E shtune, 27.04.2024, 12:07 AM (GMT+1)

Kulturë

Vullnet Mato: Kosa që kositi koka

E diele, 14.04.2013, 12:17 PM


KOSA QË KOSITI KOKA

Tregim nga libri i përgatitur për botim

Nga Vullnet Mato

Kosa e mprehur mirë në kudhrën e skuqur me prushin e “Zjarrit të Proletarëve” quhej Kosta  Petrani. Ishte një kosë prej çeliku gri, që xixëllonte shkëlqimin e mprehur hollë dhe u fuste dridhmat në palcë të gjithë poetëve të Luginës Lindore.

Ditën kur dy poetët e Barzenës u dënuan me heqjen e kokave, kosa Kosta Petrani lëshoi mbi kokat e sallës së gjyqit një rrezatim të zi. Teksa lexohej ekspertiza ideore prej pesë faqesh, e këtij specialisti të kosave, që i cilësonte ata dy pëllumba fatzinj të poezisë, si armiq të “Saharës” shqiptare, unë ndodhesha nga  mesi i sallës. Sapo mbaroi leximi i tmerrshëm, kosa Kosta Petrani hodhi një vështrim të vëngër nga unë, me të cilin la të  kuptohej se pas tyre, më kishte ardhur radha mua, që kisha shtypur vjershat e tyre me “Olivettin” tim të vjetër, për t’i vënë te tabela e letrarëve të rinj të shtëpisë së kulturës. Ai vështrim prej kobre më futi dridhmat në të gjithë trupin me një intensitet të tillë, që as tërmeti dhjetë ballësh nuk do të më kishte tronditur më tepër.

Dita e heqjes së kokave të dy poeteve erdhi shpejt. Polici i qenit gjurmues të degës, që ishte komshiu im, më tha rastësisht në mëngjes:

-Në tre gërmime te mali i Zgarës, doli shkëmb i zi dhe mezi i kemi varrosur për gjithë natën.

-Thanë gjë para vdekjes?...

-Nuk folën fare, po për çudi, nuk donin të vdisnin me tre breshëri plumbash. Vetëm plumbi i katërt në kokë i komandantit të skuadrës së pushkatimit i palosi përtokë...

M’u bë një shkëmb i zi në gjoks. Po atë pasdite u trishtova me dhimbje zemre, kur pashë se u kthyen të lara me lot nënat e tyre shamizeza, që kishin shkuar t’i luteshin “Strategut të madh” t’u falte jetën. Oficerët e gardës, jo vetëm nuk i kishin lënë të afrohen te muri rrethues, por dhe i kishin përzënë me shkopinj gome.

Prita me ankth ditën kur do të më vinte dhe mua radha e llahtarshme e plumbit të katërt në kokë. Ishte një pritje që i ngjante asaj të të dënuarve me vdekje në hekurat qelive të burgut. Më bëheshin çdo natë në gjumë një mori kosash që ngriheshin mbi kokën time, si shpatat e gladiatorëve nëpër filma lashtësie. Dhe atëherë zgjohesha i tmerruar, duke frikësuar keqas gruan dhe fëmijët.

-Shpejt, lutju tavanit, !- më thoshte gruaja e alarmuar.

Dhe unë çoja kryet nga tavani me kallamishte të suvatuara, ku mendoja se ishin montuar çimkat përgjuese të sigurimit dhe bëja ritualin:

- O feneri i madh ndriçues i jetës sonë, që ndriçon nga Tirana të gjithë botën, me dritën e kuqe të marksizëm-leninizmit, më shkri edhe mua në dritën tënde jetëdhënëse, që të bëhem një rreze drite e bashkuar me tufën shumë milionëshe të këtij feneri, në dorën heroike të “Strategut” tonë të lavdishëm!....

S’kishin kaluar as tri javë, kur më thërret në komitetin e partisë, Kosëtari i Parë i kësaj godine, që quhej Marko, ishte një merceolog trupmadh. Me flokë të verdhë të lëpira anash, me vetullat e verdheme, me dy sy gri të mprehtë dhe me egërsinë e shprehjes së fytyrës, ai kishte pamjen e një nazisti. Një shoku im hokatar, sa herë e shihte në horizontin e largët të bulevardit kryesor të qytetit, përsëriste lehtë nderimin nazist: ”Zig hail!“

Para tij qëndrova krejt i qetë, duke menduar se jam thirrur për ndonjë punë. Por kur nxori nga sirtari revistën “Ylli” ku ishte botuar një cikël me poezi të mia dhe filloi të kërkonte shpjegime për poezinë “Ndodh edhe dielli”  u shtanga krejti  befasuar.

-Ç’do të thuash ti me këtë vjershë? - ishte pyetja e parë e Kosëtarit të Parë, i cili kishte marrë impulse nxitëse për parregullsi ideore të kësaj poezie nga kosa Kosta Petrani, që jo pa shkak më kishte vështruar vëngër në  sallën e gjyqit të tmerrit.

-Dua te them atë që thotë vjersha ! - i thashë duke u rrekur të mposht turbullimin.

Ai më kundroi qortueshëm me një vështrim të rëndë.

-Domethënë drita diellore e partisë tonë, qenka e mërzitshme për ty?...

Nënqesha instinktivisht, duke menduar se ky ishte një konstatim i mjerë i një njeriu që dinte të interpretonte llojet ushqimore dhe kujtonte se edhe poezitë janë si frutat e zarzavatet. Apo që kujtonte se mund të nxirrte Partinë nga rrezet e diellit, siç nxirrte krunden nga rrezet emiellit.

-Më bëhet qejfi shumë, që ju, shoku sekretar, lexoni poezi, - i thashë me një buzagaz të shtirë.

-Di ti, po dimë dhe ne ! - tha Kosëtari nazist me ton të ashpër.

-Nuk thashë se ju nuk dini, - shtova menjëherë - Po duke menduar ngarkesën tuaj me punë të shumta, shpreha kënaqësi që gjeni kohë për të lexuar edhe vjershat tona...

Nuk e priti mirë as këtë frazë timen.

-Ti kujton se duke i spërdredhur fjalët si të do qejfi, mund të tallesh me diellin e partisë?... - shfryu me një tonalitet që binte erë padituri dhe arrogancë.

-Ju lutem, shoku Marko, më vjen keq të bëni një interpretim të tillë, kur vjersha nuk e thotë këtë në asnjë fjalë, por shpreh dashurinë përvëluese të dikujt, e cila nuk i bën përshtypje partnerit që s’e do. Unë partinë e shoh tek njerëzit, tek veprat, kudo në tokë, por jo te dielli përvëlues i kozmosit.- thashë me keqardhje të sinqertë, duke menduar se mund ta qartësoja sadopak nga keqinformimii kosës Kosta Petrani.

-Mirë, mirë, do ta shohim ! Ik tani !- tha ftohtë, duke më përzënë nga zyra edhe me lëvizjen përçmuese të dorës.

Dola jashtë krejt i verbuar. Dielli i shndritshëm i atij mëngjesi, ishte ngritur lart në qiell dhe prej andej derdhte mbi tokë flakën e tij të lëngshme. Te trotuari i tregova gjithçka shokut tim që ishte drejtor i gjimnazit. Ai ma lehtësoi disi dyshimin e llahtarshëm që më kishte kapluar. Kjo është fantazi emerceologut Zig hail, - tha ai pa merak, - sepse askush nuk ka të drejtë  të mendojë e të thotë budallallëqe të tilla për atë poezi.

Të pasnesërmen më erdhi lajmërimi me firmën e vetë kosës Kosta Petrani, që ishte kryetari i degës së lidhjes së shkrimtarëve të Luginës Lindore, se duhej te paraqitesha patjetër në mbledhjen e zgjeruar të forcave krijuese. Dridhmat shtuan intensitetin në çdo milimetër të perimetrit tim prej mishi dhe kockash të hallakatura nga terrori psikologjik dhe pagjumësia.

Gjithçka u kuptua kur instruktori i ardhur nga kupola qendrore e fenerit të madh të Tiranës dhe i prirë nga Kosëtari i Parë i Luginës sonë zunë vend në tryezën kryesore. Kosëtari thirri në tryezë edhe kosën Kosta Petrani, si veglën e tij, të njohur për vargjet deklarative: “Le të rrjedhë çeliku për dyfek e plugje/le të pëlcasë armiku,/ moj kala e kuqe“ me të cilat ai u vu përmbi të tjerët. Ndonëse ishte një krijesë zvarranike që e kishte çarë rrugën duke rrëshqitur si krimb, nga një letrar i zakonshëm, deri te kryetari i forcave krijuese. Por shumë nga qenia e tij kishte mbetur ende krimb, që gërryente pareshtur tulin e trurit tonë krijues, për të na krimbur të gjithëve nga brenda.Prania e kosës së tij më trembi më shumë se kushdo tjetër, sepse si ekspert i Degës së Brendshme, ai u kishte vënë vulën si krijime të gabuara ideologjikisht dhe krejt armiqësore, vjershave të poetëve të Berzanës, kositja e kokave të të cilëve, kishte gjakosur edhe krejt atmosferën e Luginës sonë.

Kosëtari i Parë, prezantoi instruktorin e dërguar nga truri ideologjik i kupolës kryesore të fenerit dhe tha, se nën frymën e Plenumit të Katërt, do të diskutohej për ndikimet e huaja në letërsi e arte edhe me krijuesit e Luginës Lindore. Pasi hodhi një sy të përgjithshëm nëpër sallë, Kosëtari Marko shtroi pyetjen:

-A ka edhe në krijimet tuaja nga ato të meta që shtroi Plenumi i Katërt? - (Mua më tingëlloi: Plumbi i Katërt)

Një copë herë askush nuk mori guximin të fliste.

-Duhet të flisni të gjithë pa përjashtim! - ngulmoi ai, -Kush ndjen se ka ndikime, të shprehet lirshëm, për ta pastruar veten!

Pas një pauze të shkurtër, u çuan njëri pas tjetrit disa pseudokrijues, që nuk kishin arritur të publikonin asgjë nga zhgarravitjet etyre. Më në fund, Kosëtari i Pare drejtoi vështrimin nga unë dhe më thirri me emër:

- Po ti, ndjen se ke ndonjë të metë në krijimet e tua?

I mbushur deri në grykë me armatimin tim kundërshtues, u çova dhe thashë së pari:

-Mosarritje artistike mund të kem edhe unë, si gjithë të tjerët, po gabime ideologjike jo.

Kosëtari i Parë shqeu sytë dhe hapi me vrull faqet e revistës.

-Po ky dielli i partisë që bëhet i mërzitshëm këtu, nuk të duket gabim ty?...

-Ai aty është dielli i qiellit, jo i Partisë, - thashë vendosmërisht. -Fjala parti s’është kërkund aty dhe as mund të nënkuptohet, përderisa flitet për dashurinë midis dy të rinjve.

-Thellohu, thellohu !- urdhëroi rreptë Kosëtari Marko, që siç kërkohej zakonisht, unë të futesha me këmbët e mia thellë e më thellë gabimeve të paqena, të cilat do të më çonin në kasaphanën e Plenumit të Katërt,si dashin te kasapi. Këto i dinte ai, po i dija dhe unë...

-Jam ngacmuar nga tragjedia e një oficeri gramshiot, që vrau në korridorin e konviktit të universitetit, ish të fejuarën, e cila nuk e donte. Duke gjykuar se ai nuk kishte të drejtë të impononte dashurinë e tij sado e flaktë të ishte... Dielli kozmik mund të bëhet në poezi pjepër, bukë misri, dajre e gjithçka tjetër në varësi të subjektit poetik që përdor dhe s’kam pse të akuzohem për cënimin e figurës së partisë... -vijova duke ndjerë se sytë po më xixëllonin nga sikleti. Dihet si punon trurinë raste të tilla.

-Ja të pyesim edhe kryetarin tuaj, që është poet i afirmuar, - iu drejtua kosës së vet servile, Kosëtari Marko.

Në gjysmëerrësirën pas shtyllës së sallës ku ishte ulur në karrigen e tij, kosës Kosta Petrani i shndriti tehu i syve, si sytë e ujkut të uritur në muzg. Ai u përtyp një grimë, uli vetullat e trasha dhe zgjati buzët që u jepte formën e hinkës sa herë matej të fliste:

-Ashtu është, dielli është fiksuar në art si simbol i partisë dhe nuk mund të gatuhen figura negative për të...- tha me një zë tëzvargur e me harenë e grabitqarit që i ka dalë gjahu në shteg.

Atë çast të tmerrshëm, m’u duk sikur në vend të gojës së tij, u hap prapanica e një  lope dhe lëshoi produktin e njohur. Asnjëherë nuk i deshi ata që shkruanin më mirë se vetja. Për ta, ai vetëm një gjë kishte në kokë, t’ua gërmonte gropën fshehtas.Truri i tij punonte si një kurth i vërtetë dhe shpirti i tij ishte i mbushur me smirë, sa një ferrë e mbushur me gjemba. Në atë tronditje të fuqishme, kur koha pushoi së qëni kohë dhe hapësira nuk ishte më hapësirë, unë nuk arrita ta komandoj veten. Gjithë jetën kisha pasur frikë nga plumbi, por në ato çaste,kur isha vënë para skuadrës së tyre të pushkatimit, frika ime u zbeh krejt.Sepse edhe vdekja m’u duk më e ndershme, duke zbrazur të gjithë arsyetimin e trurit, për të shfryrë dufin e për ta mbrojtur veten si burrat.

-E more Jago, se ti i thur këto intriga! - ia plasa, duke menduar se ngulmonte të më bënte patjetër kurban të kosës së tij edhe mua si ata dy të mjerët...

-Mos ofendo të tjerët, se për ideal, të vura hekurat që këtu ! - klithi me nervozizëm Kosëtari i Parë, fytyra e të cilit u shtrembërua keqas dhe sytë e bardhë sikuri dolën nga orbita.

Nga fjalët e tij ndjeva te veshët oshtimën e plumbit të katërt në malin e Zgarës dhe m’u duk sikur kafka më shpërtheu në dhjetëra copa.

-Ky, si mësues letërsie s’duhet ta thotë këtë, se e di mirë që simbolet letrarekrijohen brenda nëntekstit, jo në mënyrë shabllone. Askush nuk mund të mohojëfaktin se dielli para se të bëhet simbol, është një nga trupat qiellor dhegjithsesi për ekzistencën e tij kozmike do të flitet patjetër në poezi,  - u përpoqa ta zbut edhe me shprehjen epamjes sime.

Vijuan të japin mendimet e tyre edhe disa amatorë, apo ndonjë i vetëquajtur krijues. Madje një ushtarak, që pretendonte prej dhjetë vjetësh se po shkruante një dramë, tha, pse unë isha treguar aq mendjemadh e nuk kisha shkuar të konsultohesha me të, që si oficer kishte një përgatitje të lartë ideopolitike. Nja dy, me të cilët kisha pasur shkëmbime fjalësh të ashpra, filluan të hidhen drejt meje si karkalecat. Disa të padëgjuar të tjerë, u bënë aq të mëdhenj aty, saqë të linin përshtypjen se ishin gati t’i zinin vendin Kadaresë dhe Agollit. Vetëm regjisori i shtëpisë së kulturës dhe drejtori i gjimnazit më mbrojtën fuqimisht, duke shprehur konsiderata, se kisha botuar krijime të atij niveli që ishin recituar në skena e në radiotelevizion.

Nga vlerësimet e tyre mora zemër dhe vijova të pastroj të gjithë baltën që më ishte hedhur.

-Në qoftë se do të thosha “Parti o dielli i jetës sonë” dhe pastaj të përdorja vargun për të cilin më akuzoni, atëherë gaboja vërtetë. Po të merret në sensin sipërfaqësor, se dielli është Partia, atëherë del se dielli perëndon, kurse Partia jo. Dielli ka njolla të errëta, partia jo. Dielli është një trup qiellor i zjarrtë, të cilit sa më shumë t’i afrohesh, të djeg e të shkrumbon. Kurse partia sa më shumë t’i afrohesh, të fut në gjirin e saj e të lartëson...

Mirëpo, nëse e gjitha ajo që po ndodhte aty, nuk ishte veçse një moskuptim apo keqkuptim i tyre, atëherë duhej të rishqyrtoja të gjitha sa kisha besuar deri atë çast dhe të mendoja plotësisht se ata që dënoheshin politikisht, pushkatoheshin apo burgoseshin, ishin fajësuar fare kot.

Gjyqi im vazhdoi katër orë, gjatë të cilave herë më fundosnin thellë dhe herë dilja në sipërfaqe, duke qenë i bindur se isha vaj, që sado me ujë të më mbulonin, do dilja sërish përsipër. Më në fund, e mori fjalën instruktori i kupolës së madhe të Tiranës, i cili, çuditërisht i qenësishëm deri në atë çast, kishte heshtur krejt, duke mbajtur shënime në bllokun e vet për gjithçka flitej aty. Ishte një mesoburrë, me flokë të zbardhur anash, me sy të kaltër e vetulla të shtrira.

-U përgëzoj për diskutimet serioze e me shqetësim qytetar, - tha me një ton të qetë, që dëgjohej fare mirë në qetësinë totale gjatë kohës që fliste ai. - Lidhur me poezinë “Ndodh edhe dielli“ e kuptoj edhe unë ashtu siç e shpjegoi krijuesi i saj. Në nëntekstin e vet, vjersha nuk ka Partinë dhe as mund të nënkuptohet ajo aty. Megjithatë, duhet bërë kujdes kur përdoren simbole negative të tilla, që njerëzve të mos u shkojë mendja te Partia. Nuk ia vlen të zgjatemi më tej për këtë çështje. - përfundoi ai, pasi kishte kuptuar fare mirë, se smira e kosës poetike spiune dhe hekurat enazistit Marko, nuk bënin për duart e mia të buta. Megjithatë, arsyen pse pranoi ai instruktor kompetent të vinte aty, për të diskutuar atë poezi fare të qartë për të, unë s’kam për ta ditur kurrë. Por mendoj se ndoshta truri i atyre partiakëve, ishte sajuar në atë mënyrë, që të shihnin te subjekti artistik edhe të keqen edhe të mirën njëkohësisht. Pas kësaj ai u çua menjëherë për të dalë.

-Ne nuk e bëmë mbledhjen për autorin e kësaj poezie, -shpejtoi të thotë Kosëtari i Parë duke nxituar të dilte pas tij.

-Që e bëtë për mua, e tregon revista”Ylli” që keni marrë me vete, - shpejtova t’i përgjigjem, gati duke fluturuar nga gëzimi, që nuk arritën dot të më rrëzojnë nga teli i “mëkatarëve” që ishte tendosur mbi kazanët me bitumin përvëlues të ferrit ideologjik.

Ai rrudhi buzët dhe në ikje e sipër sytë i lëshuan njën driçim të keq.

Disa ditë më vonë u mblodh plenumi i partisë me ajkën ideologjike të fshatrave të Luginës dhe kryetari spiun i forcave krijuese, në diskutimin e tij kishte përmendur sërish emrin tim, si autor me shkarje ideore.Ndonëse e kundërshtoi drejtori i gjimnazit që ndodhej në atë mbledhje, me argumentin se kjo çështje ishte sqaruar nga lart.

Shpesh kam menduar se ndoshta kosa Kosta Petrani, që me shterpësinë e vet, s’po botonte dot gjë prej disa vjetësh, i kishte inat të tjerët, sikurse një qen që ruan njëmullar me bar të thatë, i cili vërtetë s’mund të hajë vet asgjë, po nuk do të afrohen aty as të tjerët dhe leh deri larg.

Por nga ato lehje ideologjike, eshtrat e poetëve të Berzanës, dergjeshin nën tokën shkëmbore të malit të Zgarës, duke akuzuar kosën e tij të gjakosur, deri në pafundësinë e tretjes së tyre.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora