E diele, 28.04.2024, 05:35 PM (GMT+1)

Mendime

Veton Surroi: Fatmiresia e gjeografise

E diele, 01.06.2008, 12:02 PM


Veton Surroi
Fatmiresia e gjeografise

Edward Said, "Orientalizmi", ngarendja e fundit e Tan Hoxhës dhe Dita e Flamurit

Nga Veton Surroi

1.

Administratori britanik në Indi dhe dominionet e tjera koloniale gjetiu duhej t‘i palonte gjërat në të afruar ditëlindja e 55-të. Me një urdhër diskret nga metropoli, Londra, administratorët e arritur në këtë moshë do të ktheheshin mbrapa, duke u pritur me nderime e duke bartur me vete pasurinë e akumuluar koloniale dhe kujtimet e një jete krejtësisht ndryshe.

Urdhri i kthimit nuk mbështetej në çfarëdo obligimi të ndonjë ligji pensional, por në një paradigmë bazike koloniale: Indiani i nënshtruar nuk duhej ta shihte padronin e vet kolonial të ligështuar nga mosha, të dobësuar nga dukja; administratori britanik nuk duhej t‘ia falte vetes luksin e mundësisë së paraqitjes së dobët fizike.

Për Edward Saidin, në librin e tij "Orientalizmi" ("Orientalism", Vintage Books, New York), librin klasik që sivjet mbush tridhjetë vjetorin e botimit, marrëdhënia Perëndim-Lindje, e cila ekziston edhe në ditët e sotme, është e ndërtuar nga marrëdhënia e superioritetit fizik të Perëndimit, të dominimit shekullor mbi Lindjen, duke përfshirë edhe një periudhë shumë të gjatë kolonializmi anglo-francez. Brenda këtij konteksti të forcës dhe në marrëdhënie të drejtpërdrejtë, shpjegon ai në librin brilant, është ndërtuar edhe një botëkuptim i tërë brenda Perëndimit (ndonëse me shumë nuanca, shpjegon autori), i quajtur Orientalizëm, me të cilin përpiqet të shpjegohet relacioni bazik me Lindjen.

E ky relacion përmbahet në raportin e njërit prej orientalistëve të parë, diplomatit dhe administratorit britanik Cromer: "Meqë unë jam vetëm një diplomat dhe administrator, studimi përkatës i të cilit është edhe njeriu, por nga këndvështrimi i të qeverisurit mbi të, mjafton të veçoj faktin se kështu apo ashtu lindori sillet, flet dhe mendon në një mënyrë saktësisht të kundërt nga evropiani".

Lindja dhe lindorët e Cromerit fillonin në Perandorinë Otomane e mbaronin diku në kufijtë lindorë të Indisë (pa e harruar këtu as Hong-Kongun). Sipas Saidit, shkolla e filluar nga Cromeri me shokë do të vazhdojë deri në ditët e sotme. Siç do të shkruaj në pasthënien e 25-vjetorit të botimit të këtij libri, paragjykimet e ndërtuara nga orientalistët përkthehen sot, apo janë të theksuara sot, në Lindjen e Mesme, e në veçanti karshi Islamit.

Në fakt, në vitet nëntëdhjetë, pas vdekjes së komunizmit, në diskursin politik perëndimor, referencën për Lindje në masë të madhe e zë bota arabe, por në veçanti Islami. E ajo referencë, gjatë tërë këtyre viteve, është e përcjellë me shenja alarmi, thotë autori, të një kulture a religjioni që perceptohet sikur synon të sulmojë vlerat perëndimore.

2.

Tan Hoxha, Tani i TOP-it, vdiq ndërsa lexoja këtë libër. Ndërsa ecja labirinteve të mendjes së ndritur të Saidit, një palestinezi të krishterë që mbrojti jo vetëm kauzën e popullit të tij, por shumëçka tjetër nga kultura e vendlindjes, Tani ngarendte rrugëve të Tiranës me "Ferrari"-n e tij.

Vdekja e tij u takua në një moment me kredon e Saidit, se "ndërtimi i identitetit përfshin ndërtimin e së kundërtës, të "të tjerëve, "aktualiteti i të cilëve gjithnjë i nënshtrohet interpretimit apo të riinterpretimit të dallimit të tyre me "ne".

Atë që e thotë Saidi, në fakt, është se identiteti ynë ndërtohet në kundërthënien apo konkurrencën krahasuese me "ata", me palën tjetër, kulturën tjetër. Dhe, këtë instinktivisht e kishte bërë Tani. Duke shkuar ndër të parët në Itali, në momentin e fillimit të rënies së komunizmit në Shqipëri, kishte ndier personalisht dallimin drastik mes Perëndimit dhe kulturës prej nga vinte. Në momentin e vdekjes, 18 vjet më pas, në mënyrë dramatike e kishte ngushtuar atë distancë mes "atyre" dhe "ne" të identitetit, saqë ndodhte edhe një vdekje tragjike në një simbol emblematik të pasurisë e forcës, çfarë është "Ferrari".

Më shumë se kaq, e kishte shkurtuar atë distancë edhe për vendin e kombin e tij. Duke ndërtuar një kompani të fuqishme mediale, lider inovativ në Ballkan, Tani tregoi fuqinë transformative të tijën e të shoqërisë prej nga vjen. Një fuqi transformative, e cila në kushtet e një Shqipërie çfarë është, politikisht e ekonomikisht, megjithatë nxori një paketë mediale të "atyre", të Perëndimit, dhjetë vjet pasi "Perëndimi" dërgoi një mision në Shqipëri, vendi "lindor" që u vetëshkatërrua.

3.

Dhe, ndërsa lexoja këtë libër, në Kosovë, në shoqëri vazhdonte debati i radhës për identitet. Këso here për një çështje që të gjithë e kishim trajtuar si normale deri atëherë, se dita e ngritjes së flamurit kombëtar në Vlorë ishte festë e shqiptarëve të Kosovës. Nga qeveria u dërgua herë njëri e herë tjetri propozim, cilido të ishte duhej të mohonte se shqiptarët kishin të drejtë të kremtonin zyrtarisht Ditën e Flamurit, siç njihet në Kosovë.

Arsyetimet ishin të panevojshme, ngase tashmë kishin lëshuar në opinion, jo zyrtarisht, se sjelljet e tyre ishin të diktuara nga kërkesat e "miqve tanë perëndimorë". Dhe, kështu, nga elita politike e Kosovës u vazhdua ndërtimi i së paku dy realiteteve. Në njërin, Kosova bëhet pjesë e Perëndimit, kur elitat politike dëgjojnë kërkesat e miqve tanë perëndimorë, karshi çështjeve siç është identiteti etnik i shumicës së popullatës kosovare. Në tjetrën, elitave politike kosovare u lihet pak a shumë dorë e lirë, po nga "miqtë tanë perëndimorë" për të gllabëruar fushën ekonomike, mediatike e të sigurisë, krejtësisht jashtë normave që do të konsideroheshin si normale në shtetet e "Perëndimit".

Përse ndodh kjo, ka të bëjë me shqiptarët?

Në fakt, ka të bëjë me një relacion kulturor të ndërtuar prej shekujsh e që popujt që nuk ishin, apo nuk janë pjesë e bërthamës bazike të Perëndimit, i sheh si të papërgatitur, ende të papjekur apo krejtësisht të paaftë për sjellje të barasvlefshme me "Perëndimin".

Elitat politike të shqiptarëve të Kosovës konsiderohen si të denja për të zbatuar "rekomandime të Perëndimit, e si kundërshpërblim u lejohet sjellja "instinktive e Lindjes" me ato që konsiderohen detyrime e pronë publike.

E, me këtë, kosovarët sërish hyjnë në një rreth vicioz, duke demonstruar se kanë elita politike me sjellje "lindore" e vetëm grim "perëndimor", të papërgatitura për të qenë të barabartë brenda familjes perëndimore.

4.

Gjeografia duhet të jetë pjesë e orendive të Perandorisë Britanike, thoshte Lordi Curzon, njëri prej stimuluesve të Orientalizmit, duke aluduar në fuqinë e jashtëzakonshme koloniale të Londrës dhe reperkusioneve që dalin nga kjo fuqi.

Në një kontekst krejtësisht tjetër historik, duket se gjeografia duhet të jetë pjesë bazike e orendive politike e kulturore të shqiptarëve. Kufijtë politikë të asaj që quhej a quhet Lindje (qoftë komuniste, qoftë ajo e Bigger Middle East, Lindje e Afërt e Madhe, që përfshin territorin prej Jerusalemit në Afganistan) janë zhvendosur larg shteteve të shqiptarëve.

Kjo zhvendosje gjeografike, duke u kombinuar me përfshirjen e shteteve të Detit të Zi në Aleancën Perëndimore (Turqia, Bullgaria, Rumania), i ka vendosur shqiptarët me një lloj rrëshqitjeje të vetëkuptueshme drejt integrimit në Perëndim.

Gjeografia, në këtë kuptim, po e zëvendëson debatin doktrinar, siç shpjegon Said, atë të ndërtuar prej shekujsh nga orientalistët, e ai është se a mund të jenë popujt që kanë besim islam si "ne", si perëndimorët.

Përgjigjen që tani po e jep gjeografia politike, nevoja e shtrirjes së Bashkimit Evropian në një tërësi, pa "vrima të zeza", dhe me këtë duke i inkuadruar shqiptarët, BE mund t‘i japë një përgjigje dramatike debatit treqindvjeçar që e shihte Islamin si një sistem krejtësisht tjetër vlerash prej atij perëndimor.

Por, kjo është forma. Më duket se nga vetë shqiptarët ka nevojë për më shumë se kaq në rrugën e ndërtimit të identitetit të tyre kontinental. "Tjetri", Perëndimi, nuk është vetëm NATO dhe treg i hapur 500 milionësh, me fonde të asistencës për të ndërtuar infrastrukturën. "Tjetri" është një grumbull institucionesh, me një grumbull procedurash brenda një konteksti që quhet sundim i ligjit.

Siç do të dinte Tan Hoxha, "Tjetri" është mundësia e transformimit dinamik shoqëror, duke nxjerrë mësimet më të mira. Siç nuk do ta dinë elitat politike kosovare, "Tjetri" nuk është administratori britanik që duhet të tërhiqet në moshën 55-vjeçare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora