Kulturë
Pëllumb Gorica: Pranvera durrsake nën ritmet poetike
E enjte, 06.06.2013, 06:00 PM
PRANVERA DURRSAKE,
NËN RITMET POETIKE
Mbresa nga Festivali Poetik “Pranvera Poetike Durrsake”
NGA PËLLUMB GORICA
Çdo
pjesëmarrje nëpër ngjarjet kulturore të sjell emocione dhe përvojë të veçantë e
sidomos kur përmes frymës së shenjtë të poezise dhe përhapjes së kësaj fryme në
këto festa, manifestohen vlera. Jo pak klube e shoqata poetësh veprojnë kudo në
Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, një pjesë e të cilëve si Klubi i Krijuesve Jonian”
i Sarandës, Klubi i Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, Jehona e
Karadakut në Kumanovë, Ars Clubi "Beqir Musliu" Gjilan, Shoqata e
Poetëve dhe Shkrimtarëve të Pejës e ndonjë tjetër realizojnë veprimtari letrare
me nivel, konkuruese të përvitshme e me frymëmarrje të re, por edhe pjesëmarrje
poetësh nga treva të ndryshme.
Ftesa e
miqëve të mi poetë durrsakë më gëzoi me dëshirën për të marrë pjesë në
festivalin poetik “Pranvera Poetike Durrsake”,si një nga veprimtaritë më të
rëndësishme e më të mirpritura për botën e krijusve të këtij qyteti. Mbresat
ndikuan në dëshirën për të shkruar.
Klubi i
poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit sigurisht meriton përgëzime për
organizimin e tyre. Aty shpesh zhvillohen veprimtari të ndryshme: promovime
librash, ditë poetike, ditëlindje krijuesish, ndajnë opinione mes tyre rreth
veprimtarive letraro-artistike, komentojmë krijimet që i konsiderojmë moto të
jetës, kuptimin e tyre e gjithçka tjetër, që ua mundëson gjuha e artit dhe
shpirti poetik. Kjo e bën këtë gjë si një libër të hapur, ashtu siç shprehet
një shkrimtar: “shoqëri është ajo me bukuri mendore e madhështi shpirti”. Dhe
mund të shkruash ndryshe apo të zbukurosh ato për t’i paraqitur në sytë e të
tjerëve si të mrekullueshme, por duke krijuar kështu një përvojë të bukur të
festimit të tyre meritohet të evidentohen vlerat, përjetimet e këndshme, si një
mozaik i bukur ndjesish. Festivali Poetik “Pranvera Poetike Durrsake” u
realizua me shumë sakrifica e pa mbështetjen e përkrahjen inkurajuese nga
instucionet shtetërore. Ndonëse me vështirësitë, poetët e Klubit të Poetëve,
Shkrimtarëve të Durrësit krijuan një mjedis tërheqës e të larmishëm. Dhe, duke
u shprehur se Festivali Poetik “Pranvera Poetike Durrsake” për nga rëndësia,
mënyra e organizimit, por edhe për pjesëmarrjen e poetëve nga Saranda, Shkodra,
Elbasani, Tirana ngjalli interes të veçantë. Me praninë e saj e nderoi këtë
festë poetike edhe Flora Brovina, kryetarja e Lidhjes së Shkrimtarëve të
Kosovës dhe dhjetra poetë nga Gjilani, Prishtina, Kastrioti.
Festivalin
Poetik “Pranvera Poetike Durrsake” e parapriu promovimi i librit “Triumfi i
kombit” i autorit Skënder Kapiti. Kryetari i Klubit të Poetëve, Shkrimtarëve
dhe Artistëve të Durrësit shkrimtari Nikolla Spathari, në çelje të këtij
festivali, theksoi rëndësinë që kanë veprimtari të tilla për komunitet krijuese
dhe artdashësit e një qyteti. Atmosferë e përcjellë ndërmjet edhe një
pjesmarrje të lexuesve të shumtë durrsakë, që mbushën sallën e teatrit
“Aleksander Moisiu”, në këtë promovim, por edhe e lexuesve nga treva të
Kosovës. Studiuesit referues, Vladimir Muça, Bedri Tahiri, Daut Hoxha e tjerë e
vlersuan botimin në aspektin historik të momenteve kyçe që kaloi kombi ynë.
Të ngelen
në kujtesë episode nga kjo festë poetike. Të natyrshme e tepër emocionuese,
vizitat e poetëve në galerinë e arteve figurative e ata nuk "ngopen"
me përjetimet e këndshme që vërtiten rreth artit. Galeria e Arteve Figurative
në Durrës, e hapur në ambintet të reja në qendër të qytetit, shpërfaqte artin
realist, të traditës e deri tek arti modern. Të mrekulluar nga ajo që
vështrojnë, befasohen nga pikturat e Gavril Priftulit, Nikolet Vasia, Shpresa
Beqirit. Edmond Agolli, poet dhe drejtues i Muzeut Etnografik dhe Galerisë së
Arteve Figurative ndjehet natyrisht entuziast kur arti përçon vlerat e tij
shpirtërore. Si një moment i bukur, poetët e vlerësuan edhe vizitën në muzeun
Etnografik, dikur shtëpi banimi e familjes së
aktorit të madh të skenës, Aleksandër Moisiu. Më pas, poetët të rrëmbyer
nga dëshirat rendin të shëtisin pranë bregut të detit, e të soditin pamjet e
bukura e tërheqëse, por edhe monumentet e lashtësisë së Durrësit, kalanë,
Amfiteatrin, sheshin “Taulantia”, të vizitojnë edhe studion e skulptorit Idris
Balani. Dielli i kësaj pranvere të lagësht, i rrethuar nga tufa resh të
përhimta, teksa lëshonte rrezet ndërmjet të çarave të tyre u gëzonte syrin. Në
ambientet e restorant “Drenicës” shijuan një drekë të këndshme në trokitjen e
gotave dhe emocionet e bisedave, vargjeve, muzikës. Deti, pak metra më tej,
nanurisej nën lëkundjen e dallgëve aty ku qindra pushues përjetojnë magjinë që
dhuron ai bujarisht, rrezet e diellit dhe rëra. Restorant “Drenica” u bë i
njohur në ditët e vështira të luftës së Kosovës, në vitin 1999, duke u kthyer
në një bazë të UÇK-së, e cila mirëpriti, strehoi e dërgoi në frontin e
luftimeve djemtë që vinin nga Europa e Amerika e largët për të dhënë
kontributin e tyre në çlirimin e Kosovës nga makina shoviniste serbe.
Pastaj
erdhi mbrëmja e poetët i mblodhi përsëri së bashku si tufa zogjësh. Duke
perfomuar artin e tyre, si indentifikim i bukur i unit në vargje, poetët në
orën letrare të mbajtur në ambientet e kompanisë “Sigal”, i cili shpesh herë po
bëhet promovues i vlerave krijuese të Durrësit, paraqitën portretin e tyre
krijues e shpirtëror, që të bëjnë të shtegtosh jo vetëm me mendime, po edhe me
ëndrra. Si një kuvendim i bukur apo si gjerdan i larmishëm i vezullimeve
poetike, ujëvarat e emocioneve krijonin larmi, ngjyra, aroma ndjenjash. Të
memorizuara në shiritin e tyre metaforik, u shpalosën krijime në segmente
ndjesore. Kështu që, të nguliten në mendje vargjet e poetëve: Agim Bajrami,
Bardhyl Agasi, Adem Zaplluzha, Agim Mato, Alma Begaj, Vaso Papaj, Sabit
Rustemi, Lindita Ramushi, Luan Jaupaj, Fatmir Musai, Timo Mërkuri, Etmond
Agolli, Beatriçe Balliçit, Abdyl Kadolli, Shyqyri Galica, Jaho Margjeka,
Vladimir Muça, Kabil Bushati, Dashamir Malo, Pandeli Koçi, Hyqmet Hasko,
Xhevahir Cirongu, Shahin Ibrahimi, Violeta Allmuça, Etleva Tafa, Alfons Zeneli
etj.Interesante dhe një risi ishte forma e paraqitjes, konkurrimit të krijimeve
për të vlerësuar më të talentuarit : Jaho Margjekën, Agim Baramin, Agim Maton,
Sabit Rustemin e Alma Begajn.
Emocione
dhuruan edhe momente të tjera festive, në një ambient tjetër të këndshëm buzë
detit, në restorantin “Tivari”. Ajri i freskët, muzgu i mbrëmjes, bregu i
detit, të cilat padyshim janë një kënaqësi e veçantë e atmosferë e ngrohtë
miqësore midis krijuesve. E kjo ndihej në harenë e këndshme e pasqyruar me
humor, këngë, vlerësime, biseda e ndjesi të një ditënate në festën e poeteve.
Me pak fjalë, e thënë shkurt, festivali poetik “Pranvera Poetike Durrsake”,
rrezatoi vlera e dritë hyjnore.
Nikolla
Spathari, kryetari i Klubit të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Arstistëve të Durrësit
duke përshëndetur poetët
Pjesmarrës
në Festivalin Poetik “Pranvera Poetike Durrsake”
Poeti
Agim Bajrami fituesi i vendit të II
Poeti nga
Gjilani Sabit Rustemi fitues i vendit të III
Poetesha durrase Alma Begaj, fituese e vendit të III
Poeti nga
Tirana Pandeli Koci
Poeti
durrsak Vladimir Muca
Autori i reportazhit, duke recituar poezinë kokuruese, Lumenjtë e mallit