E shtune, 27.04.2024, 01:01 AM (GMT+1)

Mendime

Halil Matoshi: Naim Tërnava, më i vonuar se SHIK-u

E shtune, 23.11.2013, 07:02 PM


Naim Tërnava, më i vonuar se SHIK-u

Nga Halil Matoshi

Pse nga Bashkësia Islame e Kosovës, si filial i PDK-së dhe SHIK-ut, shkuarja për të bërë xhihad në “Tokën e Shamit” (Siri) fillimisht nxitej - më vonë heshtej dhe në fund fare, pas veprimit të organeve të ndjekjes, kjo bashkësi u bë e gjallë: Doli kundër shkuarjes së kosovarëve atje, sa për ta larë gojën?

Shërbimi Informativ i Kosovës (SHIK) si strukturë ilegale spiunazhi që u trashëgua nga lufta e UÇK-së dhe u përdor nga PDK-ja për ta shtënë në dorë pushtetin politik, pas lufte arrinte ta siguronte njëfarë legaliteti dhe legjitimiteti poroz, duke u shfaqur i gatshëm të spiunonte për partnerët perëndimorë, siç thoshin fillimisht, me detyrë që të kujdestaronin mbi mundësitë e shtrirjes së rrjeteve terroriste islamike edhe në Kosovë, edhe rajon. Madje kjo organizatë paraushtarake, ideologjikisht e strukturuar nga ish-enveristë, pozicionohej hapur kundër islamit politik. Gjë që asnjëherë nuk e bëri Myftiu i Kosovës.

Mirëpo, kur PDK-së iu desh ta animonte publikun e gjerë për ta votuar, ata zbuten në maksimum qëndrimin e ashpër ndaj lëvizjeve panislamike, sepse me këso qëndrimesh të ‘dorës së fortë’ druanin se po e humbnin xhematin islam, të përkthyer në votë popullore!?

Prandaj edhe i mbyllen sy e vesh karshi një organizimi siç është Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), e cila u lëshua në flirt me islamin e dimensionuar politikisht, me Organizata joqeveritare (OJQ) të dyshimta që vërshuan pas luftës në Kosovë, me vehabitët dhe me të gjithë ata që ndiqnin të njëjtën kauzë – ndryshimin radikal të hartës mentale në Kosovë, një vend që përgjatë tërë historisë së civilizimit nuk kishte njohur islamin radikal.

Dhe kur shteti reagoi, BIK-u u zu në një lajthitje të beftë, që shqip i thuhet zgabim, për të reaguar pas disa ditësh, kinse kundër shkuarjes së kosovarëve në luftën e Sirisë!?

Prandaj për kosovarët (të rinjtë dhe të rejat) që u rreshtuan pas thirrjeve ekstremiste, fajtor kujdestar është Qeveria e Kosovës dhe BIK-u që në flirtit reciprok (turrin për votë) kurrë nuk hapën debat mes vete dhe me shtetasit për këtë problem shtesë që po i vihej në qafën e holluar Kosovës së rrënuar kulturalisht, ekonomikisht dhe politikisht.

BIK-u nuk i rezistoi mësymjes për ndryshimin e konstitucionit shpirtëror të kësaj shoqërie, duke mos debatuar, zbërthyer dhe interpertuar drejt as Ajetin 31 (rreth mbulimit të intimitetit tek femrat) as përmbajtjen e xhihadit – si intencë për luftë të përditshme me veten, si luftë për iluminim e emancipim shoqëror e jo si thirrje për gjakderdhje dhe asnjëherë nuk e kanë ligjëruar Suren 4:171 nga Kur’ani ku Jezusi është quajtur fjala e Zotit; Suren El Maide (5:69) që thotë: Nuk ka frikë dhe as që do të pikëllohet (ai) i cili e beson Zotin, Ditën e Gjykimit dhe bën vepra të mira, qoftë lë të jetë ai besimdrejtë, hebre, adhurues i yjeve ose i krishterë.

Suren 44:23 (ku “fëmijët e Izraelit” janë lavdëruar), e të mos flasim për “thirrjen më ekumenike” të tërë librave të shenjtë, Suren El Kafirunë (109, ajetet 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6) ku bëhet thirrje të jetohet në paqe me jobesimtarët!

“Thuaj: O jobesimtarë, unë nuk adhuroj atë që adhuroni ju; as nuk jeni ju adhurues të Atij që adhuroj unë; as nuk jam unë adhurues i asaj që ju keni adhuruar; (e) as nuk jeni ju adhurues të Atij që e adhuroj unë; Juve feja e juaj- mua feja ime”.

Të jetojmë në paqe!

E po, nuk e di se cilat sure dhe ajete i ligjërojnë klerikët kosovarë nëse jo këto, që do të duhej të ishin “detyrat e klasës” për një hoxhë të devotshëm dhe të ditur islamik, me edukim qytetar.

Mirëpo, shumë nga ta, në vend të promovimit të paqes pështyjnë të tjerët që i perceptojnë si të ndryshëm nga ta duke i fyer dhe sharë jo vetëm shenjtorët e krishterë e hebraikë, por edhe njerëzit që kanë një origjinë fetare islame, gratë dhe vajzat kosovare, etj.

Dhe, kur AKI-ja vlerësoi se po tejkaloheshin caqet “e lejuara” i dha sinjal policisë që të vepronte, kurse BIK-u ende luante me kartën e flirtit të dyfishtë me ekstremizmin islamik dhe me Qeverinë e Kosovës, duke lëshuar ‘post mortem’ do farë kumtesash të lodhëta, se kinse ata janë kundër këtyre lëvizjeve panislamike.

BIK-u kështu ka mbetur shumë prapa vetë SHIK-ut dhe instancave të rregullta shtetërore.

Sipas versionit zyrtar, por edhe më të gjithëpranueshëm dhe më të lehtë është se gjashtë të arrestuarit kosovarë, që ndërlidhen me terrorizmin dhe islamin politik, ata kanë bërë komplot kundër interesave kombëtare të Kosovës dhe për rrjedhojë ata duhet varur në çengele!

Mirëpo a ndreq kjo punë?

Jo, sepse është vetëm njëra anë e medaljes ose nuk është e vërteta e plotë.

Ajo është më e thellë, më e errët dhe e fshehur mirë nga hamendësimet e publikut kosovar.

Shteti këtë herë po ka qejf që ata të gjashtët të paraqiten si komplotistë, porse është pak e besueshme që ata të rinj vërtet ndërlidhen me ndonjë komplot botëror e të planifikuar, (çfarë plani komplotist mund të hartojnë disa të rinj naivë, të pashkollë dhe tërësisht të margjinalizuar në shoqëri?) pa mentorët e tyre karagjozë, që sillen si tiranë të vegjël në instancat e BIK-ut dhe ndonjë kinse partie politike.

Porse në këtë rast, më parë shteti (institucionet e pavarura) ka “komplotuar ndaj qytetarëve” për t’ua fshirë njollat politikanëve kryesorë kosovarë dhe hoxhallarëve të lidhur me ta, siç është Naim Tërnava.

Madje, Myftiu i Kosovës ka heshtur edhe kur i biri i tij, Harisi, bënte thirrje në rrjetet sociale për xhihad. .

“Çdo ditë e më shumë po më shtohet vullneti me shku në Shaaaamm për hir të Allahut. A jeni edhe ju me mu vllazni të vdesim për Allahun”, shkruante ai në “Facebook”.

Publikut kosovar do t’i interesonte shumë nëse për këtë është interesuar AKI-ja, apo nëse ai është hetuar nga policia. Apo, së paku, cili është mendimi i të atit ylema karshi këtyre thirrjeve për xhihad, ndonëse atij të riu nuk mund t’i vihet ndonjë faj, ngase është i manipuluar nga këso instancash nebuloze fetare, por edhe nga shkolla e mjerë kosovare.

Sepse kjo dëshmon se thirrja xhihadiste e interpretuar nga Tërnava senior i ka bërë përshtypje të fuqishme të birit.

Ose publiku ka të drejtë të dijë se cili është qëndrimi i shtetit (AKI-ja, Policia e Kosovës dhe Prokuroria) për deklaratat e Shefqet Krasniqit, Irfan Salihut dhe së fundi të militantit të PDK-së, Fatmir Latifi, me të ngjashmit.

Andaj frika e ekzagjeruar nga një e keqe që nuk është parandaluar me mjete civile si dhe represioni ndaj shtetasve (që i pandehim për njerëz tanë, ose që janë si ne) që fenë apo idetë e tyre i manifestojnë më ndryshe, (ose së paku kështu i perceptojmë!?) nuk ndihmon në parandalimin e çarjeve në shoqëri e shtet, as në parandalimin e akteve të dhunshme, madje veç sa i rrit ndjenjat për martirizim.

Frika nga tjetri, në njërën anë, dhe represioni, në anën tjetër, rëndom shpien në dhunë.

Kosovës, si shoqëri e hapur dhe shtet i ri e demokratik i duhet debat i gjerë publik dhe programe të posaçme emancipuese (që nuk diti as nuk mundi t’i ngrinte as me rastin e UÇK-së, për riintegrim në shoqëri, pos IOM-it etj;).

Kosova së pari duhet ta mësojë leksionin se ku përfundon dhuna legjitime e shtetit dhe ku fillon një e drejtë e njeriut, se deri ku besimi fetar mund të cilësohet si liri e besimit dhe ku mund të nisë cenimi i tjetrit dhe i rendit kushtetues.

Kosovës i duhen programe mbështetëse edukative dhe arsimore për të rriturit, qofshin ata edhe të kthyer nga lufta (e askujt) në Siri.

Sepse institucionet e shtetit e kanë ditur se për ku janë nisur ata dai, e këtë e ka ditur edhe BIK-u, por kanë parapëlqyer heshtjen. E tash mulni burra e gra t’i ngulim në hu!

Nëse për ta do të kishte një vlerësim valid se po e rrezikonin sigurinë kombëtare, më e ndershme do të ishte që atyre t’u hiqej shtetësia kosovare, për t’i lënë në pamëshirën e rekrutuesve të tyre, duke bredhur aeroporteve si apatridë, se sa të përdoren për ta justifikuar kinse një kauzë, luftimin e terrorizmit ndërkombëtar!?

Ndërsa, nëse shteti vlerëson se ata nuk paraqesin rrezik latent për sigurinë e përgjithshme dhe lihen të lirë të kthehen në atdhe, atëherë para ndjekjes policore do të duhej menduar për ndonjë program qeveritar, për riintegrimin e tyre në shoqëri…

Programe të shëndetit mendor, programe rikualifikimi e aftësimi profesional, programe punësimi, programe për të drejtat njerëzore...

Programe, programe, programe e jo ‘pogrome’.

Gjithqysh, ‘grushti i hekurt’ do t’i kthehet shtetit si bumerang nesër, prandaj kujdes sot!

Hoxhallarët e moderuar kosovarë që predikojnë islamin tradicional dhe tolerancën ndërfetare, si begatinë më të lartësuar të shoqërisë kosovare, e të cilët i ishin përshtatur mirë konstitucionit kombëtar, u luftuan tash e më shumë se një dekadë nga ekstremistë të ndryshëm e nuk u mbrojtën nga krerët e BIK-ut, u shtynë në margjina të jetës fetare, u kërcënuan dhe u rrahën, për t’u hapur rrugë predikimeve puro-politike dhe ekstremiste të islamit. BIK-u, nga një organizatë tolerante me ngjyrime patriotike e arsimdashëse u shndërrua pas luftës në Kosovë në një organizatë gjysmë sekrete dhe konspirative kinse në mbrojtje të islamit – e që në thelb u rreshtuan me islamin politik – që përafrohet me fashizëm – pra në një të keqe universale.

AKI-ja nuk u dëshmua fort inteligjente me rastin e distribuimit të informacioneve ‘bombë’ për policinë e Kosovës, e cila arrestoi gjashtë të rinj kosovarë me indikacione se përkisnin në organizata të ndryshme panislame dhe të ndërlidhur me terrorizmin ndërkombëtar.

Sepse ky version pak është i besueshëm.

Megjithëse nuk duhet paragjykuar para se ta thotë fjalën e vet ndonjë gjykatë.

Por, sipas gjasës, do t’i ngarkojë në fund “për armëmbajtje pa leje”.

Rëndom kështu ndodh me operacionet e mëdha e të koduara, që u bëhet pompë e madhe në publik.

Shërbimet inteligjente moderne mbledhin, seleksionojnë dhe analizojnë informacionet, por nuk i distribuojnë ato kuturu e me lehtësi të padurueshme dhe me plot hamendësime, sepse mbrojtjes së rendit kushtetues nuk i kontribuojnë pompat mediale për kinse komplot, por analizimi i gjithanshëm i fakteve, duke qenë shumë të kujdesshëm për ruajtjen e balancës politike, ndëretnike e ndërfetare në një shoqëri, e për ta mbajtur atë unike e të papërçarë, pra duke e ruajtur publikun nga spekulimet.

Veprimet represive fare lehtë i shndërrojnë edhe plangprishësit më të përkorë dhe palaçot në viktima, në martirë, që në ambiente thuaja primitive mentale, si ky yni, shihen si heronj të një kauze rëndom të drejtë, sipas percepcionit të tyre.

Të godasësh të rinj naivë, të padije e të papunë (pa kurrfarë perspektive) e t’i mbash në distancë (në liri) bosët e tyre kinsefetarë, frymëzuesit dhe liderët e kauzës panislame në Kosovë (një kauzë e shpifur që kurrë s’ka ekzistuar më parë) ose t’i tolerosh ata, që të ndotin përditë ambientin edhe ashtu të kontaminuar me bërllok gjuhësor-terrorist, me paraqitje bizare në media dhe para xhematit (publikut kosovar), si çiftin e Shefqet Krasniqit, Irfan Salihut, Naim Tërnavës...

Dhe kriptoislamistë ish-komunistë, si shoqin e Fuad Ramiqit, kjo është punë me zarar!?

Nëse doni të dini se çfarë elite ulemash (arsimuesish fetarë) poltronë të pushtetit politik të PDK-së, është ngritur dhe etabluar sot në Kosovë, shikoni dhe dëgjoni hoxhën Fatmir Latifi, i cili predikimin fetar e kthen fillimisht në përgjërim, më pas duke rritur tonalitetin ai kërcënon politikisht xhematin e tij, që t’ia sigurojë votat partisë, militant i paskrupull i së cilës  është. Ligjërimet në stilin: “A ma bani hallall, por ju duhet ta votoni Avni Kastratin – a u morrem vesh!” (!?) shkojnë përtej metodave të SHIK-ut.

Afria e BIK-ut me SHIK-un dhe PDK-në (nën despotin Tërnava) doli më në fund në shesh – hoxha Fatmir Latifi bëri thirrje “për xhihad elektoral” për ta mbështetur kandidatin e PDK-së për Mitrovicën, Avni Kastrati, dhe kjo ishte vetëm ‘Maja e Icebergut’ në këtë skenë makabre kinse fetare, sepse dashuria për Zotin është përkthyer nga hoxhallarët e Hashim Thaçit si dashuri për pushtetin e tij personal!?

Tërnava, duke u shërbyer strukturave paramilitare dhe parapolitike në Kosovë, në emër të fesë islame dhe të xhematit të tij, e ka “kapur” BIK-un, tashti e një kohë të gjatë, pa e ditur se edhe ai do “të kapet” një ditë, nga kapot e këtyre strukturave.

Mirëpo duke qenë qytetarisht i pandërgjegjshëm dhe politikisht injorant (el xhahilie!?) ai me deklaratat e tij dhe me flirtin e tij me individët dhe organizatat panislame i ka bërë një dëm të madh kësaj shoqërie që është në kërkim të ngjitjes në një trup të copave të një mozaiku të thërrmuar.

Ai më në fund “u distancua” nga të bërit xhihad në Siri!

Por kumtesa e tij nuk përmbante shkëputje brilante nga interpretimi radikalist i islamit, ai fare nuk ka bërë thirrje për dënimin e atyre që keqpërdorin besimet fetare për kauza thjesht politike dhe luftarake!

Sepse edhe ashtu lufta atje po mbaron pa asnjë fitues real dhe më së paku me ndonjë grup ekstremist të islamit politik, si “Al Nusra” apo “Al Qaeda”.

Këshilli i BIK-ut, pasi që drama siriane po shthuret, për ta ruajtur fytyrën nxori “Fatva” ndaj atyre që shkojnë në Siri për të bërë “Xhihad” përmes organizatave, udhëve dhe kanaleve (i)legale.

“Pjesëmarrja në luftën e Sirisë është në kundërshtim me islamin” – kështu diqysh ia lidhi kryet BIK-u kësaj pune të pistë!

Dhe sërish krejt në fund, Këshilli i BIK-ut në Mitrovicë e lau gojën kur “u distancua” nga deklaratat e hoxhës politikan Fatmir Latifi, që mbështeti hapur PDK-në në xhaminë e Shipolit, mirëpo qendra me në krye Tërnavën sërish i futi veshët në lesh!?

Pra qysh është e mundshme që hoxha “i distancuar” të vazhdojë të jetë ende imam zyrtar në Mitrovicë dhe të ligjërojë atje për Zotin Mëshirëmadh dhe të ndajë kohë edhe për ligjërata pro PDK-së!?

A e kuptojnë paria e islamikëve kosovarë termin distancim?

Ky është një term ekstra politik që vjen në kohën tonë si relikt i partive komuniste (staliniste) gjatë Luftës së Ftohtë!

Por për një demokraci liberale, ky term nuk ka kurrfarë përmbajtjeje.

Hoxhë Latifi si fans i kalltë i PDK-së ose ka bërë shkelje të etikës së thirrjes së tij profesionale ose ka rënë ndesh me Kushtetutën e BIK-ut, dhe për këtë duhet shkarkuar, sepse me ligjet e vendit nuk ka kurrfarë konflikti.

Latifi si qytetar ka të drejtë të lobojë, të propagandojë apo të thërras për mbështetje për subjektin e tij të preferuar politik.

Kjo shfaqje e tij krejt e pacipë në hylben e një xhamie, ashiqare vinte në dukje politizimin e tij të skajshëm, njëanshmërinë, militantizmin partiak (si eksponent i PDK-së dhe i SHIK-ut), në simbiozë me një dizajnim afroaziat të dokës.

Ai hoxhë si shumë të tjerë, ose është “kapur” dhe frikësuar nga falangat që terrorizojnë qytetarët për t’ua marrë votën me zor, ose është i lajthitur!?

Zotni Latifi e ka shkelur etikën dhe parimet e një bashkësie fetare në një shtet shekullar.

Ai duhet ta lënë rehat xhematin e sinqertë, ta heqë aurën e “njeriut të Zotit” dhe ta marrë librezën e partisë së tij. Kaq. Këtu përfundon ky debat.

Ishte verë e vitit 1999. Shërbimi sekret jugosllav (UDB-a) sapo nisi të merrte në pyetje pengjet e luftës në Kosovë që vuanin në Kampin e Përqendrimit “Zabela” në Pozharevac (Serbi.)

E kisha një vendim policor të plotësuar me laps grafiti, që më ngarkonte për cenim të rendit kushtetues jugosllav dhe terrorizëm (Neni 121 i Kodit penal serb në rrethana luftarake).

Dy sigurimsa serbë pasi që më pyeten për të dhënat bazike më detyruan që t’ua thosha emrat e tërë familjarëve.

“Duam që t’i përkujtojmë për të fundmen herë” - më thanë.

Më vonë, pas terrorit psikologjik që bënin, rëndom shtireshin si bashkëbisedues dhe “analistë” të rrjedhave politike.

“Kur i rrethuam Jasharët në Prekaz dhe i vramë...” – vazhdoi “analizën” e tij, njëri nga ta – “...kemi menduar se kryengritja e shqiptarëve të Kosovës u shua përfundimisht dhe nuk i morëm parasysh pasojat, sepse sulmi në Prekaz e trefishoi UÇK-në dhe e rriti kryengritjen e kosovarëve në përmasa fatale për ne…”

Ky muhabet nën shtrëngesë, me zyrtarët serbë, më ka shërbyer si një leksion se shtrëngesat nuk e shuajnë asnjë lloj rebelimi, porse e shumëzojnë atë, qoftë edhe kur kemi të bëjmë me fëmijët tanë, të cilët, ndëshkimi i rebelon edhe më tepër, përderisa toleranca i bën ata më të kujdesshëm kurse debati i bën më të qëndrueshëm.

“Metodat Rummsfieldiane” të përdorura ndaj të dyshuarve për përfshirje në rrjetin e “Al Qaedas”, më së pari në Abu Ghraib (Irak) e më pas edhe në burgun e Guantanamos dëshmojnë më së miri se si nga një mësymje legjitime për të ardhur tek informatat e dobishme, mund të lindin pasoja të tmerrshme, përfundime të këqija.

Ato metoda “mesjetare” së pari e kanë rritur ndikimin e “Al Qaedas”, sepse të torturuarit vlejnë si martirë, e së dyti e kanë dëmtuar rëndë imazhin e një demokracie të madhe liberale si SHBA-ja.

Kështu që vetë administrata e George W.Bush-it ishte detyruar nga presioni i opinionit publik t’i denonconte keqbërësit nga radhët e marinsave në Irak dhe t’i dënonte ata, ndërsa administrata e presidentit Barack Obama qe zotuar që në mandatin e parë se do ta mbyllte Guantanamon, si paradigmë të një hapësire për jetë të zhveshur.

Këtu tek ne, babai i njërit nga të arrestuarit nga operacioni i koduar “Uragani”, tha publikisht në TV se i biri, një fëmijë i papjekur, është manipuluar nga prijësit fetarë ose nga shërbimet sekrete dhe, sipas tij, dukej ashiqare se ishte i torturuar: “Thonjtë i kishte të nxirë” – tha ai!!!?

Pas operacionit “Uragani” publikut nuk iu dha mundësia të dijë nëse në Kosovë në këtë rast, apo edhe tjetër herë, ende përdoret tortura, e cila është e ndaluar me Kartën universale të te drejtave të njeriut si dhe me Kushtetutën e Kosovës!?

A duhet ai babë të marrë ndonjë përgjigje për këtë akuzë kaq të rëndë nga zyrtarët policorë, KMLDNJ-ja, nga Avokati i Popullit apo nga Kuvendi i Kosovës?

Jepni përgjigje!



(Vota: 7 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora