E premte, 03.02.2023, 01:56 PM (GMT)

Kulturë

Daniel Marian: Dita e zgjuar e ëndrrave shqiptare

E merkure, 20.11.2013, 07:23 PM


DRITA E ZGJUAR E ËNDRRAVE SHQIPTARE

(Burhanedin Xhemaili, Nga ëndrra në ëndërr / Din vis în vis,  Amanda Edit, Bukuresht 2013)

Ëndrrat dhe poezia janë fati im, gëzim i vonuar, gjaku i dritës, zjarri i shpirtit, vetmi shekullore, kujtesa e zgjuar. Vlen ta komentosh me frymëzim lirikën e tij. Përmes rikëndimit në gjuhën rumune nga Baki Ymeri, për Burhanedin Xhemailin mund të themi se është një poet universal i dritës shqiptare, një vullkan i zjarrtë i përmallimit, dashurisë dhe atdhedashurisë.

Nga Daniel Marian

Përmes dritës së vonuar, kambanat e lirisë ndezin ëndrrën e zgjuar në syrin e kujtesës sonë. Ky është mesazhi elementar i librit më të ri të poetit Burhanedin Xhemaili. Hapat e tij çapëlojnë nëpër faqet e historisë shqiptare, sa krenare, po aq edhe e hidhur: „Dy mijë vjet të kërkova”, klith poeti duke lansuar kushtrimin se atdheu është më shumë se një dashuri dhe një aspiratë, një kuptim që në vetëvete konfiguron dimensionet e fatit, duke transfiguruar në fjalë atë që është më vështirë për ta thënë për konditën humane: „nëpër detrat e trazuar/ të kërkova/ sytë më lotuan nga uji i zi/ nëpër fusha male botës udhëtova/ dasmat vdekjet s’pushuan/ të kërkova edhe në varrezat/ e stërgjyshërve...”

“Kambanat e lirisë” ngërthejnë në vete një gamë kushtrimesh që e rindezin patriotizmin e shqiptarëve. Poeti kujton tingujt e këngës në harrim, kambanat e lirisë dhe shiun e ëndërruar me bubullimë, trupin e saj që vallëzonte në gotën e mbushur me verë Khajami, „qirinjtë e ndezur flakë/ mbi sofrën time të pashtruar”. Dhe më tej, poeti kujton kujtimet e hidhura dhe gëzimet e fjetura në gjumin vjeshtak „deri në agimet e reja/ që do ta përcjellin terrin e tmerrit/ me këngën e zgjimit/ dhe dritën e diellit/ në lindje…”. Traditat shqiptare përbëjnë një mrekulli të historisë, kurse kujtesa e ditëve të shkuara shndërrohet në një „mjegull të zezë” kur „kambanat i bien territ e tmerrit”, kur „populli thërret/ mbi shkëmbin e Kullës që tymon/ për bashkimin e yjeve rreth hënës/ që thërret për dritë/ se gjaku për liri falet/ thotë populli që po këndon/ në dasmë të përgjakur e s`po vajton...”

Ëndrrat dhe poezia janë fati im, gëzim i vonuar, gjaku i dritës, zjarri i shpirtit, vetmi shekullore, kujtesa e zgjuar... Autori përdor në një vend sintagmën “zhbiroj” që ka kuptimin figurativ kur të vijnë frymëzimet dhe degdisen në labirinthin e harresës. Sipas tij, nga përjetimet e shkuara, mbetën përfytyrimet e çasteve rinore dhe ëndrrat e zgjuara “te Currili i Zanave/ që na shituan/ në agun e hershëm/ të ditës magjike...”. Burhanedin Xhemaili posedon një imagjinatë të bujshme që ndërlidhet me vlerat e poezisë mondiale: “sikur të shembet edhe qielli/ bashkë me yjet,/ nuk do ta përsëris më atë fjalë/ që po më ndjek si hije/ ngado që po shkoj/ e po kthehem...”. Dhe kjo natё e vonshme, sipas tij, pёrjashtoi marshin e ёndrrave tё trishta, pranё dhomave tё gjumit, aty ku shkrihen ndjenjat e zgjuara sikur vesa n’agim, dhe zgjoi heshtjen e fjetur brenda shtratit tё guacёs “me tingujt e afrisё/ dhe me dritat vezulluese tё pёrjetёsisё...”.

Apo, atëherë kur në syrin e hënës, shikoj portretin e pavdekshëm “që m’ trazon shpirtin/ e sytë m`i loton/ si vaji i foshnjës/ në mërgim/ e sytë e hënës plot mallëngjim/ për këngën e kënduar/ deri në amshim”. Poezia dhe ëndrrat përbëjnë një subjekt të veçantë. Autori posedon një bagazh të pasur mbi problemet e stilistikës letrare dhe din të deshifrojë kalimin e kohës dhe ritmin e jetës nëpër vazhdën e ngecjeve. Jeta është e gjatë dhe shtigjet e saj përbëjnë një  rrugëtim magjik deri në fund të tunelit, kur drita e gjithësisë kërkon të ecim me dinamizëm të tepruar, kur “shtigjeve të gjata në horizont,/ duke i shkurtuar rrugët që na afrojnë/ aty,/ ku lind dielli/ me dritën e dijes/ dhe tingujt e këngës në pambarim...”

Poeti është ai që ka qenë gjithmonë, një zë kryengritës që dëshmon se din të na e ripërkujtojë të shkuarën duke depërtuar rrugëve ku ballafaqohet me enigma dhe dëshmi atdhetare që flasin me një gjuhë të zjarrtë universale: Jeta e humbë kuptimin e vet/ kur format e hijeve të panjohura/ na ndjekin si silueta vezulluese,/ dhe nuk ngjiten lartësive të turbullta/ se mund ta humbin drejtpeshimin/ në përpjetëzen e Sizifit”. Dhe më tej: “dhe në teposhtëzen e rrëshqitshme/ nga fluturojnë hijet e demonëve/ që gjenden kudo/ në këtë kohë të mistereve/ që marrin formën e enigmave/ pa çelës...”. Autori mediton për Murin e Berlinit dhe ëndërron për shembjen e një muri të vjetër ballkanik. Ai shkruan për heshtjen e vdekjes dhe Korbin e Alan Posë, për Rozafën dhe ortekun përmbytës mbi kulmet e shtëpive, “kur gjumi është vdekje/ e vdekja gjumë”.

Nëse tentojmë të deshifrojmë tekstet, mund të konstatojmë se në kontekstin e tyre shpërthen një dritë që nuk parashtron pyetje të shumta, sepse kemi të bëjmë me një poezi të sinqertë e të çiltërt. Vërejmë një shpirt të brishtë me meditime të veçanta ndaj jetës, natyrës dhe zjarrit të ndjeshmërisë. Poeti është ai që u jep fjalëve kuptimin e tyre. Autori përjeton fluturimet lirike dhe mallin si një det i trazuar t’i zgjon ndjenjat e thella. “Malli i përjetësisë mbetet peng kujtimi”,  si një shkëmb i harruar nga valët e detit në trazim. Sensibilitetit i shkrimtarit është një dhunti “dhembjesh” të përflakura që merret me perfeksionimin e formave, me gjetjen e rrugëve për dëbimin e kujtimeve të hidhura, “me këngën e zgjimit/ dhe dritën e diellit/ në lindje...”, me zjarrin e dashurisë që ta magjeps shpirtin dhe s’mund ta harrosh.

Dhe ja më në fund gjaku i dritës, nata e heshtur, kënga e zgjimit, drita e vonuar dhe kënga e zogjve të harlisur! Poeti që shkruan duke jetuar dhe jeton duke shkruar, është i bindur se dy mijë vjet nuk i mjaftojnë për të deshifruar të vërtetat e botës, dhe sidomos të vërtetën e vet që është e një kombi të tërë. Shqiptari në vargjet e Burhanedin Xhemailit nuk është një zog i harlisur por një „përkushtim i trashëguar/ për ta ndërtuar piramidën/ e vlerave njerëzore”, pa harruar se ky rrugëtim nuk do të ndalet kurrë. Nëpërmjet poezisë „Populli im”, autor na pajis me një nga perlat më të ndritura të lirikës patriotike shqiptare: „Dy mijë vjet/ kërkove yllin e dashurisë/ gurin e ilirisë/ dy mijë vjet/ i ndjekur i vrarë i helmuar/ deri në vdekje/ qivurin e mikut tim/ mbështjellë me flamur kuq e zi/ e mban mbi supe/ e shpirti të dridhet/ flaka rritet”.

Dhe ja, përfundimisht edhe një tjetër, që meriton të mbahet mend! Fjala është për poezinë „Kënga ime më qorton”. Po e japim vetëm një fragment që vlen sa një monument: „ik nga jeta më thotë/ përqafo diellin yjet/ trimave të ditës mos u beso/ ik në majë të Karadakut/ ngre zërin/ lugetërit ia kanë frikën/ oshëtimës së Karadakut”. Vlen ta komentosh me frymëzim lirikën e tij. Përmes rikëndimit në gjuhën rumune nga Baki Ymeri, për Burhanedin Xhemailin mund të themi se është një poet universal i dritës shqiptare, një vullkan i zjarrtë i përmallimit, dashurisë dhe atdhedashurisë.



(Vota: 20 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora