E shtune, 27.04.2024, 12:00 AM (GMT+1)

Kulturë

Albert Vataj: Rrokun pre një pasioni kuqezi

E enjte, 06.06.2013, 08:53 PM


Rrokun pre një pasioni kuqezi

Nga Albert Vataj

Ndjenjat tona delikate shpeshherë gjenden të pushtume prej nji përqafimi dalldisës. Përflakemi prej dritës dhe zjarmisë që hedh mbi ne kjo penelat e beftë. Gjëndje dhe situata të ndryshme, ngasin për me çu peshë llavën që lëvrinë thellë pamjeve tona të prarura, pranive përgjuese që pipëtijnë në poterën toksore të kryeqytetit, si shkas përditësimi. Momenti na hedh në një përjetim si mbi prush që shpuzit e ne përpushemi, e tuj u djeg përshkëndijmë me ngjyra dhe dritë përreth. Shumëçka e hov hera herës tallazin e vërshimit tem të qetë, duke e shkumëzu e trand çdo copëz të unit që struket si një zog i friguem prej tançkaje që për të asht kërcënim. Ai është një prej ngasjeve më emocionuese që përcjell me vështrim qëmtues, në krejt këtë amfiteatër panoramik që kumton kryeqyteti në një ditë të zakonshme. Shihem me të çdo ditë në qëndresën e tij stoike përballë Teatrit të Operas dhe Baletit. Ai nuk nguron të përkëdhel sedrën teme nacionale, si një ditë e përditë. Nën peshën e erës që e shpalos, pamja dhe përjetimi janë magjepsëse. Bluja e thëlle qiellit që grish bardhësinë e reve lodruese në këtë pamje spektakolare qiellore, e vendos atë, mbi krahun e hekur që zgjaton, si mbi pasionin tim të dalldisun. E kuqja e saj tallazon në erën që loz shkujdesur me të. Shqiponja dykrenore, me fluturimin e vet rrok plot pasion horizontin. Unë jam përsëri aty duke e soditun, duke e fotografu, duke mbledhun copë pas cope, çdo moment dhe çdo trajtë të kësaj shfaqjeje, sikur ata të ishin magjepsjet e fundit kuqezi nën këtë qiell lozonjar qershori. Kjo lojë formash më ngas në këtë marrëdhënie ndjesore, e cila ngulmon të mbush çdo kthinë të brendisë teme në këtë marsh shqiptar. E kam parë sa herë këtë manifestim kuqezi, mbi duart e pafund të tifozave që tallazojnë stadjumet në përballjet e fushave të blerta. Në skena dhe ring, në pode nderi e në konkurim vlerash përfaqësuese, gjithnjë ngasës, tundues dhe emocionues. Ka një jetë që kjo krijesë e përkatësisë sonë kombëtare në botë, shpalon duke zgjuar hove dhe vullnesa të mira, gjithkund ku Uni ynë gufonte prej dëshirës me kumtu kushtrueshëm qenësinë tonë shqiptare. Që prej kreshtës së Deçiçit, më 1911, duke notu në gjak dhe duke flatru në jetë, prej ballkonit të shtëpisë vlonjatë, motit të 1912, atëkohë e përgjithmonë, ky shpirt veç fluturon. E në vështrimin tem, sot, mi përmend një për një të gjithë historitë, një për një mi shfleton bëmat e mbrumun kuqzi. Kurrçka ska që e përshkruan atë që zemra ta thotë e shpirti ta ndjell në këtë marrëdhënie, në këtë ngulm valimtar, që del prej thell teje dhe shpalon në këtë pëlhurë kuqezi. Nevoja për të qenë të mikluar prej një komunikimi të tillë, nuk buron vetëm prej limfës historike. Është një gjëndje e amullt brenda teje që të sëmbon duke të hedhur në këtë përballje, në këtë betejë dëshirash flatëruese. Ke nevojë dhe ëndërron të fluturosh si ky zog, si ky simbol nacional, nuk nguron, dhe hidhesh në krahët e dëshirës dhe ndjehesh flamur, kuqezi, në jetë të jetëve kuqezi.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora