E premte, 26.04.2024, 02:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Hyqmet Hasko: Poezi e traditës poetike

E marte, 05.03.2013, 10:29 PM


Duke lexuar librin me poezi “S’të them dot lamtumirë” të poetit Haxhi DIKOLLI

Një poezi në shtratin më të mirë të traditës poetike

Nga Hyqmet Hasko

Kur shfleton fletët e një libri të ri me poezi, gjëja e parë që të bie në sy tek ky libër është se çfarë përfaqëson ai në raport me pjesën tjetër të përvojës poetike të poetit, nga njëra anë dhe në raport me pjesën tjetër të prurjeve të shumta të poetëve të tjerë, që lëvrojnë arën e madhe e të pafund të poezisë shqipe, nga ana tjetër.

Tek Haxhi Dikolli janë të dyja kurbat në ngritje: edhe kurba që shënon rritjen e tij në raport me veteveten e shpalosur në të tjera akte poetike, edhe kurba krahasimtare me të tjerët, sivëllezërit  e tij poetë, me të cilët ndryshon për faktin se Dikolli nuk i ngjan askujt tjetër, përvevçse vetevtes.

“S’të them dot lamtumirë” është përmbledhja më e fundit poetike e Haxhi Dikollit, një aventurë shkrimore përtej të zakonshmes, një endje e bukur në trajektoren e trillit dhe ëndrrës së poetit, në kohën e zgjimit të ndjesive dhe impresioneve, që i vijnë nga brenda, si një ftesë e papërballueshme për të reflektuar poetikisht.

Dikolli duket se nuk ka pikë sforcimi e shtirje kur merr penën për të shkruar; ai thjeshtë ndjen ritmin e zemrës së tij, pjesëton e shumëzon çastin në kohën e përditshmërisë, duke na dhënë me një muzikalitet aq të ëmëbël e aq të dëlirë vizatime dhe gjendje sa reale e konkrete aq dehëse e trallisëse…

I vendosur në shtratin e tradicionalizmit poetik, në atë guvë burimore ku është folku, zërat e ngrohtë lirikë që vijnë nga etnopsikika poetike kolektive, Dikolli nuk mbetet rob i kësaj tradite, por me origjinalitetin e zërit të tij, me tonet aq të ndjeshme e kumbuese deri në dehje, me lirizimin dhe spontanitetin e tij, e pasuron këtë traditë me imazhe dhe struktura të reja poetike.

Ajo që në të vërtetë përbën individualitetin e poetit është freskia e motiveve, marrja e “lëndës së parë” poetike  nga jeta e gjallë njerëzore, nga raportet e unit të tij me kohën dhe bashkëkohësin dhe jo nga skemat libreske, ndikimet dhe spostimet akrobatike, siç bëjnë një duzinë poetësh, që nuk shkruajnë veteveten, nuk janë vetvetja, por ndihen të kompleksuar nën hijen e të tjerëve.

Poezia e Haxhi Dikollit nuk vjen nga shtampat deklerative, nga agjustimet dhe ilustrimet rozë të realitetit, por nga një njohje e thellë e objektit poetik, nga fuqia e ndjenjës dhe intensiteti i emocionit, që vë në lëvizje turbinën e mendimit për të prodhuar energjinë poetike, që na vjen me anë të vargjeve të ndjerë e të ngrohtë, plot ritme e temporitme të brendshme.

“Po është me fat edhe mëkati

E s’e bën dot kur e do ti

Duhet që qielli të pikojë

Dhe ti të jeshë një pikë shi”

(Poezia “Pikë shiu” fq.78)

Nga “pika e shiu” tek “pika e tij e dobët”, nga “pëshpëritja” që i zgjon vdekja e komshiut të shkallës tjetër, tek magjia e të ndodhurës “për herë të parë”, nga kumti i heroit antik Odiseu tek mesazhi hënor i gruas së bukur të Rrugës “Fortuzi”, nga hijet që zgjaten në një muzg të pafund e të paformë tek enigmat e mbetura “midis dy dashurive” etj., Dikolli zbulon një botë të bukur, një botë të thyer, plot ngjyra dhe kontraste, një botë jo në kornizë por në lëvizje, që e shpie poetin drejt magjijimit dhe, pse jo, drejt zbulimit të kultit të lirisë persoanle dhe kolektive.

Dikolli është një lirik i ngrohtë, plot ritme jete dhe ngjyra të përndezura, ku rrinë aq mirë dhe në simbiozë të plotë elemetët klasikë me pak spërkatje të lehtë, një si tis moderniteti. Ai vizaton shkujdesur, por me linja të qarta e të përvijuara ëmbël peizazhe të thyer të shpirtit njerëzor dhe të historisë, duke i zgjeruar rrathët e këndvështrimit poetik nga vargu në varg, nga strofa në strofë, nga poezia në poezi, me një pasuri trajtash, figurash dhe mjetesh shprehëse.

Dikolli është poet i kërkimit të thellësive jo i sipëfaqeve të lëmuara; ai është një bard i jehonave të unit të tij, të cilin e integron në epokën globale të përditshmërisë, me dhimbjet, trillin, mallin, idilin, vuajtjen, mungesat, zhvensdosjet fizike dhe shpirtërore, të kohëve dhe hapësirave, nën harpën e një muzikalitetii të tejndezur lirik.

Poeti e tejshtrin botëvështrimin e tij në hullinj të njohur përjetimesh, por mënyra se si ai vështron në këta hullinj është befasuese; duke sjellë ritme dhe melodi të hazdisura e trillere, që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete.

Pjalmi i folkut duket sikur e josh poetin të shkund frymëzimin e tij mbi vargjet aq të ndjera dhe fine, shkruar me një elegancë të admirueshme dhe me një lirizëm aq të ngrohtë dhe spontan, por ky folk thyhet e bëhet disi “agresiv”, për shkak të teknikave moderne të vjershërimit, për shkak të disa elementeve si ironia  e hollë e zhbiruese, që poeti i përdor si mekanizëm përforcues të aktit të tij mediativo-lirik.

Ky shpalim i poetit, sjell me vete një aromë të veçantë poetike, risinë e riciklimit të bukurisë, si një kumt ndjellës drejt harmonisë dhe përsosmërisë, në kufijt mes realitetit të rëndomtë që ushtron presion dhe ëndrrës së kulluar, si produkt i mirëfilltë poetik. Në këtë vijë poeti mbjellë farë buzëqeshjesh, dhimbjesh, malli, ëndërrimi, flirti, magjijimet e ditës dhe mëkatët e natës, një minbotë të pasur e të pastër, që është një ftesë për ta vizituar në çdo kohë…

Në qendër të këtij fokusimi është fjala njeri, raportet e tij me të ngjashmin, me kohën, me bashkëkohësin, me anën hyjnore të botës, me filozofinë e mbijetesës dhe të ecurisë së brezave.

Vargu i thjeshtë por elegant i Dikollit nuk kërcet, nuk kërkon të duket, por është i vetëmjaftueshëm për atë çfarë kumton dhe si e kumton, me një natyrshmëri dhe sponanitet për t’u admiruar.

Tipopogjia poetike ku vendoset dhe përvijon shfaqjen e fytyrës së tij Dikolli është ajo e trevës jug-lindore  të vendit, ku iu kanë ardhur letrave tona poetët më në zë si Lasgushi ynë, për të vijuar me Agollin, Dh. Qirjazi  e plot të tjerë, deri tek më të rinjtë si S. Rusi, Q. Muska e të tjerë.

Kur lexon me një frymë përmbledhjen poetike “S’të them dot lamtumirë” të poetit Haxhi Dikolli, seç ke një dëshirë t’i kthehesh një leximi të dytë e të tretë, duke zbuluar pas çdo rileximi një vatër të re ngasjeje dhe qasjeje drejt asaj bukuria të praruar e farfuritëse, ku ngjyhet pena e poetit, i cili na përcjell me aq sharm dhe elegancë vetveten të pjesëtuar e të shumëzuar me aq shumë ëndrra dhe impresione…

Libra të tillë me poezi, si ky i poetit Haxhi Dikolli, tregojnë për mundësitë e mëdha shprehëse dhe imazhinuese të poezisë së re shqipe, e cila tashmë e çliruar nga jashtësitë dhe dogmatizmi, në një tendencë të bukur për të kapur kohën e humbur, po sjell në rrugën e saj poetë të vërtetë, të rinj e të vjetër, të prirjeve e tendencave të ndryshme, tradicionalë, modernistë e postmodernistë, me përvojë ose fillestarë, që gjithësesi janë vetveteja dhe të gjithë së bashku i japin pulsin e duhur artit tonë poetik…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora