipërisë”.

Ju lutem mund të na përshkruani ndonjë detaj interesant nga koha për përgatitjen e librit  “Frashëri në Historinë e Shqipërisë”

Libri “Frashëri në historinë e Shqipërisë” është ndërtuar në këtë mënyrë: Së pari kam dashur  të tregojë që Frashëri nuk është një fshat i vetmuar, por është një qytezë e ngritur në një krahinë me kulturë të lashtë, me njerëz të mirë, me njerëz punëtorë, me njerëz të ndershëm, siç është krahina e Përmetit. Pra mbi këtë bazë është ngritur dhe është zhvilluar qyteti i vogël i Frashërit, siç thoshte Samiu. Në këtë libër pasi bëhet një  panoramë e historisë  e trevës së Përmetit  dhe të Dangëllisë, përshkruhen bukuritë natyrore dhe pasuritë natyrore të Dangëllisë e të Frashërit, pas kësaj trajtohet fenomeni, ose dukuria Frashëri, siç e kam quajtur unë në libër.

Ç’është fenomeni Frashëri?

Frashëri është unikal jo vetëm për Shqipërinë sepse nga Frashëri kanë dalë shumë njerëz të mëdhenj, të cilët i kanë shërbyer në shekuj me mish e me shpirt Shqipërisë, Frashëri karakterizohet nga dëshira për të luftuar, për të mësuar,  për të punuar për Shqipërinë dhe në krye të Rilindjes Shqiptare janë tre vëllezërit Frashëri, po në Frashër kjo traditë e madhe e këtyre vëllezërve ka vazhduar edhe më gjatë. Ka vazhduar në kohën kur luftohej për pavarësinë, ka vazhduar edhe në shekullin ‘20 dhe qoftë para, qoftë pas çlirimit të vendit. Nga Frashëri kanë dalë shumë personalitete të shquara. Në libër përshkruhen të gjithë personalitetet kryesorë  në të gjithë periudhën deri në ’12-ën, dhe më pas nga ‘12-’44-ën.

-  Në 1912-44, cilët janë disa nga personalitetet kryesore të Frashërit?

Në 1912 –‘44 personalitetet kryesorë klasifikohen në disa drejtime: Janë luftëtar të çetave kundër pushtimit të Shqipërisë nga osmanët, të cilët kanë vazhduar deri në pavarësinë e Shqipërisë me çetat e Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos, Bajo Topullit dhe janë shumë Frashëllinjë. Si individ në këtë kohë kam pikasur politikanë si Mitat dhe Medi Frashëri, që kanë qenë persona të shkolluar, me mendje të madhe, por kontradiktor, e veç këtyre kanë qenë edhe shkrimtarë të tjerë si Refat Frashëri, i dëgjuar, pas vitit 1944 rradha e njerëzve të dëgjuar ka qenë edhe më e madhe, mbasi vazhdon me një seri akademikësh: Janë 20 profesorë, 25 doktorë shkencash, mjekë, agronomë, juristë, mësues, të cilët kanë punuar me ndershmëri në të gjitha cepat e Shqipërisë

Ju mendoni që Frashëri sot është lënë pas dore nga çdo qeveri postkomuniste?

-   Po. Kjo është e vërtetë, unë e kam shkruar edhe në libër. Asnjë ministër Kulture (për mos thënë më tepër), nuk ka shkuar në Frashër. Është turp që edhe rojen e muzeut të Frashërit, e kanë hequr, sikur rroga e tij do të përmirësonte buxhetin e shtetit shqiptar. Kjo nuk vjen nga pamundësitë ekonomike, por  nga synimi i shumë politikanëve nga të gjitha krahët, (ka mundësi) për t’i “fshirë” nga rrënjët Frashëllinjtë dhe kur them Frashëllinjtë, e kam fjalën për të gjithë intelektualët potentë që ka nxjerrë Frashëri që nga tre kollosët e Rilindjes e gjithë të tjerët që kanë vazhduar. Pra kjo heshtje, indeferentizëm, dhe luftë e heshtur, nuk është e rastit.

Atëherë kush janë këto synime dhe nga kush iniciohen sipas jush?

Unë e kam të vështirë të them se nga kush influencohen, por e them me përgjegjësi, që pushtetarët e të gjithë ngjyrave në Shqipëri kanë bërë të njëjtën gjë në këta 18 vjet për Frashërin. E kanë lënë në mëshirë të fatit.

Shikojmë që politikanët  shpesh herë, marrin vlera intelektuale të jashtëzakonshme, ndërkohë që personalitete të kulturës dhe artit që janë pasqyrë e kombit janë lënë pas dore, ç’mendim keni për këtë?

S’ka vend për diskutim. Po të flasësh për njerëzit, që kanë kontribute në kulturë, në shkencë, në art vërtetohet se ata janë të lirë, të aftë, nuk mund t’i heqësh dot nga hunda. Nga politika shqiptare  kërkohen njerëz që të të shërbejnë me kulturë të verbër, të flenë e të mos dëgjohen. Kërkohen pseudointelektualë, të nënshtruar, pa CV. Prandaj  flenë Frashërllinjtë dhe nuk po i dëgjojnë. Prandaj në poste vënë njerëz, pa asnjë meritë veç militantizmit politik apo të një titulli që e kanë marrë  pa asnjë meritë.

Ju vetë keni lindur në Frashër?

Unë kam lindur në Korçë, jam nga familja e Frashëllinjëve. Puna më ka bërë që të shëtis në të gjitha vendet e Shqipërisë, nga Vermoshi në Konispol dhe nga Durrësi në Bilisht, në Prespë pasi kam punuar në sistemin e gjeollogjisë, pra nga profesioni jam gjeolog. Në Frashër kam shkuar me punë. Atje e kuptova unë pse Naimi u bë poet dhe shkroi aq bukur për natyrën, pra ai ka jetuar në vende të bukura. Që të magjepsin. Poezia shumë herë është brenda shpirtit, por kur ka dhe nxitje siç është natyra, ajo gjallon në mënyrën më të shkëlqyer.

Sa vjet zgjati ky libër?

Ky libër zgjati tre vjet.

Ku keni gërmuar për realizimin e këtij libri?

Unë kam gërmuar në arshivin të shtetit dhe kam  lexuar çdo libër, ku përmenden sadopak Frashëri e Frashëllinjtë, kam lexuar shtypin e kohës dhe librat e historisë. Kam takuar shumë Frashëllinjë më tepër këtu në Tiranë, sesa në Frashër.

Jeni marrë ndonjëherë me politikë?

Asnjëherë.

Pse?

Sepse më ka tërhequr shkenca.

Mendoni se politika shqiptare deri diku është  përgjegjëse për këtë trazicion të zgjatur dhe çfarë i mungon asaj për të çuar në vend impenjimet e popullit?

Natyrisht për këtë situatë përgjegjëse është politika shqiptare. Asaj i mungon vullneti dhe ndershmëria.

Kush është problemi më i madh i shoqërisë shqiptare?

Papunësia dhe perspektiva e paqartë. Drita në fund të tunelit që akoma shqiptarët nuk e shohin.

Mendoni se shqiptarët kanë hequr dorë nga libri?

Jo, salla plot sot ishte shumë treguese. Ka një problem sot shqiptarët kanë probleme ekonomike që si lejojnë të blejnë shumë libra, po se i ka ikur dëshira për të lexuar.

Ju si gjeolog mund të bëni një krahasim, se çfarë ndryshimi ka gjeologjia në kohën e komunizmit me këtë sot, çfarë mund t’i japë ajo ekonomisë?

Në atë kohë ishte e zhvilluar, aq sa gjeologët në kohën e komunizmit vlerësohen edhe sot nga qendrat kërkimore më të mëdha në botë, i kanë dhënë këtij vendi 450 milionë dollarë vit më vit, sot këto miniera janë mbyllur. Kështu nuk mund të bëhet dot një krahasim, s’ke me kë i krahason.

Pse ka ndodhur kjo, mos nuk ka qenë rentabël?

Nuk ka se si të mos jenë rentabël një numër minierash që kanë sjellë të ardhura 450 milionë dollarë në vit dhe nëqoftë se një teknologji është e vjetër, ajo duhet rinovuar nuk duhet mbyllur.

Miniera të tilla që ka sot Shqipëria a përbëjnë interes për tregun botëror?

Po. Në kohën kur kam punuar unë toni i bakrit ishte 2400 dollarë maksimumi, tani mund të jetë 5000 e ca, pra dyfish. Të njëjtën gjë mund të themi për kromin, naftën, por ne kemi nxjerrë 2 milionë e 200 ton naftë në vit.

Ju tashmë jeni kthyer në një libër historiko-letrar, pse i jeni kthyer historisë, mos vallë aty ndjenja njerëzore merr përmasa më reale?

Po kështu është, kur kam vajtur për herë të parë në Frashër kam parë vende jashtëzakonisht të bukura, është një vend përallor, jo se nuk ka vende të tjera Shqipëria, por me të vërtetë Frashëri është i veçantë. Pastaj e kupton pse kanë dalë njerëz me mendje aq të ndritur nga ky vend, sepse ka një lidhje mes natyrës ku rron dhe karakterit të njeriut, nuk janë të shkëputura. Pastaj unë i vura vetes një detyrë për të parë si u zhvillua ky Frashëri dhe nga kemi ardhur ne.

Frashërinjtë në Shqipëri, si intelektualë me vlera të veçnata, patriotë që njerëz të lartë, a e kanë gjetur vendin e merituar në  Shqipëri?

Unë do thosha jo.

Në qoftë se do t’u jepej mundësia çfarë do të bënit për Frashërin dhe Frashëllinjtë?

Do të bëja tërë përpjekjet që Frashërinjë të kishin një përmendore vigane, ashtu siç u bën bota shkrimtarëve, poetëve, shkencëtarëve. Do bëja atë që Frashëri të dëgjohej çdo ditë dhe të mos “zhdukej” nga harta e Shqipërisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora